Presidenti egjiptian Sisi vizitë historike në Ankara
(last modified Wed, 04 Sep 2024 18:08:58 GMT )
Shtator 04, 2024 20:08 Europe/Tirane
  • Presidenti egjiptian Sisi vizitë historike në Ankara

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologu i tij egjiptian Abdel Fattah al-Sisi pranuan sot të forcojnë bashkëpunimin mes vendeve, kryesisht për konfliktin e rëndë në Palestinë, duke i dhënë fund një ftohjeje gati dhjetë-vjeçare në marrëdhëniet Ankara-Kajro.

Presidenti turk priti në aeroport homologun egjiptian në vizitën e tij të parë zyrtare në Turqi, duke e quajtur “vëlla i dashur nga Egjipti”.

“Ne do të tregojmë përgjegjësi për komunitetin ndërkombëtar por për fat të keq disa vende janë të përfshira në krimet që Izraeli po kryen në Gaza, duke i dhënë atij mbështetje të pakushtëzuar”, tha Erdogan.

“Asnjë hap nuk po merret për të ndaluar politikat e masakrës së Netanyahut e qeverisë së tij, që rrezikojnë rajonin e botën. Të gjithë duhet të kuptojnë se sa e papranueshme është një panoramë e tillë”, shtoi presidenti turk.

Presidenti egjiptian El-Sisi, e mbështeti homologun turk duke thënë:

“Dua të theksoj unitetin e qëndrimeve të Turqisë e Egjiptit në kërkimin e një armëpushimi për ofensivën aktuale të Izraelit në Bregun Perëndimor, dhe për aspiratat e popullit palestinez për shtetin e pavarur me kufijtë e 4 qershorit 1967, me Jerusalemin lindor si kryeqytet”.

“Kemi rënë dakord të konsultohemi gjithashtu mes institucionesh për konfliktin në Libi, për mbajtjen e mundshme të zgjedhjeve atje dhe për largimin nga vendi të forcave të huaja, ilegale, e mercenare”, shtoi presidenti egjiptian, duke përmendur gjithashtu përpjekje për ulje të përshkallëzimeve në konfliktin në Sudan dhe rrezikun në Somali.

 

Tags