Shkurt 02, 2018 10:55 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth pikëpamjes së Kur’anit dhe të sunetit të Hazretit Muhamed s.a.v.s. ndaj veprimeve të takfiristëve në shkatërrimin e objekteve fetare dhe historike.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës të programit “Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste”.

Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste

Në edicionin e kaluar kemi folur rreth disa veprimeve të grupeve takfiriste në shkatërrimin e vendeve dhe objekteve fetare. Shkatërrimi i objekteve fetare, nuk është vetëm shkatërrim i disa objekteve fetare dhe historike. Këto objekte janë identitet historik i një populli dhe i besimtarëve të Islamit. Grupet takfiriste me shkatërrimin e objekteve historike islame, në një farë mënyre ata luftojnë kundër identitetit të Islamit. Ata me këto veprime kanë shkatërruar rrethanat dhe shtatin historik të lidhjes mes gjeneratave të myslimanëve, rrethanat të cilat të përbashkëta mes të gjithë myslimanëve. Shfrytëzimi i objekteve dhe vendeve fetare për të forcuar identitetin e civilizimit, është një çështje që vërehet edhe në Kur’anin e shenjë të cilin terroristët pretendojnë se po e zbatojnë. Veprimet e grupeve takfiriste dhe terroriste në shkatërrimin e objekteve fetare dhe historike përkundër pretendimeve të tyre, janë në kundërshtim me tekstin e qartë të Kur’anit të shenjtë dhe të sunetit të Profetit Muhamed s.a.v.s.. Në ajetin 42 të sures Rum, Zoti i madhëruar e urdhëron Hazretin Muhamed s.a.v.s. duke thënë: “Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ka qenë fundi i atyre që kanë jetuar para juve. Shumica e atyre kanë qenë idhujtarë”. Gjithashtu në suren Neml ajetet 51 dhe 52 flasin për marrjen e mësimeve nga gjurmët dhe objektet e mbetura nga popujt e kaluar dhe theksohet: “Prandaj shiko se si i erdhi fundi intrigës së tyre. Ne ata dhe popujt e tyre, i kemi shkatërruar të gjithë. Pra, këto janë shtëpitë e atyre të cilat kanë mbetur të zbrazura për shkak të padrejtësisë dhe dhunës që kanë kryer ata. Mirëpo në këtë dënim ka mësim për ata njerëz që e dinë”. Zoti i madhëruar në Kur’anin e shenjtë u kërkon njerëzve që të shikojnë fatin e popujve të kaluar dhe të vështrojnë rreth jetës dhe veprës së tyre. Kjo kërkesë është paraqitur në mënyrën urdhërore dhe rezultat një urdhri të tillë është informimi rreth fundit të atyre të cilët kanë përgënjeshtruar të vërtetat hyjnore. Gjithashtu Kur’ani i shenjtë ka qortuar ata të cilët kalojnë pranë gërmadhave dhe objekteve historike dhe nuk mendojnë rreth tyre.

Shkatërrimi i objekteve historike nga takfiristët

Logjika e Kur’anit të shenjtë është kjo që njeriu mendimin dhe mendjen e vet nuk duhet ta kufizojë vetëm në ato që e rrethojnë dhe vetëm në jetën e tij të përditshme, por duhet ta zgjerojë horizontin e vështrimit të tij dhe të shikojë me reflektim dhe duke menduar mbi fatin e popujve të tjerë. Historia, nga pikëpamja e Islamit, në vete konsiderohet një prej burimeve të njohjes, sepse me vështrimin e gjurmëve dhe objekteve të paraardhësve dhe duke analizuar ngjarjet e të kaluarës dhe duke përfituar eksperiencë nga ato, mund të hartohet rruga e të ardhmes. Kjo që Kur’ani i shenjtë i fton njerëzit që të udhëtojnë nëpër tokë dhe të vështrojnë fatin dhe fundin e popujve të tjerë, nevojitet që këto gjurmë dhe objekte të mbesin dhe të jenë në qasje të njeriut, në mënyrë që njeriu të mësojë mësim nga ato. Në bazë të kësaj logjike të Kur’anit të shenjtë, ruajtja dhe mbrojtja e veprave të çmuara të popujve të kaluar për gjeneratat e tashme dhe të ardhme, është një veprim i domosdoshëm. Prandaj, shkatërrimi i veprave dhe monumenteve të popujve dhe civilizimeve të mëparshme dhe shkatërrimi i objekteve antike nga grupet takfiriste, është dokument i qartë që dëshmon se ata nuk njohin fare mësimet fetare të Islamit. Në Kur’anin e shenjtë në suren Junes ajetet 90 deri 92, shpjegojnë fazën finale të përballjes së Faraonit dhe Hazretit Musa a.s. dhe popullit Beni Israil. Në këto ajete kur’anore thuhet se Faraoni dhe ushtria e tij ka ndjekur popullin Beni Israil derisa arritën në det. Populli Beni Israil kaloi ujin dhe shpëtoi. Edhe ushtria e Faraonit në ndjekje të popullit Beni Israil, u fut në det. Papritur, valë të mëdha të detit u ngritën nga të gjitha anët dhe i mbytën ata. Mirëpo në vazhdim të ngjarjes së Faraonit në ajetin 92 të sures Junes thuhet:  “Pra sot, trupin tënd po e shpëtojmë nga uji që të jetë mësim për ata të cilët vijnë pas teje! Padyshim, shumë njerëz neglizhojnë argumentet tona”. Trupi i pajetë i Faraonit u shpëtua nga uji, atë e bënë mumie dhe aktualisht ruhet në Muze. Kjo që Zoti i madhëruar në këtë ajet i drejtohet Faraonit duke i thënë: “Ne e shpëtojmë trupin tënd nga uji që të jetë argument dhe mësim për gjeneratat e ardhshme”, do të thotë se trupi i tij duhet të ruajtur në mënyrë që gjeneratat e ardhshme ta shikojnë atë dhe të marrin mësim nga fati i Faraonit diktator dhe gjakpirës. Domosdo nëse terroristët e ISIS do të arrijnë te trupi mumie i Faraonit, do ta shkatërrojnë atë me lëndë eksplozive me pretekst se është simbol i idhujtarisë!! Ndërkohë që sipas ajetit 92 të sures Junes, vullneti i Zotit të madhëruar ishte ky që trupi i Faraonit të shpëtojë nga uji dhe gjeneratat e ardhshme të mësojnë nga fati i tij. Prandaj ruajtja dhe mbrojtja këtyre veprave, është e domosdoshme.

