Shtator 28, 2017 11:15 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Në disa edicione të kaluar kemi shqyrtuar disa prej temave më të rëndësishme të përhapura në tregimet fabula dhe në edicionin e kaluar si temë e fundit, kemi folur rreth dëmit të përgojimit, shpifjes dhe përçarjes në tregimin “Luani dhe Lopa” nga vepra Kelile va Dimne”.

Thamë se një lopë me emrin Shanzabe arriti në një fushë të një pylli ku sundonte një luan dhe pas një varg ngjarjesh, nëpërmjet një çakalli me emrin Dimne shkoi në oborrin mbretëror të luanit. Luani u shoqërua shumë me lopën deri në atë masë saqë në çështje të ndryshme konsultohej me atë dhe kjo shoqëri e afërt mes lopës dhe luanit ngjalli zilinë e Dimnes i cili pavarësisht këshillave të mikut të tij të sinqertë Kelile, vendosi që me shpifje dhe përgojim të prishi miqësinë mes luanit dhe lopës dhe t’i fusë ata në konflikt. Fjalët që Dimne i kishte thënë luanit rreth lopës u bënë shkak për mbytjen e lopës. Mirëpo duke marrë parasysh se e vërteta kurrë nuk qëndron e fshehur, edhe shpifjet përçarëse të Dimnes u zbuluan dhe ai u dënua me vdekje dhe e shijoi rezultatin e veprimit të tij.

Luani, Kelile, Dimne, lopa, leopardi dhe nëna e luanit janë personazhet kryesore në tregimin “Luani dhe Lopa”. Temë kryesore e këtij tregimi është përgojimi dhe shpifja që bëhet shkak për ndarjen e miqve nëpërmjet individëve dashakeqës. Zilia, kryengritja kundër sistemit ekzistues, guximi dhe trimëria, intriga dhe mashtrimi, padrejtësia ndaj mendjelehtëve dhe të dobëtëve; janë tema të tjera të rëndësishme që trajtohen në tregimin “Luani dhe Lopa”. Dimne për të arritur qëllimet e veta, bënë disa lëvizje të rëndësishme gjatë tregimit dhe çdo herë përballet me kundërshtimin dhe këshillat e Keliles. Në fillim ai hulumton rreth gjendjes së luanit. Lëvizja e dytë e tij është njohja e lopës me luanin. Lëvizja e tretë është shpifja, përgojimi dhe futja e përçarjes mes atyre dyve.

Në realitet lëvizja e tretë e Dimnes e cila buron nga zilia e tij ndaj lopës, fillon për eliminimin e lopës. Kelile e ndalon atë nga ky veprim dhe e konsideron të pamundur një punë të tillë, mirëpo Dimne thotë se atë çfarë mund ta fitosh me mendje dhe me intrigë, nuk mund ta fitosh me forcë e fuqi fizike. Dimne me zgjuarsi të plotë dhe duke tërhequr vëmendjen e luanit, e hap kapitullin e shpifjeve ndaj lopës. Duke gënjyer, ai flet për rebelimin e lopës dhe për bisedat e fshehta të saj me komandantët e ushtrisë dhe vazhdimisht thekson në nxitimin e luanit për të vepruar në mënyrë adekuate. Luani në fillim reziston përball fjalëve të Dimnes, mirëpo më në fund fjalët e Dimnes ndikojnë te luani. Puna e Dimnes nuk përfund këtu! Ai për të arritur qëllimin e tij, bënë edhe veprime të tjera. Ai shkon pranë lopës dhe e informon atë për rrezikun e mundshëm që e kërcënon atë nga luani. Lopa nuk njeh arsye për brengosje dhe frikë. Mirëpo më në fund Dimne arrin të fusë dilema në mendjen e saj dhe ta frikësojë atë nga natyre djallëzore e luanit. Shpifjet dhe futja e përçarjeve nga ana e Dimnes, ndikuan aq shumë te lopa saqë lopa i kërkon ndihmë Dimnes për të menduar një rrugëzgjidhje dhe ai i propozon lopës që të luftojë me luanin. Lopa ka frikë që ta fillojë luftën e para, mirëpo Dimne i tregon lopës për qëllimin e keq të luanit i cili ka vendosur të mbysë lopën dhe i fut dyshimin e thellë lopës për luanin. Lopa shkon pranë luanit dhe qëndron e përgatitur për luftë. Luani pasi e shikon lopën në gjendje lufte, e sulmon atë për ta mbytur dhe shpërthen lufta dhe lopa mbytet. Tregimi nga ky çast, më nuk ka ngjarje të rëndësishme dhe  paraqet vetëm bisedat e Kelile dhe Dimnes në lidhje me pasojat e veprimit dhe natyrës djallëzore të Dimnnes. Nga këtu fillojnë këshillat dhe mësimet etiko-morale të tregimit. Kelile zbulon qëllimet e Dimnes duke shpresuar se ai do të vetëdijesohet. Ai i thotë Dimnes: “Është padituri e jote që të mirat dhe interesat e tua i kërkon në dëmin e të tjerëve. Ti je si një lule me dy fytyra dhe secili që dëshiron ta këpus atë, do t’i lëndohet dora nga ferrat e saj”.

