Mars 16, 2016 11:03 CET
  • Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij

Mirëpo lëvizja feministe gjatë veprimtarisë disa vjeçare u përball me pikëpamje ekstremiste pasi ekzistonin interpretime dhe induktime të ndryshme dhe të kundërta rreth objektivave të saj.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit " Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij". 

Në edicionin e kaluar folëm rreth valëve të ndryshme të feminizmit dhe thamë se pas protestave të femrave në tre valët e feminizmit për realizimin e të drejtave të femrave, më në fund në Angli si vendi i parë perëndimor në vitin 1918 dhe pastaj në Amerikë në vitin 1920, u njoh zyrtarisht e drejta e femrave për të votuar. Mirëpo lëvizja feministe gjatë veprimtarisë disa vjeçare u përball me pikëpamje ekstremiste pasi ekzistonin interpretime dhe induktime të ndryshme dhe të kundërta rreth objektivave të saj. Në këtë edicion do të njihemi me prirje të ndryshme të feminizmit dhe me interpretimet rreth objektivave të lëvizjes së femrave. 

Feminizmi nuk është një lëvizje e unifikuar dhe e njësuar dhe as nuk është një koncept njëdimensional, por ajo posedon prirje të ndryshme intelektuale dhe paraqet një grup të gjerë të pikëpamjeve të larmishme dhe të shumta të cilat nganjëherë janë të dallueshme nga njëra-tjetra dhe kundërshtuese. Huazimi i feminizmit nga lëvizjet intelektuale të mëdha dhe të përgjithshme si nga liberalizmi dhe marksizmi, ka luajtur rol të madh në krijimin e kësaj larmie pikëpamjesh, ashtu siç ka luajtur rol të madh edhe ekstremiteti i liderëve të lëvizjes radikale në degëzimin e saj. Në bazë të kësaj, hulumtuesit e femrës konsiderojnë se qasjet feministe kanë prirje të ndryshme si feminizmi liberal, feminizmi social, feminizmi marksist, feminizmi radikal dhe të tjera që secila prej tyre kanë pikëpamje dhe të menduar të veçantë ndaj të drejtave të grave. Për të bërë më të qartë këtë dallim, këtu do të paraqesim dhe shqyrtojmë disa prej këtyre prirjeve. Qëndrimi se femrat nuk janë qenie racionale në tekstet filozofike ka një histori të gjatë. Aristoteli, mendimtarët e mesjetës dhe filozofët e ri liberalë si Hijum, Rosso, Kant, Hegel, të gjithë kishin dyshim në mendjen dhe logjikën e femrës. Prandaj feministët "liberal" duke theksuar në teoritë e tyre liberale, mbronin femrat në lidhje me njohjen e të drejtave politike të individëve në bazë të forcës së mendjes, ndërsa pohonin se prapambetja e femrave në krahasim me meshkujt është vetëm rezultat i privimit të femrave nga qasja në mundësi dhe kushte të barabarta me meshkujt. Brengat kryesore e feministëve liberalë ishin të drejtat politike dhe ligjore të femrave dhe strukturat e drejta politike. Në bazë të kësaj, përpjekjet e shekullit 19, sidomos në valën e parë të feminizmit, për kthimin e të drejtës së pronësisë së femrave të martuara, janë bërë në bazë të bazave liberale. Feministët liberal duke theksuar në aspektet njerëzore të femrës, kërkonin që femrat të kenë qasje në pozita të barabarta me meshkujt. Prandaj, ata theksonin në barazinë mes meshkujve dhe femrave dhe në gjetjen e rasteve për punësim në mënyrë të barabartë, ndërsa punën në shtëpi e konsideronin të padrejtë. Përveç kësaj, edhe roli i femrës si nënë ishte një prej çështjeve më polemike të feministëve liberal të cilët mendojnë se abortimi është një prej të drejtave më themelore të femrave. Liberalistët besojnë se ndryshimi në ligjet shoqërore dhe politike mjafton për mënjanimin e diskriminimit aktual dhe me integrimin e numrit më të madh të femrave në sferën e arsimit, ekonomisë dhe shoqërisë, do të zhduken këto pabarazi.

