Çmimet për lirinë e shprehjes së mendimit dhe lirinë e shtypit shkojnë në Bosnjë dhe Sudanin Jugor
(last modified Mon, 03 Dec 2018 12:09:53 GMT )
Dhjetor 03, 2018 13:09 Europe/Tirane
  • Çmimet për lirinë e shprehjes së mendimit dhe lirinë e shtypit shkojnë në Bosnjë dhe Sudanin Jugor

Fitueset e çmimit të 9-të me radhë, Johann-Philipp-Palm, për lirinë e mendimit dhe shtypit vijnë këtë vit nga Bosnja dhe Sudani Jugor. Çmimet u ndanë të dielën në Schorndorf të Baden Vyrtembergut.

Çmimi ndërkombëtar Johann-Philipp-Palm, për lirinë e shprehjes së mendimit dhe lirinë e shtypit i është ndarë këtë vit aktivistes nga Bosnjë-Hercegovina, Shtefica Galiq, dhe gazetares Josephine Achiro Fortelo nga Sudani Jugor, bën të ditur DW. Çmimi shoqërohet me 20.000 €, ndërsa nikoqir i ceremonisë festive ishte kryeministri i Baden Vyrtembergut, Winfried Kretschmann. Me këtë çmim nderohen personat dhe insitucionet të cilat në mënyrë të veçantë angazhohen për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.

Shtefica Galiq është një kroate nga Bosnjë-Hercegovina, e cila angazhohet kundër shkallëzimit të sërishëm të nacionalizmit në hapësirat e ish - Jugosllavisë. Gjatë luftës kroato-boshnjake (1993), Galiq ka ikur nga vendi i saj, së bashku me burrin e saj të ndjerë Negjo Galiq. Ajo ka ikur me dokumente të falsifikuara dhe kështu ka shpëtuar nga vdekja e sigurt. Sot Shtefica Galiq u shpjegon njerëzve krimet dhe tmerret që janë bërë në kohën e luftërave. Bashkëjetesa dhe e ardhmja më e mirë janë të mundura vetëm nëse njerëzit në B-H i kuptojnë dhe përpunojnë krimet nga e kaluara. Në portalin e saj “tacno.net”, Shtefica Galiq shkruan për krimet dhe kriminelët të cilët kanë bërë spastrime etnike në këtë vend. Për këtë shkak Shtefica Galiq sulmohet nga nacionalistët, përballet me kërcënime, e madje edhe me sulme fizike. Megjithatë ajo i ka mbetur besnike idesë së pajtimit dhe bashkëjetesës në vendin e origjinës.

Tags