Tregimet dhe legjendat iraniane
Letërsia popullore buron nga kultura e përgjithshme e popullit dhe në realitet konsiderohet biografia e një populli.
Tregimet dhe legjendat janë format më të rëndësishme dhe më të njohura të letërsisë. Letërsia me të gjitha format e saj të shumta përkrah veprave të tjera zyrtare të shkruara dhe klasike, reflekton kulturën dhe të menduarin e popullit të çdo vendi. Tregimet popullore kanë të bëjnë me një pjesë të madhe dhe të rëndësishme të shoqërive, do të thotë me popullin e thjeshtë dhe janë të veçanta vetëm për këtë shtresë të shoqërisë. Tregimet popullore konsiderohen lloje të rëndësishme të letërsisë gojore dhe përmbajnë një thesar të madh të bindjeve, zakoneve dhe traditave të harruara të një populli. Letërsia e çdo populli përbën një pjesë të madhe të kulturës shpirtërore të atij populli e cila është transmetuar në mënyrë gojore nga një gjeneratë tek tjetra nga kohët më të vjetra e deri më tani dhe gjatë kalimit të kohës ka ruajtur identitetin kulturor të një popull. Letërsia popullore buron nga kultura e përgjithshme e popullit dhe në realitet konsiderohet biografia e një populli. Prandaj ajo është e lidhur me realitetin e jetës së popullit dhe reflekton jetën shoqërore dhe kulturore, metodën e punës dhe të prodhimit të tij, procesin e zhvillimeve intelektuale të një populli, si dhe sjelljen, natyrën dhe bindjet fetare të një shoqërie.
Tregimet dhe legjendat popullore janë burimet konkrete më të vjetra, më fondamentale dhe njëkohësisht më të pasura që ekzistojnë në çdo vend. Këto vepra flasin në lidhje me idealet, bindjet, zakonet dhe traditat e një populli. Irani, duke marrë parasysh faktin se gjatë shumë shekujve ka qenë një korridor nga i cili kanë kaluar shumë popuj të ndryshëm, posedon një letërsi të pasur gojore. Në programin "Tregimet dhe legjendat iraniane" do të mundohemi të prezantojmë letërsinë gojore të Iranit dhe të njihemi më shumë me këtë thesar të pasur kulturor. Letërsia gojore që për fat të mirë një pjesë e madhe e saj është shkruar, përfshinë lloje të ndryshme si shembujt, proverbat, fabulat, këngët folklorike, tregimet, transmetimet dhe elegjitë, si dhe tregimet epike dhe kreshnike. Mirëpo me këtë rast nga të gjitha këto lloje, ne do të trajtojmë vetëm tregimet dhe legjendat, për arsye se tregimet për shkak se janë më tërheqëse, më lehtë krijojnë kushtet për përhapjen e kulturës dhe moralit shoqëror. Në programin "Tregimet dhe legjendat iraniane" do të theksohet më shumë në aspektin spiritual, në mësime morale dhe shoqërore të kulturës iraniane. Në këtë mënyrë gjatë edicioneve të ardhshëm do të njihemi më shumë me tregimet dhe legjendat e bukura persiane të letërsisë popullore dhe do të paraqesim pozitën botërore të këtij lloji të letërsisë dhe ndikimin e saj mbi letërsinë botërore. Në këtë edicion do të prezantojmë një tregim nga libri "Njëmijë e Një Net".
