Prill 28, 2018 09:15 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore” ku do të vazhdojmë me prezantimin e personalitetit të njohur iranian Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, një ndër poetët më të mëdhenj iranianë dhe me famë botërore. Idetë dhe mendimet e mëdha të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe shumë mendimtarë dhe letrarë janë ndikuar nga idetë e tij.

Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poet dhe gnostik i madh i shekullit 7 hixhri kameri (13 të erës së re), ka jetuar në territorin e gjerë kulturor të Iranit. Në vazhdim të edicionit të kaluar, në këtë edicion do të vazhdojmë me shqyrtimin e veprave të këtij poeti të pashoq iranian.

Thamë se studiuesit Masnavinë e Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poetit dhe gnostikut të madh iranian, e konsiderojnë një vepër didaktik-udhëzues dhe Mevlanan e konsiderojnë mësues me mendime të thellë të këtyre mësimeve. Kjo vepër e çmuar është vepra më e dalluar e Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi dhe gjithashtu konsiderohet poema më e njohur e krijuar në gjuhën dhe letërsinë persiane. Gjithashtu thamë se Masnavia e Mevlanas është një libër didaktik në të cilën mësohet metoda dhe rruga se si të arrihet deri te e vërteta, prandaj përmban mendimet, idetë dhe mësimet e Mevlanas.

Novacioni është një prej karakteristikave të veçanta të Mevlanas. Duke hedhur një vësahtrim mbi poezitë e mbetura nga ai, mund të kuptohet se ai në metodën e poetrikës, në gjuhen e poezisë, në përdorimin e teknikave dhe tematikave letrare, në muziklalitetin e poezisë dhe në shumë aspekte të tjera, kishte dallim të konsiderueshëm nga poetët bashkëkohanik të tij si dhe të periudhës pas tij. Deri në periudhën e Mevlanas dhe pas tij, ishte zakon që poetët divanin e tyre të poezisë dhe poemat e tyre t'i fillojnë me falënderimin e Zoti dhe me përshkrimin e virtyteve të larta të Profetit Muhamed s.a.v.s. që si për shembull mund të përmenden veprat e Firdosit, Rudaki, Onsori, Khaghani, Manuçehri dhe Senaij, Atar e shumë poetëve të tjerë. Mirëpo Mevlana nuk ka ndjekur këtë metodë tradicionale ndërsa në falënderimin e Zotit të madhëruar ka paraqitur një plan të ri. Sipas Dr. Zarinkub, "E gjithë Masnavija që nga fillimi e deri në fund, është një këndim i dashurisë sipas metodës së Mevlanas. Kjo vepër e gjitha përshkohet me kujtimin e Zotit dhe melodinë e dashurisë e cila e bënë gnostikun të rënkojë zjarri i dashurisë dhe mallin në rrugën e kërkimit të Zotit"

Dashuria ndaj Zotit e cila vlonte në brendësinë e Mevlanas, me siguri se nuk ishte diçka që mund të shprehej në formatin e fjalëve dhe termëve të caktuara dhe zyrtare. Ai nuk mund të mjaftohej vetëm me përshkrimin e qiellit, tokës dhe krijesave të Krijuesit të ekzistencës, ashtu siç bënin poetët e tjerë. Pasioni dhe entuziazmi që buronte nga zemra e këtij gnostiku të rrugës së njohjes së Zotit, nuk kufizohej në formatin e fjalëve dhe shprehjeve të letrarëve. Panegjirizmi me të cilin fillon Masnavia, është një panegjirizëm i të dashuruarit ndaj atij që dashuron dhe sipas studiuesit të njohur iranian Dr. Gholamhusejn Jusefi, "është një kujtim me dashuri i Zotit që bëhet në mënyrë të butë dhe poetike". Sipas Dr. Zarinkub dhe shumë studiuesve të tjerë, fillimi i Defterit të parë të Masnavisë që nëpërmjet gjuhës së fyellit transmeton tregimin dhe rënkimin e shpirtit të rrugëtarit gnostik (saliku-t arif) në vendin mërgimit në këtë botë, nuk ka filluar ndryshe përveçse me përmendjen e Zotit dhe përveçse me dashurinë ndaj Krijuesit Një.    

Dëgjo këtë fyell që po rënkon

Po tregon dhe po flet për ndarjet

Pasi më prenë mua nga fyllishtja

Nga zëri im pikëllues, rënkuan burrë e grua

Po kërkoi një gjoks të copëtuar nga ndarja

Që t’i tregoj atij dhimbjen e mallit

"Fyelli" që Mevlana në Masnavi nëpërmjet poezisë ka shprehur rënkimin dhe tregimin e tij, nuk ka ardhur në mënyrë spontane në poezinë e tij. Tregimi i fyellit në mendimin e Mevlanas ka një kuptim dhe përkryerje të veçantë. Duke u bazuar në studimet e studiuesit të njohur iranian Profesor Faruzanfar, "në Masnavi dhe në Divane Kabir, fjala "fyell" është përdorur mbi 28 herë  si burim dhe subjekt i alegorisë, gjë e cila tregon përkushtimin e veçantë të Mevlanas ndaj kuptimit dhe përkryerjes së veçantë të kësaj fjale".

