Shtator 28, 2017 11:14 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.

Në shqyrtimin e temës së fabulave kemi folur rreth temave si zgjuarsia, largpamësia, intriga dhe dëmi nga besimi te armiku, si dhe kemi transmetuar disa tregime në këtë fushë. Një prej temave të tjera kryesore dhe të përhapura në fabula, është tërheqja e vërejtjes ndaj dobisë së të qenurit i kënaqur dhe dëmi që shkaktohet nga lakmia dhe ambicia. Të qenurit i kënaqur është një prej virtyteve të larta morale që gjithmonë është trajtuar si një kapitull në vete në veprat e ndryshme morale dhe edukative. Në shumë prej tregimeve popullore persiane sidomos në tregimet fabula, burim i gabimeve dhe i vështirësive ose vdekjes së heronjve të tregimeve, është largimi nga të qenurit i kënaqur me atë që posedon. Në këto tregime një prej faktorëve kryesorë për mashtrimin e heroit ose të kundër heroit është zhytja e tij në lakmi dhe verbërimi me ambicie të tepruara. Studiuesit e tregimeve në studimet e tyre kanë ardhur në këtë përfundim se numri i tregimeve të cilat temë kryesore kanë dëmin e shkaktuar nga lakmia dhe ambicia, është më i madh se sa numri i tregimeve të tjera të cilat trajtojnë parime të tjera morale si mbështetja në Zotin, durimi, mëshira dhe dhembshuria.

Lakmia dhe ambicia sipas mendimit të mendimtarëve të mëdhenj, është sikur një litar i lidhur në qafë dhe sikur prangat e lidhura në këmbë. Prandaj këto tregime janë pasqyrim i të gjitha këtyre mendimeve. Nganjëherë lakmia dhe ambiciet kurohen vetëm me të qenurit i kënaqur me atë që posedon. Do të thotë që njeriu duke u mjaftuar me atë që posedon, lirohet nga vuajtjet dhe vështirësitë. Në tregimet fabula, nganjëherë lakmia qëndron përball mbështetjes në Zotin. Do të thotë se mbledhja e pasurisë dhe largpamësia e palogjikshme nganjëherë shkon deri në atë masë saqë individi gjatë gjithë jetës merret vetëm me mbledhjen e pasurisë, për arsye se ai frikësohet se ndoshta në të ardhmen mund të ndodhë që një ditë të mos ketë asgjë. Mirëpo ai pavarësisht se deponon dhe rezervon pasurinë, në çdo çast atij mund t’i vije vdekja dhe të gjithë atë pasuri të grumbulluar, mbetët pa e shpenzuar. Kështu që në këto tregime, lakmia ka dy aspekte: njëri është lakmia në shpenzime dhe në ngrënie dhe aspekti tjetër është lakmia në mbledhjen dhe rezervimin e pasurisë. Të dy këto cilësi dhe shembujt e tregimeve rreth tyre në praktikë, bëhen shkak për probleme dhe pendim. Në të kundërtën, të kënaqurit e njeriut me atë që posedon dhe heqja dorë nga lakmia dhe ambiciet e tepruara dhe mbështetja në Zotin si furnizuesin më të madh, shkakton shpëtimin dhe qetësimin dhe rehatinë e njeriut.

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani do ta prezantojmë tregimin e radhës nga libri “Kelile va Dimne” me titull “Gjahtari, drenusha, derri dhe ujku”.