Në një vend të madh, sundonte një mbret të cilin e quanin "Mbreti i Greqisë". Mbreti i Greqisë kishte marrë një lloj sëmundje të lëkurës. Asnjë mjek i atij vendi nuk arriti ta kurojë sëmundjet e tij. Mbreti i Greqisë vuante shumë nga kjo sëmundje dhe për këtë arsye ishte shumë i pikëlluar. Një ditë një mjek plak të cilin e quanin "Hakim Rujan" shkoi në atë vend. Hakim Rujani u informua për sëmundjen e Mbretit të Greqisë. Ai për këtë arsye shkoi në pallatin mbretëror dhe u afrua pranë mbretit dhe i tha: "Unë, mund ta kuroj sëmundjen tënde në një periudhë shumë të shkurt dhe pa asnjë medikament". Mbreti i Greqisë i çuditur, i tha atij: "Nëse fjalët e tua janë të vërteta, unë do të jap ty çfarëdo që të kërkosh". Hakim Rujan u përul dhe tha: "Hipni në atë dhe shkoni në fushën e lojës Pollo. Goditeni me shkop topin aq shumë sa të zbuten duart dhe krahët tuaj. Pastaj kthehuni në pallat dhe shkoni në hamam (banjë) dhe pastrojeni mirë trupin tuaj. Pastaj flini. Kur të zgjoheni, do të jeni plotësisht të shëndosh". Mbreti i Greqisë i bëri të gjitha veprimet si e porositi mjeku plak. Kur u zgjua nga gjumi, me çudi e shikoi se nuk kishte mbetur asnjë gjurmë e sëmundjes mbi lëkurën e tij. Nga gëzimi bërtiti me zë të lartë dhe dha urdhër që ta sjellin Hakim Rujanin pranë tij. Mbreti me të shikuar se erdhi Hakim Rujani, u ngrit në këmbë dhe e përqafoi atë dhe tha: "O mjeku i zgjuar, unë fitova shëndetin tim fal kontributit tënd". Pastaj e uli pranë vetes Hakim Rujanin. Hëngrën ushqim së bashku dhe bisedoi me atë duke treguar një dashuri dhe respekt të madh për Hakim Rujanin. Pastaj urdhëroi që të sjellin një qese plotë me flori për mjekun plak dhe dhurata të tjera të çmuara. Hakim Rujani mori qesen me flori dhe i pranoi dhuratat dhe i uroi mbretit shëndet dhe jetë të gjatë. Në kohën e përshëndetjes dhe ndarjes nga njëri-tjetri, mbreti i kërkoi mjekut që ditën tjetër përsëri të vijë pranë tij. Në këtë mënyrë u krijua një miqësi e sinqertë mes mbretit të Greqisë dhe Hakim Rujanit. Mbreti i Greqisë e kishte një vezir (ministër) i cili ishte një njeri ziliqar. Ai shikonte dashurinë dhe mirësinë e mbretit ndaj mjekut plak dhe i kishte zili atij, prandaj mendonte se si ta prishte imazhin e mjekut plak pranë mbretit. Veziri një ditë shkoi pranë Mbretit të Greqisë dhe tha: "O mbreti i madh! Unë janë prej njerëzve të afërt tuaj që e ndajnë dhimbjen me ju, prandaj e konsideroj detyrë që t'iu informoj juve për rrezikun që iu kërcënon". Mbreti i Greqisë me habi tha: "Çfarë rreziku, vezir?" Veziri u përgjigj: "Ka një kohë që ju po tregoni dashuri dhe mirësi ndaj armikut të jetës tuaj dhe kjo sjellje nuk ka përfundim të mirë". Mbreti u lëkund nga vendi dhe tha: "Armikut të jetës time? Kush është ai që unë nuk jam i informuar për atë?" Veziri tha: "Ai njeri nuk është askush tjetër, përveç Hakim Rujanit! Qëllimi i këtij mjeku plak është vrasja juaj". Mbreti u zemërua pasi dëgjoi këto fjalë dhe tha: "Çfarë janë këto fjalë që thua? Hakim Rujani mua më shpëtoi nga vuajtja e sëmundjes, unë edhe nëse do t'i fal atij të gjithë pasurinë që kam, përsëri nuk mundem t'ia shpërblej të mirën që ai më ka bërë mua. Është e qartë se ti ke zili ndaj atij. Ti dëshiron që unë të dyshoj në sjelljen e Hakim Rujanit dhe të urdhëroj vrasjen e tij dhe pastaj të pendohem për këtë veprim". Ministri me intrigë tha: "Mirëpo zotëria ime, unë nuk dëshiroj asgjë tjetër, përveç të mirës dhe dobisë tuaj dhe përsëri insistoj në fjalët e mia dhe po them se Hakim Rujani është armiku i jetës tuaj. Nëse ju nuk e vrisni atë, ai do t'ua marrë jetën juve". Mbreti i Greqisë filloi të mendojë. Pas pak u drejtua nga veziri dhe i tha atij: "Ndoshta e ke me të drejtë dhe ai ndoshta është armiku i jetës time, për arsye se ai është njeri i fuqishëm. Ai shumë lehtë e kuroi sëmundjen time të vështirë. Prandaj, ai gjithashtu shumë lehtë mund të shkaktojë vdekjen time". Veziri pasi kuptoi se fjalët e tij ndikuan në zemrën e mbretit, tha: "Jam i gëzuar që më në fund e kuptuat rrezikun që iu kërcënon jetën juve". Mbreti i Greqisë menjëherë urdhëroi që ta sjellin Hakim Rujanin në pallat.
