May 09, 2016 11:42 CET

Në këtë cikël emisionesh me temë “Arsimimi dhe edukimi i fëmijëve në Islam”, do të shpjegojmë pikëpamjet e Islamit sa i përket shkollimit dhe edukimit të njeriut në dy fazat e zhvillimit të tij, fëmijërisë dhe adoleshencës si dhe do të flasim mbi dimensionet e ndryshme të edukimit të njeriut, aspektin shoqëror, fetar dhe moral si dhe mbi institucionet efektive edukativo-arsimore.

Arsimimi dhe edukimi janë faktorë të rëndësishëm për rritjen dhe formimin e një personi. Pse, për faktin se njeriu është një krijesë e edukuar dhe sipas një edukimi të mirë ai mund të arrijë nivele të larta emocionale, shpirtërore dhe shkencore. Zhvillimi i njerëzve nga lindja e deri në fund të jetës, kalon nëpër faza të njëpasnjëshme dhe ekziston mundësia e arritjes së pikës më të lartë të përsosmërisë. Në ciklin e emisioneve me titull “Arsimimi dhe edukimi i fëmijëve dhe adoleshentëve në Islam”, do të shqyrtojmë rëndësinë e formimit dhe stilet e saj, me theks të veçantë sipas pikëpamjeve islame dhe udhëheqësve fetarë. Ju lutemi qëndroni me ne. 

Ruajtja dhe kujdesi për një vazo të thjeshtë me lule në shtëpi, ka nevojë për dritë, ujë, pleh, etj., në mënyrë që ajo të mos vyshket. Natyrisht, edukimi i njeriut si një krijesë, nga periudha e fëmijërisë deri në adoleshencë, ku çdo fazë është plotë me kompleksitete dhe karakteristika të veçanta, është më i vështirë. Çështja e “arsimimit dhe edukimit” të njeriut i përket çështjeve të ndryshme që kanë rëndësi të veçantë. Fjala “Edukim” në fjalor e ka kuptimin e shtimit, rritjes dhe zhvillimit të cilësisë apo ndërtimit. “Mësimi” është si një mjet për edukimin dhe lehtësimin e tij. Në të vërtetë, mësimi dhe edukimi ndikojnë në zhbllokimin e potencialit të njeriut për rritje dhe zhvillim optimal. Për çdo krijesë është e nevojshme arritja e përsosmërisë. Zoti i Madhërishëm në ajetin 30 të sures Bekare ka thënë: “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës”! Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”! Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”! Njeriu është e vetmja krijesë që kërkon edukim dhe arsimim. Kjo është një nevojë për njeriun e cila është urdhëruar nga Zoti dhe në qoftë se ai privohet nga kjo mirësi, ekziston mundësia për ta humbur përgjithmonë atë. Në këtë mes, personi i privuar nga mësimi dhe edukimi do të jetë i kufizuar në të gjitha aspektet. Imanuel Kant, filozof gjerman i shekullit të 18, argumentoi se: “Problemi më i vështirë për njeriun është edukimi dhe arsimimi”. Kanti besonte se edukimi dhe arsimimi janë më të vështira se pushteti dhe arti.

Natyrisht çdo person gjatë rritjes dhe zhvillimit të tij duhet të kalojë nëpër disa faza të rëndësishme. Sot, shkencat e reja si “psikologjia e zhvillimit”, përfshijnë tema të rëndësishme si zhvillimi fizik, social, njohës, psikologjik, emocional dhe verbal. Sipas psikologëve, faza e edukimit fillon që nga momenti i lindjes dhe vazhdon në periudha të ndryshme të jetës së njeriut. Me këtë rast, Jean Piaget, psikolog i njohur francez, zhvillimin e njeriut e ndan në katër faza dhe deri në moshën 16 vjeçare. Erik Erikson, psikolog amerikan, zhvillimin psikologjiko-social të njeriut e konsideron nga lindja e deri në fund të jetës dhe e ndan në 8 faza. Në përgjithësi, psikologët periudhat e edukimit të njeriut i konsiderojnë në 8 periudha të moshës së tij:

1. Para lindjes, nga momenti i ngjizjes e deri në lindje. 2. Fëmijët nga një deri në gjashtë vjeç. 3. Fëmijët nga 6-12 vjeç. 4. Adoleshentët nga 12 deri 20 vjeç. 5. Të rinjtë nga 20 deri në 30 vjeç. 6. Nga 30 deri në 50 vjeç. 7. Faza e pjekurisë, 50-65 vjeç. 8. Pleqëria, 65 vjeç e më shumë.

