Mars 16, 2016 11:08 CET
  • Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij

Islami 1400 vite më parë kishte njohur zyrtarisht të drejtën e femrave për të votuar dhe femrat në kohën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. kanë marrë pjesë në besëlidhje me atë.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij". 

Në edicionet e kaluara folëm rreth historikut të formimit të feminizmit dhe thamë se lëvizja feministe ishte përgjigjeje ndaj ngurtësimit të femrës perëndimore, për arsye se në shoqëritë perëndimore femrat ishin të privuara nga shumica e të drejtave shoqërore dhe kulturore të tyre si e drejta për të votuar, e drejta për të marrë në përkujdesje fëmijët, e drejta e pronësisë dhe të tjera. Pas protestave të femrave për të fituar të drejtën e votës, Anglia si vendi i parë perëndimor në vitin 1918 dhe pastaj Amerika në vitin 1920, pranuan zyrtarisht të drejtën e femrave për të votuar. Këtu vlen të theksohet se Islami 1400 vite më parë kishte njohur zyrtarisht të drejtën e femrave për të votuar dhe femrat në kohën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. kanë marrë pjesë në besëlidhje me atë. Duke marrë parasysh faktin se gjithnjë është bërë përpjekjeje nga faktorë dashakeqë që të anashkalohen pikëpamjet e ngritura të Islamit ndaj të drejtave të femrave, për këtë arsye në këtë edicion do të njihemi shkurtimisht me të drejtat, pozitën dhe personalitetin e femrës në Islam, si dhe flasim rreth pozitës së femrës në periudhën e injorancës dhe në kohën para shpalljes së Islamit. 

Në periudhën e injorancës para shpalljes së Islamit në Gadishullin Arabik, femrat nuk konsideroheshin në nivelin e njëjtë me meshkujt si qenie njerëzore dhe gjendeshin në nivelin dhe pozitën më të ulët shoqërore. Ulja e pozitës së femrës dhe vendosja e saj në listën e pasurive dhe pronës së mashkullit, ka ushtruar ndikim mbi të gjithë jetën e femrave. E drejta më e madhe që u është mohuar femrave nga arabët e injorancës, ishte e drejta për të jetuar. Ata ishin njerëz që për shekuj me radhë ishin zhytur në idhujtari dhe ishin larguar nga monoteizmi dhe natyra e tyre qenësore ishte mbuluar nga bindje të degjeneruara dhe amoraliteti. Ata jetonin në mënyrë arrogante deri në atë masë saqë nuk mund të duronin as ekzistimin e femrës si një qenie femërore. Në periudhën e injorancës, njerëzit mendonin se lindja e femrës sjell fatkeqësi dhe turp, ndërsa ndjenin vuajtje të madhe nga lindja e foshnjës femër. Zoti i madhëruar në suren Nahl ajetet 58-59 të Kur'anit të shenjtë ka thënë: "Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet me (lindjen) vajzë, atij i nxihej fytyra nga pikëllimi i madh. Ai fshihet prej njerëzve, për shkak të asaj të keqeje me të cilën u lajmërua (e konsideron bela, e jo dhuratë prej zotit). Mandej, (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë atë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykim i tyre...". Shenja më e madhe e pikëllimit të arabëve të periudhës së injorancës nga lindja e vajzës ishte kjo që në shumë fise arabe njerëzit i varrosnin për së gjalli foshnjat. Kjo është në kohën kur Kur'ani i shenjtë në suren Isra' ajeti 31 në Kur'anin e shenjtë ka thënë: "Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh".

