Shtator 28, 2017 11:15 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Në fillim ashtu si në edicionet e kaluara do të prezantojmë një tjetër zhanër të letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të paraqesim tregimin e radhës.

Ashtu siç e dini, letërsia gojore është një mbështetëse e rëndësishme kulturore e një vendi dhe pasuron kulturën e atij vendi. Irani gjatë shekujve me radhë ka qenë korridor i kalimit të shumë popujve dhe ka një letërsi shumë të pasur popullore. Letërsia popullore e Iranit – që për fat të mirë një pjesë e saj është shkruar në tekste – përfshin lloje të ndryshme si vjershat për fëmijë, proverbat, tregimet fabula, këngët popullore, përrallat, këngët kreshnike, elegjitë dhe tregimet heroike ose epopetë. Ne në edicionet e kaluara kemi shqyrtuar tre degë të kësaj letërsie të gjerë dhe të pasur, do të thotë këngët për fëmijë, proverbat dhe tregimet fabula. Një tjetër degë e rëndësishme e letërsisë popullore janë këngët popullore.

Këngët popullore në persishte emërohen me fjalën "tarane" dhe kjo fjalë është shumë e vjetër dhe studimet e kryera tregojnë se që nga kohërat e lashta në gjuhën persiane këngët popullore quheshin "tarane". Këto këngë popullore autori i të cilëve nuk është i njohur, sipas shumë gjasave, janë format më të vjetra të poezisë persiane, prandaj për këtë arsye burimi i tyre i krijimit është tërësisht i ndryshëm dhe tema e tyre gjithashtu është shumë e larmishme. Për shembull: shfaqja e dashurisë, tallja ndaj dikujt (satira), ninullat, përrallat ose pjesët që përdoren për fillimin ose mbarimin e një përralle, lojërat dhe më në fund poezia ose kompozimi i cili këndohej në mënyrë individuale ose në formë kolektive dhe qëllimi i tij ishte shprehja e ndjenjave individuale dhe shoqërore.

Këngët popullore mund të shqyrtohen nga 4 aspekte: metrika, rima, tema dhe stili artistik. Në lidhje me metrikën e poezive iraniane të cilat janë jashtë përkufizimit zyrtar të metrikës së poezisë persiane si poezitë e vjetra në gjuhët avesta, pahlavi, parthiane dhe sasanide si dhe këngët popullore të vjetra në gjuhën e vjetër persiane dhe këngët e popullore në gjuhën bashkëkohore persiane, janë bërë shumë studime të gjera.

Në mesin e hulumtimeve në këtë fushë, teoritë e studiuesve evropianë si orientalistes franceze Emile Benveniste, orientalistit gjerman Walter Bruno Henning dhe orientalistit rus Yuri Nikolayeveich Marr, si dhe teoritë e studiuesve iranianë si Malek Shoarae Bahar, Sadegh Hedajet dhe Parviz Natel Khanleri kanë vlera të pamohueshme në këtë fushë. Profesor Marr për metrikën e këngëve popullore bashkëkohore, konsideron se metrika e këtyre këngëve është faktor kyç për ta kuptuar metrikën e poezisë së vjetër në gjuhën avesta dhe pahlavi. Dr. Parviz Natel Khanleri thotë: “Metrika e këngëve popullore nuk është vetëm në rrokje, sepse edhe shkurtesa dhe gjatësia e rrokjeve dhe aksenti i zërit, janë dy elemente themelore të metrikës në këngët popullore”.

Dr. Natel Khanleri beson se gjithashtu: “gjatësia dhe shkurtesa e rrokjeve në këngët popullore nuk është e prerë dhe në bazë të metrikës ekziston mundësia që rrokjet e gjata mund të shkurtohen ose rrokjet e shkurta mund të zgjaten”. Në këngët popullore rrokjet, në bazë të llojit të përshtatshmërisë së metrikës dhe harmonisë muzikore, mund të zgjaten ose të shkurtohen. Duhet patur parasysh se ky shkurtim dhe zgjatje e numrit të rrokjeve qëndron mbi një boshte stabil muzika e të cilit krijon këngën.

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm ndërsa tani do ta dëgjojmë tregimin “Malek Xhamshid dhe kali i detit” në të cilin janë përdorur veprimet e jashtëzakonshme dhe kafshët mirënjohëse që është një prej karakteristikave të tregimeve popullore.