Sociologët gjithashtu i kushtojnë vëmendje të posaçme edukimit të njeriut. Nga perspektiva e sociologjisë, arsimi është një proces përmes të cilit shoqëria njerëzore përfiton në ndërtimin e karakteristikave fizike dhe mendore dhe kalon nga një gjeneratë në tjetrën. Në të vërtetë, njerëzit të cilët vazhdimisht përpiqen për tu edukuar, ata ndikojnë gjithashtu edhe në edukimin e gjeneratave të ardhshme. Një nga shtyllat më të rëndësishme të edukimit është familja. Shumica e ekspertëve janë të mendimit se prindërit e posaçërisht nënat janë faktorë i rëndësishëm për edukimin e fëmijëve.

Feja islame është një sistem koherent për të gjitha sferat kulturore, politike, sociale, ekonomike, shpirtërore dhe morale. Islami është një nga aspektet më të rëndësishëm të edukimit personal dhe social të njeriut. Në kulturën islame, çështja e edukimit ka një pozitë shumë të lartë. Profesori i shquar iranian Morteza Motahari beson se Islami është një fe e përsosur dhe një udhëzues gjithëpërfshirës për të gjitha çështjet e kësaj bote dhe botës tjetër. Profesori iranian ka studiuar gjerësisht mënyrën e edukimit të njeriut sipas fesë islame dhe në lidhje me këtë thotë: “Shkollimi dhe edukimi janë faktorët kryesor në ndërtimin e njeriut. Një shkollë që ka qëllime të veçanta dhe sistem shumëdimensional dhe që ka sistem juridik, ekonomik dhe politik, nuk mund që të mos ketë një sistem të veçantë arsimor”.

Në ajete të ndryshme Kur’anore edukimi zë një pozitë të veçantë hyjnore. Po ashtu në ajetet e para të cilat iu ishin shpallur Pejgamberit (s.a.v.s), edukimi dhe shkollimi janë vlerësuar në shkallën më të lartë. Zoti në këto ajete thotë: Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi.

2. Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur.

3. Lexo për Zotin tënd Bujar!

4. Është Ai që ua mësoi pendën.

5. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (sureja Alek, ajetet 1-5).

Po ashtu Zoti i Plotfuqishëm në ajetet 9 dhe 10 të sures Shams thekson: 9. “Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.

10. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.”

Feja islame në shumicën e rasteve i kushton rëndësi të madhe çështjes së edukimit, sepse edukimi i duhur i njeriut ndikon pozitivisht në shoqëri e cila padyshim do të jetë një shoqëri e qetë dhe miqësore në të cilën mbizotron përgjegjësia e bashkëpunimit në jetën e njerëzve që jetojnë aty. Po ashtu edhe hadithet dhe thëniet e Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe Ehli Bejtit të tij (as), theksojnë mbi rëndësinë e edukimit të njeriut. Profeti (s.a.v.s.) në lidhje me rëndësinë e edukimit të njeriut ka thënë: “Njerëzit janë të ndryshëm sikur minierat dhe prejardhja për njeriun është e efektshme dhe edukimi i keq gjithashtu është prejardhje e keqe”.

Feja islame është model për një edukim të plotë. Këto modele janë Profetët (s.a.v.s.) dhe imamët. Profetët dhe udhëheqësit fetarë ndjekin një mision të madh. Një nga qëllimet e misionit të tyre është edukimi dhe kultivimi i njerëzve. Imam Khomeini (ra) në lidhje me këtë ka thënë: “Të gjitha lëvizjet dhe sjelljet e pejgamberëve duhet të ndiqen nga njerëzit. Ata kanë ardhur për të edukuar njerëzit, ata janë të përgatitur maksimalisht që ta kryejnë plotësisht këtë mision të tyre dhe e kanë bërë atë me sukses”.

Natyrisht, të dërguarit e Zotit (s.a.v.s.) dhe imamët e pagabueshëm (as) kanë punuar gjithmonë sipas udhëzimeve të Zotit, në mënyrë që njerëzit të edukohen sipas virtyteve morale dhe janë munduar që misionin e tyre ta kryejnë me përsosmërinë më të lartë. Veprimet e tyre gjithmonë janë bazuar në besim dhe kanë ndikuar që shoqëria njerëzore të zhvillohet me një ritëm të lartë edukativ. Profeti Muhammed (s.a.v.s.), vula e profetëve, gjatë gjithë kohës ka bërë thirrje për edukim. Ai kishte një entuziazëm të lartë për ti udhëzuar dhe edukuar njerëzit. Ai nuk kurseu as kohën e as vendin për të shpërndarë dijen dhe edukimin për njerëzit. Mësimet e tij të pastra arritën që për një kohë të shkurtër të shpërndahen në mesin e myslimanëve. Padyshim tradita edukative e Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe e Ehbli Bejtit të tij (as) kanë ndikuar në shpëtimin e njerëzimit dhe për edukimin e brezave të ardhshëm.

Të nderuar dëgjues, në lidhje me edukimin e fëmijëve gjatë fëmijërisë së hershme, ju ftojmë të na ndiqni në emisionin e ardhshëm. Mirëmbetshi.