Tetor 01, 2016 09:59 CET

Lufta e imponuar e Sadamit kundër Iranit, nisi me disa qëllime dhe sipas shumë hulumtuesve, qëllimet e luftës dhe vendet mbështetëse janë dy anët e një monedhe. Dokumentet e publikuar gjatë periudhës së luftës dhe vitet pas saj, dëshmojnë se Amerika dhe shumë vende të tjera evropiane dhe rajonale, kanë qenë administrues të agresionit të Irakut kundër Iranit. Me kalimin e viteve u qartësuan përmasat e luftës dhe roli i atyre personave që ishin partnerë të Sadamit në luftën kundër Iranit.

Dokumentet e publikuara, shpallën se cilët ishin ata persona dhe ato qeveri që qëndronin në prapaskenë të agresionit kundër Iranit. Ishte pikërisht kjo mbështetje për regjimin e Sadamit, ajo që u bë shkak për vazhdimin e krimeve çnjerëzore në luftën kundër Iranit. Mbështetja e tyre për regjimin e Sadamit, shkaktoi zgjatjen e luftës dhe për pasojë vazhdimin e krimeve të luftës së Sadamit kundër Iranit.

Gjatë periudhës së luftës së imponuar të Irakut kundër Iranit, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik si dy superfuqi të kohës, kanë luajtur rol themelor në vazhdimin e këtij agresioni. Përpara rrëzimit të Shahut, Irani si një vend fqinj i Bashkimit Sovjetik dhe rrethi i parë i vendeve jo komuniste me rezerva të shumta nafte dhe gazi, kishte rëndësi strategjike për Amerikën. Për këtë arsye pas Trumanit, shumë politikanë të tjerë amerikanë kanë ndjekur politikat e tij rreth Iranit dhe dërguan ndihma të shumta ekonomike, teknike dhe ushtarake për Iranin. Përveç kësaj ata nënshkruan edhe partneritete ushtarake dhe të sigurisë më Iranin me qëllim bllokimin e komunizmit. Një prej këtyre partneriteteve ishte traktati Sento me Iranin si një vend mbështetës i perëndimit. Pikërisht ky traktat e ktheu Iranin në partnerin kryesor të Amerikës në Gjirin Persik. Profesor Emit Uzdag, kreu i qendrës së studimeve strategjike Euro-Azia në Turqi, parashtron pyetjen se përse Lindja e Mesme herë pas here kthehet në qendër të konflikteve dhe tensioneve? Sipas tij historia ka treguar se për zgjidhjen e problemeve politike në këtë rajon është përdorur forca ushtarake. Mosmarrëveshjet etnike, fetare dhe racore në shumicën e rasteve janë bërë shkaku kryesor i konkurrencave të cilat në fund kanë rezultuar me luftë. Ndoshta kjo teori, qëndron edhe për situatën sot në rajon dhe për kontradiktat dhe luftërat e rajonit si ajo në Siri, Irak dhe Jemen. Studimet dhe hulumtimet e bëra mbi arsyet e mbështetjes së regjimit të Sadamit në luftën e imponuar kundër Iranit dhe krahasimi i tyre me atë çka po ndodh sot në rajon, sjellin rezultate të mjaft tërheqëse. Mbështetja e Amerikës për regjimin e Sadamit në luftën kundër Iranit, është shumë e ngjashme me atë çka po ndodh sot në përpjekjet për të dobësuar rezistencën duke mbështetur regjimin e Arabisë Saudite në luftërat që ky regjim zhvillon në rajon dhe duke mbështetur grupet terroriste në Siri.

Amerika gjatë periudhës së luftës së imponuar, si hap të parë për të mbështetur Sadamin dhe për tu përballur me Iranin, Irakun e hoqi nga lista e mbështetësve të terrorizmit. Pikërisht kjo politikë sot po ndiqet me Arabinë Saudite sidomos në prapaskenë të ngjarjeve të 11 shtatorit. Amerika duke parandaluar publikimin e një pjese të rëndësishme të hulumtimeve mbi ngjarjen e 11 shtatorit, ka fshehur emrin e Arabisë Saudite si një prej faktorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje terroriste. Këtë Amerika e ka bërë për ta përdorur Arabinë Saudite në luftën kundër Sirisë dhe Jemenit, si dhe për ta përdorur Arabinë Saudite në përballjen me lëvizjet rezistente dhe së fundi në një luftë të fshehtë kundër Iranit. Mundësitë që Amerika i ka ofruar Irakut në luftën kundër Iranit, është një tjetër faktor për tu theksuar. Në atë kohë Amerika pezulloi ligjin që ndalonte shitjen e armatimeve në Irak dhe në të njëjtën kohë Uashingtoni këshilloi partnerët e tij që të dërgojnë pajisje ushtarake në Irak. Xhimi Karter ish president i Amerikës, për të goditur Iranin, iu përgjigj kërkesës së Arabisë Saudite për ndihmë në gjoja përballjen me një sulm të mundshëm nga ana e Iranit dhe më 5 tetor të vitit 1980, Riadin e pajisi me 4 avionë zbulues Avax së bashku me sistemin logjistik tokësor. Ky veprim i Amerikës, është i njëjtë me atë çka po ndodh sot me Arabinë Saudite në kuadër të realizimit të qëllimeve të Amerikës në rajon.

