Amerika tërhiqet nga kërcënimet kundër Koresë së Veriut
(last modified Sat, 12 Aug 2017 07:04:59 GMT )
Gusht 12, 2017 09:04 Europe/Tirane

Në kohën kur përflitej për një luftë të mundshme mes Amerikës dhe Koresë së Veriut, sekretari amerikan i mbrojtjes kërkoi gjetjen e një zgjidhjeje me rrugë diplomatike.

James Mattis, sekretari amerikan i mbrojtjes, tha se Uashingtoni po bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike në rastin e tensioneve me Korenë e Veriut. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis është shprehur se Amerika ende beson në zgjidhjen e krizës së Koresë së Veriut përmes diplomacisë. Pas ditësh të tëra të një retorike të ashpër mes Uashingtonit dhe Penianit, Mattis u shpreh se lufta do të ishte “katastrofike” dhe se diplomacia po sjell rezultate. Një ditë më parë, Peniani lajmëroi se po finalizonte një plan për të hedhur 4 raketa pranë territorit amerikan të Guamit në Paqësor. Kjo ishte kundërpërgjigja ndaj deklaratës së mëhershme të presidentit Donald Trump i cili tha se Koreja e Veriut duhet të ishte e frikësuar në rast se vepronte kundër SHBA-së. Në një deklaratë nga Kalifornia, Mattis e quajti pjesë të detyrës së tij si sekretar i mbrojtjes që të ishte gati për konflikt. Por ai gjithashtu tha se përpjekja diplomatike, e kryesuar nga sekretari i shtetit Rex Tillerson dhe ambasadorja në OKB Nikki Haley po sjell rezultate. I pyetur për planet e ushtrisë amerikane në rast të një konflikti të mundshëm, Mattis u shpreh se vendi është gati, por ai nuk i tregon armikut në avancë se si do të veprojë. Tensionet janë shtuar ndjeshëm dhe shpejt në këto javë të fundit, pasi Koreja e Veriut testoi dy raketa balistike ndërkontinentale në korrik. Situata u acarua më tej kur Kombet e Bashkuara morën një vendim unanim për të shtuar sanksionet ekonomike ndaj Penianit. Nuk vonoi shumë përgjigja e presidentit Donald Trump lidhur me kërcënimin koreano-verior për një sulm në territorin amerikan të Guamit. Përmes Twitter-it, presidenti deklaroi se ushtria e vendit është gati në rast se Korea e Veriut vepron. Presidenti hap kështu një faqe të re në retorikën e acaruar mes Uashingtonit dhe Penianit, që kanë shkëmbyer kërcënime të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve të fundit. Presidenti Donald Trump është shprehur se ushtria amerikane është gati të merret me Korenë e Veriut. “Zgjidhjet ushtarake janë tashmë në vend, të përgatitura, nëse Koreja e Veriut vepron në mënyrë jo të zgjuar. Shpresoj që Kim Jong-un të gjejë një tjetër mënyrë!” shkroi presidenti në Twitter, duke përdorur kështu politikën e lojës me zjarrin. Kjo ishte kundërpërgjigja më e fundit e presidentit ndaj akuzave të Penianit se ai po e çon gadishullin korean në prag të një lufte bërthamore. Uashingtoni dhe Peniani kanë qenë në një luftë provokimesh të ndërsjella gjatë ditëve të fundit. Presidenti Trump deklaroi më herët gjatë javës se Koreja e Veriut do të sulmohej me zjarr dhe furi në rast se do të kërcënonte Shtetet e Bashkuara, fjalim që nxiti Penianin të lajmëronte planin për një sulm bërthamor mbi territorin amerikan të Guamit. Agjencia e sigurisë së ishullit ka shpërndarë një fletë-udhëzim me këshilla që banorët të përgatiten për një kërcënim bërthamor. Ndërkohë, ky postim i fundit i presidentit Trump vjen disa orë pasi sekretari i mbrojtjes James Mattis u përpoq të zbuste tensionet duke e vënë theksin tek një zgjidhje paqësore për krizën. Shefi i Pentagonit tha se lufta do të ishte katastrofike dhe se diplomacia po jepte rezultate.

 


 

Tags