Lëvizje tjetër e Dimnes është kjo që luanin i cili ishte penduar nga mbytja e lopës, ta largojë nga këto mendime dhe të paraqesë çdo gjë në rregull dhe sipas dëshirës së luanit, por kësaj radhe nuk ka sukses. Dimne akuzohet dhe burgoset dhe pastaj mbytet. Rrjedha e ngjarjeve në këtë pjesë të tregimit është e një ritmi dhe shumica e tregimit zhvillohet në dialog mes personazheve. Temë kryesore e tregimit është shpifja dhe përgojimi dhe ndikimi i tij në prishjen e miqësive dhe në krijimin e armiqësive. Mirëpo roli i zilisë nuk këtë tregim, gjithashtu nuk është i vogël. Zilia është faktor dhe motiv për shpifja dhe përgojim. Disa cilësi të ulëta si zilia, zemërimi dhe irritimi, lakmia etj., për shkak se kur të ekzistojnë në personalitetin e një personi, nuk mund të largohen me lehtësi dhe ato konsiderohen natyrë e dytë e një personi të tillë. Këto cilësi kur të bëhen mbret mbi individin, ata veprojnë jashtë kontrollit të individit. Për këtë arsye nganjëherë bërja ose mosbërja zili, nuk është në vetëdijen e individit. Në këtë tregim para se vetë këto cilësi të shpjegohen si të këqija ose të mira, shpjegohet manifestimi i tyre në botën e jashtme dhe aspekti konkret i këtyre cilësive, dobitë ose dëmet e tyre ose përfundimi i mirë ose i keq i tyre. Dimne i cili është heroi kryesor i tregimit, në fillim ka një motiv shumë të fortë për të arritur në një pozitë të lartë shoqërore më të lartë se pozitën të cilën e gëzon. Për këtë arsye ai shfrytëzon ngjarjet e krijuar për interesa të veta dhe pak a shumë është i suksesshëm në këtë drejtim. Lakmia dhe ambiciet për pozitë të lartë, i kanë verbuar sytë e mendjes dhe largpamësisë së tij dhe ai më nuk ka mundësi të vlerësojë në mënyrë të drejtë veprimin dhe sjelljen e vetë.

