Korrik 09, 2017 09:45 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në këtë edicion do të njihemi me jetën dhe veprën e Nasir Khosro, poet dhe filozof i njohur iranian i shekullit 5 hixhri kameri (11 të erës së re).

Thamë se Nasir Khosro, poet dhe filozof i njohur iranian i shekullit 5 hixhri kameri (11 të erës së re), që nga mosha e re ishte në shërbim të oborreve mbretërore si funksionar shtetëror derisa në moshën 43 vjeçare për shkak të një ëndrre, pësoi një ndryshim të madh shpirtëror dhe pas shtatë viteve larg nga vendlindja dhe pas vizitës së Shtëpisë së Zotit, u kthye në vendlindje dhe duke hequr dorë nga të gjitha funksionet shtetërore në oborret mbretërore, filloi të ndjek asketizmin, të përkushtohet në adhurimin e Zotit dhe në mësimin e filozofisë, urtësisë dhe shkencave të tjera. Nasir Khosro për shkak të prirjeve ndaj shkollës Ismailije, kishte shumë kundërshtarë dhe armiq, prandaj jeta e tij u bë shumë e vështirë. Ai për të arritur në qetësi dhe siguri, shkoi në luginën Jamagan në rajonin Badakhshan. Nasir Khosro përgjatë qëndrimit të tij 15 vjeçar në Jaomagan, ka shkruar shumë vepra dhe në edicionin e kaluar kemi prezantuar veprën e tij Sefername. Nga dituria dhe informacionet e veprave të tij në prozë dhe poezi, kuptohet shumë mirë se Nasir Khosro kishte një nivel të lartë të shkollimit. Ai zotëronte në nivel të lartë të gjitha shkencat e asaj kohe si shkencat racionale, transmetuese, sidomos shkencën e apologjetikës dhe shkencat islame, filozofinë greke. Pikërisht këto informacione të gjera u bënë shkak që ai të krijojë shumë vepra dhe gjithashtu të bëhet një mjeshtër i gjuhës persiane.

Një burrë me plotë pasion dhe me një kapital të madh si Nasir Khosro gjatë jetës së tij, ka krijuar shumë poezi dhe ka shkruar shumë vepra dhe kjo dëshmohet nga një thënie e tij:

Mos shiko këtë trupin tim të dobët, sepse në oratori

Veprat e mia janë më shumë se ky qielli me plotë yje.

Mirëpo nga gjithë ai numër i madh i veprave të tij, aktualisht ekzistojnë vetëm 9 vepra që me padyshim i përkasin atij. Disa prej këtyre veprave janë në prozë dhe disa prej tyre janë në poezi. Veprat në prozë të Nasir Khosro janë: "Sefername", "Khan Ekhvan", "Goshajesh va Rehajesh", "Xhame' El-Hikmetejn", "Vaxhhe Din" dhe "Zadul-Musafirin". Vepra Sefername e Nasir Khosrov ashtu siç thamë në edicionin e kaluar, është një udhëpërshkrim i udhëtimit shtatë vjeçar të Nasir Khosro dhe është shkruar me një prozë të thjeshtë. Kjo vepër përmban të dhëna shumë të sakta në fushën e gjeografisë dhe historisë, si dhe përshkruan zakonet dhe traditat e banorëve të cilat i ka parë nga afër Nasir Khosro gjatë udhëtimit të tij në rajonet e ndryshme. Veprat e tjera në prozë të Nasir Khosro janë në fushën e apologjetike dhe trajtojnë tematika të ndryshme të sektit Ismailije ose janë shkruar në formë të pyetjeve-përgjigjeve në lidhje me çështjet e ndryshme të bindjeve të këtij sekti. Të gjitha veprat e Nasir Khosro janë shkruar me një prozë të thjeshtë dhe të kuptueshme dhe me një gjuhë të vjetër dhe të qëndrueshme dhe konsiderohen prej burimeve shumë të mira dhe të pasura për të gjetur termet filozofike dhe apologjetike të cilat përdoren në gjuhën persiane. Veprat e tij apologjetike pasi janë shkruar që të gjitha me një ton dhe gjuhë filozofike dhe argumentuese, për tu kuptuar kanë nevojë që lexuesi të ketë njohuri fillestare rreth filozofisë.

