Shkurt 02, 2018 10:54 CET

Në këtë edicion do të flasim kundërshtimit të qartë të Kur'anit të shenjtë dhe sunetit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. me terrorin, torturimin dhe masakrimin e njerëzve.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës të programit “Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste”.

Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste

Në edicionin e kaluar kemi folur për kundërshtimin e qartë të Kur’anit të shenjtë dhe mësimeve të Profetit s.a.v.s. me vrasjen e myslimanëve. Në ajetin 32 të sures Maide në Kur’anin e shenjtë thuhet: “... Çdo kush që vret një njeri përveç me dënim për vrasje dhe degjenerim në tokë, është sikur të vrasë të gjithë njerëzimin dhe çdo kush që shpëton një njeri nga vdekja, është sikur të ketë shpëtuar të gjithë njerëzimin...” Sipas tekstit të qartë të Kur’anit të shenjtë, vrasja e myslimanëve dhe jomyslimanëve nga grupet takfiriste, konsiderohet prej mëkateve më të mëdha dhe të pa falshme pranë Zotit të madhëruar. Veprim tjetër i grupeve takfiristëve në kundërshtim me mësimet e Islamit, është terrori. Forma më e rëndësishme e grupeve takfiristëve për të çuar përpara qëllimet e tyre, është terrori nën petkun e Islamit. Grupet takfiriste me sulme kamikaze, shpërthimin e bombave dhe me të shtënat verbale me armë në vendet myslimane dhe në disa vende perëndimore, kanë paraqitur një imazh të dhunshëm të Islamit për opinionin publik të botës, sidomos për opinionin publik të Perëndimit. Mediat dhe shtetet islamofobe në perëndim, gjithashtu kanë shfrytëzuar në maksimum këto veprime në aspektin politik dhe propagandistik për të paraqitur një imazh të dhunshëm rreth Islamit duke ia veshur këto veprime të grupeve takfiriste dhe terroriste mësimeve islame. Kjo është në kohën kur veprimet terroriste të grupeve takfiriste nuk kanë kurrfarë lidhje me Islamin dhe nga pikëpamja e Kur’anit të shenjtë dhe sunetit të Profetit Muhamed s.a.v.s., janë të dënuara dhe konsiderohen mëkat i madh dhe i pa falshëm. Fjala fatak në transmetimet profetike ka kuptimin e vrasjes në befasi e cila në terminologjinë e sotshme quhet “terror”. Në transmetimet fetare është transmetuar se Abu Sabah Kenani e kishte pyetur njëherë Imam Xhafer Sadik (a.s.) duke i thënë: “Kam një fqinjë i cili e fyen dhe ofendon Imam Aliun (a.s.), më lejoni që t’i dalë në pritë dhe ta vrasë atë?” Imam Xhafer Sadik (a.s.) e kishte ndaluar atë nga ky veprim dhe i kishte thënë: “O Abu Sabah ky veprim është fatak dhe këtë veprim e ka ndaluar Profeti Muhamed s.a.v.s.”.

Terrori, kundër besimit dhe Islamit

Edhe një ngjarje tjetër tregon qartë qëndrimin e prijësve të mëdhenj të fesë në ndalimin e terrorit. Në luftën e Xhemelit, Zubejr bin Avam, i cili ishte një prej komandantëve të frontit të kundërt me Imam Aliun (a.s.), në kulmin e luftimeve, u largua nga beteja. Një person e kishte ndjekur atë dhe në mes të rrugës e kishte vrarë atë në befasi. Imam Aliu (a.s.) pasi u informua për këtë çështje, u pikëllua shumë dhe tha: “Vrasësi i tij do të dënohet me dënim në ferr, sepse ka bërë një veprim të cilin e ka ndaluar Profeti Muhamed s.a.v.s..

Suneti dhe jeta e vepra e Profetit Muhamed s.a.v.s. ka theksuar ndalimin e terrorit. Profeti Muhamed s.a.v.s. kurrë nuk ka terrorizuar armiqtë e tij dhe kurrë nuk ka lejuar të tjerët të bëjnë një veprim të tillë. Në këtë mënyrë, terrori dhe vrasja e njerëzve në befasi, është e ndaluar. Ai i cili vret njerëzit në formë të befasuar në rrugë dhe tregje ose vendos bomba në rrugën nëpër të cilën kalojnë njerëzit ose me anë të sulmeve kamikaze vret disa njerëz të pafajshëm në ambiente publike, në tregje, në xhami dhe në vende të tjera, këto veprime janë shembuj të qartë të terrorit. Islami ka dënuar këto veprime me ashpërsinë më të madhe. Autori i këtyre veprimeve gjithashtu konsiderohet vrasës, kriminel dhe element destruktiv. Prijësit e fesë Islame as vrasjen e njerëzve shumë të degjeneruar dhe të dhunshëm që vrasja e tyre konsiderohet e lejuar, nuk e kan lejuar nëpërmjet pritave, terrorit dhe veprimeve në befasi. Tani duhet pyetur se një fe e tillë a mund të lejojë vrasjen e grave, fëmijëve dhe qytetarëve të thjesht në rrugë, falësve të namazit në xhami dhe të njerëzve të tjerë nga një grup terroristësh?! Kur nuk lejohet vrasja e një personi me anë të veprimeve terroriste, edhe nëse vrasje e tij konsiderohet e lejuar, atëherë me padyshim se terrorizimi i njerëzve jeta e të cilëve konsiderohet e respektuar dhe sipas Kur’anit të shenjtë vrasja e një individi të tillë është sikur vrasje e të gjithë njerëzimit, do të dënohet me dënim të madh.