Aktualisht theksimi jashtë mase i liberalizmit në humanizëm, në lirinë individuale, në individualizëm dhe në çështje të ngjashme me këto, ka shkatërruar strukturën themelore të familjes dhe shoqërisë në perëndimi. Mospranimi i dallimeve biologjike mes meshkujve dhe femrave dhe bindja në barazinë e plotë mes këtyre dyve në sferat shoqërore, e ka përballur feminizmin liberal me kontradikta të mëdha. Vlen të theksohet se sferat shoqërore me ruajtjen e strukturave politike, ekonomike dhe shoqërore aktuale janë sfera që nuk pranojnë elasticitet. Barazia në raste dhe rezultate do të thotë njësimi i të gjitha sferave të konkurrencës për meshkujt dhe femrat dhe atëherë si është e mundur që femrat, të cilat kanë rol të veçantë në prodhimin e llojit njerëzor dhe kanë forcë fizike më të dobët sidomos gjatë periudhës së shtatzënisë, të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me meshkujt? Feminizmi marksist gjithashtu, është një prej degëve të feminizmit. Feministët marksistë gjithashtu, konsiderojnë se burim i privimit të femrave është privimi i paarsyeshëm i tyre nga gjendja ekonomike-shoqërore dhe ligjore në përballje me meshkujt dhe besojnë se kjo padrejtësi do të përfundojë vetëm atëherë kur të ndryshojnë kushtet shoqërore dhe ekonomike. Feministët marksistë i konsiderojnë femrat si punëtore në pranga të shfrytëzimit në shërbim të interesave të kapitalizmit dhe besojnë se kapitalistët shfrytëzojnë punën e lirë të femrave dhe të fëmijëve për të reduktuar shpenzimet e prodhimit. Prandaj, ata theksojnë në heqjen e sistemit kapitalist si mënyrë për t'i dhënë fund padrejtësisë ndaj femrave. Ata besojnë se përkushtimi i femrave vetëm në kryerjen e punëve në shtëpi krijon rrethanat që femrat të shfrytëzohen nga meshkujt jo vetëm si kapitalistë por edhe si bashkëshort të tyre. Nga ana tjetër, edhe feminizmi marksist anashkalon procesin e lindjes që kryhet nga femrat dhe këtë proces e krahason më shumë me një proces shtazarak se sa një veprim njerëzor. Sipas Marksit dhe Engelsit, familja është institucioni i parë shoqëror në të cilin bëhet ndarja e parë e pabarabartë e punës, prandaj duhet të shkatërrohet ky sistem dhe në vend të tij duhet të vendosen institucione socialiste në mënyrë që punët e shtëpisë dhe përkujdesja ndaj fëmijëve dhe të ngjashme me ato, të kryhen në mënyrë të barabartë nga të dy gjinitë. Në këtë mënyrë, feminizmi marksist praktikisht ka njollosur kufijtë familjar dhe ka anashkaluar realitetet shoqërore. Një prej kritikave që është bërë ndaj feminizmit marksist është kjo që ata padrejtësinë ndaj femrave e konsiderojnë rezultat të patriarkalizmit dhe kapitalizmit, ndërkohë që nuk ekziston kurrfarë aspekti i përbashkët mes këtyre dy sistemeve. Gjithashtu, feminizmi marksist është larguar nga eksperienca e përditshme e femrave në marrëdhëniet e tyre me meshkujt, prandaj nuk mund ta kuptojë këtë eksperiencë. "Feminizmi social", gjithashtu është një prej qasjeve të feminizmit. Kjo pikëpamje, marrëdhënien mes femrave dhe meshkujve, gjithashtu e konsideron rezultat të strukturës shoqërore dhe ekonomike dhe rezultat i ndryshimit të thellë ose i revolucionit shoqëror. Feminizmi social mendon se gëzimi i të drejtave të barabarta mes femrave dhe meshkujve varët nga gëzimi i barazisë shoqërore dhe zhdukjes së padrejtësisë gjinore dhe klasore. Feministët socialistë pretendonin se sistemi i ndarjes së punës në bazë të gjinisë dhe kufizimi i femrave vetëm në sferën e punës shtëpiake dhe vetëm në rolin e nënës, është bërë vetëm në kuadër të interesave ekonomike të kapitalizmit. Ata, analizën marksiste të marrëdhënieve klasore të kapitalizmit e pranonin si një lloj shpjegimi rreth një prej strukturave më të mëdha të padrejtësisë. Feministët socialistë besojnë se për të ndryshuar gjendjen ekzistuese për të arritur në një shoqëri të barabartë, duhet të zhvillohet një luftë njëkohësisht edhe me sistemin demokratik dhe me sistemin kapitalist. Në këtë mënyrë, sfera e veprimit dhe sfera e luftës nga pikëpamja e feministëve socialistë, nuk është e kufizuar vetëm në fabrikat, por ajo përfshinë edhe një varg sferash të tjera publike dhe private në të cilat femrat diskriminohen. Një prej problemeve më të mëdha të kësaj pikëpamje është ky që sferën e jetës së femrës dhe mashkullit e ka shndërruar në një arenë të luftës dhe të përballjes mes dy gjinive. Kjo është në kohën kur në shumë sfera të jetës, femra dhe mashkulli janë dy gjini të mangëta të cilat me koordinim dhe mirëkuptim mund ta plotësojnë njëra-tjetrën.

