Korrik 02, 2017 10:11 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.

Në edicionin e kaluar filluam të shqyrtojmë karakteristikat e fabulave në tekstet e letërsisë persiane dhe thamë se ky lloj i tregimeve mund të analizohet dhe shqyrtohet nga aspekti i strukturës, ngjarjeve dhe aventurave, tematikave dhe përmbajtjeve të tyre, personazheve dhe veprimeve të tyre.  Gjithashtu thamë se një prej karakteristikave strukturale të fabulave, është gjuha dhe toni i tyre që në të shumtën e rasteve ato janë transmetuar me një gjuhë artistike dhe letrare, ndërsa për tu lexuar dhe kuptuar nga shtresat e ndryshme të shoqërisë duke përfshirë edhe fëmijët dhe moshat adoleshente, janë shkruar me prozë moderne.

Karakteristikë tjetër strukturale e fabulave është gjatësia e tregimit, do të thotë gjatësia dhe shkurtësia e tij. Përveç tregimeve kryesore të dy-tre veprave të njohura si Kelile Demne, Marzban Name dhe Tuti Name, shumica e fabulave janë të shkurta. Shkurtësia e këtyre tregimeve do të thotë se këto tregime kanë më pak ngjarje dhe konflikte artistike. Në këtë grup të tregimeve, fillimi dhe përfundimi i tregimeve është afër njëri-tjetrit. Edhe në tregimet e gjata, gjithashtu, nëse do të heqim përshkrimet letrare dhe fjalimet e gjata dhe pak a shumë të palidhura me ngjarjen kryesore, atëherë do të përballemi me një tregim të shkurtë dhe me një rrëfim të shkurt. Një prej arsyeve kryesore të shkurtësisë së fabulës, është numri i vogël i personazheve të tregimit në këtë lloj të fabulave. Tregimet të cilët kanë numër më të madh të personazheve dhe disa heronj luajnë rol në formimin e ngjarjes, zakonisht janë bërë më të gjatë.   

Një prej arsyeve të interesimit publik ndaj tregimeve fabula dhe të funksionit të tyre global dhe universal, është pikërisht kjo karakteristikë e shkurtësisë së tyre. Shkurtësia e tregimit bëhet shkak që lexuesi dhe dëgjuesi shumë lehtë të kuptojë lidhjen kuptimore mes fillimit dhe përfundimit të tregimit dhe më shpejtë të kuptojë mesazhin, konceptin dhe temën e tregimit. Kjo karakteristikë shumë lehtë realizon edhe qëllimin e mësimdhënies. Shkurtësia e fabulës, krijon mundësinë për shtresat e thjeshta të popullit që ta mësojnë atë. Gjithashtu, ajo që bëhet shkak këto tregime të jenë tregime të përshtatshme për fëmijët, është pikërisht shkurtësia e tyre e cila e bënë të përshtatshëm tregimin për fëmijët të cilët e kuptojnë më lehtë atë. Një tjetër dobi e shkurtësisë së fabulave, është kjo që këto fabula konsiderohen mjet shumë i mirë për të bindur publikun, prandaj ato mund të përdoren edhe si argument për ta bindur publikun.

Një prej karakteristikave të përmbledhjeve të tregimeve në të cilat janë transmetuar edhe fabulat, është metoda e transmetimit të një tregimi në brendësinë e një tregimi tjetër. Gati në të gjitha veprat të cilat përmbajnë tregime fabula, vërehet kjo karakteristikë. Natyrisht se kjo karakteristikë e transmetimit të një tregimi në tregim, nuk është e veçantë vetëm për fabulat, por kjo vërehet në shumicën e përmbledhjeve të tregimeve sidomos në veprën "Njëmijë e një net". Kjo metodën ishte mjeshtëri e rapsodëve dhe transmetuesve të tregimeve në publik e cila gradualisht ka hyrë nga kultura popullor-folklori në poezi dhe në prozë dhe në letërsinë e shkruar. Në metodën e tregimit në tregim, vetëm një tregim është kryesor kurse tregimet e tjera të transmetuar në zemrën e atij tregimi, janë sekondare dhe secili prej tyre mbanë mbi supe një pjesë të barrës së tregimit kryesor. Në këtë lloj të tregimeve, nganjëherë tregimi kryesor, është një tregim fabule dhe disa tregime me personazhe njerëzore dhe kafshë transmetohen nga gjuha e kafshëve të fabulës kryesore. Nganjëherë ndodhë e kundërta, do të thotë tregimi kryesor është një tregim që paraqet fatin e një heroi njerëzor, por transmetuesit për të vërtetuar fjalët e tyre dhe për të theksuar në qëllimet e veta, përdorin disa tregime fabula.