Hakim Rujani duke mos qenë i informuar se çfarë po ndodh, erdhi në pallat. Mbreti i Greqisë i tha atij: "O Hakim Ruajn, a e din se për çfarë të thirra në pallat?". Hakim Rujani mendoi për një çast, pastaj tha: "Jo zotëria im, nga ta di". Mbreti i Greqisë me zemërim bërtiti me zë të lartë: "Të kërkova ty që të urdhëroj vrasjen tënde". Hakim Rujani me çudi dhe në mënyrë të pabesueshme tha: "Urdhrin për vrasjen time? Çfarë gabimi kam bërë?" Mbreti i Greqisë tha: "Vet e din më së miri, ti je një spiun që ke planifikuar vrasjen time." Mbreti pas këtyre fjalëve e thirri xhelatin. Hakim Rujani filloi të qajë dhe tha: "O mbreti i madh, a ky është shpërblimi për të mirat që ua kam bërë?" Mbreti i Greqisë tha: "Nëse unë nuk do të vras ty, atëherë ti do të më vrasësh mua". Xhelati u afrua pranë Hakim Rujanit duke pritur urdhrin e mbretit. Hakim Rujani u përul në tok dhe filloi të lutet pranë mbretit: "Keni mëshirë, mos më vritni , unë jam i pafajshëm". Mirëpo mbreti nuk përfilli lutjet e tij dhe deshi të jap urdhrin për vrasjen e tij. Funksionarët e oborrit mbretëror kërkuan që mbreti ta falë Hakim Rujanin. Mirëpo mbreti me zemërim bërtiti; "A nuk e shikuat ju se ky duke më dhënë shkopin e lojës Pollo, më shëroi mua nga sëmundja e rëndë? A nuk mund të ma dhurojë mua një tufë lule që unë të vdes duke marrë aromën e tyre?" Hakim Rujani e kuptoi se mbreti nuk heq dorë nga vendimi i tij. Prandaj në çastin e fundit e mendoi një plan për të shpëtuar nga situata. Ai u drejtua nga mbreti dhe tha: "Unë jam i gatshëm që të vdes, mirëpo kam një dëshirë! Më lejoni që të shkoj në shtëpi të lë testamentin dhe një libër të çmuar që kam, tua sjelli për dhuratë". Mbreti i Greqisë tha: "Libër të çmuar? Çfarë është ai libër?" Hakim Rujani tha: "Ai është një libër i çuditshëm dhe magjeps i cili ka dobi shumë të mëdha. Një prej dobive të tij është kjo që nëse pas vdekjes time do të hapni atë libër dhe nga faqja e majtë e tij do t'i lexoni tre rreshta, atëherë koka ime e prerë do të fillojë të flasë dhe do të përgjigjet për çfarëdo çështjeje që do të pyetni". Mbreti i Greqisë e pranoi dëshirën e Hakim Rujanit. Mjeku në shoqërim të rojës shkoi në shtëpi dhe pas tre dite u kthye në pallat. Në dorë mbante një libër të vjetër dhe një enë të mbushur me një lloj medikamenti në formë pluhuri. Ai shkoi pranë mbretit. Kërkoi një enë më të madhe në formë tepsie. Enën me pluhur e zbrazi në tepsi. Librin e vjetër ia dha mbretit dhe i tha: "Pasi të më vrasësh mua, kokën time të prerë vendoseni në këtë tepsi dhe mbi atë hidhni nga ky medikament që kam vendosur në tepsi në mënyrë që të ndalet rrjedhja e gjakut. Pastaj hapni librin dhe në faqen e majtë lexoni tre rreshta dhe çfarëdo pyetje që keni, përgjigjen kërkojeni nga koka ime e prerë dhe ajo do t'iu përgjigjet". Mbreti i Greqisë mori librin dhe i hodhi një shikim atij. Deshi ta shfletojë atë, mirëpo e pa që faqet e librit ishin të ngjitura me njëra-tjetrën. E lagu gishtin me pështymën e gojës dhe u mundua të shfletojë librin. Më në fund pesë faqe të librit u hapën së bashku. Mirëpo në asnjërën prej tyre nuk ishte shkruar asgjë. Mbreti iu drejtua Hakim Rujanit dhe i tha: "Këto faqe janë të bardha". Mjeku plak u përgjigj: "Zotëria im, shfletojeni përsëri librin". Mbreti përsëri lagu gishtin me gojë dhe shfletoi edhe disa faqe të tjera të librit. Por edhe ato faqe nuk kishin të shkruar asgjë dhe ishin të bardha. Mbreti me zemërim shikoi mjekun plak dhe dëshiroi të thotë diçka, mirëpo papritur filloi të trullosej në masë të madhe, i humbi ngjyra e fytyrës dhe iu vështirësua frymëmarrja. Pastaj bërtiti me zë të lartë dhe ra në tokë. Helmi që kishte vendosur në faqet e librit mjeku plak, ndikoi mbi gjuhën e mbretit dhe e mbyti atë. Pas kësaj ngjarjeje, njerëzit pëshpëritnin se nëse Mbreti i Greqisë nuk do të kishte marrë vendim për ta vrarë Hakim Rujanin, nuk do të ishte vrarë as vet ai.