Amerika gjatë periudhës së mbështetjes së saj për Sadamin në luftën kundër Iranit, i detyroi aleatët e saj perëndimorë që anijet e tyre luftarake t’i dërgojnë në gjirin Persik. Tre javë më pas, anijet e përbashkëta të Francës, Anglisë, Australisë dhe Kanadasë u vendosën në oqeanin Indian, duke e shtuar numrin e anijeve luftarake në rajon nga 30 që ishte në 60 anije. Në atë kohë Iraku nënshkroi një kontratë 1.5 miliard dollarësh për blerjen e armatimeve nga Franca dhe një kontratë prej 1 miliard dollarësh për blerjen e armatimeve nga Anglia. Iraku pasi mori disa avionë super të shpejtë nga Franca, në vitin 1984 nisi agresionin e tij të gjerë kundër fushave të naftës së Iranit, kundër anijeve tregtare dhe kundër naftëmbajtëseve iraniane në det. Me këshillat e Amerikës, në fund të vitit 1981 Kuvajti ndihmoi Irakun me 7 miliard dollarë, Arabia Saudite 3 miliard dollarë, Emiratet me 1 miliard dollarë dhe Katari me 500 milion dollarë. Këto ndihma u dhanë me qëllim që shpenzimet e Irakut në luftën kundër Iranit të garantoheshin nga vendet arabe të rajonit. Sot, Obama duke ftuar Arabinë Saudite në takimin e Kampit Dejvid dhe përpara nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore, i ka premtuar Arabisë Saudite se do t’i japë asaj m shumë ndihma ushtarake. Ai Arabinë Saudite e quajti partner strategjik të Amerikës në rajon. Sipas në njoftimi të agjencisë Reuters, Amerika i ka ofruar Arabisë Saudite armatime me vlerë 115 miliard dollarë. Ky është propozimi më i madh i Shtëpisë së Bardhë për Sauditet që nga partneriteti i nënshkruar mes Amerikës dhe Arabisë Saudite në 71 vitet e kaluara.

Në arenën ndërkombëtare, Amerika nëpërmjet KS të OKB ka mbajtur qëndrime të dyfishta sidomos në vendimet dhe rezolutat e këtij këshilli në mbështetje të Sadamit. Përgjatë 8 viteve të luftës së imponuar, KS i OKB ka miratuar 8 rezoluta mbi situatën mes Iranit dhe Irakut dhe 4 deklarata mbi përdorimin e armëve kimike. Rezoluta 479 e KS të OKB, është dokument i qartë që tregon mbështetjen për agresorin. Në këtë rezolutë nuk përmendet emri i vendit që nisi luftën dhe Iraku nuk dënohet si agresor. Mirëpo nga të dy palët është kërkuar që të heqin dorë nga përdorimi i forcës dhe kontestet mes tyre t’i zgjidhin nëpërmjet rrugëve paqësore dhe duke respektuar drejtësinë dhe normat ndërkombëtare.

Pas miratimit të rezolutës 479, që më shumë kishte karakter konsultativ dhe këshillues, KS i OKB për 21 muaj me radhë ka qëndruar i heshtur në çështjen e luftës së Irakut kundër Iranit. Mirëpo në kohën kur porti i rëndësishëm Khorramshahr u çlirua nga pushtuesit e regjimit të Sadamit, KS i OKB i dha fund heshtjes dhe shprehu shqetësimin se lufta do anojë në anë të Iranit. Më 12 korrik të vitit 1982 ky këshill nxori rezolutën 514 e cila në bazë të nenit 24 të konventës së OKB u kërkoi palëve që të  vendosin armëpushimin dhe të kthehen në kufijtë ndërkombëtarë.

Kjo gjendje vazhdoi për rreth 6 vite dhe më në fund më 20 korrik të vitit 1987 me shumicë votash doli rezoluta nr. 698 e KS të OKB mbi zbatimin e armëpushimit mes Iranit dhe Irakut. Kjo ishte hera e parë që një rezolutë e KS të OKB, rreth luftës mes Iranit dhe Irakut, kishte karakter kritikues. KS i OKB me anë të kësaj rezolute ka shprehur keqardhjen për bombardimin e zonave të banuara nga civilët, për sulmet kundër anijeve civile dhe avionëve të transportit civil. KS i OKB për herë të parë pas 7 vitesh kërkoi krijimin e një komiteti të pavarur hetimor për përcaktimin e agresorit. Kjo gjë duhej të bëhej që në ditët e para të nisjes së luftës mirëpo fuqitë e mëdha nuk e lejuan nisjen e këtij hetimi pasi vetë ata ishin iniciatorë të luftës dhe mbështetës të Sadamit në agresionin kundër Iranit. Më në fund 10 vite pas pranimit të armëpushimit dhe përfundimti të luftës, raporti i Javier Pérez de Cuéllar, ish sekretari i përgjithshëm i OKB, Irakun e cilësoi si agresor dhe iniciator të luftës. Mirëpo pas kësaj agresori nuk zbatoi detyrime si pagimi i dëmshpërblimit.