Pamje të krimeve të takfiristëve

Në fenë Islame, çdo lloj vrasje që kryhet nëpërmjet terrorit, është e ndaluar dhe meriton dënim të ashpër. Prandaj, terroristët takfiristë të cilët me veprime të armatosura dhe të dhunshme prishin sigurinë e njerëzve, nuk duhet të lejohen të qarkullojnë lirshëm mes qyteteve dhe vendeve dhe parimisht individë të tillë nuk duhet të gëzojnë liri. Kjo është për arsye se siguria dhe liria e terroristëve, do të thotë mohim i sigurisë publike të shoqërisë dhe për këtë arsye Kur’ani i shenjtë ka urdhëruar të merren masa të ashpra ndaj tyre.

Një tjetër krim i grupeve takfiriste është torturimi dhe masakrimi i kundërshtarëve të tyre. Këto krime, gjithashtu, janë ndaluar ashpër në Islam. Në fikhun Islam, në lidhje me torturat dhe keqtrajtimin është përdorur fjala “ta’dhib”. Në bazë të fesë së pastër Islame, askush nuk lejohet që në çfarëdo forme të torturojë dhe keqtrajtojë të tjerët dhe ky veprim është i ndaluar. Zoti i madhëruar në Kur’an në ajetin 4 të sures Buruxh në lidhje me këtë thotë: “Vdekje për torturuesit pronarë të zjarrit”. Në ajetin 10 të kësaj sure në lidhje me dënimin e atyre të cilët kryejnë një krim të tillë, thuhet: “Ata të cilët kanë torturuar burrat dhe grat besimtare dhe më pas nuk janë penduar, për ata është dënimi i ferrit dhe dënimi i zjarrit djegës”. Gjithashtu në ajetin 58 të sures Ahzab në Kur’anin e shenjtë keqtrajtimi i myslimanëve konsiderohet krim dhe thuhet: “Ata të cilët keqtrajtojnë burrat dhe grat besimtare, me siguri që kanë marrë mbi supe një barrë të rëndë të mëkatit”. Njerëzit të cilët sulmohen nga terroristët takfiristë, nuk kanë kryer ndonjë krim që bëhen viktimë e të gjithë këtyre veprimeve të dhunshme dhe torturave të grupeve kriminele. Ky ajet me fjalë të veçanta, i qorton ashpër individët të cilët torturojnë burrat dhe grat besimtare.

Profeti Muhamed s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: “Zoti i madhëruar në ditën e ringjalljes do t’i dënojë ashpër ata të cilët në këtë botë kanë keqtrajtuar dhe torturuar njerëzit”. Imam Xhafer Sadik (a.s.) transmeton nga Profeti Muhamed s.a.v.s. i cili ka thënë: “Robi më i rebeluar ndaj Zotit, është ai i cili vret një njeri që nuk është vrasës dhe e rrah një person i cili nuk e ka rrahur atë”. Gjithashtu Imam Xhafer Sadik (a.s.) thotë: “Nëse një person godet një person tjetër me kamxhik, Zoti do ta godasë atë me kamxhik prej zjarri”. Një prej krimeve të grupeve takfiriste është edhe masakrimi i njerëzve duke i prerë kokën, duart, këmbët ose veshët. Edhe këto krime janë dënuar ashpër në Islam. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në një rast ka thënë: “Largojuni nga masakrimi i trupit, edhe në rast se ai të jetë një qen i tërbuar!”. Në një rast kur Profeti Muhamed s.a.v.s. dërgonte ushtrinë islame në fronte të luftës, i kumtonte atyre disa këshilla të rëndësishme për të parandaluar veprimet e palogjikshme dhe çnjerëzore duke thënë: “O njerëz, mos i masakroni trupat e jobesimtarëve pasi t’i keni vrarë ata! Mos vrisni fëmijët, grat, personat e moshuar dhe klerikët e tyre! Mos prisni pemët e tyre, përveç në raste të domosdoshme! Dhe çdo herë kur njëri prej juve i jep besë një idhujtari, respektojeni besën e tij dhe garantojeni sigurinë e tij derisa ai të dëgjojë fjalën e Zotit... O mysliman! Kurrë mos dëmtoni kopshtet me hurma, mos mbytni asnjë njeri në ujë, mos dëmtoni pemët me fruta dhe mos digjni në zjarr produktet bujqësore dhe mos mbytni kafshët për mish hallall, përveç në raste të domosdoshme...!” Tani krahasoni veprimet e tmerrshme dhe barbare të grupeve takfiriste me këto këshilla të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s..

Tags