May 09, 2024 11:20 Europe/Tirane

Kreu i stafit mjekësor të organizatës "Mjekët pa Kufij" paralajmëroi se situata e furnizimit me ujë, ushqim dhe ilaçe në Rripin e Gazës ka arritur në një fazë të rrezikshme dhe se mbyllja e vendkalimit të Rafahut do të përkeqësojë kushtet e njerëzve.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Aurelie Godard, kreu i ekipit mjekësor të organizatës "Mjekët pa Kufij", në një deklaratë, duke kërkuar rihapjen e vendkalimit të Rafahut tha se ndihmat humanitare, pajisjet mjekësore, ushqimet dhe karburantet duket se nuk do të hyjnë më në këtë zonë.

Duke paralajmëruar se uji, ushqimi dhe medikamentet janë jashtëzakonisht të pakëta në Rripin e Gazës, Godard shtoi: "Pas shtatë muajsh lufte, e cila ka detyruar 1.7 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, vendimi për të mbyllur këtë vendkalim përkeqëson më tej kushtet tashmë të rënda të jetesës për njerëzit e bllokuar në Gaza."

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi gjithashtu se sasia e karburantit në spitalet në jug të Rripit të Gazës është e mjaftueshme vetëm për 3 ditët e ardhshme, që do të thotë se së shpejti këto spitale do të jenë jashtë funksionit.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një mesazh në rrjetin social X ka paralajmëruar se mbyllja e vendkalimit tokësor të Rafahut do të parandalojë hyrjen e karburanteve në Rripin e Gazës dhe, në këtë rast, do të ndërpriten të gjitha operacionet humanitare.

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, paralajmëroi gjithashtu në një deklaratë se sulmi i regjimit sionist në Rafah do të shkaktojë fatkeqësi humanitare.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje regjimit sionist dhe lëvizjes Hamas që të arrijnë një marrëveshje armëpushimi dhe të parandalojnë pushtimin e plotë të Rafahut nga ky regjim.

 

Tags