Tetor 08, 2017 09:45 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Në fillim ashtu si në edicionet e kaluara do të prezantojmë një tjetër zhanër të letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të paraqesim tregimin e radhës.

Thamë se një prej temave të këngëve popullore, është ninulla për fëmijë. Ninullat përkrah vjershave për fëmijë, janë pjesë e këngëve popullore, burim i të cilave është ndjenja, dashuria dhe mëshira. Publiku i ninullave janë fëmijët. Ninullat në të njëjtën kohë realizojnë edhe poezinë edhe muzikën dhe duke marrë parasysh se ato rrjedhin në shtratin e letërsisë popullore dhe letërsisë gojore, për fat të keq ato më pak janë shkruar dhe natyrisht shumë prej tyre janë harruar.

Ninullat janë shfaqur në kohërat shumë të lashta dhe mund të thuhet se ato kanë lindur së bashku me njeriun. Kjo është për arsye se këto këngë të ëmbla tregojnë dashurinë më të pastër të nënës ndaj fëmijës dhe padyshim se kjo dashuri është manifestuar që nga nëna dhe fëmija i parë, pastaj është zhvilluar gjatë kohës dhe ka arritur deri më sot. Letërsia më e dashur e nënave ka lindur me ninullat dhe është zhvilluar më pas. Nëpërmjet ninullave shumë lehtë mund depërtohet në brendësinë e zemrës së nënës dhe të kuptohen dëshirat e saj.

Ninullat janë pjesë e letërsisë gojore të çdo vendi, sepse asnjë nënë nuk i këndon ato duke lexuar tekstin dhe të gjitha nënat i dinë ato duke mos ditur sa nga i kanë mësuar.

Ndoshta mund të thuhet se ninullat janë një kategori ngjyra-ngjyra e dëshirave, ankesave dhe e lutjeve të sinqerta dhe të pastra të nënës të cilat janë transmetuar gojë më gojë që nga kohërat e lashta dhe kanë arritur deri më sot duke e ruajtur gjithmonë freskinë dhe risinë e vetë në atë mënyrë që asnjë këngë tjetër nuk ka arritur t’i zëvendësojë ato.

Me këtë parathënie ndoshta mund të thuhet se vjetërsia e ninullave të cilat konsiderohen këngët më të vjetra të folklorit, më nuk është historike, por është e periudhës antike. Studiuesit besojnë se ninullat nuk janë krijuar vetëm për ta futur në gjumë fëmijën, por kjo kategori e këngëve popullore më shumë se çdo gjë tjetër, paraqet idealet dhe dëshirat e nënave dhe në realitet ninullat kanë qenë një aparat i përshtatshëm që nënat nëpërmjet tij të realizojnë këngët e tyre më dashurore. Shkurtesa e metrikës së poezive, harmonia e rimës në ato, përsëritja e rrokjeve “nina-nina”, thjeshtësia dhe shprehja e pazbukuruar së bashku me lëvizjet ritmike të djepit, kanë shtuar funksionin magjeps të ninullave.

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani po vazhdojmë me pjesën tjetër të tregimi Malek Xhamshid dhe kali i tij.

Në edicionin e kaluar në këtë tregim arritëm deri aty ku dhëndurët u përgatiten për të shkuar për gjueti që të sjellin mishin më të freskët të gjahut për mbretin në mënyrë që ky i fundit të shërohet nga sëmundja.

Malek Xhamshid gjatë rrugës u nda nga baxhanakët e tij dhe shkoi deri në një vend ku ishte vetëm ai dhe askush tjetër. Pastaj dogji një fije nga qimet e jeleve të kalit dhe kali menjëherë u shfaq pranë tij. Malek Xhamshid i tregoi kalit të gjithë ngjarjen dhe pastaj kërkoi nga ai që ta vendosë një tendë mbi bjeshkën e lartë dhe aty të mblidhen të gjitha kafshët që janë për gjah dhe të mos mbetët asnjë gjah në fusha e në male të tjera. Kali i tij vendosi mbi bjeshkë tendën prej floriri dhe brenda saj e vendosi një fron mbretëror të cilin do ta dëshironte çdo mbret. Malek Xhamshid veshi rrobat mbretërore dhe u ulë mbi fron dhe priti derisa baxhanakët e tij të vinë aty. Nga ana tjetër, dy dhëndurët e tjerë sado që kërkuan në fusha e në male, nuk gjetën asnjë gjah dhe ashtu duke shëtitur, kaluan pranë tendës mbretërore të Malek Xhamshid. U mahnitën nga madhështia e tendës dhe menduan se ndonjë mbret i huaj ka ardhur dhe ka vendosur aty tendën e vetë. Mirëpo kur panë gjithë atë gjah mbrapa tendës, shkuan përpara dhe u përulën dhe kërkuan nga Malek Xhamshid që tu japë leje të gjuajnë një gjah dhe t’ia dërgojnë atë mbretit. Malek Xhamshid tha: “Por i gjithë ky gjah është i imi dhe nuk e lejoj askënd që të prek gjahun tim. Nëse dëshironi mish gjahu, duhet të bëheni shërbëtorë të mi dhe unë duhet të vulos shpatullën tuaj me vulën e skllavërisë, atëherë mund të merrni një sasi mishi të gjahut”. Baxhanakët e tij në fillim nuk pranuan, mirëpo më pas menduan dhe thanë me vete se në këtë bjeshkë nuk është askush që t’i shohë ata. Prandaj, duhet të pranojnë kushtin dhe të çojnë mishin e gjahut për mbretin në mënyrë që t’i fitojnë zemrën atij. Askush nuk do ta kuptojë se çfarë ka ndodhur. Kështu ata pranuan dhe Malek Xhamshid urdhëroi që të shpalosin shpatullat. Pastaj vendosi vulën e skllavërisë në mes të shpatullave të të dy baxhanakëve. Më pas solli një gjah, mirëpo kur vendosi thikën mbi qafën e gjahut u lut që të gjitha karakteristikat e dobishme të mishit të mblidhen në kokën e atij gjahu dhe kështu ndodhi. Ai ia dha mishin e gjahut baxhanakëve dhe ata u nisën. Më pas kokën dhe këmbët e gjahut i mori vetë dhe kali i tij e çoi atë në qytet më shpejt se sa dy baxhanakët e tjerë. Malek Xhamshid kokën dhe këmbët e gjahut ia dha gruas që t’i ziejë në gjellë. Edhe baxhanakët ua dhanë mishin grave të tyre që ta pjekun dhe pastaj njëri pas tjetrit e dërguan mishin pranë mbretit. Mbreti e ngrëni mishin, por nuk iu përmirësua aspak gjendja. Vajza e vogël e mbretit kur e dërgoi gjellën e zier me kokë dhe këmbë të gjahut, mbreti urdhëroi që të mos e lejojnë brenda. Mirëpo veziri ndërmjetësoi dhe mbreti pranoi që ajo të sjellë ushqimin e përgatitur. Mbreti filloi të hajë ushqimin dhe hëngri aq shumë derisa mbaroi ushqimi dhe menjëherë ndjeu që dhimbja dhe sëmundja u larguan nga trupi i tij.

