Shkurt 26, 2024 19:51 Europe/Tirane
  • KFOR-i përgënjeshtron lajmet se ua ka ndaluar disa zyrtarëve kosovarë të udhëtojnë në veri të Kosovës

KFOR-i ka përgënjeshtruar disa spekulime që po qarkullojnë në rrjetet sociale se gjoja ua ka ndaluar disa zyrtarëve kosovarë të udhëtojnë në veri të Kosovës.

Përmes një njoftimi për media KFOR-i njofton se këtë pretendime nuk qëndrojnë dhe se misioni i NATO-s nuk ndërhyn kurrë në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dëshiron të sqarojë se spekulimet që qarkullojnë në rrjetet sociale që pretendojnë se KFOR-i po ndalon disa zyrtarë kosovarë të udhëtojnë në veri të Kosovës janë të pabaza. KFOR-i nuk ndërhyn kurrë në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

KFOR-i tha se do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me institucionet në Kosovë në baza ditore”, vijon më tutje njoftimi.

 

Tags