Fyelli në mitologji dhe legjenda të popujve të ndryshme është simbol i mendimeve dhe ideve të ndryshme. Mirëpo Mevlana fjalën "fyell" e përdor si simbol dhe koncept të një mendimi shumë më të lartë dhe më të bukur dhe me plotë kuptim. Çdo herë kur Fyelli rrëfen tregimin e me gjuhë të poezisë, secili person dëgjon një tregim nga Fyelli sipas perceptimit të vet. Për poetin rus Lermantov, këto melodi kujtojnë vuajtjet dhe gabimet njerëzore. Ai në këtë melodi pikëlluese, e dëgjon tregimin e një vajze të përvuajtur dhe shpjegon fatin e saj. Mirëpo kjo melodi për Mevlanan, gnostikun e madh iranian, është tregim i një shpirti me plotë dhimbje i cili është ndarë nga fyellishtja e shpirtrave.  

Tregimi i Fyellit të Mevlanas, është tregimi i një shpirti të ngurtësuar i cili është ndarë nga origjina dhe rrënja e tij dhe tani parqet dëshirën për tu bashkuar përsëri me rrënjë dhe me atë origjinë. Sipas Dr. Zarinkub, "ajo çfarë dëgjohet nga Fyelli i Masnavisë, është tregimi i një shpirtit të përvuajtur dhe me plotë aventura. Është tregimi i një shpirti i cili ka shpëtuar nga bota materiale, ka lënë anash postin e profesorit dhe juristit, ka përjetuar stuhinë e një dashurie të pashembullt siç është dashuria për Shamsudin Tabrizin dhe më në fund, ka dal nga vetja dhe është përmalluar për t'u kthyer në origjinën e vetë. Një shpirt i cili kërkon një dashuri e cila do të mund ta nxjerrë atë jashtë botës së ngjyrave dhe nevojave dhe jashtë botës së ngushtë të limiteve dhe të trupit dhe pastaj ta dërgojë atë në origjinën e pakufishme dhe të ekzistencës së Zotit të madhëruar".

Ky Fyell sipas mendimit të shumë komentuesve të veprave të Mevlanas, në të vërtetë është vet Mevlana i cili është zbrazur nga vetja e tij dhe është vendosur në dispozicion të dashurisë dhe nën urdhrat e të dashurit. Në realitet kjo poezi dhe kjo melodi shpirtërore që del nga fyti i tij, nuk është prej tij, por ashtu siç e ka përsëritur disa herë në poezinë e tij, ajo është nga Ai që e adhuron dhe e dashuron dhe nga Ai që është i pafillim dhe i pambarim.

Ne jemi si harbë dhe ti i bie telave

Rënkimi nuk është nga ne, ti po rënkon vet

Ne jemi sikur fyelli ndërsa melodia në ne, është nga ti

Ne jemi sikur bjeshka ndërsa zëri në ne është nga ti

Nga pikëpamja e Mevlanas, Fyelli ka këtë koncept të thellë, prandaj edhe fillimi i bukur i Masnavisë është alegori dhe paraqet këtë kuptim të bukur.

Shumica e studiuesve dhe komentuesve të Masnavisë pajtohen rreth kësaj çështje se ajo çfarë i ka dhënë rëndësi të veçantë "Nejnames" (18 vargjeve të para), është kjo që Mevlana të gjithë atë çfarë e ka thënë në Masnavi dhe e gjithë ajo që ekziston në gjashtë Defterët e Masnavisë, të gjithën e ka paraqitur në vargjet fillestare të Defterit të parë. Sipas Dr. Zarinkub, "Nejname e cila përbëhet nga pikërisht ato 18 vargjet e para dhe të gjitha gjashtë Defterët në një farë mënyre janë komentim të këtyre 18 vargjeve dhe në realitet janë shpjegim i zgjatur i këtyre 18 vargjeve dhe me një zinxhir të padukshëm, të gjithë gjashtë defterët e Masnavisë lidhen me këtë "Nejname". E gjithë ajo që Mevlana e ka thënë në vazhdim të këtyre vargjeve, në realitet përfshinë çështje të tjera të reja në lidhje me këtë rënkim të shpirtit dhe këtë tregim të mallit dhe dashurisë së gnostikut dhe rrugëtarit në rrugën e Zotit. Edhe tregimet dhe alegoritë të cilat i ka sjell Mevlana në bazë të nevojës së fjalës në të gjithë Masnavinë, secili prej tyre në një farë mënyrë janë të lidhur me fillimin e librit.  

Nëse dëshirojmë që të paraqesim dhe komentojmë temën kryesore të gjashtë Defterëve të Masnavisë me fjalë të shkurta, atëherë duhet thënë se Masnavia e Mevlanas është tregimi i mallit dhe bashkimit të rrugëtarit dhe gnostikut i cili është ndarë nga origjina dhe burimi i tij. Pra, Masnavi është tregimi i një gnostiku të përkryer i cili është ndarë nga vetja dhe është shkrirë në dashurinë për Zotin.

Tags