Tani dëgjoni për Malek Xhamshidin...

Malek Xhamshidi përsëri dogji fijet e qimeve të kalit të tij dhe kali menjëherë u shfaq para tij. Ai i tha kalit që ta ndërtojë një pallat në atë bjeshkë ku kishte ndërtuar tendën dhe pallati duhet të jetë më i bukur se pallati i mbretit të atij qyteti, duhet të jetë me një tullë floriri me një tullë argjendi. Kali i tij e zbatoi urdhrin. Malek Xhamshid e mori gruan për dore dhe së bashku shkuan në atë pallat. Nga ana tjetër, në qytet menjëherë u përhap lajmi se një djalë tregtari ka ardhur në bjeshkë dhe ka ndërtuar një pallat shumë të bukur. Njerëzit grupe-grupe shkuan dhe e shikuan pallatin dhe pastaj i tregonin të tjerëve. Kur mbreti i atij qyteti e dëgjoi këtë lajm, së bashku me vezirët dhe dhëndurët e tij shkoi ta shohë se kush ishte ky person dhe çfarë po bënë aty. Malek Xhamshid posa e pa mbretin, me respekt tregoi nderimet e veçanta dhe mori frerin e atit të mbretit dhe i ndihmoi atë që të zbresë në tokë. Pastaj me nderime të veçanta, e çoi mbretin në pallat dhe i dhuroi mbretit një varg inxhi dhe një unazë me margaritar shumë të bukur dhe shumë të çmuar. Mbreti e mori unazën dhe po e shikon që as vetë nuk kishte një unazë kaq të bukur dhe as nuk kishte parë ndonjë mbret deri më atëherë që të ketë një unazë të tillë. Mbreti u gëzua shumë dhe i tha Malek Xhamshidit tani që ka ardhur aty të jetojë, konsiderohet mysafir i mbretit kështu që çfarëdo dëshire që të ketë, do t’ia plotësojë. Malek Xhamshid tha se e vetmja kërkesë e tij është kjo që t’i kthehen dy shërbëtorët atij të cilët tani janë në shërbim të mbretit. Mbreti pyeti ku janë shërbëtorët e tij? Malek Xhamshid bëri me gisht drejt baxhanakëve të tij. Mbreti i tha Malek Xhamshidit: “Këta janë dy dhëndurët e mi. Prej kur janë bërë shërbëtorë të tu?” Malek Xhamshid u përgjigj: “Nëse mbreti nuk u beson fjalëve të mia, le t’i shpalosin shpatullat që të duket vula ime mes shpatullave të tyre”. Mbreti urdhëroi të shpalosin shpatullat ata dhe me sytë e vet e pa vulën e Malek Xhamshid mes shpatullave të tyre dhe gati sa nuk i ra mundim, por vajza e tij e vogël menjëherë i erdhi pranë dhe filloi ta përkëdhel mbretin. Mbreti me të shikuar vajzën e vetë, u habit dhe e pyeti sa çfarë bënë ajo këtu. Vajza i tha Malek Xhamshid është burri i saj, pikërisht ai djalë që dukej si qel dhe për shkak të tij ajo ishte dëbuar nga pallati. Pastaj, Malek Xhamshid i tregoi mbretit të gjithë fatin e tij. Mbreti u gëzua dhe ata të dy i mori në pallatin e vetë.  Malek Xhamshid fshiju vulën e vetë nga shpatullat e baxhanakëve. Më pas mbreti urdhëroi që të zbukurohet qyteti dhe shtatë ditë e shtatë net bënë dasmë, ndërsa në natën e shtatë kur mbreti ishte plakur dhe dobësuar shumë, e bëri Malek Xhamshidin mbret në vend të tij. Malek Xhamshid 40 ditë qëndroi në pallatin e mbretit, pastaj mori me vete disa kalorës dhe u kthye në qytetin e vetë dhe e pa babanë i cili ishte plakur dhe verbëruar nga pikëllimi për atë. Malek Xhamshid shpejt kërkoi nga kali i tij që t’i kthejë të pamurit babait të vetë. Kur babai e pa Malek Xhamshidin, e përqafojë shumë. Malek Xhamshid njerkën shpirtlig e dëboi nga pallati dhe që nga ajo ditë u bë mbret i dy vendeve.

Tags