Pasi lopa arrin në një pozitë të lartë dhe bëhet shkak që emri i Dimnes të shlyhet nga gjuha dhe mendjet,  ngjallet zilia e Dimnes dhe lakmia dhe ambiciet për pozitë më të lartë kaplojnë të gjithë qenien e tij. Ai nuk mund të pranojë që një pozitë të cilën ai e ka menduar për vete pranë luanit, ta marrë dikush tjetër. Ky tregim njëkohësisht me faktin se trajton tematika morale duke i zbërthyer dhe analizuar ato, neve na tërheq vërejtjen për ndikimin dhe pasojat e këtyre karakteristikave në shkallë dhe pozita më të larta. Kjo është karakteristika e tregimeve klasike që gjithnjë edhe temat më të thjeshta të cilat kishin shembuj konkret edhe në mesin e njerëzve të zakonshëm, i paraqesin në një mënyrë që nëpërmjet tyre të trajtohet një çështje e rëndësishme dhe kështu e tërheqin më shumë vëmendjen e lexuesit dhe publikut. Për shembull një tradhti që ndodhë në jetën e zakonshme të individëve, nëse ajo ndodhë në oborrin e një mbreti, ajo do të ketë një rëndësi dhe entuziazëm më të madh dhe të gjithë shfaqin interesim për ta dëgjuar atë. Kështu është edhe në shumë tregime të dashurisë, do të thotë që dashuruesi dhe i dashuruari janë prej princave ose të paktën njëri është princ dhe tjetri i një shtrese më të ulët. Thuajse dashuria është e veçantë vetëm për mbretërit ose zilia zhvillohet vetëm në oborrin mbretëror! E vërteta është kjo që tematika të tilla rëndësinë e vete e marrin nga personazhet e tregimit. Luani duke iu përgjigjur nënës së tij në lidhje me shpifjet dhe përgojimin e Dimnes thotë: “Karakteristikë e funksionarëve të mbretit është zilia, punët e këqija dhe konfliktet mes vete. Kjo është për arsye se çdo kush afrohet pranë mbretërve me një shpresë për të arritur diçka dhe gjithmonë ekziston një konkurrencë dhe zili e madhe mes individëve për të arritur në një pozitë". Mirëpo kjo karakteristikë nuk kufizohet vetëm me oborrin mbretëror sepse zilia është diçka e cila shfaqet edhe në lidhje me gjërat më të vogla dhe më të pavlera. Në tregimin "Luani dhe Lopa" mund të vërehet fundi dhe rezultati i futjes së përçarjes, të keqes dhe zilisë ose rezultati i largimit nga largpamësia.

Mesazhi i tregimit "Luani dhe Lopa" është ky që padrejtësia dhe mbytje e një individi të pafajshëm, ka përfundim të keq. Problem tjetër i Dimnes është ky që ai është dijetar pa veprim ose një dijetar i cili nuk ka maturi dhe largpamësi sepse me të hyrë në një betejë të tillë do të detyrohet të shkelë shumë prej parimeve morale dhe mjetin do ta sakrifikojë për qëllim duke shfrytëzuar çdo mjet dhe çdo gjë që do ta afrojë atë më afër qëllimit, pavarësisht se ai nuk është në përputhje me ato parime morale. Në një pjesë të tregimit,  Kelile i tërheq vërejtjen Dimnes se mbreti gjithmonë nuk u jep pozitë të lartë njerëzve me virtyte të larta dhe të përkryera, por më shumë i kushton vëmendje njerëzve që janë të afërm me atë dhe merr parasysh shkallët e trashëgimisë. Ndërkohë që Dimne në përgjigje thotë: "Edhe shoqëruesit e sulltanëve nuk kanë pas gjithmonë këto pozita të larta, por ata në këto pozita kanë arritur gradualisht dhe me mund dhe zellshmëri. Vetëm duhet patur parasysh edhe këtë çështje se kjo rrugë ka edhe vështirësitë e veta të cilat duhet të tejkalohen me durim dhe maturi. Me këtë metodë mund të realizohen dëshirat dhe ambiciet e individit".

Këto fjalë thuhen nga gjuha e Dimnes i cili në tregim ka personazh negativ. Mirëpo pyetja është kjo se Dimne me pretendime të tilla të ngritura, për çfarë arsye pajtohet me gjakderdhje, intriga dhe mashtrime? Ajo që është e sigurt është kjo që gjatë punës egoja e tij ka ngadhënjyer mbi mendjen dhe arsyen e tij. Dimne por edhe luani deri në fazën më të fundit nuk pranojnë që të ketë kurrfarë dyshimi në atë dhe pretendimet e dëshmitarëve i konsideron akuza të pabaza. Mirëpo më në fund Dimne shijon frytin e veprimeve që ka kryer përkundër moralit të tij.

Tags