Prill 29, 2017 06:23 CET

Në këtë edicion do të hedhim një vështrim mbi historikun e formimit të grupit terrorist ISIS dhe rolin e vehabizmit në formimin e grupeve takfiriste dhe terroriste.

Lëvizjet takfiriste

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e dytë të programit "Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste". Në dy edicionet e kaluara në mënyrë të shkurt kemi paraqitur procesin historik të lëvizjes takfiriste që nga shekulli i parë i islamit deri në mënyrën e formimit të grupit takfirist dhe terrorist ISIS. Burim kryesor i grupit takfirist  dhe terrorist ISIS në Irak, konsiderohet një person i quajtur Abu Mus'ab Zarkavi. Abu Mus'ab Zarkavi ishte i njohur si njeri i pamëshirshëm dhe i dhunshëm. Viktimat e krimeve të tij ishin aq të shumta saqë Imen Al-Dhavahiri, numri dy i Al Kaidas në Irak në atë kohë, kishte kritikuar Zarkavin për të gjithë këto vrasje. Me vrasjen e Abu Mus'ab Zarkavit në vitin 2006, kuvendi i këshillit të muxhahidinëve me anë të një deklarate, shpalli formimin e të ashtuquajturit "Shteti Islamik i Irakut" me lider Abu Omar Al-Baghdadi. Në bazë të dokumenteve dhe dëshmive, disa forca të partisë Ba'th përkrahëse të regjimit të rrëzuar Sadam Husejn, kishin bashkëpunim të ngushtë me terroristët e të ashtuquajturit "Shteti Islamik i Irakut. Ky grup ka kryer shumë sulme terroriste në Irak. Abu Omar Al-Baghdadi u vra në prill të vitit 2010, ndërsa më pas u shpall emri Abu Bekr Al-Baghdadi si lideri i të ashtuquajturit "Shteti Islamik i Irakut". Me fillimin e krizës në Siri, në vitin 2011, grupet takfiriste, radikale selefiste dhe vehabiste, u organizuan dhe me mbledhjen e terroristëve mercenarë, hyjnë në luftë me qeverinë e Sirisë. Në këto rrethana, një organizatë e lidhur me Al Kaidan me emrin Fronti Nusra u fut në krizën e Sirisë. Abu Bekr Al Baghdadi në fillim bëri përpjekje që ta bashkojë me organizatën e tij edhe grupin Fronti Nusra për ta formuar një front të bashkuar për të luftuar me qeverinë e Sirisë. Mirëpo Al Kaida dhe Fronti Nusra nuk pranuan të shkrihen në strukturat e ISIS dhe Fronti Nusra i qëndroi besnik organizatës Al Kaida. Në këtë mënyrë, në prill të vitit 2013, u formua i ashtuquajtur "Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit" i cili shkurtimisht quhet DAISH ose ISIS. Në këtë edicion tani e tutje do të përdoret shkurtesa ISIS për këtë grup. Edhe pse grupi terrorist ISIS është krijuar nga zemra e  organizatës Al Kaida, mirëpo metodat dhe taktikat e tij nga disa aspekte dallojnë nga ato të Al Kaidas.

Abu Bekr Al-Baghdadi

ISIS synonte të pushtonte territore të reja dhe ta zgjeronte territorin e tij. Ky grup për zgjerimin e territorit të tij, pushtoi disa rajone të territorit të Sirisë, sidomos rajonet verilindore të këtij vendi. ISIS gjithashtu duke sulmuar Irakun, pushtoi disa pjesë të territorit të këtij vendi dhe vendosi kontrollin e vetë në ato rajone. Në qershor të vitit 2014, Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut, u pushtua nga terroristët e grupit ISIS. Më pas grupi terrorist ISIS më 29 qershor të vitit 2014, e shpalli Khalifatin Islamik dhe Ebu Bekr Al-Baghdadi u prezantua khalif i myslimanëve. Aktualisht disa pjesë në veri dhe në perëndim të Irakut dhe në lindje dhe verilindje të Sirisë, ndodhen akoma nën pushtimin e grupit terrorist ISIS. Grupi terrorist ISIS duke vendosur praninë e vetë në Irak, në masë të gjerë mblodhi forca të reja nga vendet e tjera sidomos nga vendet e Afrikës Veriore, nga vendet evropiane, të Azisë Qendrore dhe të Azisë Lindore. Në këtë mënyrë Iraku dhe Siria u shndërruan në vende për mbledhjen e terroristëve multietnik! Pa mbështetjen e disa vendeve të rajonit dhe heshtjen dhe bashkëpunimin e shteteve perëndimore, nuk do të ishte e mundur mbledhja e tillë e terroristëve në Siri. Në lidhje me shkaqet dhe faktorët e formimit të lëvizjeve takfiriste dhe terroriste, çfarëdo skenari që të merret parasysh, një çështje është e sigurt dhe ajo është kjo se këto grupe janë krijuar nga brendësia e vehabizmit dhe e selefizmit ekstremist dhe nuk ndjekin asnjë parim legjitim fetar. Terroristët e këtyre grupeve po kryejnë krime të tmerrshme në Irak dhe Siri. Fëmijët, grat dhe burrat, po i vrasin në mënyrë më të tmerrshme, po djegin për së gjalli njerëzit, po praktikojnë torturat më të tmerrshme kundër të burgosurve, po skllavërojnë femrat, po shkatërrojnë qytetet dhe po plaçkitin pasurinë e qytetarëve. Këta terroristë të dhunshëm janë bërë kërcënim për sigurinë e të gjithë botës. Popujt e vendeve të Lindjes së Mesme më shumë se vendet e tjera ndodhen të rrezikuara nga veprimet terroriste dhe kriminale të tyre. Në lidhje me lidhjen e ISIS me vehabizmin, Profesor Bernard Hejkel, profesor i studimeve për Lindjen e Afërt në Universitetin Prinston, thotë:  "ISIS është një lloj i vehabizmit të pakontrolluar. Vehabizmi është lëvizja më e afërt e të njëjtit lloj dhe me rrënjë të njëjta me ISIS, ndërsa dhuna është pjesë e ideologjisë së këtyre dy lëvizjeve". Para se të shqyrtojmë rolin e vehabizmit në krijimin e grupeve takfiriste, duhet të kujtojmë se nganjëherë për përshkrimin e vehabizmit përdoret gjithashtu fjala selefizëm, mirëpo selefizmi është një term më i përgjithshëm i vehabizmit. Në këtë kuptim, të gjithë vehabistët janë selefistë, mirëpo të gjithë selefistët nuk janë vehabistë. Në selefistët ekzistojnë prirje të ndryshme dhe vehabistët në krahasim me të gjithë popullsinë myslimane sunite të botës, janë një minoritet shumë i vogël. Në lidhje me faktorët që kanë ushtruar ndikim në formimin e lëvizjes takfiriste duhet thënë se vehabizmi që sundon në Arabinë Saudite, konsiderohet një prej burimeve më të rëndësishme për ushqimin e ideve takfiriste. Terroristët takfirist kryesisht janë nën ndikim të ideve të vehabizmit i cili buron nga Arabia Saudite.