Na ishte njëherë se ç’na ishte. Në kohërat e lashta ishte një mbret i cili e kishte pasur një djalë me emrin Malek Xhamshid. Djali ishte dhjetë vjeç kur nëna e tij vdiq dhe ai mbeti në duar të njerkës. Malek Xhamshid ishte i pikëlluar dhe mërzitur nga vdekja e nënës. Mbreti e donte djalin e tij më shumë se sa sytë e vet. Ai bënte të gjitha përpjekjet në mënyrë që djali i tij të jetë i lumtur. Djali nuk dëshironte të bënte asgjë dhe nuk ndalej së menduari për nënën e tij. Një ditë një person i tha mbretit: “Nëse mund të gjesh një kali të vogël të detit për djalin tënd, atëherë ai do të lozë me atë dhe do të ndalet së menduari për nënën”. Mbreti e thirri vezirin dhe i tha shko gjeje një kali të vogël të detit për Malek Xhamshidin. Veziri pranoi dhe dy shërbëtorët e tij i dërgoi te deti për ta gjetur një kalë të vogël deti. Shërbëtorët e vezirit shkuan te deti dhe me anë të një kurthi kapën një kalë deti të posa lindur nga nëna e tij dhe e sollën atë në pallatin e mbretit dhe e çuan në ahur. Mbreti posa dëgjoi se e kanë sjellur kalin e vogël të detit, u gëzua shumë dhe i dha shpërblim të mirë vezirit dhe shërbëtorëve të tij. Mirëpo ky kalë deti në vend të ujit, pinte sherbet të luleve dhe në vend të kashtës dhe jonxhës, duhet t’i jepnin atij sheqer, bonbone dhe zhaferon ndërsa me e çuditshmja ishte kjo që kali i detit fliste sikur njeri. Malek Xhamshid posa dëgjoi se babai i tij çfarë kali i kishte gjetur, fluturoi nga gëzimi dhe shkoi pranë kalit të detit që ta shikojë atë. Fytyra e tij buzëqeshi dhe shumë shpejtë u shoqërua me kalin e detit. Pastaj urdhëroi që ta ndërtojnë një shtëpi të pastër dhe të sjellin një enë prej floriri për ujin e kalit dhe një enë tjetër për ushqim në mënyrë që edhe kali prej deti të qëndrojë në mënyrë më të lehtë dhe më të qetë. Ai në asnjë mënyrë nuk lejonte që dikush t’i afrohej kalit të detit. Vetë ai i jepte atij sherbet të luleve dhe sheqer dhe bonbone. Çdo ditë në mëngjes kur dëshironte të shkonte në shkollë, së pari shkonte pranë kalit të detit. Në drekë ose në mbrëmje kur kthehej, përsëri para çdo veprimi tjetër, shkonte ta shikonte kalin dhe e përkëdhelte shumë. Mbreti kur e pa se Malek Xhamshid u mashtrua me kalin e detit dhe e harroi pikëllimin e nënës, u qetësua dhe filloi të merrej më shumë me punët e mbretërisë dhe me jetën e tij. Nga ana tjetër Malek Xhamshid për çdo ditë rritej dhe bëhej më i madh saqë një ditë gruaja e mbretit e shikoi se Malek Xhamshid u bë një djalosh i dukshëm dhe shtatlartë. Ajo i kishte zili atij dhe vendosi që ta eliminojë atë. Për këtë arsye ajo thirri disa shërbëtorë të saj dhe i dha dhurata të mira dhe i urdhëroi ata që në rrugë nga e cila kalonte Malek Xhamshi kur shkonte dhe kthehej  nga shkolla, të hapin një pus dhe në muret e tij të vendosin shpata dhe shtiza të lyera me helm dhe pusin ta mbulojnë me një tapetë në mënyrë që Malek Xhamshid kur të kalojë aty pranë, të bie në pus dhe të eliminohet njëherë e përgjithmonë. Shërbëtorët kështu vepruan. Malek Xhamshid u kthye nga shkolla dhe shkoi ta shoh kalin e detit dhe e pa atë që po derdhte lot sikur re. Mbeti i habitur dhe e pyet se çfarë ka ndodhur? Kali i detit i cili e kishte dëgjuar ngjarjen, i tregoi atij se