Karta Qiellore: Kurani nga këndvështrimi kuranor 1
(last modified Sun, 25 Jun 2017 08:27:56 GMT )
Qershor 25, 2017 10:27 Europe/Tirane
  • Karta Qiellore: Kurani nga këndvështrimi kuranor 1

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues. Në këtë muaj të bekuar të Ramazanit jo ftojmë të qëndroni me ne në emisionin Karta Qiellore në të cilin do të bëjmë prezantimin dhe analizimin e fjalëve qiellore nga këndvështrimi i Kuranit.

Me përshëndetje

Ju urojmë gëzuar ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, muajit të mëshirës hyjnore, të zbritjes së Kuranit, muajit të pastrimit të shpirtit dhe mendjes, muaji i lutjeve dhe faljeve, muaji i shprehjes së nevojës për ndihmë nga Zoti.

Muaji i Ramazanit, muaji i zbritjes së Kuranit


Një prej ngjarjeve të rëndësishme në muajin e bekuar të Ramazanit, është zbritja e Kuranit. Me ndihmën e Zotit në këtë emision do të mundohemi t’iu njohim disi me librin e shenjtë Kurani. Përkundër periudhës së lulëzimit të Kuranit, ku myslimanët mundoheshin të ruanin Kuranin dhe tregonin ndjeshmëri ndaj kuptimit dhe përmbajtjes së Kuranit i cili ishte bazë mbështetjeje në jetën e tyre të përditshme, me kalimin e kohës shoqëria islame doli nga rruga e drejtë hyjnore dhe sistemi islamik humbi qëllimet dhe aspiratat e tij të larta dhe formuese dhe në këtë mënyrë Kurani mbeti në formë sipërfaqësore pasi realiteti i tij u la në harresë. Ishte pikërisht kjo koha kur bota islame nisi të devijojë. Që nga koha kur njohja dhe kuptimi i Kuranit u zëvendësua me respektimin dhe vlerësimin sipërfaqësor të tij, prej asaj kohe nisi mos përkushtimi serioz ndaj Kuranit. Në këtë mënyrë nisi edhe thyerja e unitetit të myslimanëve dhe rënia e madhështisë së botës islame e cila më herët ishte e mbështetur tek Kurani por me kalimin e kohës ajo u nda në grupe dhe sekte të ndryshme duke i dhënë shkas pushtetit hegjemonist dhe duke ulur pozitën dhe rolin formues të Kuranit. Mjafton të hedhim një vështrim mbi jetën e myslimanëve sot në botë dhe mund të kuptojmë se çfarë pozitë zë Kurani tek ata, çfarë pozite zë në sistemin ekonomik dhe politik, në marrëdhëniet sociale, në qendrat arsimore, në zbatimin e drejtësisë dhe përballje me diskriminimin dhe disnivelin klasor, në sjelljen dhe moralin personal dhe shoqëror, në stilin e jetës, në këshilla dhe në dhjetëra raste të tjera.

E vetmja rrugë për të arritur fuqinë e botës islame, për të unifikuar dhe bashkuar myslimanët, e vetmja rrugë për tu çliruar nga zgjedha e të huajve, e vetmja rrugë për pavarësinë dhe lirinë, është kthimi tek Kurani. Profeti i nderuar (s.a.v.s.) i cili më shumë se kushdo tjetër ishte shqetësuar për botën islame, duke iu drejtuar myslimanëve ka thënë: Sa herë që ambienti të errësohet dhe sa herë që ta keni të vështirë të përcaktoni të keqen dhe të mirën, atëherë mbështetuni tek Kurani. Çdokush që Kuranin e vendos bazë të jetës së tij, ai drejtohen për nga parajsa. Çdokush që i kthen shpinën Kuranit, atë e pret ferri. Kurani është udhëzues që tregon rrugët më të mira. Në Kuran gjendet drita e drejtimit, ndriçimit dhe e udhëzimit.

