Tetor 08, 2017 09:45 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Në fillim ashtu si në edicionet e kaluara do të prezantojmë një tjetër zhanër të letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të paraqesim tregimin e radhës.

Në edicionet e kaluara kemi folur rreth këngëve popullore persiane që konsiderohen një prej degëve të rëndësishme të letërsisë popullore dhe kemi shqyrtuar karakteristikën e metrikës dhe rimë në këto këngë.

Një tjetër element i rëndësishëm në këngët popullore është tema. Temat e këngëve popullore janë shumë të larmishme. Këngët e veçanta për lojëra dhe zbavitje, këngët e veçanta të ninullave, këngët përkatëse të tregimeve, këngët kritikuese dhe këngët lirike, janë disa prej llojeve të këngëve popullore.

Këngët e veçanta për lojëra të cilët më shumë përdoren për lojërat e fëmijëve, janë një lloj proze e rimuar të cilave lëvizja e lojërave i jep një tingull të caktuar. Një prej karakteristikave të kësaj kategorie të këngëve popullore është kjo që nga një këngë e lojës ekzistojnë shumë versione të ndryshme dhe në çdo rajon ajo këngë është transmetuar me një version të veçantë. Duhet patur parasysh se versionet e shumta transmetuese rreth një kënge, është një karakteristikë që i përket të gjitha këngëve popullore dhe me guxim mund të thuhet se nuk ekziston asnjë këngë popullore që të mos ketë ndonjë version tjetër transmetues.

Një prej lojërave më të zakonshme për zbavitjen e fëmijëve në rajone të ndryshme të Iranit është loja "Varçiden" dhe kënga e saj fillon kështu:

"Atal matal tutule, si duket lopa e Hasanit,..."

Në këtë lojë kërkohet nga fëmijët që të ulen përkrahë njëri-tjetrit dhe të shtrijnë këmbët e tyre. Pasta një person duke kënduar këngën, në secilën pjesë të saj e vendos dorën mbi këmbën e njërit prej fëmijëve dhe pjesa e fundit e këngës në këmbën e secilit fëmijë që të arrijë, ai duhet të mbledhë këmbën. Në këtë lojë fitues është ai të cilit nuk i bie të mbledhë këmbët.

Një grup tjetër i këngëve popullore, janë këngët që kanë temë lirike dhe të dashurisë. Elementi i lirikës që tregon ndjenjat dhe dashurinë njerëzore ndaj ngjarjeve të jetës, mund të vërehet në çdo vend në këngët popullore persiane. Dy elementë të rëndësishëm të krijimtarisë artistike në këngët popullore janë: shprehja e ndjenjave dhe dashurisë dhe shprehja e urrejtjes ose zemërimit apo keqardhjes ndaj ngjarjeve të jetës dhe fenomeneve. Këngët popullore, shumë prej tyre janë me tematikë sentimentale dhe të dashurisë dhe janë të përhapura në mesin e popullit iranian.

"Mbrëmë kur binte shi, i dashuri erdh pranë çatisë, shkova t'i puthi dorën, dora e tij ishte e ndjeshme dhe i plasi gjaku, gjaku i tij pikoi në kopsht, nga aty dol një tufë lule, shkova të këpus lule, lules iu këputen fletat dhe u shkapërderdhë, shkova të marrë fletën e lules, ajo u shndërrua në pëllumb dhe iku në qiell, shkova të kap pëllumbin, ai u shndërrua në drenushë dhe shkoi në fushë, shkova të kap drenushën, ajo u shndërrua në peshk dhe shkoi në det".

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm, tani po dëgjojmë vazhimin e tregimit të edicionit të kaluar.

Thamë se mbreti për djalin e tij Malek Xhamshidin, i cili ishte futur në depresion pas vdekjes së nënës, kishte sjell një kalë deti. Malek Xhamshid u shoqërua shumë me atë saqë të gjithë kohën e kalonte me atë kalë. Njerka e Malek Xhamshid e cila u mundua ta mbysë atë, e kuptoi se kali i kishte ndihmuar Malek Xhamshidit që t'i zbulojë komplotet e saj dhe vendosi ta eliminojë atë kalë. Kali i tregoi ngjarjen Malek Xhamshid dhe të dy së bashku bërën një plan se si të ikin nga pallati dhe pas shumë ngjarjeve, arritën të shpëtojnë nga mbreti dhe të largohen nga pallati dhe të shkojnë në një qytet tjetër. Kali i tha Malek Xhamshid se duhet t'i ndërrojë rrobat dhe të ndryshohet deri në atë masë saqë askush të mos mund ta njohë atë dhe ai vetë nuk mund ta shoqërojë princin, sepse të gjithë e dinë se një djalë i varfër nuk mund të ketë një kalë të tillë. Kali i propozoi atij që t'i shkulë disa qime nga jelet e tij dhe çdo herë kur të ketë nevojë ose të përballet me ndonjë problem, të djegë një fije qime. Tani po vazhdojmë tregimin.

