Tetor 06, 2023 08:57 Europe/Tirane
  • Bosnja përfshin Interpol-in në hetimin për prejardhjen e armëve të sulmit në Banjskë

Administrata Federale e Policisë në Bosnje-Hercegovinë është duke e verifikuar informacionin se armët e përdorura më 24 shtator në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, janë siguruar nga Tuzlla, qytet në veriperëndim të Bosnjës, ka thënë Vahidin Munjiç, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë.

Munjiç ka thënë se dyshimet për transferim të armëve nga Tuzlla janë duke u hetuar përmes Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe që Zyra e Prokurorit të Bosnje – Hercegovinës është informuar për gjithçka. “Ne e kemi marrë informacionin dy ditë më parë, përmes mediave. Ne i kemi kërkuar INTERPOL-it që të na ofrojë informacione nga të gjitha agjencitë tjera, si nga Zyra e Prokurorit të Serbisë. Ne ende jemi në pritje se nuk mund të flasim më shumë”, ka thënë Munjiç. Më 24 shtator, një grup i armatosur serb e ka vendosur një barrikadë në hyrje të fshatit Banjskë, në veri të Kosovës, dhe më pas e ka sulmuar Policinë e Kosovës. Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Më 3 tetor, Radoiçiç është marrë në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike e Beogradit. Prokuroria ka thënë se ai i ka “siguruar armët dhe pajisjet shpërthyese” nga Tuzlla, prej janarit të këtij viti deri më 24 shtator. Xhevad Korman, drejtor i Administratës Policore në Kantonin e Tuzllës, ka thënë se Tuzlla është “në aspektin gjeopolitik më e përshtatshmja për një informacion të tillë”. “Nuk kam ndonjë koment, mirëpo ndoshta është e gjitha pjesë e politikës së dikujt. Ne e dimë shumë mirë, nëse i analizojmë deklaratat e ditëve të fundit, që është vërtetuar se këto armë janë siguruar nga ushtria serbe. Nuk e përjashtoj që kanë ardhur prej kësaj zone, mirëpo dyshoj, sepse janë një numër agjencish që do të mund, apo do të duhej të dinin për këtë gjë”, ka thënë Korman.

Tags