Qershor 15, 2016 08:47 CET
  • Kuptimi i jetës si një prej preokupimeve të njeriut të sotëm

Në këtë edicion do të flasim rreth kuptimit të jetës në të menduarin sekularist dhe islam.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame”. Sekularizmi me kuptimin e ndarjes së fesë nga sfera e jetës së njeriut, aktualisht ushtron ndikim në sfera të ndryshme të të menduarit perëndimor. Para kësaj thamë se si u krijua të menduarit sekularist mbi bazat krishtere dhe mbi kulturën perëndimore. Humanizmi, liberalizmi, scientizmi dhe racionalizmi janë prej bazave të rëndësishme të sekularizmit. Natyrisht se secila prej këtyre bazave edhe në perëndim kanë kritikë të shumtë. Kushtet historike dhe kulturore të periudhës së mesjetës që rezultuan me krijimin e renesancës, gjithashtu kanë ushtruar ndikim të rëndësishëm mbi zhvillimin dhe zgjerimin e idesë për ndarjen e fesë nga jeta. Në realitet paaftësia e krishterizmit të devijuar në administrimin e çështjeve të shoqërisë dhe varfëria e përmbajtjes së tij për t'iu përgjigjur nevojave të njerëzve në realitet janë bërë shkak që disa mendimtarë ta konsiderojnë fenë si një çështje personale dhe të përkufizuar me ndjenjat e individit. Shumica e mendimtarëve myslimanë besojnë se sekularizmi nuk ka vend në shoqëritë të cilat kanë karakteristika të ndryshme nga perëndimi. Feja islame, për shkak të karakteristikave të veçanta të saj si mësimet gjithëpërfshirëse, programet e caktuara për sfera të ndryshme të jetës, potencialet për tu përputhur me rrethanat kohore dhe posedimi i Librit Qiellor të pa shtrembëruar, dallon plotësisht nga feja krishtere e cila krijoi rrethanat për shfaqjen e sekularizmit. Prandaj në shoqëritë islame përkundër shoqërive perëndimore, feja nuk pozicionohet kundër shkencës dhe mendjes dhe kundër botës, sepse mendja dhe shkenca e njeriut janë mirësi hyjnore të cilat Zoti i ka dhënë njeriut në mënyrë që ai edhe në këtë botë të ndërtojë jetë më të mirë për vete dhe për të tjerët, por edhe duke shfrytëzuar në mënyrë të drejtë mendjen të kuptojë vërtetësinë e shpalljes. Myslimanët e konsiderojnë fenë në përgjithësi si një program udhërrëfyes për jetën në këtë botë dhe në botën tjetër dhe për këtë arsye ndarja e fesë nga jeta nuk ka kuptim për ata. Në edicionet e kaluara shkurtimisht kemi folur për ndikimin e të menduarit sekularistnë në fusha të ndryshme si të drejtat e njeriut dhe moral. Në këtë edicion do të flasim për kuptimin e jetës që është një prej preokupimeve kryesore të njeriut të sotëm. Në realitet dëshirojmë ta dimë se çfarë dallimesh ka kuptimi i jetës nga pikëpamja fetare dhe nga pikëpamja e sekularizmit. Në veprat filozofike dhe morale të mendimtarëve të kaluar nuk është shtruar për diskutim çështja e kuptimit të jetës në mënyrë të pavarur. Siç duke në vizionin e tyre jeta me kuptim ka qenë një çështje e padiskutueshme, mirëpo në botën moderne kjo çështje ka preokupuar mendjen e shumë mendimtarëve. Albert Kamy, filozof dhe shkrimtar francez i shekullit 20, konsideron se kuptimi i jetës është çështja më urgjente dhe më jetike. Në botën bashkëkohore shumë fenomene të ndryshme si stresi, depresioni, zhgënjimi dhe pesimizmi e nihilizmi janë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me çështjen e kuptimit të jetës. Shumë mendimtarë besojnë se shkaku kryesor për ta shtruar për diskutim çështjen e kuptimit të jetës është përballja e njeriut me një fenomen të quajtur vdekje.