Thuhet se një gjahtar me hark e shigjetë në dorë, ecte nëpër një pyll. Ai ishte i lodhur dhe djersët i shkonin për fytyre. U ndal dhe harkun e shigjetën e lëshoi në tokë dhe fshiu djersët e fytyrës. Shikoi rreth e rrotull. Askund nuk kishte gjah dhe as një zog nuk fluturonte në qiell. Pëshpëriti nën buzë dhe tha: “Sot nuk është ditë e mirë! Ku shkoi gjithë ai gjah?”. Vendosi të kthehet. Papritur dëgjoi një zë nga barishtet e pyllit. Ngadalë mori harkun dhe shigjetën nga toka dhe u fsheh në një qoshe. Dëgjoi edhe njëherë me vëmendje. Përsëri dëgjoi një zë nga barishtet. Pas disa çaste nga mbrapa barishteve doli një drenushë e bukur. Drenusha ishte zhytur në botën dhe imagjinimet e saj dhe nuk e kishte vëmendjen rreth e rrotull saj. Ajo ecte me hare dhe gëzim. Një buzëqeshje u shfaq në fytyrën e gjahtarit. Ai tha me vete: “Ah çfarë gjahu! Nuk duhet ta humbas!”. Ngadalë vendosi shigjetën në hark. Edhe zhurma më e vogël do të mjaftonte që ta humbiste gjahun. Ngriti harkun dhe e mori gjahun në shenjë dhe me të gjithë forcën e liroi shigjetën. Shigjeta qëlloi zemrën e drenushës. Drenusha e mjerë pa asnjë lëvizje, ra në tokë. Gjahtari shkoi pranë drenushës, nxori shigjetën nga trupi i saj. Vendosi trupin e drenushës mbi shpinë dhe u nis në drejtim të shtëpisë duke kënduar. Shtëpinë nuk e kishte larg. Ai kishte zënë një gjah të mirë dhe nuk ndjehej i lodhur. Ashtu duke ecur hap pas hapi, gjahtari e dëgjoi një zë tjetër nga barishtet. U ndal dhe filloi të shikojë rreth e rrotull dhe tha me vete: “Ndoshta është një drenushë tjetër. Më mirë është të mos bëjë zhurmë”. Në fillim mendoi se nuk ka nevojë për gjah tjetër. Mirëpo menjëherë ndërroi mendjen dhe tha me vete: “Këtë gjahun e dytë pasi ta zë, do ta shesë dhe me paratë e fituara do të blejë gjërat që më duhen”. Ngadalë e lëshoi gjahun në tokë dhe përgatiti harkun me shigjetë. Edhe një herë dëgjoi një zë. Ishte përgatitur që ta hedhë një shigjetë në zemrën e një drenushe tjetër, mirëpo papritur një derr i egër dhe i madh vraponte në drejtim të tij. Me shpejtësi mori në shenjë derrin dhe e lëshoi shigjetën. Shigjeta goditi derrin në qafë. Mirëpo derri nuk ra në tokë dhe me vrap më të shpejtë edhe pse i rridhte gjaku nga trupi, vraponte akoma në mënyrë më të egër në drejtim të gjahtarit. Gjahtari vendosi edhe një shigjetë tjetër në hark. Ndoshta kësaj radhe do ta rrëzonte derrin. Mirëpo derri arriti tek ai. Gjahtari papritur e ndjehu forcën dhe peshën e rëndë të derrit mbi vete. Pas një përleshje disa çastesh, të dy ranë në tokë të plagosur. Nga të dy ishte derdh shumë gjak dhe të dy kishin mbetur mbi tokë të pa forcë. Plagët e rënda të gjahtarit dhe të derrit ishin shumë serioze deri në atë masë saqë pas disa orësh që të dy vdiqën pranë trupit të drenushës. Ndërkohë që harku dhe shigjeta akoma ishin në gjendje gatishmërie në dorën e gjahtarit.

Ishte krijuar një skenë shumë pikëlluese. Mbi tokë kishin mbetur tre trupa të pa jetë të cilët deri para disa orëve ishin të gjallë dhe të shëndoshë, mirëpo brenda disa çasteve që të tre kishin rënë të vdekur. Në këtë kohë, një ujk i uritur arriti në atë vend. Ndjeu aromën e gjakut dhe mishit. Shkoi në drejtim të aromës dhe pa tre trupa që kishin rënë në tokë. Nuk mund t’i besonte syve, tre gjah të mirë së bashku në një vend. Ai u gëzua shumë duke shikuar të gjithë atë ushqim e mish në një vend dhe sillej rreth vete. Pa asnjë mund, ai kishte fituar të gjithë këtë ushqim. Me zë të lartë qeshi dhe tha: “O ujk i uritur e i mjerë! Tani të erdh furnizimi, ha! Të bëftë mirë!”. Më pas një mendim i erdhi në mendje: “më mirë është sot të ha vetëm njërin prej tyre dhe dy të tjerët të ruaj për një ditë tjetër. Në këtë mënyrë për disa ditë nuk kam nevojë të shkoj për gjah. Duhet ta gjejë një vend për ta fshehur këtë ushqim në mënyrë që të mos i gjejë dikush tjetër. Së pari më mirë ta ha drekën e sotshme dhe më pas ta fsheh pjesën tjetër të ushqimit”. Ujku së pari shkoi pranë trupit të gjahtarit që ta hajë atë. Akoma nuk kishte filluar punën kur turiri i tij preku harkun dhe shigjetën që ndodheshin në duar të gjahtarit dhe shigjeta u lirua nga harku dhe goditi ujkun. Sytë e ujkut nuk shikonin asgjë. Ujku nuk e kuptonte sa çfarë kishte ndodhur. Filloi të largohej i trullosur dhe disa hapa më larg se tre trupat e tjerë të pa jetë, ra edhe ai në tokë dhe vdiq duke i mbetur në zemër dëshira për të ngrënë atë ushqim dhe për të deponuar pjesën tjetër.  

Miq të dashur e shikuat se çfarë i bëri lakmia gjahtarit? Furnizimi i çdo kujt është një sasi e caktuar dhe ai që nuk beson në këtë parim të rëndësishëm, zhytët në lakmi e ambicie për të grumbulluar më shumë pasuri, pasuri të cilën në të shumtën e rasteve nuk mund ta shpenzojë.