Mirëpo feminizmi ekstremist ose radikal i cili konsiderohet një prej grupeve më radikale të feminizmit, më shumë se degët e tjera feministe e ka çuar këtë lëvizje drejt dekadencës. Radikalistët besojnë se nga të gjitha padrejtësitë klasore, etnike, fetare, raciste dhe gjinore, lloji më fondamental i padrejtësisë është padrejtësia gjinore e cila është krijuar për shkak të sistemit patriarkal. Ky sistem konsiderohet sistemi më i madh i padrejtësisë shoqërore. Ata, meshkujt dhe në përgjithësi patriarkalizmin e konsiderojnë faktor kryesor të padrejtësisë ndaj femrës. Gjithashtu, ata, padrejtësinë e ligjeve e konsiderojnë një pjesë të strukturës gjithëpërfshirëse të hegjemonisë së burrit e cila fillon nga familja dhe depërton në institucione politike. Radikalistët i konsiderojnë të gjithë meshkujt të padrejtë dhe pohojnë se të gjithë meshkujt përfitojnë nga superioriteti i gjinisë mashkullore, nga interesat ekonomike, gjinore dhe psikologjike. Nga aspekti i tyre, ndryshimi i ligjeve shoqërore-politike ka efekt vetëm për qetësim të gjendjes përkohësisht, prandaj duhet të organizohet një revolucion themelor. Në mes feministëve radikalë paraqiteshin teori radikale të cilat ishin në kundërshtim të hapur me strukturën e familjes dhe natyrën e femrës dhe mashkullit. Shulamith Firestone beson se duhet të zhduket roli i femrës si një lindëse e fëmijës. Ajo në librin e tij "Debati i gjinive" shkruan: "Padrejtësia e ushtruar ndaj femrës ka rrënjë në potencialin e saj për të lindur do të thotë në gjendjen biologjike të padrejtë të saj. Mirëpo teknologjia e lindjes dhe e ripërtëritjes së gjeneratave ka mundësi që ta lirojë femrën nga gjendja e saj biologjike. Prandaj nëse femrat do të mund të zotërojnë teknologjinë e lindje së gjeneratave, atëherë për herë të parë do të ngadhënjejnë mbi padrejtësinë e ushtruar ndaj tyre". Natyrisht se feministët radikal në kuadër të teorive më ekstremiste kanë arritur deri në atë masë saqë besojnë se duhet të vrasin dhe eliminojnë meshkujt. Ekstremiteti jashtë mase i feministëve radikal përkrah shumë çështjeve të tjera si mosmarrja parasysh e dallimeve natyrore mes femrave dhe meshkujve, anashkalimi i të drejtave të të gjitha femrave si të femrave zezake dhe rënia e përgjegjësisë më të madhe mbi supe të femrave, janë bërë shkak që kjo intrigë e feminizmit të përballet me protesta edhe nga brenda feminizmit. Prandaj, në valën e tretë, shumica e feministëve me rishikimin e disa pikëpamjeve të tyre, kanë pohuar dallimet natyrore mes femrave dhe meshkujve, si dhe dashurinë që ekziston në rolin e femrës si nënë. Aktualisht shumica e feministëve kanë kuptuar se qasja ekstremiste e feminizmit në asnjë rast nuk mund të ndihmojë në shtimin e forcës politike të femrave në shoqëri, mirëpo ngritja e pozitës shoqërore të femrës përkufizohet vetëm nën hijen e njohjes zyrtare të identitetit femëror dhe punës së veçantë të femrave në strukturën shoqërore dhe në koordinimin e plotë dhe të drejtë me rolet e meshkujve. Strategjitë e feminizmit radikal janë simbol i dhunës dhe disharmoniës. Vështrimi nënçmues ndaj një gjinie si mashkullore ose femërore, gjithmonë krijon një kulturë dhe sisteme të padrejta të cilat mohojnë sigurinë psikologjike dhe fizike të individëve. Gjithashtu, separatizmi i feministëve radikal i privon femrat dhe shoqërinë të shfrytëzojnë karakteristikat pozitive të meshkujve. Në edicionin e ardhshëm do të vazhdojmë të trajtojmë çështje të ndryshme të feminizmit.

Tags