Shtator 07, 2023 16:14 Europe/Tirane
  • “Aprovim nga KFOR’i për çfarëdo force speciale në Veri”, Osmani Stoltenbergut: Marrëveshja e 2013 fokusohet veç te FSK

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën e mbajtur për media pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur nga gazetarët për të sqaruar deklaratën e tij rreth marrëveshjes së 2013-ës mes Kosovës dhe NATO-s rreth vendosjes së ushtrisë së Kosovës në pjesën veriore. Kjo pasi që Sekretari i NATO-s në deklaratën e tij për këtë marrëveshje ka përfshirë edhe forcat e Policisë së Kosovës.

Stoltenberg ka thënë se s’është një kërkesë e re, por një kusht mbi të cilin NATO është mbështetur për një kohë të gjatë, e që çfarëdo vendosje e forcave speciale kërkon miratimin e  KFOR-it dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.

Sekretari i NATO-s ka thënë se ky koordinim është i nevojshëm për çfarëdo vendosje të forcave speciale në veri që ndikon në pozicionin e KFOR-it dhe në sigurinë e Kosovës.

“Nuk është kërkesë e re. Është kusht që NATO-s është mbështetur për një kohë të gjatë. Që çfarëdo vendosje e forcave speciale kërkon miratim nga KFOR-i dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim, në mes të autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it për çfarëdo vendosje në veri që afekton qëndrimin tonë dhe sigurinë në Kosovë”, ka thënë Stotlenberg.

Lidhur me këtë marrëveshje ka folur edhe presidentja e Republikës së Kosovës duke theksuar se letër-këmbimi i vitit 2013 fokusohet vetëm tek Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ajo tutje ka thënë se si presidente, ka punuar në vazhdimësi që të ketë një koordinim të plotë në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it meqë vetëm duke punuar bashkë me aleatët mund të ketë rezultate të mira.

“Kur vjen puna e koordinimit me NATO-n, si presidente kam punuar në vazhdimësi që ka koordinim të plotë mes institucioneve të Kosovës dhe prezencës së KFOR_it në Kosovës. Sepse besojmë që të punuarit së bashku me aleatët sjell rezultate më të mira. Të gjithë kemi synimin e njëjtë. Megjithatë se marrëveshja e vitit 2013 fokusohet vetëm tek Forca e Sigurisë. Policia e Kosovës ka ushtruar mandatin e saj përgjatë gjithë territorit e Kosovës dhe është forca më profesionale në gjithë rajonin. Si parim i koordinimit, si presidente insistoj që koordinimi me aleatët, jo vetëm për veri, sepse Kosova ka jugun, lindjen dhe perëndimin, ne duhet të punojmë dhe të koordinohemi me aleatët për çdo inç të territorit tonë për të gjithë rajonin, për shkak të orientimit tonë për integrim euro-atlantik.

Kurdo që punojmë bashkë me partnerët, rezultat janë më frytdhënëse. Do të vazhdojmë të punojmë bashkë për të adresuar sfidat e sigurisë.

Marrëveshja e 2013-ës ,shkëmbimi i letrave, ishte një marrëveshje shumë e ngushtë, dhe për të gjitha institucionet tona të sigurisë ne synojmë të sigurohemi që ato në të ardhmen e afërt janë pjesë e institucioneve euroatlantike”, ka thënë Osmani.

Sekretari Gjeneral në fjalën e tij hyrëse ka thënë se KFOR pret konsultime për çfarëdo veprimi nga Forca e Sigurisë së Kosovës apo Policia e Kosovës që mund të ketë ndikim në siguri.

“Në linjë me marrëveshjen e 2013, çfarëdo vendosje e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon miratimin e KFOR-it dhe presim konsultime për çfarëdo veprimi  nga Forca e Sigurisë  së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë”, ka thënë Stoltenberg. /GazetaExpress/

Tags