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm. Tani po dëgjojmë tregimin "Korbi dhe miu" i cili gjendet në veprën Kelile va Dimne.

Kanë thënë se një korb e kishte folenë afër shtëpisë së një miu. Pavarësisht armiqësisë së vjetër mes miut dhe korbit, ky korb kishte shumë dëshirë të bëhej mik me miun. Arsyeja e kësaj dëshire ishte kjo që korbi kishte vërejtur sakrificën e miut për miqtë e tij. Një ditë korbi u afrua pranë shtëpisë së miut dhe e thirri atë. Miu nga brenda shtëpisë e pyeti korbin: çfarë kërkon nga unë? Korbi u përgjigj: ne jemi fqinjë dhe mund të bëhemi miq të mirë për njëri-tjetrin. Miu tha: në lidhje me armiqësinë e miut dhe korbit kam dëgjuar shumë, por nuk kam dëgjuar asgjë në lidhje me miqësinë e tyre. Kushti i parë për miqësi mes dy personave është kjo që dëshira e njërit mik të mos bëhet shkak për shkatërrimin e mikut tjetër".

Korbi tha: po e di që korbat janë armiq të minjve, mirëpo duke marrë parasysh faktin se nga miqësia me ty po ndjej siguri, po të premtoj se kurrë nuk do të gjuaj dhe të mbys ty". Ata folën gjerë e gjatë në lidhje me këtë çështje derisa miu u bind se korbi po e thotë të vërtetën. Prandaj, ai doli nga shtëpia e tij dhe u bënë miq me njëri tjetrin.

Kaloi një kohë. Një ditë korbi i tha miut: ne nuk mund të jetojmë të qetë këtu, sepse gjuetarët kryesisht po kalojnë nga ky vend. Më parë, unë kam jetuar në një fushë përkrah mikut tim tjetër breshkës pranë një burimi me ujë të freskët. Ai është një vend i qetë dhe i mirë dhe ekziston ushqim për të gjithë. Nëse pajtohesh, eja të shkojmë atje. Jam i sigurt se është më mirë dhe më qetë se këtu dhe mund të kalojmë mirë. Miu e pranoi ftesën e korbit. Më pas korbi e vendosi miun në një shportë të vogël dhe e kapi atë me sqep dhe fluturoi drejt atij burimi të ujit pranë të cilit jetonte breshka. Breshka u gëzua shumë nga takimi me korbin përsëri. Korbi i tregoi breshkës ngjarjen e miqësisë së tij me miun dhe disa nga sakrificat e miut. Breshka e cila ishte me eksperiencë dhe e kishte shëtitur më shumë botën, e lavdëroi bujarinë dhe sakrificën e miut. Ata u ulën dhe biseduan miqësisht me njeri-tjetrin. Në këtë kohë ata e panë një kaproll nga larg që vraponte drejt tyre. Supozuan se gjuetari po e ndjek atë. Prandaj korbi, miu dhe breshka secili ikën në një drejtim. Mirëpo kur kaprolli arriti pranë tyre, piu pak ujë dhe u ndal i qetë. Ata tre u siguruan se atë nuk po e ndjek asnjë gjuetar. Breshka e pyeti kaprollin: Prej nga po vjen? Pse je kaq i brengosur? Kaprolli tha: unë jetoj në një kullosë këtu afër. Sot, larg kullosës pash diçka të zezë, mendova se është armiku dhe ika derisa arrita këtu. Breshka i tha: Ti je kafshë e qetë dhe nuk i bën dëm askujt. Ne këtu jemi tre miq të afërt dhe këtu jetojmë së bashku. Edhe ti nëse dëshiron, mund të na bashkohesh neve si miku i katërt. Kaprolli pranoi dhe mbeti aty. Ata për çdo ditë bisedonin në lidhje me gjëra të ndryshme dhe jetonin të gëzuar dhe të kënaqur.