Maklek Xhamshid shikoi rreth e rrotull dhe e pa një djalosh të cilit i dha pak para dhe ia bleu rrobat e bariut dhe i tha që të presë një qengj për atë. Pasi bariu e mbyti qengjin, Malek Xhamshid i pastroi mirë ploncin (rumen) e tij dhe pastaj veshi rrobat e bariut e vendosi ploncin mbi kokë në vend të kapelës, ndërsa rrobat mbretërore dhe duqit me monedha floriri i vendosi mbi kalë dhe u përshëndet me kalin. Malek Xhamshid hyri nëpërmjet portës së qyteti dhe më pas e pa një kopsht dhe trokiti në derën e tij. Mirëpo askush nuk hapi derën e kopshtit. Shikoi nëpërmjet vrimave të derës dhe e pa se çfarë kopshti i madh ishte ai. U çudit se si nuk është askush në kopsht. Malek Xhamshid mori një shkop dhe turbulloi ujin e përroit që shkonte në kopsht. Papritur doli një kopshtar plak dhe posa hapi derën i tha Malek Xhamshid: "Pse po turbullon një ujë kaq të bukur dhe të pastër? Ky është kopshti i mbretit dhe me këtë veprim do ta humbësh edhe kokën tënde edhe do të ma shkatërrosh pjesën e fundit të jetës time. Vajzat e mbretit për çdo ditë në perëndim të diellit vinë këtu dhe shëtisin nëpër kopsht, prandaj nëse ato do ta shikojnë ujin e turbullt, atëherë do të ndëshkohem keq". Malek Xhamshid tha: "Unë jam i huaj në këtë qytet dhe nuk e dita se i kujt është ky kopsht". Kopshtari plak i hodhi një shikim më të vëmendshëm dhe e pa që Malek Xhamshid ishte një djalosh i mirë dhe i pranueshëm, prandaj nga zemërbutësia i tha atij se nëse dëshiron mund të hyjë në kopsht dhe të bëhej nxënësi i tij. Mirëpo ka një kusht për këtë punë. Vajzat e mbretit për çdo ditë vijnë në kopsht, por Malek Xhamshid duhet të fshihet dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të duket para syve të tyre. Gjithashtu nuk duhet të mendojë për ndonjë mashtrim, sepse do ta humbasë kokën edhe të tijën edhe të kopshtarit plak. Malek Xhamshid pranoi dhe dha premtimin për respektimin e këtij kushti.

Mirëpo dëgjoni tani për mbretin e këtij qyteti i cili kishte tre vajza të cilat ishin shumë të bukura. Këto vajza pasditeve shkonin në kopsht dhe shëtisnin. Kopshtari plak vendoste një qilim mbi një krevat skaj përroit dhe përgatiste ushqime dhe fruta për vajzat. Vajzat zbaviteshin dhe loznin duke qeshur ndërsa kur dielli perëndonte, ato ktheheshin në pallat. Kopshtari plak përgatiste tre tufa me lule dhe u jepte vajzave të mbretit kur ato ktheheshin në pallat. Pasi kaluan disa ditë, Malek Xhamshid një ditë insistoi pranë plakut që sot ai të përgatisë tufat me lule për vajzat e mbretit. Mirëpo kopshtari plak nuk pranoi dhe i tha se kjo nuk është puna e tij. Malek Xhamshid e luti aq shumë kopshtarin plak saqë ai më në fund u pajtua dhe i tha atij vetëm për vajzën më të vogël duhet ta lidhë tufën e luleve. Malek Xhamshid filloi punën dhe mori disa lule të bukura dhe rregulloi një kurorë të bukur dhe një trëndafil të kuq vendosi në mes dhe pastaj e lidhi tufën e luleve dhe ia dha në dorë kopshtarit plak. Kopshtari plak mori të tre tufat e luleve dhe i vendosi pranë vajzave. Ata të gjitha shikuan tufën e luleve të vajzës së vogël dhe mbetën të mahnitur me gisht në gojë duke thënë se çfarë ndodhi sot që ky plak me shije të keqe, tani po tregon shijen duke rregulluar një tufë kaq të bukur të luleve?! Vajzave u pëlqeu aq shumë ajo tufë e luleve saqë shpejt e thirren kopshtarin dhe e pyetën atë se kush e ka përgatitur këtë tufë lule. Kopshtari plak mbeti pa përgjigje. Më në fund tha se kjo është puna e nxënësit të tij. Vajzat të cilat mendonin se vetëm kopshtari plak po e mirëmban kopshtin, e pyetën atë se prej kur ke marrë nxënës? Kopshtari plak u tha atyre se nipi i tij ka ardhur disa ditë më parë dhe po i ndihmon atij. Vajzat thanë ai ka rregulluar tufë shumë të bukur me lule dhe që nga nesër vetëm ai duhet t'i përgatisë tufat me lule për ato. Kopshtari e pranoi dhe i gëzuar e i lumtur u kthye pranë Malek Xhamshid dhe i tha se ai tani do të jetë përgjegjës për rregullimin e tufave me lule për çdo ditë për vajzat e mbretit. Malek Xhamshid i cili e kishte kërkuar nga Zoti një gjë të tillë, me gëzim filloi punën dhe për çdo ditë rregullonte tufa aq të bukura me lule saqë vajzat e mbretit kurrë në jetën e tyre nuk kishin parë. Pas disa ditëve, vajzat e shikuan më mirë artin dhe talentin e Malek Xhamshid dhe thanë me vete ndoshta kopshtari plak po gënjen se nipi i tij është bërë nxënës i tij. Ky nxënës duhet të jetë një njeri tjetër i cili do të ketë kaq shumë shije të bukur.

