OKB miraton projektrezolutën e Iranit për përballjen me pluhurat
(last modified Tue, 03 Jan 2017 01:26:25 GMT )
Janar 03, 2017 02:26 Europe/Tirane

Më 21 Dhjetor të vitit të kaluar, me votën unanime të të gjitha vendeve të komitetit të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u miratua projektrezoluta e propozuar nga Irani për përballjen me pluhurat.

Problemi i pluhurit gjatë viteve të fundit ka përfshirë shumë vende të botës dhe ky është një problem që nuk njeh kufij. Zgjerimi i këtij fenomeni ka dëmtuar nivelin e jetës së banorëve në shumë vende të botës. Një nga kërcënimet më të rrezikshme për ambientin e vendeve të ndryshme të botës e veçanërisht për vendet e Lindjes së Mesme është fenomeni i stuhive të pluhurit. Ky fenomen ndikon direkt në jetën e njerëzve dhe lë pasoja negative në aktivitetet e tyre ekonomike e sociale. Fenomeni i pluhurit bëhet shkak që tokat pjellore të shteteve të kthehen në shkretëtira duke zhdukur pyjet dhe larminë e klimës. Përveç kësaj, ky fenomen bëhet shkak për uljen e rendimentit ekonomik të fushave bujqësore.

 

Pluhurat janë grimca shumë të vogla e të lehta që nëpërmjet stuhive në zonat shkretinore përhapen gjithkund. Këto grimca, ngaqë janë shumë të lehta mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë në ajër. Sipas standardit ndërkombëtar, dendësia e lejueshme  e pranisë së këtyre grimcave në ajër  është 240-260 mikrogram në çdo metër kub, por stuhia e pluhurit bën që ky nivel të jetë 15 herë më i lartë. Ajo çka e bën më të rrezikshëm fenomenin e pluhurit është lloji dhe përmbajtja kimike e grimcave, sepse ato bëhen shumë më të dëmshme nëse kombinohen me ndotjet urbane. Ky fenomen është shumë i dëmshëm për të sëmurët nga rrugët e frymëmarrjes. Grimcat e pluhurit lënë pasoja të dëmshme edhe tek bimësia. Ulja e këtyre grimcave mbi pemët dhe bimët e tjera redukton procesin e fotosintezës duke dëmtuar rëndë rritjen e bimëve. Këto grimca shkaktojnë dëme të shumta e të pariparueshme ekonomike, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe shëndetësisë si dhe rrisin ndjeshëm shpenzimet sociale.

 

Natyrisht, shfaqja e pluhurave dhe stuhive të rërës nëpër zonat shkretinore në rajone të ndryshme të botës është një fenomen natyror, por në rajonin e Lindjes së Mesme ekzistojnë faktorë të shumtë që janë bërë shkak që vendet e rajonit të vuajnë nga ky fenomen. Iraku, Irani, Siria, Kuvajti, Bahrejni, Arabia Saudite, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë disa nga këto vende që përballen me këtë fenomen. Sipas ekspertëve, burimi kryesor i këtyre pluhurave janë kënetat që po thahen me shpejtësi në rajonin e LM. Pluhuri i shkaktuar nga kjo tharje, përmes erërave të forta në veri të Irakut shpërndahet në vendet e tjera të rajonit. Raportet e OKB tregojnë se ndryshimet themelore në Mesopotami që kanë filluar që nga vitet 1950 dhe kanë vazhduar deri në shekullin 21-të, janë arsyet e shtimit të pluhurit në vendet e rajonit. Sipas këtyre raporteve, bllokimi i ujit nga digat e mëdha si diga Ataturk në Turqi ka bërë që të pakësohet sasia e ujit në lumenjtë Tigër dhe Eufrat duke u bërë shkak që ultësira e Mesopotamisë të humbasë lagështinë e saj. Kjo është një katastrofë që është bërë shkak që ato këneta e moçale madhështore të Mesopotamisë të kthehen në shkretëtirë me një sipërfaqe prej 500 mijë hektarë. Kjo shkretëtirë është bërë shkak që të dhjetëfishohet numri i ditëve me pluhur në krahasim me vitin 2001 duke paralizuar jetën e miliona banorëve në vendet e rajonit të LM. Fenomeni i përhapjes së pluhurit nuk ekziston vetëm në vendet e LM por ka përfshirë edhe vende dhe rajone si Azia Lindore, Australia, Afrika, Amerika Latine etj.