Shkatërrimi i kalasë Namrud nga ISIS

Në jetën dhe veprën e Hazretit Muhamed s.a.v.s. nuk ka kurrfarë shenje nga shkatërrimi i veprave historike jofetare si pallatet, kalatë dhe objektet fetare të feve qiellore si kishat, manastiret etj.

Profeti Muhamed s.a.v.s. ka urdhëruar shkatërrimin vetëm të faltoreve me idhuj, sepse ato vende në opinionin e banorëve vendas kishin humbur shenjtërinë dhe më nuk konsideroheshin vende për përhapjen e idhujtarisë. Një vështrim mbi sjelljen e grupeve takfiriste, tregon se ata sulmojnë vende dhe i shkatërrojnë ato në kohën kur objekte të tilla ka me mijëra vite që kanë humbur aspektin e vet fetarë dhe konsiderohen vetëm monumente të njerëzimit. Urdhri i Profetit Muhamed s.a.v.s. në këto raste është i kufizuar vetëm me simbolet e përhapjes së kulturës së idhujtarisë në atë kohë. Mbetja e shtëpive dhe objekteve të popullit Themud deri në periudhën aktuale, tregon se Profeti Muhamed s.a.v.s. nuk ka synuar kurrë shkatërrimin e objekteve dhe monumenteve të civilizimeve të mëparshme, sepse Kur’ani ka ftuar njerëzit që të mendojnë dhe reflektojnë rreth popujve të mëparshëm. Në një transmetim në lidhje me këtë çështje, tregon thirrjen e Profetit Muhamed s.a.v.s. për shokët dhe ndjekësit e tij që të marrin mësim nga këto vepra të të kaluarve. Kur Profeti Muhamed s.a.v.s. ishte në rrugë për në luftën e Tebukut në vitin 9 h.k., arriti në vendin Haxher në të cilin ekzistonin objekte dhe vepra të popullit Themud. Ai shikoi këtë vend dhe i tha shokëve të tij: “Mos hyni në shtëpitë dhe objektet e atyre të cilët kanë bërë padrejtësi dhe dhunë ndaj vetvetes, përveçse duke qarë!”. Në këtë transmetim nuk ekziston asnjë fjalë për shkatërrimin e veprave dhe monumenteve të civilizimeve politeiste në sunetin profetik

Shkatërrimi i muzeut të Mosulit nga takfiristët

Një prej vendeve që shkatërrohen nga grupet takfiriste dhe terroriste si ISIS dhe ata që kanë ide të njëjta, janë varrezat. Kjo është në kohën kur në burime dhe në literaturën e shkollave sunite, ekzistojnë shumë hadithe të Profetit Muhamed s.a.v.s. të cilat flasin për vizitën e varrezave si një vepër e pëlqyer. Vizita e varrezave të personaliteteve të shquara dhe të dalluara në ndërtimin e historisë, ngjall kujtimin e tyre në kujtesën e njerëzve dhe udhëzon njeriun drejt rrugës së vërtetë, drejtësisë dhe arritjes së përkryerjes. Duke vizituar këto varreza, njeriu gjithashtu kujton fundin e kësaj jete dhe rrugën drejt botës tjetër. Ashtu siç mund të vërehet në një thënie të Ibn Maxhe duke cituar nga Profeti Muhamed  s.a.v.s., thuhet: “Vizitoni varrezat në mënyrë që të kujtoni botën tjetër!” Në këtë mënyrë, porosia e Profetit Muhamed s.a.v.s. për të vizituar varrezat që ka ndikim konstruktiv mbi njeriut, është plotësisht në kundërshtim me metodën e shkatërrimit të tyre të cilën po e ndjekin grupet terroriste dhe takfiriste si ISIS.

Varri i shkatërruar i Hazretit Junes a.s.

 

Tags