ISIS

Mes mësimeve të vehabizmit dhe terrorizmit të ISIS, ekziston një lidhje e ngushtë. Terroristët të cilët kanë kryer krime, në lidhje me veprimet e tyre mbështeten në dekretet fetare (fetvat) e myftinjve të sauditë. Në këtë mënyrë, myftinjtë vehabistë me lëshimin e dekreteve takfiriste, janë shkaktarë kryesor të përçarjeve dhe konflikteve fetare në rajonin e Lindjes së Mesme. Këtu po paraqesim disa prej shembuj të mendimeve dhe qëndrimeve të myftinjve vehabistë ku vërehen shenja të devijimit dhe rrugës së humbur: Abdulaziz Ale Shejkh, kryemyftiu i regjimit Al Saud, e lejon sulmin kundër myslimanëve shiitë! Ai e ka shpall haram dhe të ndaluar hedhjen e sloganeve kundër Amerikës dhe organizimin e protestave për solidaritet me popullin e Gazës dhe të Palestinës. Nga pikëpamja e tij, ndihma ndaj Hezbullahut të Libanit dhe lutja për ata, konsiderohet e ndaluar. Ai e quan të gabuar dhe të humbur kryengritjen e Imam Husejnit (a.s.) kundër Jezidit. Ai thotë: "Kryengritja kundër Jezidit dhe sulmi ndaj khalifatit nga ana e tij, nuk ishte e lejuar. Prandaj kryengritja e Hsejnit ishte haram". Kjo është në kohën kur pushteti i Jezid bin Muavijes, ishte i humbur dhe i degjeneruar, ndërsa Imam Husejni (a.s.) ka bërë kryengritje për ta çliruar fenë e Hazretit Muhamed s.a.v.s. nga kthetrat e pushtetit Emevit dhe në rrugën e fesë islame sakrifikoi jetën e tij, të fëmijëve të tij dhe të shokëve besnikë të tij.

Abdulaziz Ale Shejkh

Çështje e çuditshme është kjo që myftinjtë e varur nga regjimi Al Saud deri më tani kurrë nuk kanë lëshuar ndonjë dekret fetar për ndalimin e vrasjes së njerëzve dhe për t'i dhënë fund dhunës dhe agresionit, por përkundër kësaj, ata kanë dhënë vazhdimisht dekrete fetare për vrasjen e myslimanëve dhe për ushtrimin e dhunës kundër tyre. Më e çuditshme është kjo që nga shkolla dhe rryma e tyre, nuk dëgjohet ndonjë thirrje për dashuri, unitet dhe vëllazëri islame! Ata po lëshojnë dekrete fetare për shpalljen jobesimtarë të myslimanëve shiitë dhe për vrasjen e tyre, ndërkohë që myslimanët shiitë janë pjesë të trupit të umetit islam. Për shembull, "22 shejkh vehabistë më 11 qershor të vitit 2008, në mënyrë të hapur i kanë quajtur jobesimtarë myslimanët shiitë dhe e kanë konsideruar të lejuar bartjen e armëve për vrasjen e myslimanëve shiitë. Në krye të listës së emrave që kanë lëshuar këtë dekret fetar, ndodhet shejkh Abdullah bin Xhabrejn dhe Abdurrahman bin Nasir Al-Burak". Qendrat e vehabizmit në të cilat lëshohen dekrete të tilla "fetare" kundër myslimanëve, sidomos kundër myslimanëve shiitë, në realitet janë qendra të përhapjes së terrorizmit dhe kultivimit të terroristëve. Sipas Ibrahim Isa, drejtori përgjegjës i gazetës "Al-Mekal" të Egjiptit, "Vehabizmi është sëmundja e botës islame". Në edicionin e ardhshëm do të flasim më shumë rreth rolit të vehabizmit në përhapjen e ekstremizmit, dhunës dhe terrorizmit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në botë.

Tags