njerka e Malek Xhamshidi çfarë ka planifikuar për atë dhe dëshiron që ta hedhë atë në pus. Malek Xhamshid tha: “Kjo nuk është ndonjë gjë për të cilën duhet brengosur. Kaloi nëpër një rrugë tjetër”. Më pas i dha kalit sheqerin dhe bonbonet dhe shkoi nga një rrugë tjetër deri në dhomën e tij. Gruaja e mbretit e cila e vëzhgonte nga larg Malek Xhamshidin, kur e pa këtë ngjarje, mendoi se duhet të planifikojë diçka tjetër. Ajo për këtë arsye përgatiti një sasi helm dhe i hodhi në ushqimin të cilin duhej ta ha në darkë Malek Xhamshidi. Mirëpo Malek Xhamshid kur u kthye nga shkolla si gjithnjë shkoi ta shoh kalin e detit dhe e pa që përsëri ai po derdh lot. Edhe kësaj radhe ai e pyeti atë se çfarë ka ndodhur dhe kali i tha: “Njerka të ka hedhur helm në ushqim dhe dëshiron të helmojë ty sonte”. Malek Xhamshid u betua se nuk do të ha sonte ushqim fare dhe e qetësoi kalin e detit. Malek Xhamshid i tha këto fjalë dhe shkoi në dhomën e tij dhe në mbrëmje kur e sollën darkën, e mori një kafshatë dhe ia dha maces. Macja posa e ngrëni kafshatën, ra në tokë dhe ngordhi. Prandaj, Malek Xhamshid nuk e preku darkën fare. Kur u bë mëngjesi dhe shërbëtorët e morën tepsinë me ushqim dhe gruaja e mbretit e pa që Malek Xhamshid nuk e kishte prekur fare ushqimin, filloi të mendojë se kush po e lajmëron atë për planet e saj. Së pari mendoi për shërbëtorët, mirëpo shumë shpejtë e kuptojë se nuk është puna e tyre. Papritur i erdhi një mendim në mendje dhe me vete tha: “Çfarëdo që të jetë, e gjitha është nga ky kali i detit i cili po i tregon rrugët e ikjes Malek Xhamshid”. Ajo fitoi armiqësinë ndaj kalit të detit dhe vendosi sido që të jetë, duhet ta eliminojë këtë kalë në mënyrë që më shpejtë të arrijë qëllimin. Gruaja e mbretit shpejtë e dërgoi shërbëtorin te mjeku i pallatit. Shërbëtori i tha mjekut që gruaja e mbretit po shtirët se është e sëmurë dhe ai kur të vjen që ta vizitojë atë, duhet të thotë se ilaçi i saj është zemra dhe mëlçia e kalit të detit. Shërbëtori i dha një shumë të mirë të parave mjekut dhe i premtoi që kur ta përfundojë punën me sukses, përsëri do t’i japë edhe më shumë. Gruaja e mbretit ra në shtratin e saj dhe filloi të rënkojë. Ajo kishte vendosur pak bukë të tharë nën dyshek dhe kur ishte në një krah duke ngrënë diçka, në anën tjetër trupi i saj bënte zhurmë dhe çdo kush që ishte afër, mendonte se kjo zhurmë po shkaktohej nga kockat e gruas. Ajo e kishte lyer fytyrën me zhaferon dhe disa bimë të tjera që të dukej e verdhë dhe e sëmurë. Nga ana tjetër e lajmëruan mbretin se gruaja e tij është e sëmurë dhe shumë shpejtë e thirrën mjekun. Kur erdhi mjeku së bashku me mbretin shkuan ta vizitojnë gruan. Gruaja pasi e pa burrin, u përtyp dhe menjëherë u dëgjua zhurma e bukës së tharë që u thyente nën atë, ndërsa mbreti u frikësua. Mjeku i bëri një vizitë gruas dhe tha: “Kjo ka një sëmundje të rëndë dhe duhet t’i japin zemër dhe mëlçi të kalit të detit asaj në mënyrë që të shërohet dhe të mos i përsëritet kjo sëmundje”. Mbreti tha se nuk ka problem dhe kur Malek Xhamshid të shkojë në shkollë, ta sjellin kasapin dhe t’i heqin kokën kalit të detit dhe zemrën dhe mëlçinë e tij ta pjekin për gruan.

Tregimin do ta vazhdojmë në edicionin tjetër

Tags