May 28, 2016 07:59 CET
  • Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij

Në këtë edicion do të flasim rreth shtimit të korrupsionit moral për shkak të përhapjes së marrëdhënieve seksuale të lira dhe jashtë martesore në pikëpamjet feministe.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij". Në edicionin e kaluar kemi folur rreth përhapjes së një bindjeje të gabuar e cila fëmijët i konsideronte pengesë për aktivitetet shoqërore dhe punësimin e femrave dhe në bazë të kësaj, gratë një pjesë të detyrave të tyre në përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve ua dorëzojnë çerdheve. Në edicionin e kaluar thamë se sot në botën perëndimore për shkak të shtimit të çerdheve në vend të rolit të nënës, shumë shoqëri perëndimore janë përballur me probleme. Një prej bindjeve të tjera feministe është bindja në lirinë e pakushtëzuar në marrëdhënie seksuale. Në këtë edicion do të flasim për shtimin e degjenerimit moral për shkak të përhapjes së marrëdhënieve seksuale të lira dhe jashtë rregullave martesore. Ju lutem na ndiqni në vazhdim.

Bota e sotme për shkak të largimit nga feja dhe bazat hyjnore, është futur në një dekadencë morale. Përhapja e degjenerimit moral e ka përballur botën perëndimore me probleme serioze. Për shembull, feministet ekstremiste marrëdhëniet seksuale mes femrës dhe mashkullit i konsiderojnë një prej prangave më të rëndësishme të robërimit të femrës në duar të mashkullit, prandaj ato inkurajojnë femrat që të lirohen nga këto pranga. Sipas mendimtarit të njohur iranian Morteza Motahari, bota perëndimore në fushën e moralit seksual në krahasim me të kaluarën ka bërë një kthim 180 shkallë. Aktualisht të gjithë flasin për shenjtërimin dhe respektimin e marrëdhënieve seksuale, për nevojën e lirisë dhe për heqjen e çfarëdo lloji të kufizimeve në këtë drejtim. Në shoqëritë perëndimore çdo gjë është zhytur në dëshira epsharake dhe në çështje seksuale. Civilizimi i ri dhe vendet perëndimore, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë bërë model për shumë popuj të botës edhe në fushën e largimit nga morali dhe në ndjekjen e çështjeve seksuale, prandaj largimi nga morali ka shkuar deri në atë masë saqë më nuk dallohet e mira nga e keqja dhe sjellja e përshtatshëm nga sjellja e papërshtatshme. Të rinjtë, familjet, shoqëria etj., janë zhytur në degjenerim. Revista "Newsweek" në vitin 1967, ndryshimet të cilat bëheshin në këtë fushë i ka shënuar në këtë mënyrë: "Kufijtë e vjetër janë duke u shembur. Aktualisht po krijohet një shoqëri e re dhe më e shfrenuar..., ndërsa prapa këtij zhvillimi të shfrenuar, ndodhet një shoqëri në të cilën nuk ekziston dakordim në lidhje me çështjet themelore siç janë marrëdhëniet seksuale para martesës dhe në atë ekzistojnë mosmarrëveshje në lidhje me çështjet si martesa, kontrolli lindjeve dhe edukimi seksual". Shembujt e dekadencës morale në perëndim po paraqiten nga ana e mendimtarëve të ndryshëm. Autori i librit "Perëndimi është i sëmurë" në një pjesë të librit të tij ka shkruar: "Një revistë amerikane faktorët që bëhen shkak për përhapjen dhe pranimin e degjenerimit dhe prostitucionit në Amerikë i ka numëruar në këtë mënyrë: tre faktorë djallëzorë në mënyrë të bashkuar kanë rrethuar botën tonë dhe janë duke ndezur një lloj zjarri për njerëzit mbi rruzullin tokësor. I pari, është fjalori i keq dhe i paturp i cili është përhapur me shpejtësi të çuditshme dhe të vazhdueshme pas Luftës së Dytë Botërore dhe është bërë vazhdimisht më i shëmtuar. Faktor i dytë janë filmat kinematografikë të cilët kultivojnë vetëm ndjenjat dhe dëshirat epsharake. Faktori i tretë është dekadenca e nivelit moral tek femrat në përgjithësi që paraqitet në mënyrën e veshjes dhe zhveshjes, si dhe të përzierjes së tyre pa kurrfarë kufizimi me meshkujt".

