Shtator 02, 2020 22:40 Europe/Tirane
  • Pasojat e marrëveshjes së Emirateve të Bashkuara Arabe me regjimin sionist; Strategjik apo afatshkurtër? (1)

Një nga çështjet më të rëndësishme në lidhje me marrëveshjen e Emirateve të Bashkuara Arabe me regjimin sionist është se cilat janë pasojat e kësaj marrëveshjeje? Në dy programe, duke iu referuar shkurtimisht disa prej pasojave më të rëndësishme të marrëveshjes, shtrohet pyetja se nëse pasojat do të jenë strategjike apo afatshkurtra?

Dalja e regjimit sionist nga izolimi politik

Një nga pasojat më të rëndësishme të marrëveshjes së Emirateve të Bashkuara Arabe me regjimin sionist është rritja e numrit të vendeve arabe që nënshkruan një marrëveshje paqeje me këtë regjim. Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i tretë Arab dhe vendi i parë në Gjirin Persik që nënshkruan një marrëveshje paqeje me Izraelin dhe do të shkojë drejt vendosjes së marrëdhënieve zyrtare diplomatike. Që nga lufta arabo-izraelite në vitin 1967, vetëm Egjipti kishte nënshkruar një traktat paqeje me Izraelin në vitin 1978 në kuadër të marrëveshjes Camp David dhe Jordania në vitin 1994 me Paktin Wadi Arab. Emiratet e Bashkuara Arabe tani janë vendi i tretë arab që nënshkruan një marrëveshje paqeje me regjimin sionist me të ashtuquajturën marrëveshje "Abraham".

Është e rëndësishme të theksohet se jo vetëm midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe regjimit sionist, por edhe midis këtij regjimi dhe disa vendeve të tjera arabe, ka pasur marrëdhënie sekrete që para tre dekadash, të cilat janë shtuar që nga viti 2015 me ardhjen në pushtet të mbretit Selman në Arabinë Saudite. Uebfaqja e kanalit të dytë të regjimit sionist në maj 2016 shkroi: "Një numër i konsiderueshëm i investitorëve emiratas janë aktivë në sektorët e ndërtimit dhe strehimit dhe janë përfshirë edhe në projektin e juhidizimit Kodsit të shenjtë." Ministri i Sportit dhe Kulturës i regjimit Sionist, Miri Rego, në Tetor 2018 udhëtoi në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, me pretekstin e dërgimit të ekipit të xhudos së këtij regjimi.  Në korrik 2019, ministri i jashtëm izraelit Israel Katz udhëtoi për herë të parë në Abu Dhabi ku u takua me zyrtarë të Emirateve të Bashkuara Arabe.  Duke pasur parasysh këtë situatë, mund të thuhet se pasoja strategjike e marrëveshjes së Emirateve të Bashkuara Arabe me regjimin sionist nuk është dalja e këtij regjimi nga izolimi politik në rajonin e Azisë Perëndimore, sepse regjimi sionist kishte kohë që kishte dalë nga izolimi politik në rajonin e Azisë Perëndimore për shkak të tradhtisë së disa vendeve arabe.  Prandaj, edhe nëse marrëveshja e Abrahamit shtrihet në formë domino në vendet e tjera arabe, përfshirë Bahrejnin dhe Omanin, ajo përsëri nuk do të ketë implikime strategjike për çështjen palestineze si dhe për rajonin e Azisë Perëndimore.

Prania e regjimit sionist në Gjirin Persik

Disa besojnë se një nga pasojat e rëndësishme të marrëveshjes së Abrahamit do të jetë prania e regjimit sionist në rajonin e Gjirit Persik, sepse Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i parë arab në rajonin e Gjirit Persik që nënshkruan një marrëveshje paqeje me këtë regjim. Sidoqoftë, duket se prania e regjimit sionist në Gjirin Persik nuk është një prani sigurie por më tepër një prezencë ekonomike, pasi Camp David dhe Wadi Arab nuk kanë krijuar një lidhje sigurie midis Tel Aviv dhe Kajros.

Marrëveshja e Abrahamit duket se nuk çon në prani sigurie të regjimit sionist në Gjirin Persik. Më parë, kishte marrëdhënie të inteligjencës dhe sigurisë midis vendeve të tilla si Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite me regjimin sionist, por këto marrëdhënie ishin kryesisht në fushën e sigurisë së brendshme të këtyre vendeve arabe. Duke pasur parasysh reagimin e Republikës Islamike të Iranit ndaj marrëveshjes së Emirateve të Bashkuara Arabe me regjimin Sionist, duket se nuk ka gjasa që kjo marrëveshje të çojë në një prani të sigurisë së Tel Avivit në Gjirin Persik dhe pranë kufijve gjeografikë të Republikës Islamike të Iranit. Në lidhje me këtë, gjeneralmajor Muhamed Bagheri, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura iraniane, paralajmëroi dhe tha: "Sigurisht, qasja e popullit iranian ndaj këtij vendi fqinj do të ndryshojë thellësisht dhe Forcat e Armatosura të Republikës Islamike do ta shikojnë këtë vend me llogaritje të ndryshme. Nëse diçka ndodh në rajonin e Gjirit Persik dhe siguria kombëtare e Republikës Islamike të Iranit dëmtohet, sado e vogël, ne do ta shohim atë përmes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe nuk do ta tolerojmë atë."