Vdekja është përfundimi i jetës në këtë botë dhe ndoshta ajo mund të quhet si faza më enigmatike e jetës së njeriut. Besimtarët e feve hyjnore për arsye të vizionit që paraqesin këto fe, vdekjen nuk e konsiderojnë përfundim të jetës dhe besojnë se Krijuesi i botës ka qëllim më të lartë për krijimin e botës dhe të njeriut. Kjo bindje është baza kryesore në përkufizimin fetar për kuptimin e jetës. Mirëpo sekularistët për shkak se nuk e konsiderojnë shpalljen hyjnore si burim të njohjes, nuk kanë informacion bindës në lidhje me vdekjen. Prandaj, ata ose mohojnë ringjalljen dhe jetën pas vdekjes në botën tjetër ose plotësisht anashkalojnë atë. Në përgjithësi sekularistët besojnë se për të pasur një jetë kuptimplote, njeriu nuk ka nevojë për Zotin, nuk ka nevojë të beson në botën pas vdekjes dhe në qëllimin e lartë të krijimit. Ata pretendojnë se edhe në një botë pa Zot mund të gjenden qëllime të larta dhe një kuptim për jetën që do ta shpëtojnë njeriun nga nihilizmi dhe do t'i japin kuptim jetës së tij. Natyrisht se disa sekularistë si Sarter dhe Kafka, filozofë francezë të shekullit 20, besojnë se jeta e njeriut esencialisht është e pakuptimtë. Mirëpo grupi tjetër beson se edhe çështje të vogla që ekzistojnë në këtë jetë, mund t'i japin kuptim jetës së njeriut. Kai Nilson, filozof ateist amerikan, beson se zgjedhjet që i bënë njeriu në mënyrë të vetëdijshme gjatë jetës, i japin kuptim jetës. Disa sekularistë të tjerë mendojnë se mjafton që jeta e njeriut ose disa pjesë të jetës së tij të jenë në përputhje me dëshirat, ndjenjat ose me bindjet e tij personale dhe jeta do të ketë kuptim. Disa të tjerë pohojnë se jeta e njeriut do të ketë kuptim atëherë kur njeriu të dëshirojë diçka. Kritikët e kësaj teorie thonë se kuptimi i jetës nuk mund të jetë i varur nga dëshirat dhe prirjet personale, për arsye se në këtë mënyrë nëse një person do të ndjehet mirë me kryerjen veprimeve me rëndësi të vogël si për shembull me ngrënien e akullores ose me mbledhjen e kapakëve të shisheve dhe do t'i kushtojë kohën më të madhe këtyre veprimeve, atëherë jeta duhet të ketë kuptim sipas këtyre kritereve. Kjo është në kohën kur njerëzit në përgjithësi e konsiderojnë të pakuptimtë një jetë tillë. Disa mendimtarë sekularistë që i kanë kushtuar një vëmendje më të madhe kësaj çështje, besojnë se jeta e njeriut në mënyrë aktive duhet të preokupohet me gjëra të vlefshme në mënyrë që të ketë kuptim. Kjo do të thotë se gjërat e vlefshme të jenë jashtë qenies së njeriut dhe njeriu të kryejë ato çështje të vlefshme në mënyrë që jeta e tij të jetë e vlefshme siç është ndihma ndaj të tjerëve dhe kryerja e punëve artistike. Mirëpo kritikët e kësaj teorie shtrojnë pyetjen se vlera e këtyre çështjeve me çfarë standardi është caktuar? Caktimi i standardit për të njohur çështjet e vlefshme është një çështje që në sekularizëm ka krijuar një rreth ose cikël. Do të thotë nganjëherë një veprim bëhet i vlefshëm për arsye se i jep kuptim jetës dhe përsëri jeta konsiderohet e kuptimtë pasi që preokupohet me një punë të vlefshëm. Në përgjithësi mund të thuhet se nga pikëpamja e sekularizmit kënaqësitë e jetës, siguria, qetësia psiqike, poezia, muzika, arti, udhëtimet, punësimi dhe çështje të tjera të ngjashme me këto, sjellin lumturinë për njeriun. Sekularistët thonë se ne duhet ta kuptojmë se nuk ekziston një gjë e madhe që neve na bënë të lumtur. Qëllimi është ky që ne duhet të gjejmë qëllime brenda kësaj jete në këtë botë dhe të mos e ndjekim qëllimin e madh të krijimit. Disa sekularistë thonë nëse Zoti ka caktuar ndonjë qëllim për jetën e njeriut dhe me premtimin e parajsës dhe me ndëshkimin e ferrit synon ta çojë njeriun drejt atij qëllimi, në realitet e ka ofenduar njeriun. Tani ta shikojmë se çfarë mendimi ka Islamit në lidhje me këtë çështje.

