BE i kërkon Polonisë të pezullojë reformat gjyqësore
(last modified Thu, 20 Jul 2017 18:53:51 GMT )
Korrik 20, 2017 20:53 Europe/Tirane
  • BE i kërkon Polonisë të pezullojë reformat gjyqësore

Komisioni Evropian i bëri thirrje Polonisë të pezullojë reformat kontroverse gjyqësore, të cilat, sipas tij, “do të kenë ndikim të madh negativ” në pavarësinë e gjyqësorit.

Në të kundërtën, paralajmëroi KE, Polonia do të përballet me sanksione të paprecedente, nisur nga java e ardhshme. “Do t’i përgatisim me shpejtësi procedurat për shkelje të ligjit të Bashkimit Evropian”, tha nënpresidenti i parë i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, pas një takimi të Komisionit në Bruksel. Qëkur ka fituar zgjedhjet në vitin 2015, Partia për Ligj dhe Drejtësi e Polonisë ka bërë përpjekje të rrisë ndikimin e qeverisë mbi gjykata dhe prokurori, ashtu si edhe në media. Javën e kaluar, Parlamenti, i cili kontrollohet nga Partia për Ligj dhe Drejtësi, ka miratuar reformat gjyqësore që opozita dhe të tjerët i shohin si kërcënim të ndarjes së pushteteve. Legjislacioni do t’i japë ministrit të Drejtësisë, të emëruar politikisht, kompetencë për të emëruar shefat e gjykatave të Polonisë. Përveç kësaj, Parlamenti do të zgjedhë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit, roli i të cilit është të mbrojë pavarësinë e gjykatave. Partia për Ligj dhe Drejtësi po ashtu ka paraqitur një projektligj në Parlament, që do të vinte nën kontroll të pushtetit ekzekutiv Gjykatën Supreme, e cila mbikëqyr gjykatat më të ulëta. "Këto ligje rrisin ndjeshëm kërcënimet sistematike mbi sundimin e ligjit," paralajmëroi Timmermans. Qeveria polake nuk ndalet në përpjekjet e saj për të vendosur kontroll politik mbi sistemin gjyqësor në vend, pavarësisht protestave masive të zhvilluara ën të gjithë vendin. Me qindra mijëra njerëz demonstruan kundër hapave të partisë qeverisëse ligj dhe drejtësi, e cila kërkon të marrë të drejtën e emërimit të gjykatësve dhe anëtarëve të Gjykatës Supreme. Megjithë kundërshtimin e hapur të opozitës dhe sidomos publikut të gjerë, qeveria polake thotë se lëvizjet e saj janë të nevojshme për të bërë më efekti gjyqësorin dhe mbi të gjitha për ta çliruar nga kthetrat e një kaste të privilegjuar. Parlamenti tashmë ka nisur shqyrtimin e legjislacionin që nëse miratohet do ti jepte fund menjëherë emërimit të 83 gjykatësve të Gjykatës Supreme, me përjashtim ët atyre që do të vendoste të mbante ministri i drejtësisë, fuqitë e të cilit shtohen ndjeshëm nga projektligji. Ligji që e bën Gjykatën Supreme organ qeveritar pason një tjetër ligj po kaq kontradiktor që u miratua javën e shkuar dhe që i jep parlamentit kontrollin e organizmit deri dje të pavarur që emëronte gjykatësit polakë. Ekspertët thonë se ligjet e reja e bëjnë gjyqësorin në vend praktikisht një ministri dhe duket se këtë pikëpamje ndan edhe bashkimi evropian, pasi nuk kanë munguar zërat nga Brukseli që thonë se Polonia po bën hapa pas në kuadër të pavarësisë së gjykatave.

 

Tags