Nëntor 09, 2022 16:16 Europe/Tirane
  • Shamkhani: Irani është i gatshëm të ndërmjetësoj për përfundimin e luftës së Rusisë dhe Ukrainës

Sekretari i Këshillit të Lartë për Siguri Kombëtare të Iranit në takim me homologun e tij rus, theksoi: "Irani mbështet çfarëdo lloj iniciative për vendosjen e armëpushimit dhe paqes mes Rusisë dhe Ukrainës nëpërmjet dialogut dhe është i gatshëm të luaj rol ndërmjetësues për t'i dhënë fund këtij konflikti".

Nikolaj Patroshev, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, i cili po qëndron për vizitë në Teheran, sot (e mërkurë) është takuar me Ali Shmakhani, sekretarin e Këshillit të Lartë për Siguri Kombëtare të Republikës Islamike të Iranit.

Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se në këtë takim, Ali Shamkhani duke folur për rrethanat rajonale dhe globale, deklaroi se rruga për të dalë nga krizat dhe për tejkaluar sfidat përpara vendeve është dialogu dhe bashkëpunimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Sekretari i Këshillit të Lartë për Siguri Kombëtare të Iranit duke shpjeguar dimensionet e luftës së kombinuar të fuqive hegjemoniste kundër popullit të Iranit dhe ndikimin e sanksioneve të padrejta të Amerikës ndaj popullit iranian, deklaroi: "Zgjerimi i bashkëpunimeve bilaterale dhe rajonale, sidomos me vendet fqinjë në fushat ekonomike është prej prioriteteve strategjike të Iranit. Forcimi i procesit të bashkëpunimeve mes Iranit dhe Rusisë në fushat e energjisë, transportit, bujqësisë, tregtisë, çështjeve bankare dhe në sektorin e ambientalizmit, gjithashtu ka një rëndësi shumë të madhe".

Ali Shamkhani gjithashtu e vlerësoi të rëndësishëm forcimin e bashkëpunimeve multilaterale në organizatat rajonale sidomos në Organizatën për Bashkëpunim të Shanghait dhe e quajti të domosdoshëm shfrytëzimin e mençur të potencialeve që mund të shkëmbehen mes vendeve anëtare.  

Shamkhani duke thënë se rreziku i terrorizmit dhe ekstremizmit vazhdon ta kërcënojë sigurinë e rajonit dhe botës, theksoi nevojën për të vazhduar dhe për të zgjeruar bashkëpunimet rajonale dhe ndërkombëtare për neutralizimin e plotë të rreziqeve që vijnë nga ky fenomen i keq.

Nikolaj Patroshev, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, në këtë takim duke theksuar ndjekjen e planit të përbashkët mes të dy vendeve për krijimin e grupit "Miqtë për mbrojtjen e Kartës së OKB" me pjesëmarrjen e atyre vendeve të cilat po përballen me sanksione të paligjshme të Perëndimit, deklaroi: "Shtetet perëndimore sidomos Amerika duke shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe duke përdorur luftën e kombinuar, dëshirojnë të imponojnë vullnetin e tyre politik mbi vendet e tjera të pavarura".

Nikolaj Patroshev, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, në lidhje me krizën në Ukrainë, deklaroi: "Perandoria mediale e Perëndimit që nga fillimi i kësaj krize ka paraqitur mbrapsht të vërtetat në terren dhe gjithnjë ka bërë përpjekje të gjera për devijimin dhe shtrembërimin e opinionit publik botëror ndaj mënyrë se si ka filluar kriza e Ukrainës duke publikuar gënjeshtra rreth realiteteve në terren në këtë vend".

Tags