Edhe fiset jo arabe shkelnin në masë të madhe të drejtat e femrës ashtu siç bënin arabët. Vrasja, torturimi, ofendimi dhe shkelja e të drejtave të gjithanshme të femrave është bërë në të gjitha rajonet e botës në të cilat nuk ka depërtuar drita e udhëzimit hyjnor ose është devijuar ajo, ashtu siç është bërë tek arabët por edhe në përmasa më të mëdha. Nga pikëpamja e shumë fiseve, femra nuk kishte as edhe të drejtën më të vogël për barazi me mashkullin ose për të rezistuar kundrejt burrit të saj. Në disa fise, gruaja nuk kishte të drejtë të ulej në një tryezë të ushqimit të njëjtë me burrin e saj apo të banojë në një shtëpi së bashku me bashkëshortin e saj. Privimi i femrës ishte i dukshëm jo vetëm në fiset primitive, por edhe në civilizimet e mëdha. Në Egjiptin e vjetër për tu shtuar sasia e ujit të lumit Nil, vajzat i zbukuronin dhe i fundosnin ato në lum. Në Romën e vjetër, gjithashtu femra nuk trashëgonte asgjë nga pasuria e babait ose e burrit të saj, ndërsa edhe në zgjedhjen e bashkëshortit ajo nuk kishte të drejtë të shprehë mendimin e saj. Me shpalljen e fesë së pastër Islame u bë një ndryshim i madh ndaj pozitës së femrës, sepse Islami i dha nder dhe respekt femrës. Imazhi të cilin e prezanton feja islame për femrën është imazhi i një qenie njerëzore të përkryer e cila është e barabartë me mashkullin në të gjitha aspektet njerëzore. Prandaj, të gjitha aftësitë dhe kapacitetet që ka vendosur Zoti i madhëruar në meshkujt për të kaluar rrugën e përkryerjes dhe për të arritur në lumturi, i ka vendosur ato edhe në qenien e femrave. Në këtë mënyrë Islami në aspektin e garantimit të të drejtave të femrës është shumë më përpara se sa të gjitha shkollat e tjera. Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, në mënyrë të qartë ka deklaruar se në lidhje me çështjen e femrës, bota i ka borxh të madh Islamit. Nga pikëpamja e Islamit, ndalimi i femrës nga përpjekjet e dobishme për të cilat i ka dhënë mundësi Zoti asaj, është padrejtësi ndaj femrës; për arsye se ajo duke shfrytëzuar talentin e saj qenësor, mund të arrijë deri në një shkallë të lartë të përkryerjes. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në një kohë kur femra nuk kishte kurrfarë vlere dhe kredibiliteti, e ka ngritur atë deri në një nivel të njeriut të pavarur dhe me të drejta dhe personalitet të respektuar. Ai ka deklaruar se secili prind që paguan shpenzimet e arsimimit të vajzës së tij, Zoti i madhëruar do ta shpërblejë atë. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në një ambient të tillë e shikonte vajzën e tij si një zonjë me plotë virtyte të përkryera, me edukatë, me vlera të larta fetare, njerëzore dhe morale. Si një personalitet me plotë bamirësi, fisnikëri dhe bujari. Në pikëpamjen e Profetit s.a.v.s., Fatima (s.a.) është një amanet i çmuar i Zotit dhe i të Dërguarit që duhet ruajtur në mënyrë më të mirë. Profeti s.a.v.s e ka porositur Imam Aliun (a.s.) duke i thënë: "O babai i Hasanit! Vajza ime është amaneti i Zotit dhe i të Dërguarit të tij të cilën po ta dorëzojë ty, prandaj respektoje Zotin dhe të Dërguarin e tij në lidhje me këtë amanet". Kjo lidhje është bërë shkak që gëzimi dhe lumturia e Fatimas ta gëzojë Profetin s.a.v.s. dhe hidhërimi dhe shqetësimi i saj, ta shqetësojë dhe hidhërojë Profetin s.a.v.s... Shpjegimi se si është krijuar mashkulli dhe femra në shumë ajete kur'anore tregon se Islami nuk konsideron kurrfarë dallimi në aspektin njerëzor dhe shpirtëror mes mashkullit dhe femrës dhe mashkulli dhe femra janë krijuar nga një burim. Përveç kësaj, në Islam, femra ashtu si mashkulli dhe ka mundësi si një qenie njerëzore të arrijë shkallë të larta të besimit, devotshmërisë dhe shkencës, si dhe ta ngrejë pozitën e saj në bazë të kapaciteteve dhe talentit që posedon. Për shembull, në Islam, devotshmëria nuk është e veçantë vetëm për njërën gjini, por devotshmëria është porositur për të gjithë meshkujt dhe femrat. Në pikëpamjen e Islamit, ai që ka shkallën më të lartë të devotshmërisë si të jetë mashkull ose femër, ka një pozitë më të lartë në krahasim me atë që ka shkallë më të ulët të devotshmërisë. Kur'ani i shenjtë ka porositur në mënyrë të njëjtë femrat dhe meshkujt për të fituar devotshmërinë. Zoti i madhëruar në suren Huxhurat ajeti 13 të Kur'anit të shenjtë ka thënë: "O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që është më i devotshëm e All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë".