Ekzistojnë shumë statistika shqetësuese për veprime të shfrenuara dhe kriza të shumta në shoqëritë perëndimore si pasojë e pikëpamjeve feministe. Mirëpo në përgjithësi mund të thuhet se marrëdhëniet e paligjshme dhe familjet para martesës, tek opinioni publik në perëndim në fillim konsideroheshin një fenomen i përhapur por i padëshiruar dhe i dëmshëm. Përhapja e këtij fenomeni nga pikëpamja e sociologëve dhe psikologëve social perëndimorë, ka lidhje dhe varësi të drejtpërdrejtë me zbatimin dhe realizimin e ideve feministe, sidomos lirisë së marrëdhënieve të femrës dhe mashkullit. Mirëpo çështja nuk përfundon këtu. Rezultati i pikëpamjeve feministe në tryezën e perëndimorëve në mënyrë sipërfaqësore rezulton me zgjerimin e marrëdhënieve të paligjshme, mirëpo realiteti i fshehur i këtyre pikëpamjeve janë abortimi, lindjet e paligjshme, dhuna dhe përdhunimi ndaj femrave, familjet me një prindër (nëna dhe fëmija), sëmundjet infektuese, problemet seksuale dhe prirjet drejt homoseksualizmit, prostitucioni, shkatërrimi i institucionit të familjes dhe degjenerimi moral që quhen elementë të krizës morale dhe të familjes në perëndim. Mendimtari iranian Morteza Motahari në lidhje me krizat morale të epokës moderne, shkruan: "Aktualisht janë paraqitur fenomene të veçanta shoqërore. Në shoqërinë e sotme të rinjtë në masë të madhe shumë lehtë ikin nga përgjegjësia e martesës, ndërsa shtatzënia, lindja dhe rritja e fëmijës është bërë një çështje e urryer për femrat. Si pasojë femrat kanë më pak dëshirë për administrimin e çështjeve të shtëpisë..." Thamë se sot mungesa e moralit në shoqëri e ka përballur me krizë institucionin e familjes. Më i çuditshëm është fakti se edhe në traktatet dhe konventat e organizatave ndërkombëtare siç është konventa për mënjanimin e diskriminimit ndaj femrave, mbretëron degjenerimi moral. Duke marrë parasysh se bazat ideologjike që mbretërojnë në konventat ndërkombëtare bazohen në botën materiale dhe në kënaqësinë e kësaj bote, këto konventa nuk durojnë respektimin e virtyteve morale dhe synojnë të krijojnë një shoqëri në të cilën nuk do të kenë vend virtytet morale, por do të sundojnë vetëm kënaqësitë dhe interesat materialiste të femrave. Për shembull, zgjerimi i prostitucionit dhe shitja e trupit të femrave është saktësuar në nenin 6 të konventës për mënjanimin e diskriminimit ndaj femrave. Në nenin 6 të kësaj konvente thuhet: "Vendet anëtare duhet të zbatojnë të gjitha veprimet e kërkuara duke përfshirë edhe vendosjen e ligjeve për të parandaluar transportin e paligjshëm dhe shfrytëzimin e femrave për prostitucion". Komiteti i kësaj konvente në komentimin e këtij neni, bënë të qartë se qëllimi është legjitimiteti i profesionit të prostitucionit të femrave dhe duhet të pengohet shpërdorimi i këtij profesioni të ligjshëm. Në lidhje me këtë çështje komiteti i kësaj konvente në vitin 2000, ka kërkuar nga qeveria e Kinës që të mos dënojë femrat që shesin trupin e tyre. Ky komitet gjithashtu ka ushtruar presion mbi Rusinë, Meksikën, Rumaninë, Filipinet dhe Perunë me qëllim që ta bëjnë të ligjshëm prostitucionin (me pëlqimin e femrave) dhe ta përkrahin atë.

