Azia Perëndimore dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballet
(last modified Fri, 02 Feb 2018 09:41:16 GMT )
Shkurt 02, 2018 10:41 Europe/Tirane

(A ka mbetur ndonjë rrugë për tu përballur me sfidat e sigurisë në rajonin e Azisë Perëndimore nga e kaluara deri më tani)

Historia bashkëkohore e rajonit të Azisë Perëndimore ka patur batica dhe zbatica të shumta. Nga shekulli 20 e deri më tani, ky rajon ishte "pre gjahu" i rivalitetit kolonialistë të superfuqive dhe konsiderohej oborr privat i tyre.

Për disa dekada me radhë, Amerika për të ruajtur hegjemoninë e vet mbi rajonin e Azisë Perëndimore, ka përdorur mekanizma dhe mjete të ndryshme si përdorimin e forcës ushtarake të drejtpërdrejtë, nënshkrimin e kontratave ekonomike dhe marrëdhëniet diplomatike, mirëpo më shumë se të gjitha këto mjete dhe mekanizma, strategjia më e rëndësishme e saj për ta ruajtur hegjemoninë e vetë mbi Azinë Perëndimore është strategjia e krijimit të krizave të vazhdueshme.

Kjo strategji vazhdimisht është ndjekur në kohën e presidentëve të ndryshëm të Amerikës dhe aktualisht po vërejmë se Donald Trump, presidenti i Amerikës, ashtu si paraardhësit e tij, po ndjek strategjinë e krijimit të krizave dhe ndezjen e qendrave të krizës në Lindjen e Mesme.

Qëllimi më i rëndësishëm i Amerikës nga krijimi i krizave të vazhdueshme në rajonin e Lindjes së Mesme, mund të konsiderohet i lidhur me dobësimin e vendeve islame dhe si pasojë edhe varësinë e këtyre vende për praninë e gjithanshme të Amerikës.

Gjeneral Hatami, ministri i mbrojtjes së Republikës Islamike të Iranit në konferencën e sigurisë në Teheran vuri në dukje këtë çështje kyçe të ndërhyrjeve ndërkombëtare me qëllim institucionalizimin e varësisë së vendeve të rajonit për praninë më të madhe të faktorëve të huaj dhe plaçkitjen e burimeve të tyre, ndërsa tha: “Grupet terroriste të cilat në fillim u krijuan për tu përballur me ish-Bashkimin Sovjetik dhe me planin strategjik të Amerikës, aktualisht janë shndërruar në gjeneratat e reja të tyre do të thotë Al Kaida, Fronti Nusra dhe ISIS”.

Në rrethanat aktuale, gjithashtu Donald Trump me aktivizimin e krizave në Irak, Siri dhe Arabinë Saudite nga njëra anë dhe me krijimin e rivalitetit mes vendeve të rajonit dhe Republikës Islamike të Iranit nga ana tjetër, synon t’i fusë vendet e rajonit në një rivalitet të ashpër dhe të rëndë.

Në këto rrethana po vërejmë se edhe vendet e rajonit janë bërë shumë të varura për rolin e Amerikës dhe Uashingtoni nëpërmjet kësaj rruge ka krijuar rrethanat për praninë e gjithanshme dhe për ruajtjen e hegjemonisë së vet në rajon.

Në këtë mënyrë roli i Amerikës në rajonin e Azisë Perëndimore gjithmonë është shoqëruar me krijimin e krizave dhe me përpjekjet për vazhdimin e jostabilitetit në këtë rajon.

Një qëllim tjetër i Amerikës nga ruajtja dhe zgjerimi i krizave në Azinë Perëndimore, mund të shpjegohet në kuadër të doktrinës “Tronditje”.

Në bazë të kësaj doktrine për të cilën flet Noami Klain, sistemi kapitalist me në krye Amerikën në periudha të ndryshme krijon kriza dhe luftëra të mëdha të cilat në të shumtën e rasteve do të rezultojnë me shkatërrime të mëdha. Menjëherë pas shuarjes së zjarrit të luftës, kompanitë tregtare dhe ekonomike amerikane janë ato të cilat me pretekste të rindërtimit dhe pjesëmarrjes në procesin e zhvillimit të vendeve të dëmtuara, do të dalin në skenë dhe në shkëmbim të projekteve që kryejnë për rindërtimin e këtyre vendeve, marrin përfitime të mëdha ekonomike.

Nga kjo pikëpamja, vazhdimi i qendrave të krizës dhe luftës në rajonin e Lindjes së Mesme konsiderohet si një damar jetik për kompanitë ekonomike të Amerikës të cilët me emra dhe pretekste të ndryshme hyjnë në Lindjen e Mesme dhe përfitojnë më së shumti nga buxheti i shitjes së naftës.

Husejn Amir Abdulahjan, asistenti special për çështje ndërkombëtare i Kryetarit të Parlamentit Islamik të Iranit, paraqiti një analizë në këtë drejtim në konferencën ndërkombëtare për politikë globale e cila u zhvillua vitin e kaluar në Montre të Zvicrës ku tha:

“...Rrethanat aktuale të Lindjes së Mesme tregojnë një periudhë të tranzicionit nga sistemi i vjetër politik dhe i sigurisë drejt një sistemi të ri. Shumë prej problemeve afatgjate të kaluara, kanë mbetur akoma pa kurrfarë ndryshimi që më i rëndësishmi prej tyre është ndërhyrja e vazhdueshme e fuqive ndërkombëtare në çështjet e Lindjes së Mesme. Këto ndërhyrje kryesisht janë në formë të ndërhyrjeve ushtarake dhe me mjete të forta të cilat janë bërë shkak për ndërlikimin më të madh të situatës në Azinë Perëndimore”.

