Tregimet dhe legjendat iraniane
Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.
Shqyrtimi i karakteristikave strukturale të fabulave, ishte temë e disa edicioneve të kaluara. Plani i këtyre tregimeve, gjuha dhe toni, gjatësia e tregimit dhe metoda e transmetimit të tij, janë prej karakteristikave strukturale të këtyre tregimeve me të cilat u njohëm.
Një tjetër prej karakteristikave strukturale të tregimeve fabula, është dialogu. Dialogu do të thotë të folurit, të biseduarit dhe shkëmbimi i mendimeve dhe i bindjeve dhe përdoret në poezi, tregime, drama dhe në llojet e tjera letrare. Dialogu në tregim, sidomos në tregimet popullore, është një prej elementeve kryesore dhe të rëndësishme. Kjo karakteristikë është e veçantë vetëm për tregimet fabula, por konsiderohet një prej parimeve të tregimit në të kaluarën. Mirëpo në llojin e tregimeve fabula, ky element ka përdorim të gjerë. Shumica e këtyre tregimeve përkufizohen në një dialog dhe në disa fabula si në fabulat e Kelile va Demne dhe Marzban Name, edhe tregimet sekondare të cilat transmetohen në brendësinë e tregimit kryesor, janë pjesë e dialogut të heronjve dhe konsiderohen shembull për fjalët e folësit.
Dialogu merr pjesën më të madhe dhe kryesore të fabulës dhe në kohën kur tregimi të ketë më shumë aspekt figurativ, me dashje ose pa dashje, kjo çështje bëhet më e dalluar dhe më e dukshme. Shkaku i kësaj çështje është ky që transmetuesi qëllimin e tij duhet ta shprehë nëpërmjet gjuhës së heronjve të tregimit dhe pikërisht kjo çështje e shumëfishon nevojën për dialog.
Në tregimet e gjata dhe të shkurta persiane, dialogu është pjesë e transmetimit të tregimit. Nganjëherë, dialogu i dy personave është hyrje dhe shtytës i një veprimi dhe nganjëherë nuk është kështu dhe transmetuesi i tregimit nganjëherë në vend të dy personave, dy personazhe të tregimit, do të thotë dy kafshë i vendos përball njëri-tjetrit. Dy personazhe të cilët janë përfaqësues të dy lloj të vizioneve ose bindjeve. Në letërsinë persiane, veprat që kanë aspekt letrar më të fortë, dialogu është i përzier me teknikat letrare. Në veprën Kelile va Demne dhe në veprën Marzban Name, është kështu dhe të gjithë personazhet flasin me gjuhë letrare dhe artistike. Çështje tjetër në këto dialogje është kjo që në ato të gjitha personazhet flasin në një mënyrë dhe kjo është një prej karakteristikave të tregimeve popullore.
Një prej karakteristikave të tregimeve fabula, është përbërja dhe radhitja e ngjarjeve të cilat e ndërtojnë tregimin. Në këto tregime ekzistojnë ngjashmëri mes disa llojeve të tregimeve të cilët kanë tematikë të njëjtë. Në shumicën e tregimeve bosht i ngjarjeve është armiqësia natyrore ose ndonjë konflikt mes personazheve. Në këto ngjarje, ajo çfarë mund të ndodhë në një marrëdhënie armiqësore, shfaqet në formën e veprimeve të caktuara të cilat zakonisht mund të parashikohet. Kur një krijesë e dobët përballet me një krijesë më të fortë, në të shumtën e rasteve ajo përdor intriga dhe mashtrime. Në raste të tilla, intriga dhe mashtrimi manifestohet në korniza të caktuara. Veprime të tilla si: gënjeshtra, futja e lakmisë te tjetri, frikësimi nga më i forti dhe kërkimi i ndihmës nga ai, si dhe bashkimi mes disa krijesave të dobëta, janë disa prej rrugëve të tjera të përballjes.
Fabula zakonisht fillon me një përshkrim të një vendi ose të një personazhi të tregimit. Pastaj, paraqitet një nevojë ose një vështirësi për heroin e tregimit i cili për të tejkaluar atë, fillon veprimin. Nganjëherë një tregim është vetëm për të përshkruar dhe reflektuar një dialog dhe nganjëherë dialogu përmblidhet në një pyetje dhe përgjigje të shkurtë. Në përgjithësi, nga ky aspekt mes tregimeve dhe përmbledhjeve dhe veprave të ndryshme, ekziston dallim. Në disa vepra të letërsisë persiane të cilat janë të përziera me tregime artistike dhe fabula, sidomos, nuk i është kushtua vëmendje e madhe formës artistike dhe esencialisht aspekti artistik i rrëfimeve, është shumë i dobët. Ashtu si në rrëfimet e Bustanit dhe Golestanit të Sa'adiut, në poemat e Atarit dhe në veprën Hadika të Senaiut. Shkaku i kësaj çështje është ky që qëllimi nga transmetimi i tregimeve të tilla, është vetëm shprehja e mendimeve dhe ideve, prandaj për këtë arsye nuk i është dhënë rëndësi strukturës së tregimit. Shumica e këtyre tregimeve janë të shkurta dhe të përmbledhura shkurtimisht dhe nganjëherë janë të mangëta nga aspekti artistik i tregimit.
Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani po dëgjojmë tregimin "Korbi dhe gjarpri".
Kanë thënë se në një mal të largët, një korb kishte ndërtuar folenë mbi një lis të lartë. Ai kishte një pikëllim të madh për arsye se fati ia kishte nxirë pupla. Në afërsi të shtëpisë së korbit ndodhej një gjarpër i madh dhe i keq. Korbi çdo herë kur bënte vezë dhe pastaj lindte një zog, gjarpri i keq e priste rastin që korbi të largohej nga shtëpia për të shkuar të gjejë ushqim. Posa largohej korbi nga shtëpia, gjarpri zvarritej lartë në lis dhe hante zogun e korbit. Ky pikëllim gradualisht e mplakte korbin.
Një ditë kur korbi ishte shumë i pikëlluar, mori me sqep zogun e posalindur dhe shkoi pranë çakallit që ishte mik i tij i afërt. Edhe çakalli e kishte shtëpinë afër shtëpisë së korbit Kur çakalli e kuptoi gjendjen e korbit, u shqetësua dhe e pyeti atë: "Çfarë ka ndodhur korb? Pse je kaq i shqetësuar?"
Korbi u përgjigj: "Ka një kohë që një gjarpër i madh dhe i keq është bërë fqinjë i im. Që nga koha kur ka kuptuar se shtëpia ime është lartë mbi lis, vazhdimisht më krijon probleme dhe deri më tani më ka ngrënë disa zogj".
Çakalli i tha: "Kjo është punë e lehtë! Ndërroje shtëpinë!". Korbi tha: "Po, nuk kam zgjidhje tjetër. Mirëpo para se të largohem nga aty, dëshiroj të marrë hakun për fëmijët e mi nga gjarpri. Do të luftojë me atë ose vritem ose do ta vras gjarprin".
Çakalli tha: "Mirëpo kjo punë e jote nuk është e arsyeshme, për arsye sepse këtë vendim e ke marrë nga zemërimi dhe nuk ka rezultat tjetër, përveç dështimit. Ti nuk ke forcë ta mundesh gjarprin. Ai shumë lehtë ty të mund. Atëherë edhe e shkatërron veten edhe nuk mund të hakmerresh".
Korbi tha: "E ke të drejtë, por çfarë mund të bëjë?".
Çakalli mendoi pak dhe iu kujtua një rrugëzgjidhje. I tregoi atë korbit dhe korbi u gëzua shumë nga rrugëzgjidhje të cilën ia gjeti çakalli. Korbi e vendosi zogun e tij pranë Çakallit dhe u përshëndet me ata dhe shkoi.
Korbi fluturoi derisa arriti te një fshat. Në një oborr të shtëpisë e pa një grua e cila pastronte rrobat pranë pishinës buzë pishinës kishte vendosur unazën e floririt. Korbi zbriti mbi çatinë e shtëpisë në mënyrë që në një rast të përshtatshëm të rrëmbejë unazën. Kur gruaja përfundoi larjet e rrobave, filloi të bëjë diçka tjetër, korbi menjëherë kërceu dhe rrëmbeu me sqep unazën e floririt dhe dal nga dal filloi të fluturojë. Me britmën e gruas, u mblodhën njerëzit dhe e kuptuan se korbi kishte rrëmbyer një unazë. Njerëzit morën disa shkopinj në dorë dhe filluan ta ndjekin korbin. Korbi fluturonte dhe i çonte njerëzit drejt në shtëpinë e gjarprit. Korbi sipas këshillës së çakallit, kur arriti pranë shtëpisë së gjarprit, e lëshoi unazën dhe unaza ra saktësisht pranë derës së shtëpisë së gjarprit. Gjarpri i cili ishte ulur në shtëpinë e vet, e kuptoi rënien e unazës. Doli nga shtëpia dhe shkoi pranë unazës, ndërsa pikërisht në këtë kohë, njerëzit ia mbërritën dhe e panë unazën pranë gjarprit dhe me shkopinj filluan të godasin gjarprin dhe njëri prej tyre e goditi gjarprin me një gurë të madh dhe e mbyti atë dhe e mori unazën. Korbi e shikonte ngjarjen nga lartë mbi lis dhe kur u sigurua se gjarpri është mbytur, shkoi që ta falënderojë çakallin dhe ta marrë zogun e tij.