Janar 02, 2024 20:48 Europe/Tirane

Personaliteti, mënyra e administrimit dhe stili i komandimit të gjeneral Kasem Sulejmani është një çështje shumë më e gjerë se sa një person.

Ai i tha lamtumirë brigadës "Tharullah" në Kerman dhe shkoi në Teheran për të marrë komandën e forcave "Kuds". Në ceremoninë e prezantimit në Teheran, gjeneral Kasem Sulejmani tha: “Sot, kur po vija këtu, pashë që nuk kam asgjë në çantën time që e mbaj në shpinë. Bëra pastrimin (guslin) e martirizimit dhe pastaj u mbështeta te Zoti. Shpresoj të qëndroj me kokën lartë në këtë rrugë”.

Që nga dita kur u emërua komandant i forcës "Kuds", gjeneral Kasem Salejmani e menaxhoi situatën për gati dy vjet në të njëjtën mënyrë sipas menaxhimit të mëparshëm. Gjatë kësaj periudhe ai filloi një studim të gjerë e të thellë në fushën e teksteve historike e të luftës ushtarake, për të ndjekur punën me njohje të thellë të përgjegjësisë së tij të re dhe pozicionit të saj. Në studimet e tij nuk ka lënë pas dore as leximin e romaneve dhe librave të autorëve të shquar të vendeve apo rajoneve të cilat një ditë mund të shndërroheshin në vendin e tij të punës. Për shembull, përpara se të nisej për në Rusi dhe të takohej me presidentin rus Vladimir Putin, ai lexoi romanin "Lufta dhe Paqja" të autorit Leo Tolstoi, për të kuptuar më mirë kulturën dhe origjinën e Putinit dhe të komandantëve ushtarakë të Rusisë. Së fundmi ai tha se po lexonte romanin "Njëqind vjet vetmi" të autorit Gabriel García Márquez. Ai zgjidhte romanet dhe librat e shkrimtarëve të shquar të vendeve të ndryshme, me këtë arsye se ato libra jepnin njohuri dhe raporte të sakta nga brendësia dhe histori e shoqërisë së atyre vendeve.

Kasem Sulejmani

Personaliteti, mënyra e administrimit dhe stili i komandimit të gjeneral Kasem Sulejmani është një çështje shumë më e gjerë se sa një person, në fakt, gjeneral Sulejmani është një manifestim objektiv i një ideje menaxheriale që doli nga Revolucioni Islamik, në një mënyrë që ai mund të konsiderohet një model konkret i shkallës së lartë të mbrojtjes sipas stilit të Revolucionit Islamik. Mënyra e komandimit të gjeneral Solejmani mbi forcën "Kuds" kishte çështje të shkëlqyera: mes tyre ishte forcimi i Hezbullahut të Libanit dhe grupeve militante të rezistencës së Palestinës, e cila u manifestua në beteja të shumta, duke përfshirë luftën 33-ditore midis Hezbullahut të Libanit dhe regjimit pushtues sionist dhe fitoren e luftëtarëve të rezistencës palestinezë në luftën 22-ditore në Rripin e Gazës kundër forcave të armatosura pushtuese të Izraelit.

Me komplotin e ri të shteteve perëndimore dhe me mbështetjen financiare të disa shteteve që rezultoi me formimin e grupeve terroriste takfiriste si ISIS dhe Fronti Nusra në rajonin e Azisë Perëndimore, gjeneral Kasem Sulejmani mori një mision të ri dhe ai ishte përballje me këto kërcënime në dy vende, Irak dhe në Siri. Gjeneral Kasem Sulejmani në Irak formoi forcat e mobilizimit vullnetar "Hashd Sha'bi" dhe në Siri formoi forcat popullore të quajtura "Forcat e Mbrojtjes së Atdheut" dhe me ndihmën e këtyre forcave dhe me udhëzimin dhe instruktimin e forcave "Kuds" të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit, përafërsisht shkatërroi forcat e grupeve terroriste dhe mbylli dosjen e grupeve terroriste në këto dy vende. Në realitet, ai dhe forcat e tij të cilat shkuan në Irak dhe Siri me kërkesën zyrtare të autoriteteve të këtyre shteteve, parandaluan rënien dhe pushtimin e Bagdadit dhe Damaskut nga forcat e grupeve terroriste. Gjithashtu ishte vetë gjeneral Kasem Sulejmani i cili me të shkuar në Moskë, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe përcaktues në inkuadrimin e ushtrisë së Rusisë në luftën kundër terroristëve në Siri.