Një ditë korbi, breshka dhe miu dolën me kohë në vendin ku takoheshin, kaprolli mungonte. I kërkuan korbit që të fluturojë dhe të shikojë se mos po e gjejë kaprollin në ndonjë vend. Korbi fluturoi dhe pas pak u kthye dhe i tha miqve të tij: kaprolli ka rënë në kurthin e një gjuetari. Breshka i tha miut: tani është koha e sakrificës, nxito dhe shpëtoje kaprollin! Miu nxitoi dhe me dhëmbë preu litarin e kurthit dhe e shpëtoi kaprollin. Në këtë kohë, pranë tyre arriti edhe breshka. Kaprolli i tha breshkës: miku i dashur, tani është koha për të ik. Ti nuk mund të ik shpejtë, pse ke ardhur këtu? Breshka u përgjigj: dëshirave ta kryej detyrën si një mik dhe në kohën e rrezikut të jem me ty. Të tre shokët i thanë breshkës që të ikë sa më shpejtë nga aty. Vetë ata ikën me nxitim. Gjuetari arriti pas disa minutave në atë vend dhe e pa se rrjeta e kurthit ishte prerë dhe kaprolli kishte ikur. Shikoi rreth e rrotull, por nuk pa asgjë. Mbeti i çuditur se si kaprolli e kishte prerë rrjetën e kurthit. Mblodhi kurthin dhe shkoi. Papritur i shkuan sytë te breshka dhe tha me vete: edhe pse breshka nuk ka vlerë të madhe, por është më mirë se asgjë. E mori dhe e futi breshkën në çantë dhe e lidhi fortë atë. E vendosi çantën mbi supe dhe u nis hap pas hapi. Kur korbi, kaprolli dhe miu u takuan përsëri me njëri-tjetrin, kërkuan çdo vend për të gjetur breshkën, mirëpo nuk gjetën kurrfarë gjurme të saj. E kuptuan se gjuetari e kishte marrë breshkën. Kaprolli u shqetësua dhe u pikëllua shumë dhe tha: ishte faji im. Për shkak timin, breshka është zënë nga gjuetari. Tani ne nuk mund të bëjmë asgjë. Korbi tha: pse nuk mund të bëjmë asgjë? Kur anëtarët e grupit të jenë të bashkuar dhe të jenë të gatshëm për të sakrifikuar, kanë mundësi të bëjnë çdo gjë. Zgjidhja e këtij problemi është në duar tona! Kaprolli pyeti: çfarë duhet të bëjmë? Korbi tha: dëgjoni me vëmendje, do të realizojmë një shfaqje të bukur! Kaproll, ti shtrihu në rrugë përpara gjuetarit. Unë vij dhe të sulmoj ty dhe paraqitem se dua të godas me sqep sytë e tu. Gjuetari do të na shikojë neve. Ti ngrehesh nga vendi dhe fillon të ec duke çaluar . Gjuetari mendon se ti nuk mund të vraposh shpejtë, vjen më përpara që të kapë ty. Kur të afrohet pranë teje, ti ik më shpejtë. Atëherë gjuetari e lëshon çantën në tokë që të vrapojë më shpejtë për të ndjekur ty. Miu shkon te çanta, e gris atë me dhëmbë që të ik breshka. Pastaj të gjithë ikim. Të gjithë u pajtuan me këtë plan. Plani i korbit u realizua me sukses. Breshka shpëtoi dhe gjuetari i pikëlluar dhe i zhgënjyer, u kthye në qytet. Miu, korbi, breshka dhe kaprolli për shumë vite mirësi e qetësi, jetuan pranë njëri-tjetrit dhe me unitet dhe bashkëpunim shumë herë shpëtuan njëri-tjetrin nga rreziku.