Në këtë kategori të veprave të këtij filozofi dhe mendimtari iranian, vepra "Zadul-Musafirin" konsiderohet më e rëndësishmja nga të gjitha dhe është një prej veprave më të njohura në apologjetikën e shkollës Ismailije. Ky libër është shkruar në vitin 453 hixhri kameri dhe Nasir Khosro këtë vepër e ka shkruar në 27 "Kaol" (Thënie). Nasir Khosro në këto thënie trajton çështje rreth shqisave, trupave dhe derivateve të tyre, shpirtit, vendit, kohës, krijimit të botës, mënyrës së lidhjes së shpirtit me trupin, botën tjetër, refuzimin e idesë së reinkarnacionit (rimishërimit), rreth argumentimit të shpërblimit dhe dënimit në botën tjetër. Kjo vepër është një prej veprave më të rëndësishme filozofike të shkollës Ismailiije që duke marrë parasysh kohën e shkrimit të saj dhe pozitën fetare të autorit të saj, mendohet se ajo përmban mësimet dhe bindjet më të vonshme zyrtare të Fatimijve në lidhje me teologjinë, kozmologjinë dhe antropologjinë në periudhën e unifikimit të aparatit fetar të tyre. "Zadul-Musafirin" është një prej teksteve të dalluara dhe të vjetra filozofike në gjuhën persiane, prandaj përmban edhe fjalë dhe terme filozofike shumë të rralla dhe për këtë arsye kjo vepër ka rëndësi shumë të veçantë për gjuhën persiane.

Proza e Zadul-Musafirin" ashtu sikur ajo e veprave të tjera filozofike dhe apologjetike të Nasir Khosro, është sipas stilit të prozës së periudhës së dinastisë Samanite dhe duket më e vjetër se sa veprat që janë shkruar në atë periudhë kohore. Përveç kësaj në këtë vepër mund të vërehen edhe disa ndryshime që janë bërë në prozën persiane gjatë periudhës së dinastisë Ghaznevite.

Zadul-Musafirin nga aspekti i fjalëve persiane, gjithashtu ka një rëndësi të veçantë. Kjo vepër përmban fjalë shumë të rralla të cilat vërehen më pak në tekstet e tjera klasike persiane. Karakteristikë tjetër e kësaj vepra është kjo që Nasir Khosro përkrah termeve filozofike të gjuhës arabe në shumë raste ka përdorur sinonime të barabarta persiane që disa prej tyre janë shumë të rralla. Rëndësia e kësaj çështje bëhet e qartë atëherë kur ta dimë se disa fjalë dhe terme të gjuhës persiane që janë përdorur në veprën Zadul-Musafirin, nuk gjendet në asnjë fjalor tjetër që ekziston deri më tani.

Vepra "Vexhhe din" është një vepër tjetër e rëndësishme e Nasir Khosro i cili në këtë vepër shkurtimisht ka trajtuar çështje apologjetike të shkollës Ismailije. Ai në këtë vepër ka folur gjithashtu rreth interpretimeve, kuptimit të brendshëm të adhurimeve dhe të dispozitave të sheriatit dhe ka shpjeguar aspektet e padukshme të adhurimeve dhe të dispozitave të sheriatit sipas metodës së shkollës Ismailije.

Kjo vepër mund të konsiderohet përshkrim i shkollës fetare Ismailije. Edhe pse historia e shkrimit të kësaj vepra nuk dihet në mënyrë të qartë, mirëpo padyshim se ajo është shkruar gjatë kohës së emigrimit të Nasir Khosro dhe pas vitit 453 hixhri kameri. Kjo është për arsye se Nasir Khosro në disa pjesë të kësaj vepre i është referuar librit "Zadul-Musafirin" dhe flet gjithashtu për errësirën në ishullin e Khorasanit, zhdukja e dritës së besimit për banorët e atij rajoni dhe se të dashurit e Zotit kanë hequr dorë nga njerëzit me besim të dobët në këtë rajon. Nasir Khosro i jepte rëndësi të madhe udhëzuese kësaj vepre dhe në parathënien e saj ka shkruar: "I mençuri i cili e lexon këtë libër, do ta njohë fenë dhe do të veprojë sipas atyre njohurive". Kjo vepër e Nasir Khosro për shumë kohë ishte shumë e rrallë, mirëpo më në fund dy manuskripte të kësaj vepre janë zbuluar nga Zarobin, një shkencëtar rus, në mesin e ndjekësve të shkollës Ismailije në rajonin Shaghnan të Badakhshanit në Afganistan. Sejed Hasan Taghizade në vitin 1921, një film të njërës manuskript të zbuluar nga Zarubin e dërgoi në Berlin dhe e botoi atë me ndihmën e Profesor Braun.