Padyshim, ky fenomen është një nga rreziqet më të mëdha për klimën dhe mjedisit dhe nëse nuk merren masa për përballjen me të, në një të ardhme të afërt popujt dhe qeveritë do të paguajnë një kosto të lartë. Meqenëse ky problem nuk përfshin vetëm vende të caktuara, duhet që të gjitha shtetet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për përballjen me këtë kërcënim. Në këtë kuadër, Republika Islamike e Iranit  që gjatë viteve të fundit po përballet me fenomenin shqetësues të stuhive të pluhurit, kërkon marrjen e masave emergjente për përballjen efikase me këtë fenomen. Në konferencën e zhvilluar para disa kohësh në Najrobi të Kenias, Organizata e Mbrojtjes së Ambeintit e RII  dorëzoi një projektrezolutë në Organizmin e OKB për Ambientin (UNEA) dhe pas përpjekjeve të shumta të përfaqësisë së RII në Nju Jork, më 21 Dhjetor 2016 me votën unanime të të gjitha vendeve të komitetit të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u miratua projektrezoluta e propozuar nga Irani për përballjen me pluhurat.

Gholamali Khoshro, ambasador i përhershëm i RII në OKB, duke folur për rëndësinë e kësaj çështjeje, theksoi:” Miratimi i rezolutës për përballjen me pluhurat dëshmon se ky problem është konsideruar si një çështje dhe shqetësim ndërkombëtar.” Ai në lidhje me arsyet që e shtynë Iranin të prezantojë këtë çështje në AP të OKB, tha:” Problemi i shtimit të grimcave të pluhurit për disa vite ka krijuar vështirësi të shumta për popullin tonë sidomos në zonat perëndimore dhe jugperëndimore të Iranit. Populli ynë vuan nga pasojat e këtij fenomeni të rrezikshëm.”

Ambasadori i përhershëm i RII në OKB deklaroi se me anë të kësaj rezolute Irani ndjek dy qëllime kryesore: Së pari, për shkak të mosnjohjes së këtij fenomeni nga vendet e tjera si dhe nga organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, Irani synon t’a trajtojë këtë problem të mprehtë ambientalist dhe të tregojë se sa dëme tragjike sjell ky fenomen për popujt dhe shtetet. Qëllimi i dytë është që të diskutohet me bashkësinë ndërkombëtare për gjetjen e rrugëve për tu përballur me këtë problem rajonal dhe ndërkombëtar. Mbi këtë bazë, rezoluta e Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kërkon marrjen e masave urgjente për parandalimin dhe përballjen me pasojat e fenomenit të pluhurit. Në këtë drejtim është e domosdoshme të organizohet një konferencë ndërkombëtare në bashkëpunim me OKB dhe organizmat e tjerë përgjegjës për mbrojtjen e klimës dhe ambientit. Kjo konferencë është parashikuar të mbahet në mesin e Janarit 2017 në Teheran. Hapi i dytë do të jetë organizimi i një takimi të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për krijimin e një koordinimi ndërkombëtar për përballjen me rreziqet që paraqet fenomeni i grimcave të pluhurit.

Eksperiencat e ndryshme tregojnë se zgjidhja e problemeve ambientaliste ka nevojë për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar dhe padyshim, përshpejtimi i zbatimit të marrëveshjeve dhe rezolutave të miratuara do të ndikojë dukshëm në përballjen me fenomenet negative si  fenomeni i grimcave të pluhurit. Një lëvizje e tillë është e domosdoshme për shëndetin e njerëzimit dhe për ruajtjen e larmisë së klimës dhe mjedisit.

 

 

Tags