Një ditë kur kopshtari plak i dërgoi tufat me lule, vajzat e mbretit i thanë atij se ai që i rregullon këto tufa me lule, vetë duhet t'i sjellë ato pranë tyre. Kopshtari pranoi dhe kësaj radhe me frikë e i brengosur shkoi pranë Malek Xhamshid dhe i tregoi atij se çfarë i kishin thënë vajzat dhe e luti atë që para vajzave të mos fliste fjalë pavend. Malek Xhamshid të nesërmen duke rregulluar tufat me lule, tregoi një shije artistike aq të madhe saqë edhe vetë mbreti do të mahnitej nëse do t'i shikonte ato tufa me lule. Malek Xhamshid të tre tufat me lule i vendosi në një tabak dhe i dërgoi pranë vajzave të mbretit. Së pari u përul me respekt dhe zbatoi të gjitha formalitetet mbretërore të cilat i kishte mësuar në pallatin e babait të vetë. Kur i dorëzoi atyre tufat me lule, gjithashtu shkoi mbrapa hap pas hapi dhe qëndroi dhjetë hapa më larg me duar mbi gjoks. Vajzat i hodhën një vështrim djalit dhe tani më u siguruan se ky djalë nuk është nxënësi i kopshtarit plak. Cili nxënës tregon kaq shumë respekt dhe i di të gjitha këto formalitete të nderimit. Thuajse që nga vegjëlia ishte rritur e edukuar në pallatin mbretëror! Vajzat për çdo ditë i jepnin tre monedha argjendi kopshtarit plak, ndërsa atë ditë i dhanë tre monedha floriri Malek Xhamshidit. Djaloshi mori monedhat e floririt dhe pasi u përul në shenjë nderimi, shkoi dhe ia dha monedhat kopshtarit. Pas disa ditëve, kopshtari plak një ditë i tha Malek Xhamshidit sot vajzat e mbretit kanë shkuar për gjueti dhe nuk vijnë në kopsht për tu shëtitur, ndërsa edhe ai vetë do të shkojë në treg, prandaj nëse dëshiron mund të shëtitet në kopsht. Kopshtari tha këto fjalë dhe shkoi. Malek Xhamshid i cili ishte përmalluar shumë për kalin e tij, shpejt e dogji një fije nga qimet e kalit dhe ai menjëherë u paraqit pranë tij. Shpejt veshi rrobat mbretërore që të shëtisë me kalë nëpër kopsht. Deshi fati që vajza e vogël e mbretit ishte ftohur dhe nuk kishte shkuar me motrat e saj për gjueti. Ajo kishte dalë në dritare dhe e pa Malek Xhamshidin dhe e mahnitur mbeti dhe u dashurua në atë jo vetëm me një zemër, por me njëqind zemra. Vajza e vogël e mbretit e pa që Malek Xhamshidi zbriti nga kali dhe hoqi rrobat mbretërore dhe i vendosi ato në duqi të kalit dhe pastaj përsëri veshi rrobat e bariut dhe kapelën pre plonci e vendosi në kokë, ndërsa përsëri këputi disa qime nga jelet e kalit dhe pastaj u përshëndet me kalin. Vajza e vogël e mbretit e kuptoi se ky djalosh që po paraqitet si nxënës i kopshtarit plak, në realitet është një princ, mirëpo ajo nuk e kuptonte se për çfarë arsye ai kishte vepruar kështu? Nuk e dinte! Vajza e vogël e mbretit e cila u dashurua tërësisht, filloi të bëjë plan se si të martohet me Malek Xhamshidin.

Vazhdon në edicionin tjetër.

Tags