Xhame' Al-Hekmetejn është një vepër tjetër në prozë e filozofit dhe poetit të dalluar iranian Nasir Khosro e cila me kontributin e Dr. Muhamed Moin dhe Henry Kurbin dhe me një parathënie të shkruan nga këta të dy në gjuhën persiane dhe në gjuhën franceze, është botuar në vitin 1954 në Teheran. Kjo vepër në realitet është një shpjegim që Nasir Khosro e ka shkruar mbi oden filozofike në gjuhën persiane të Abu Al-Hejtham Ahmed bin Hasan Xhorxhani. Nasir Khosro këtë shpjegim e ka shkruar në vitin 463 hixhri kameri në bazë të kërkesës së guvernatorit të Badakhshanit, Shamsudin Abul-Meali Ali ibn Asad. Poeti dhe filozofi ismailit Abul-Hejtham Xhorxhani në oden 82 vargjesh, ka paraqitur disa pyetje dhe guvernatori i Badakhshanit i cili gjithashtu ishte ismailij, kërkon nga Nasir Khosro gjatë qëndrimit në Jamagan, t'i përgjigjet këtyre pyetjeve. Kjo vepër e rëndësishme ideologjike e Nasir Khosro është krijuar si rezultat i kësaj ngjarje. Vepra "Xhame' Al-Hekmetejn" është një mbledhje e filozofisë greke dhe e parimeve të bindjeve të shkollës Ismailije.

Oda e Khaxhe Abul-Hejtham fillon në këtë mënyrë:

Forma e çdo lloji është një dhe nuk ka përveç saj

Sepse trupat e secilës forme janë shumë

Nasir Khosro në përgjigje të kësaj poezie të Xhorxhani ka përdorur në masë të konsiderueshme interpretimet apologjetike dhe filozofike. Xhame' Al-Hekmetejn për shkak të termeve filozofike dhe apologjetike, si dhe shumë komponimeve dhe fjalëve të tjera persiane, gjithashtu, ka një rëndësi të veçantë.

Dy libërtha "Khan Al-Ekhvan" dhe "Goshajesh dhe Rehajesh", janë vepra të tjera në prozë të Nasir Khosro dhe manuskripta e të parës ndodhet në Ajasofia të Turqisë dhe në vitin 1940, Jahja Al-Khishab e ka botuar një kopje të saj. Libri i dytë është botuar me editim të Said Nafisi në vitin 1950 në qytetin Bombej. Të dy këto libërtha (Risale) janë në fushën e çështjeve fetare. Nasir Khosro në veprën "Goshajesh va Rehajesh" i është përgjigje 30 pyetjeve të një vëllai fetar. Studiuesit e veprave të Nasir Khosro mendojnë se libri "Goshajesh dhe Rehajesh" është shenjë e udhëheqjes së veçantë të cilën Nasir Khosro e ka poseduar si titull nga shkolla Ismailije e kohës së tij. Ai në këtë libër me një gjuhë të thjeshtë dhe logjike, ka ofruar 30 pyetje dhe përgjigje dhe ka konsideruar se të gjitha këto janë shpëtuese të shpirtrave të besimtarëve dhe të atyre që e kanë zemrën e pastër dhe zgjidhin problemet e tyre.  

Përveç këtyre veprave, Nasir Khosro në veprat e tij përmend edhe një varg veprash të tjera si "Bustanul-Ukul", "Kitabul-Mifta va Al-Mesbah", "Delil Al-Muhtehajirin", "Axhaib Al-San'a". "Lisan Al-Imam va Iktojar Al-Imam", "Gharajib Al-Hisab va Axhajib Al-Hisam" të cilat aktualisht nuk ekzistojnë.

Temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.

Tags