Çështja e parë që ka tërhequr vëmendjen e feministeve është liria dhe shfrenimi në instinktet seksuale. Me fjalë të tjera, me pretekst të lirisë së femrave dhe meshkujve, përhapet liria seksuale. Feja islame në mënyrë të prerë kundërshton liritë e shfrenuara. Nga pikëpamja e Islamit, këto liri dëmtojnë institucionin e familjes dhe kërcënojnë interesin e familjes dhe të individëve. Është e natyrshme që themelet e një familje shembën në kohën kur gruaja dhe burri nuk janë të zotuar ndaj njëri-tjetrit. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në lidhje me këtë çështje thotë: "Nëse njerëzit do të kishin qenë të lirë që të plotësojnë instinktet dhe dëshirat e tyre seksuale në çdo mënyrë që dëshirojnë, atëherë ose nuk do të ishte formuar familja ose ajo do të kërcënohej, dëmtohej dhe shkatërrohej shumë lehtë me çfarëdo krize të mundshme. Prandaj në çdo vend të botës vërehen liritë seksuale, por në të njëjtën masë është dobësuar familja". Kur marrëdhëniet seksuale të jenë të lira dhe të shfrenuara, një prej faktorëve kërcënues është mospërkushtimi i ndjenjave të gruas dhe burrit ndaj njëri-tjetrit brenda në familje. Morteza Motahari në lidhje me këtë shkruan: "Në Evropë nuk ekziston sinqeritet, unitet dhe solidaritet mes grave dhe bashkëshortëve të tyre. Kjo është për arsye se atje ndjenjat e seksuale të gruas dhe burrit nuk i përkushtohen njëri-tjetrit, sepse secili prej tyre mund t'i plotësojë dëshirat seksuale në mënyrë të veçantë në shoqëri". Pretenduesit e moralit modern seksual në bazë të parimit të lirisë besojnë se në mënyrë absolute duhet të respektohet liria e çdo individi dhe ajo duhet të mbetet e rezervuar. Ata në këtë mënyrë harrojnë se dëmi më i madh që është bërë ndaj moralit, është bërë në emër të lirisë. Rëndësia e moralit në sferën e jetës së njeriut është deri në atë masë saqë Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. kur e shpjegon qëllimin e profecisë së tij hyjnore, thotë: "Unë jam dërguar për të plotësuar virtytet morale". Një prej funksioneve më të rëndësishme të moralit është rregullimi i marrëdhënieve seksuale. Will Durant, historiani i njohur perëndimor thotë: "Rregullimi i marrëdhënieve seksuale gjithmonë konsiderohej një prej detyrave më të rëndësishme të moralit, për arsye se instinkti për lindjen e gjeneratave të reja jo vetëm gjatë martesës, por edhe para dhe pas saj gjithashtu krijon probleme dhe si rezultat i forcës së këtij instinkti dhe mosnënshtrimi i tij ndaj ligjit dhe devijimi që bënë ai nga rrugët natyrore, krijohet çrregullim dhe kaos në organizatat shoqërore". Në Islam respektohet privatësia e familjes. Islami thekson në këtë çështje se për ta ruajtur institucionin e familjes, shoqëria duhet të shmanget nga liritë e shfrenuara. Si rezultat i kësaj, në shoqëritë islame më pak paraqiten problemet dhe krizat seksuale, ndërsa zakonisht në rastet kur ekzistojnë probleme të tilla ato krijohen si pasojë e mosrespektimit të ligjeve dhe moralit islam. Islami insiston në masë të madhe që ambienti i familjes duhet t'i dedikohet çiftit martesor, ndërsa shoqëria e madhe duhet të jetë ambient i punës dhe i aktivitetit. Në këtë ambient duhet të shmanget çfarëdo lloj shfrenimi në marrëdhënie në mënyrë që të lulëzojë në mënyrë të drejtë talenti i individëve dhe shoqëria të ketë një shëndet moral dhe spiritual.

Tags