Femrat si një kapital më i madh i shoqërisë, kanë rol të ndjeshëm në ndërtimin e shoqërisë islame. Islami e ngre pozitën e femrës deri në atë shkallë saqë ajo të mund të gjejë pozitën e saj njerëzore në shoqëri dhe të mos shikohet si një mall tregtie. Në përputhje me një zhvillim të tillë, femra mund të marrë përgjegjësi të caktuara në sfera të ndryshme shoqëror, për arsye se nga pikëpamja islame, shëndeti i shoqërisë dhe mbetja e saj varët nga kryerja e drejtë e detyrave të femrave dhe meshkujve. Përkundër pretendimeve dashakeqëse që thonë se Islami nuk i ka dhënë vlerë gjysmës së shoqërisë njerëzore, do të thotë femrës dhe nuk i ka konsideruar ato si qenie njerëzore, kjo fe ka pranuar zyrtarisht rolin e femrës edhe në një çështje të rëndësishme siç është besëlidhja me të Dërguarin e Zotit. Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka bërë besëlidhjeje ne femrat ashtu siç ka bërë besëlidhjeje me meshkujt në sferën politike dhe shoqërore dhe i ka pranuar të drejtën femrave për pjesëmarrje në sferat politike. Zoti i madhëruar në suren Mumtehinet ajeti 12 të Kur'anit të shenjtë ka thënë: "O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret pranë teje dhe të bëjnë besëlidhje me ty se nuk do t’i shoqërojnë asnjë send All-llahut... dhe se nuk do të kundërshtojnë në atë që i urdhëron, atëherë, prano zotimin e tyre dhe lute All-llahun t’i falë ato, se All-llahu është mëkatfalës dhe mëshirues". Islami i ka dhënë këtë të drejtë femrave që për vete të zgjedhin një punë të ligjshme dhe një jetë të pastër dhe të shëndoshë. Puna dhe aktiviteti i femrës në Islam ka vlerë dhe respekt shoqëror. Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë kujton se femrat dhe meshkujt janë përgjegjës për veprimet e tyre dhe në këtë rast asnjëra palë nuk është përgjegjëse për veprimet e palës tjetër. Nga ana tjetër, edhe femra ashtu si mashkulli është pronare e pasurisë të cilën e ka fituar me mundin e vet. Femra mund të kryejë aktivitete shoqërore dhe ekonomike dhe të depozitojë të ardhurat e saj. Zoti i madhëruar në ajetin 32 të sures Nisa në Kur'anin e shenjtë ka thënë: "…Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato..." Kjo tregon se femra gëzon një lloj pavarësie. Përveç kësaj, femra ka pjesë në pasurinë që mbetet trashëgim nga babai, nëna, vëllai, motra dhe bashkëshorti i saj. Edhe pse në perëndim dhe në Evropë pretendojnë se femrat gëzojnë liri, mirëpo deri para gjysmë shekulli femrat nuk lejoheshin të shpenzojnë pasurinë e tyre personale pa lejen e bashkëshortit ose të babait të saj. Kjo është në kohën kur Islami që nga fillimi i shpalljes ka garantuar të drejtën e femrës për aktivitet ekonomike dhe për pronësi të pasurisë së saj.

Tags