Islami e konsideron botën fushë pjellore të botës tjetër. Sipas Kur'anit të shenjtë dhe haditheve profetike, jeta e njeriut në këtë botë materiale ka aspekt të sprovës dhe qëllimi kryesor i jetës është lumturia e përhershme e njeriut që në realitet është pozita e afrimit pranë Zotit. Përpjekja e njeriut për të arritur këtë qëllim të lartë i jep kuptim jetës së njeriut. Feja islame paraqet një perceptim të tillë rreth botës dhe njeriut dhe e konsideron njeriun zëvendës të Zotit në tokë. Besimi në këtë çështje i jep kuptim çdo çasti të jetës. Individi mysliman e konsideron jetën e kësaj bote si një rast për të arritur në qëllimin e lartë shpirtëror. Sipas të menduarit islam, çdo njeri në çfarëdo rrethana që të jetë, ka aftësinë për të ecur drejt qëllimit të lartë që do të thotë afrimit pranë Fronit Hyjnor. Islami edhe pse e inkurajon njeriun që ta ndërtojë një jetë më të mirë për vete dhe për të tjerët, mirëpo të mirat materiale i konsideron mjete për arritjen e qëllimit kryesor të jetës së njeriut, ndërsa mungesën e këtyre të mirave materiale nuk e konsideron pengesë për kuptimin e jetës. Vuajtjet e jetës në këtë botë në shumë raste janë të pashmangshme. Mirëpo vështrimi fetar bëhet shkak që njeriu edhe në kushtet më të këqija të jetës materiale të mos mendojë se jeta është e pakuptimtë, për arsye se ai beson se edhe veprimi më i vogël në çfarëdo kushte që të bëhet, konsiderohet një hap drejt lumturisë së përhershme. Vlen të theksohet se disa mendimtarë sekularistë besojnë se caktimi i qëllimit për jetën e njeriu nga ana e Zotit dhe caktimi i shpërblimit ose i ndëshkimit për arritjen e këtij qëllimi, konsiderohet ofendim për njeriun. Përgjigja ndaj këtij pretendimi sipas të menduarit islam është shumë e lehtë. Zoti është krijues i njeriut dhe i botës. Ai më mirë se çdo kush tjetër është i informuar për ligjet e botës të cilën e ka krijuar vet Ai dhe me mëshirën e Tij e informon njeriun në lidhje me rezultatin natyror të veprave të tij në këtë botë dhe në botën tjetër, ndërsa pastaj Zoti e ka lënë të lirë njeriun në zgjedhjen e rrugës. Ata të cilët ekzistencën e shpërblimit dhe të dënimit e konsiderojnë në kundërshtim me pozitën e njeriut, në realitet anashkalojnë këtë çështje se shpërblimi dhe dënimi nuk janë çështje arbitrare, por janë reflektim i veprave dhe i sjelljeve të njeriut. Prandaj, Zoti na ka informuar neve vetëm për rezultatin e veprave tona. Islami nuk mohon nevojën e qëllimeve të vogla në jetë, mirëpo ato i konsideron të vlefshme vetëm atëherë kur ato vendosen drejt arritjes së qëllimit të lartë të krijimit. Në këtë mënyrë arti, puna, shkollimi, kreativiteti dhe ndihma ndaj të tjerëve bëhen të vlefshme, mirëpo harresa e qëllimit të lartë bëhet shkak që këto çështje të bëhen vetëm zbavitje dhe dëfrime të përkohshme që ndihmojnë njeriun të mos mendojë për mungesën e qëllimit dhe të mos e kuptojë nihilizmin e një jete të tillë. Ky lloj i të menduarit në realitet konsiderohet një lloj medikamenti për të futur njeriun në gjumë. Për këtë arsye disa mendimtarë sekularistë në fund e kanë konsideruar jetën të pa qëllimtë dhe kanë bërë vetëvrasje. Sekularistët kërkojnë nga njeriu që të mos mendojë për vdekjen dhe ta pranojë atë si shkatërrim dhe një fund të pashmangshëm. Mirëpo feja islame thotë se neglizhenca nuk është veprim i merituar i njeriut dhe njeriu duhet të mendojë dhe të mos e nënçmojë qenien e tij të vlefshme dhe të mos kënaqen me asgjë tjetër, përveç me lumturinë e përhershme.

Tags