Pasojat e brendshme afatshkurtra të marrëveshjes

Duket se marrëveshja e Abrahamit do të ketë pasoja të brendshme afatshkurtra për të tre palët në këtë marrëveshje, përkatësisht Emiratet e Bashkuara Arabe, regjimin sionist dhe Shtetet e Bashkuara dhe këto pasoja do të jenë gjithashtu për sundimtarët e tyre. "Shumë po pyesin për arsyet e konkurrencës së vendeve arabe për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin dhe përfitimet e tyre," shkroi Ajesha Muhamed në një analizë të botuar në Londër për Al-Kods Al-Arabic. Në fakt, këto vende nuk do të përfitojnë nga ky normalizim dhe të flasësh për interesa dhe investime të përbashkëta është vetëm një gënjeshtër. Nëse është kështu, vendet si Jordania dhe Egjipti, të cilët më parë kishin normalizuar marrëdhëniet e tyre me Izraelin, tani duhej të ishin në një pozitë më të mirë. Ndërsa statistikat konfirmojnë se situata ekonomike dhe e investimeve në këto vende është e rëndë. Arsyeja e vërtetë e kësaj gare është sistemi politik që qeveris këto vende dhe jo interesat e tyre ekonomike. Këto vende, të cilat kanë një sistem politik autoritar, nuk kanë pëlqimin dhe pranimin nga populli i tyre. Prandaj, ata duhet të marrin legjitimitetin që u nevojitet nga jashtë. Në kuptimin që, të qenit në krahët e Izraelit është e dobishme vetëm për sundimtarët e këtyre vendeve; "Sepse ata do të kenë mbështetjen e Tel Avivit dhe të Shteteve të Bashkuara." Kështu, interesi personal i Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe Muhamed bin Zajed dhe ideja se Emiratet e Bashkuara Arabe, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe lobit hebre, mund të luajnë një rol më të madh në zhvillimet në rajonin e Azisë Perëndimore, është një faktor i rëndësishëm në lëvizjen e Abu Dhabit për të normalizuar marrëdhëniet me Tel Avivit. Çështja që vërteton vlefshmërinë e kësaj analize dhe pikëpamjeje janë ndryshimet që kanë lindur midis Abu Dhabit dhe Tel Avivit pas marrëveshjes së tyre, për transferimin e avionit luftarak F-35 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe duan të blejnë avionin luftarak F-35 nga Shtetet e Bashkuara, zyrtarët sionistë, veçanërisht ministri i luftës Bani Gantz, e kanë kundërshtuar zyrtarisht çështjen, duke argumentuar se asnjë marrëveshje nuk duhet të minojë sigurinë e regjimit sionist në rajon dhe sipas Gantz, epërsia ushtarake e këtij regjimi në zonë duhet ruajtur.

Beniamin Netanyahu dhe Donald Trump po shqyrtojnë gjithashtu marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe për interesat e tyre personale. Netanyahu po përballet me presionin më të fortë brenda territoreve të pushtuar nga njerëzit dhe grupet politike. Marsin e kaluar duke njoftuar se më shumë se 600,000 njerëz kishin humbur vendet e tyre të punës në territoret e okupuara për shkak të shpërthimit të virusit Korona, Rami Graver, drejtori i Shërbimit Izraelit të Punësimit, parashikoi që numri i Izraelitëve të papunë të arrinte në 800,000. Ministria Izraelite e Ekonomisë vlerëson se numri i të papunëve në Izrael ka arritur në një milion me shpërthimin e virusit Korona. Për dy muajt e fundit, disa mijëra njerëz kanë protestuar kundër Netanyahut çdo të Dielë në pjesë të ndryshme të territoreve të pushtuara. Duke pasur parasysh këtë situatë të brendshme, Netanyahu po përpiqet të përdorë marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe politikën e jashtme në përgjithësi, si një arritje për të dalë nga presioni popullor dhe i grupeve politike.

Donald Trump, i cili ishte plotësisht i bindur për të fituar zgjedhjet presidenciale të nëntorit në fillim të vitit 2020, tani me shpërthimin e virusit korona dhe paaftësinë e tij për të luftuar virusin, është në situatën më të keqe zgjedhore. Një e katërta e të infektuarve dhe vdekjeve nga Korona janë në Shtetet e Bashkuara. Trump, i cili u ka shërbyer interesave të regjimit sionist më shumë se çdo president tjetër amerikan në katër vitet e fundit, zbuloi marrëveshjen e Emirateve në prag të zgjedhjeve presidenciale për të përmirësuar pozicionin e tij të brishtë dhe për të treguar se ai nuk ka dështuar keq në politikën e jashtme. Në fakt, administrata e Trump jo vetëm që ka bërë pak arritje në politikën e jashtme gjatë katër viteve të fundit, por parulla "Amerika e Para", në fakt është bërë, "Amerika e Vetme". Njoftimi i marrëveshjes së Emirateve të Bashkuara Arabe me regjimin sionist nga Donald Trump u bë më së shumti me qëllim të shpalljes së "arritjeve" në fushën e politikës së jashtme.

Duke pasur parasysh atë çka u tha më sipër, mund të thuhet se marrëveshja e Abrahamit nuk do të ketë pasoja strategjike për Emiratet e Bashkuara Arabe, regjimin sionist dhe Shtetet e Bashkuara, sepse asgjë e re nuk ka ndodhur, sepse marrëdhëniet e Abu Dhabit me Tel Avivin kanë ekzistuar që nga vitet 1990 dhe tani vetëm sa janë bërë publike. Arabia Saudite dhe Bahrejni  gjithashtu kanë pasur lidhje me Izraelin që nga vitet 1990 dhe marrëveshja e tyre e mundshme me regjimin sionist nuk do të jetë një "domino normalizimi".

 

Tags