Në këtë mes vazhdimi i pushtimit të Palestinës, është çështja më e nxehtë me të cilën po preokupohet rajoni dhe e tërë bota. Njohja zyrtare e Kodsit të shenjtë si kryeqytet të regjimit sionist nga Amerika, aktualisht ka bërë më të qarta dimensionet dhe përmasat e këtij komploti.

Në këto procese, shteti i Jemenit i cili edhe pse nga aspekti i burimeve natyrore është një vend i varfër, mirëpo për shkak të pozitës strategjike të tij skaj ngushticës Bab Mandab dhe detit të Kuq që i ka dhënë një vlerë jashtëzakonisht të madhe Jemenit, po vazhdon të përballet me agresionin ushtarak të Arabisë Saudite dhe të aleatëve të saj. 

Arabia Saudite që nga viti 2015 e deri më tani, ka vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm.

Procesi zhvillimor i këtyre ngjarjeve dhe i këtyre konflikteve tregon se rajoni i Azisë Perëndimore në periudhën aktuale të tranzicionit, ka nevojë për një sistem të pavarur dhe efikas të sigurisë dhe çelësi i efikasitetit të sistemit të ri të sigurisë, është forcimi i proceseve të integrimit rajonal.

Drejtori i institutit për hulumtime të së ardhmes së botës islame beson se “siguria në rajonin e Azisë Perëndimore krijohet me vullnetin dhe përpjekjet e shteteve të rajonit ndërsa ndërhyrja e fuqive ndërkombëtare vetëm shton krizat ekzistuese".

Sejed Hamze Safavi, drejtori ekzekutiv i institutit për hulumtime rreth të ardhmes së botës islame, në konferencën dyditore të dialogut në Bagdad e cila u zhvillua në janar të vitit të kaluar (2017) me temë "Bisedimet e Bagdadit, opsionet pas ISIS", duke folur rreth marrëveshjes Sykes–Picot të vitit 1916 dhe për të kaluarën e zezë 100 vjeçare të Perëndimit në fushën e sigurisë në rajonin e Azisë Perëndimore, deklaroi: "Në Perëndim, popujt e rajonit të Azisë Perëndimore nuk i shikojnë si njerëz të barabartë me veten e tyre, prandaj garantimi i sigurisë në rajonin e Azisë Perëndimore nuk është prej prioriteteve të Perëndimit".

Nga vështrimi i Iranit, siguria e fqinjëve, nuk është e ndarë nga siguria e Republikës Islamike të Iranit. Nga pikëpamja e Republikës Islamike të Iranit, siguria e Jemenit, Sirisë, Irakut dhe siguria e Arabisë Saudite dhe e gjithë rajonit është e rëndësishme, mirëpo Arabia Saudite nuk mund ta vendosë në rrezik sigurinë e të tjerëve në Siri, Irak ose në Jemen dhe ta garantojë sigurinë e vetë. Kjo është një kontradiktë.

Muhamed Xhavad Zarif, ministri i punëve të jashtme të Iranit, në konferencën e dytë të sigurisë në Teheran tha se ndërhyrjet dhe politikat e Amerikës në rajon janë prej sfidave më themelore të cilat janë bërë shkak për ndërlikimin më të madh të rrethanave. Ai tha: "Amerika me vazhdimin e pranisë ushtarake të paligjshme në territorin e Sirisë, po insiston ndjekjen e politikave të saj destruktive dhe tensionuese. Lëvizjet etnike dhe grupore në Siri dhe Irak me prirje separatiste, përbëjnë një rrezik për rajonin dhe për botën".

Eksperienca e viteve të fundit tregoi se kërcënimet e sigurisë kanë një larmi dhe llojllojshmëri të madhe që pa e njohur natyrën e një kërcënimi dhe pa parashikimin e situatave të reja, nuk mund të kemi një përballje efikase me atë.   

Pas luftës së naftës, nuk do të jetë larg mendjes që luftërat e ardhshme të botës do të shpërthejnë për burimet e ujit. Në 50 vitet e kaluara, janë raportuar 37 konflikte të dhunshme mes vendeve për shkak të burimeve të ujit ndërsa të gjitha ato, me përjashtim të shtatë prej tyre, i përkasin rajonit të Azisë Perëndimore.

Parashikohet se deri në vitin 2045, kërkesat për konsumimin e ujitë të ëmbël në Lindjen e Mesme do të rriten me 60%, mirëpo sipas studimeve të bëra, burimet e ujit të ëmbël në Lindjen e Mesme deri në vitin 2050, do të reduktohen deri më 10 % në krahasim me rezervat aktuale. Çdo njëra prej këtyre sfidave mund të ushtrojë ndikim për shumë vite me rajonin e Azisë Perëndimore.

Elita politike beson se diskursi vendor dhe i përbashkët për forcimin e kushteve të partneritetit në vendimmarrje dhe arritja e konsensusit për ruajtjen e sigurisë, janë nevojat më të rëndësishme parësore për arritjen e modeleve të përbashkëta për tu përballur me sfidat e sigurisë.

Administrimi i krizave padyshim ka nevojë për bashkëpunim të vendeve të rajonit, ndërsa ndërhyrja e vendeve nga jashtë rajoni, bëhet shkak për shtimin e krizës dhe vazhdimin e saj.

Siguria në rajonin e Azisë Perëndimore, gjithashtu, mund të garantohet vetëm me vullnetin dhe përpjekjen e shteteve të rajonit kursa ndërhyrja e faktorëve të huaj dhe varësia në fuqitë jashtë rajonale, vetëm shton krizën edhe më shumë. Konferenca e sigurisë në Teheran gjithashtu u zhvillua me një vështrim në të ardhmen e këtyre krizave dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve rajonale për garantimin e sigurisë kolektive në këtë rajon.