Kasem Sulejmani në organizimin e forcave të rezistencës kundër ISIS

Një prej qëllimeve kryesore të armiqve për të pushtuar dhe shkatërruar Sirinë, ishte ndërprerja e lidhjeve tokësore të Iranit dhe Hezbullahut të Libanit, mirëpo me mposhtjen e grupit terrorist ISIS dhe me rolin e madh të forcave "Kuds" të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit në Irak dhe Siri, u formua një hallkë e fuqishme me emrin "Hallka e Rezistencës", në realitet ai i lidhi hallkat e zinxhirit të rezistencës Iran, Irak, Siri, Liban dhe Palestinë. Nuk ka kurrfarë dyshimi se kjo çështje është tërësisht në kundërshtim me qëllimet dhe dëshirat e Amerikës dhe Izraelit, mirëpo që ky objektiv i rëndësishëm u realizua me komandën dhe maturinë e gjeneral Kasem Sulejmani në thellësinë e fushëbetejës dhe me formimin e forcave vullnetare popullore në Siri dhe Irak duke krijuar kështu një unitet të llojit të forcave të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit, "Fatgimijun", "Zejnebijun", "Hejdarijun" etj..

Një prej ushtarëve të Frontit të Rezistencës në përshkrimin e personalitetit të gjeneral Kasem Sulejmani, thotë: "Kurrë nuk ka ardhur me uniformë ushtarake në vijën e frontit. Ai e vishte një këmishë të thjeshtë edhe atë e lëshonte mbi pantallonat e pluhurosur me dhe, ishte shumë i thjeshtë dhe pa hipokrizi. Nganjëherë një kapelë e vendoste mbi kokë dhe nganjëherë e mbështillte rreth kokës shaminë e njohur "Çefije". Ai shkonte edhe në zonat më të rrezikshme të cilat ishin të mbuluara me plumba dhe copëza predhash e granatash. Me ardhjen e tij në frontin e luftës, luftëtarët merrnin një forcë të freskët. Ata kur shikonin se edhe komandanti i rezistencës është në vijën e parë të frontit dhe është duke luftuar krahë për krah tyre, merrnin një forcë morale të papërshkruar. Tani mund ta quajmë këtë veprim si të dëshirojmë, modesti, trimëri ose administrim i komandës e me plotë emra të tjerë. Çfarëdo që mund ta quajmë ne, kjo mënyrë e sjelljes dhe veprimeve të Haxh Kasem Sulejmani, ka arritur ta hap edhe drynin e gojës së armikut amerikan. Ish-oficeri i lartë i CIA-s me emrin Maguire kur e kishte parë figurën e Haxh Kasem Sulejmani në vijën e parë të frontit të luftës, kishte thënë: "ai luftëtari i ri i cili pa jelek antiplumb lufton në një grup militant, si është e mundur të mos motivohet dhe të mos veprojë në mënyrën më të mirë të mundshëm kur e shikon që komandanti i tij i cili është i moshuar sa gjyshi i tij, me një këmishë të thjeshtë po ec në fushëbetejën e luftës dhe në mesin e breshërisë së plumbave. Ky veprim është një mesazh inspirues për atë ushtarë dhe ai është ky që nuk ekziston frikë në qenien e këtij njeriu dhe ne duhet të jemi ashtu sikur ai".

Kasem Sulejmani dhe Abu Mahdi Al-Muhendis

Bu Kamal ishte bastioni i fundit i grupit terrorist ISIS. Qyteti Bu Kamal është pika e fundit në territorin e Sirisë dhe ndodhet në kufi me Irakun dhe qytetin Al-Kaim. Pothuajse katër mijë forca të grupit terrorist ISIS ishin gati për të luftuar në qytetin e Bu Kamal. Më herët, Haxh Kasem Sulejmani në Iran në ceremoninë e përkujtimore të martiri Mohsen Haxhaxhi, atij që u kap nga terroristët e ISIS dhe e prenë brutalisht në copa-copa, deklaroi se në më pak se tre muaj, do ta shkatërrojë grupin terrorist ISIS. Pas kësaj deklarate, grupi terrorist ISIS kishte pajisur dhe mobilizuar të gjitha forcat e veta njerëzore, municionet dhe ushqimet për gjashtë muaj dhe ishin gati për një operacion të gjatë dhe të plotë.

