Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij
Në këtë edicion do të flasim rreth pikëpamjes së Islamit ndaj pozitës së femrave në sferat e ndryshme ekonomike, shoqërore dhe politike.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit " Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij". Në programin "Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij" në fillim kemi shpjeguar feminizmin dhe mendimet e mendimtarëve në lidhje me të dhe kemi shqyrtuar pasojat negative dhe dstruktive të kësaj teorie mbi shoqëritë perëndimore. Më pas duke marrë parasysh pikëpamjen e lartë të islamit ndaj femrës, kemi shpjeguar edhe qëndrimet e kësaj feje qiellore ndaj rolit të gruas dhe pozitës individuale dhe shoqërore të saj. Ashtu siç kemi shpjeguar pozitën e lartë të femrës në islam në edicionin e kaluar dhe thamë se imazhi që paraqet islami për femrën është një imazh i një njeriu të përkryer që është i barabartë në të gjitha dimensionet njerëzore me gjininë tjetër, do të thotë meshkujt. Në qasjen e islamit, femrat ashtu si meshkujt, posedojnë forcën e arsyes, e të menduarit dhe të kryerjes së veprave të mira. Prej vlerave të cilat janë mbi gjini dhe nuk kufizohen vetëm me një gjini të caktuar, janë adhurimi dhe të qenurit rob i Zotit, nxënia e diturisë dhe shkencës, arritja në shkallët e larta spirituale, shoqërore, shkencore, kulturore dhe politike. Në këtë edicion dhe si përmbledhje e asaj që kemi thënë deri më tani, do të flasim rreth pikëpamjes së islamit ndaj pozitës së femrës në sfera të ndryshme ekonomike, shoqërore dhe politike.
Femra në fenë islame nuk është përkufizuar si një qenie e dobët dhe e nënshtruar. Islami ka shpëtuar femrat nga vuajtjet e periudhës së injorancës dhe kërkon zhvillimin e femrës dhe të mashkullit. Kjo fe qiellore i ka dhënë femrës personalitet dhe jo vetëm që nuk dëbon femrat nga sferat e jetës shoqërore, por i fut ato në sfera shoqërore dhe i vendos ato në një pozitë të lartë njerëzore në shoqëri. Islami u ka dhënë forcë femrave, ndërkohë që deri para kohës së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. nuk ishte kështu dhe femrat nuk trajtoheshin në mënyrën e duhur. Islami tregon një respekt të veçantë për femrat dhe i konsideron ato si njerëz të përkryer që janë edukuese të gjeneratave njerëzore. Në fenë e pastër islame, roli i gruas nuk është vetëm administrimi i familjes sepse sfera e personalitetit të saj shtrihet në një fushë më të gjerë. Imam Khomeini (ra), themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, femrave u ka dhënë një pozitë të lartë duke i quajtur ato edukatore të shoqërisë dhe ndërtuese të njerëzve të mëdhenj.
Islami i ka dhënë të drejtën femrës që të zgjedhë punë legjitime dhe jetë të pastër e të shëndoshë për vete. Puna dhe aktiviteti i gruas në islam, gëzon vlerë dhe respekt shoqëror. Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë kujton se grat dhe burrat janë përgjegjës për veprimet e tyre dhe në këtë rast asnjëri nuk është përgjegjës i veprimeve të tjetrit. Nga ana tjetër, gruaja ashtu sikur burri, është pronare e pasurisë të cilën e fiton me punën e saj. Gruaja mund të kryejë aktivitete shoqërore dhe ekonomike dhe të depozitojë të ardhurat e saj ose t'i shpenzojë ato në rrugën e lejuar. Zoti i madhëruar në ajetin 32 të sures Nisa në Kur'anin e shenjtë ka thënë: "...Burrat kanë të drejtë të shfrytëzojnë të ardhurat e tyre dhe gratë gjithashtu gëzojnë këtë të drejtë (dhe nuk duhet të shkelen të drejtat e asnjërës palë)...". Ky ajet tregon se femrat posedojnë pavarësi financiare. Prandaj femrat ashtu sikur meshkujt, kanë të drejtë të zhvillojnë aktivitet tregtar dhe ekonomik. Grat gjithashtu janë pjesëmarrëse në pasurinë e mbetur nga të afërmit e tyre si nga babai, nëna, vëllai, motra dhe nga bashkëshorti. Vlen të theksohet se përkundër islamit i cili që nga fillimi i shpalljes u ka dhënë të drejtën femrave për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik dhe të drejtën e pronësisë, në perëndim dhe në Evropë ku pretendohet për respektimin e të drejtave të grave, deri në mesin e shekullit të kaluar, nuk lejohej që femrat të shpenzojnë pasurinë e tyre personale pa lejen dhe pëlqimin e babait ose të bashkëshortit. Në sistemin islamik, gruaja si një njeri, mund të marrë pjesë aktive së bashku me burrat në ndërtimin e shoqërisë. Ajo me pjesëmarrjen e saj në strukturën e shtetit islam, mund të marrë përgjegjësi të mëdha mbi supe dhe të bëjë përpjekje në kryerjen e tyre. Nëse do t'i hedhim një vështrim mbi rolin e Hazretit Fatime (s.a.) në mbështetje ndaj Vilajetit dhe rolin e Hazretit Zejenebe në kryengritjen e Ashuras, vërejmë se Hazreti Zahra (s.a.) ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetje ndaj Vilajetit dhe Imametit të Imam Aliut (a.s.). Hazreti Zejnebe (s.a.) gjithashtu pas ngjarjes së Ashuras, me fjalimet e saj ka shtypur Jezidin dhe veprimet e tij. Veprimet heroike që bëri Hazreti Zejnebe (s.a.), ishin të pashembullta jo vetëm në historinë islame, por edhe në historinë e të gjithë popujve dhe nuk ka ekzistuar një shembull i tillë në historinë e asnjë populli. Islami i ka dhënë një pozitë të lartë dhe respekt dhe dinjitet të veçantë gruas që nga fillimi i formimit të familjes. Islami rolin e gruas në edukimin e fëmijëve e konsideron shumë të rëndësishëm dhe themelor. Imam Khomeini (ra) duke u bazuar në mësimet islame në lidhje me femrat, ka thënë: "Nga prehri i gruas, burri ngritët në qiell". Prandaj, vetëm nën hijen e nënës së dashur, të mëshirshme dhe të përgjegjshme, edukohen fëmijët e pastër, me moral të mirë dhe hyjnë në shoqëri me një të kuptuar të lartë. Gjithashtu me ndihmën e një bashkëshorte të mëshirshme, të dashur, sakrifikuese dhe qetësuese, burri mund të përballet me vështirësi të ndryshme dhe t'i tejkalojë ato me sukses. Fjala e Imam Khomeinit (ra) ku thotë: "Grat duhet të hyjnë në përcaktimet kryesore të vendit", tregon pikëpamjet e larta të tij në lidhje me pozitën dhe rolin e grave në shoqëri si një çështje e domosdoshme për ruajtjen, vazhdimin dhe forcimin e Revolucionit Islamik. Gjithashtu, Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, në lidhje me pozitën e gruas ka thënë: "Femra iraniane e cila me devotshmëri dhe sinqeritet është e pranishme në sferat politike dhe të punës në sheshin e Revolucionit, është femra më e mirë në botë". Kjo pikëpamja tregon pozitën e lartë të femrës në shoqërinë islame.
Grat si kapitali më i madh i shoqërisë kanë një rol të ndjeshëm në ndërtimin e shoqërisë islame. Islami e ngre pozitën e gruas deri në atë masë saqë ajo të rigjejë pozitën e saj njerëzore në shoqëri dhe të mos trajtohet si një mall seksual. Në përputhje me një emancipim të tillë, gruaja mund të marrë përgjegjësi në sfera të ndryshme shoqërore, për arsye se Islami konsideron se shëndeti i shoqërisë dhe qëndrueshmëria e saj varët nga kryerja e drejtë e detyrave të burrave dhe të grave, prandaj kërkon nga ata që të luftojnë kundër të këqijave në shoqëri. Në këtë kuadër, mund të vihet në pah edhe fakti se Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. bënte besëlidhje me grat ashtu sikurse me burrat dhe inkurajonte ato për aktivitet në sferën politike dhe shoqërore. Vlen të theksohet se femra perëndimore gati pas dekadës së dytë të shekullit 20, fitoi të drejtën për pjesëmarrje në aktivitete politike duke përfshirë edhe të drejtën e votës, ndërkohë që islami që nga fillimi i shpalljes së tij, u ka dhënë femrave të drejtën e pjesëmarrjes në proceset politike. Krijimi i rrethanave të tilla në islam, është bërë shkak që të përgatiten kushtet për praninë sa më të madhe të grave në sferat shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike. Në kohën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe pas tij, u hap një horizont i ri në jetën e grave dhe si rezultat u edukuan me qindra femra në fushat e shkencave të ndryshme islame dhe të tjera. Këto femra si shëmbëlltyrë morën pjesë aktive në sferat fetare, shoqërore, ekonomike, shkencore, kulturore, por edhe në luftën kundër armiqve të islamit. Historia e civilizimit islam dhe prania e fuqishme e femrës myslimane në fusha të ndryshme të shoqërisë që nga e kaluara deri më tani, tregon se pavarësisht ekzistencës së shkollave si feminizmi të cilat në lidhje me femrat kanë kaluar në ekstrem, nga pikëpamja e islamit, femrat mund të kalojnë fazat e përkryerjes dhe të arrijnë në shkallë të lartë materiale dhe shpirtërore ashtu sikurse meshkujt dhe nuk ekziston kurrfarë dallimi diskriminues mes burrit dhe grua në rrugën e përkryerjes dhe fitimit të virtyteve të larta njerëzore. Dallimet ekzistojnë vetëm në të drejtat përkatëse me gjininë e tyre. Mirëpo për fat të keq feminizmi me paraqitjen e motove të pavërteta dhe mashtruese nën flamurin e dhënies së lirive dhe të të drejtave të grave, jo vetëm që ka lëkundur themelet e familjes, por ka rrëmbyer nga ato edhe rolin e tyre si bashkëshorte dhe si nënë në përputhje me natyrën e tyre të butë. Rezultatet negative të kësaj qasje nuk kanë shkaktuar vetëm shkatërrimin e familjes dhe dëmtimin e edukimit të fëmijëve, por ato janë bërë shkak që femrat të shndërrohen në një mjet për shfrytëzimin material të meshkujve. Kjo pikëpamje aktualisht ka përballur shoqëritë perëndimore me shumë kriza, prandaj shumë mendimtarë perëndimorë po kërkojnë alternativa për të dalë nga kriza e quajtur feminizëm.