Kurani çelësi udhëzues i njeriut


Një tjetër karakteristikë e Kuranit është se në të janë parashikuar të gjitha nevojat e shoqërisë njerëzore. Zoti i ka parashtruar ato dhe në ajetin 89 të sures Nahl thotë: Dhe (përkujtoju njerëzve) atë ditë, kur në secilin popull do të sjellim dëshmitarë kundër atyre. Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët.

Mesazhi i ajetit të mësipërm është se në Kuran gjendet çdo lloj udhëzimi për çdo nevojë të njeriut pa pasur nevojë për fetë dhe doktrinat lindore dhe perëndimore dhe se udhëzimeve të Kuranit i duhet kushtuar vëmendje. Në bazë të ajetit 9 të sures Isra, është Kurani ai që jep udhëzimet dhe drejtimet më të mira dhe më të vlefshme. Për këtë arsye duhet thënë se Kurani nuk njeh kohë të caktuar dhe ai mund të përdoret si shembull i plotë për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërinë në çdo kohë dhe në çdo vend.

Imam Bagheri (as) rreth kësaj të vërtete thotë:

Zoti deri në ditën e kiametit, njeriut i ka plotësuar të gjitha nevojat dhe nuk i ka lënë asgjë mëngët, vetëm në rast se atë e ka thënë në Kuran dhe ia ka përcaktuar të dërguarit të tij. Nuk ka dyshim se niveli i njohurisë dhe këndvështrimi i njerëzve, nuk është i njëjtë por ndryshon sipas njeriut. Si rezultat çdo njeri sipas mundësive të tij arrin të kuptojë dhe përfitojë nga përmbajtja e Kuranit. Husein Bin Ali (as) thotë: Libri i Zotit ka katër pjesë që janë: lutje, shenjat, fakte dhe të vërteta. Lutjet për të gjithë njerëzit, shenja për të veçantat, faktet për evliatë dhe të vërteta për profetët.

Kurani Famëlartë


Për të qartësuar më shumë këtë çështje mjafton të lexojmë pikëpamjet e komentuesve të Kuranit qofshin ata shiitë apo sunitë. Një grup për shkak të letërsisë së pashoq të Kuranit ka analizuar fjalët dhe letërsinë e përdorur në Kuran dhe ka arritur në përfundime me vlerë. Një grup tjetër i prirur nga bindjen filozofike, Kuranin e ka analizuar nga aspekti mendor dhe i logjikës. Disa të tjerë kanë analizuar kuranin nga aspekti shkencor, natyror dhe mjekësor disa komentues të tjerë, Kuranin e kanë analizuar nga aspekti juridik dhe i jurisprudencës. Disa grupe për shkak të prirjeve të tyre sociale dhe politike, Kuranin e kanë analizuar dhe komentuar nga ky aspekt. Një grup tjetër, Kuranin e ka analizuar dhe komentuar nga aspekti i vlerave morale dhe njerëzore. Disa ë tjerë Kuranin e kanë analizuar për të kuptuar fatin e civilizimeve dhe popujve të mëdhenj të njerëzimit. Disa grupe të tjera, Kuranin e kanë analizuar për të përcaktuar të drejtën nga e padrejta, të mirën nga e keqja, besimin dhe mëkatin, dritën dhe shtypjen, injorancën dhe njohurinë dhe udhëzimet për mbrojtjen e pushtetit islam. Disa të tjerë duke u mbështetur tek rëndësi e bindjeve fetare, Kuranin e kanë analizuar dhe komentuar nëpërmjet këtyre bindjeve. Në përgjithësi, duhet thënë se Kurani është një libër i pashoq, libër që plotëson të gjitha nevojat e njerëzimit dhe atë e udhëzon drejt perfeksionimit dhe përjetësisë në ahiret.

Agjërues të nderuar, duke shpresuar se përgjatë këtij muaji do të mund të shtojmë sadopak njohuritë tuaja mbi Kuranin dhe përmbajtjen e tij, deri në emisionin e ardhshëm iu lëmë nën përkujdesin e Zotit të Madhërishëm.

 

 

Tags