Ajo ishte një luftë shumë e rëndë dhe e ashpër, në mes të kësaj lufte, babai i Haxh Kasem Sulejmani ndërroi jetë dhe Haxh Kasem u detyrua të kthehej në Iran për tre ditë. Në këto tre ditë grupi terrorist ISIS e kishte kuptuar se Haxh Kasem Sulejmani nuk ishte i pranishëm në terren, dhe terroristët morën forcë të re. Situata e luftës u ndërlikua shumë dhe në disa zona të frontit lufta po shkonte në favor të grupit terrorist ISIS. Pas disa ditësh, kur Haxh Kasem u kthye në frontin e luftës, hipi vetëm në një motoçikletë dhe shkoi i vetëm në qytetin Bu Kamal, i cili ishte i pushtuar nga terroristët e ISIS dhe iu deshën rreth vetëm një orë deri në një orë e gjysmë për të identifikuar zonën e luftës. Pastaj u kthye dhe dha urdhrat e nevojshëm dhe luftëtarët e rezistencës filluan të përparojnë. Haxh Kasem Sulejmani dhe ushtarët e tij hynë në fshatin "Sakarija" dhe kryen një operacion nga pas Bu Kamal dhe hynë në qytetin e Bu Kamalit. Më në fund, në atë operacion shumë të vështirë, u hap rruga dhe ushtria siriane hyri në zonë. Pas disa ditësh, rrethimi u thye dhe grupi terrorist ISIS u largua në shkretëtirë dhe shumë prej tyre u kapën dhe u vranë.

Kasme Sulejmani në frontin e luftës kundër ISIS

Gjeneral Kasem Sulejmani pas kësaj fitore të rëndësishme i shkroi një letër liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit dhe deklaroi fundin e pushtimit të grupit terrorist ISIS. Në një pjesë të kësaj letre, ai shkroi: "Unë si një ushtar me detyrë dhe përgjegjësinë të cilën më dhatë ju në këtë luftë, me përfundimin e operacioneve për çlirimin e qytetit Bu Kamal, bastionin e fundit të grupit terrorist ISIS, me uljen dhe përmbysjen e flamurit të këtij grupi amerikano-sionist dhe me ngritjen e flamurit të Sirisë, e shpalli përfundimin e pushtimit dhe hegjemonisë së këtij grupi të mallkuar djallëzor dhe duke përfaqësuar të gjithë komandantët dhe luftëtarët e panjohur të kësaj lufte dhe mijëra dëshmorëve dhe të plagosurve iranianë, irakianë, sirianë, libanezë, afganë dhe pakistanezë të luftës për mbrojtjen e vendeve të shenjta të cilët kanë sakrifikuar jetën e tyre për të mbrojtur jetën dhe nderin e myslimanëve dhe vendeve të shenjta, i shprehu urimet e mia për këtë fitore të madhe dhe vendimtare juve dhe popullit të Iranit Islamik dhe popujve të shtypur të Irakut dhe Sirisë dhe të gjithë popujve të tjerë myslimanë të botës dhe në shenjë falënderimi të Zotit të madhëruar për këtë fitore të madhe, e vendosim kokën tonë në sexhde pranë Fronit Hyjnor".

Gjeneral Kasem Sulejmani me zgjuarsinë e tij ushtarake dhe me rolin e pashembullt në këtë luftë dhe në zgjidhjen e krizave të rajonit dhe me trimërinë dhe dinjitetin e tij në luftën përball armiqve, u bë shkak që mediat e huaja dhe vendore ta quajnë dhe përshkruajnë atë me epitete të ndryshme si "komandanti pa hije", "gjenerali ndërkombëtar", "hija e komandantit", "komandanti enigmatik", "ankthi i Izraelit", "Malik Ashtar i kohës", "Gjeneral Haxh Kasem" e shumë të tjerë.

Me padyshim se ai ishte një prej personaliteteve më të rëndësishëm në çështjen e sigurisë së vendit të Iranit që duke përdorur forcën e besimit dhe trimërisë; gjithnjë ndiqte qëllimet e shtetit të Republikës Islamike të Iranit dhe strategjinë për mbështetjen e të shtypurve dhe realizimin e idealit të Palestinës në nivel botëror dhe me autoritet të plotë. Besimi dhe trimëria, shkathtësia dhe zgjuarsia e tij në zbatimin e taktikave ushtarake dhe në neutralizimin e komploteve të armiqve e kanë bërë gjeneral Haxh Kasem Sulejmani zë jetë një ushtarë i denjë i Islamit dhe i Revolucionit Islamik në mbarë botën.

 

Tags