Qershor 19, 2023 16:25 Europe/Tirane
  • Helikopterët izraelitë sulmojnë kampin Xhenin

Helikopterët e forcave ushtarake izraelite bombarduan zona të ndryshme të kampit të refugjatëve palestinezë në Xhenin në Bregun Perëndimor të lumit Jordan.

Agjencia e lajmeve Iran Press njoftoi se helikopterët izraelitë kanë kryer operacione ushtarake në kampin Xhenin për herë të parë që nga Intifada e dytë palestineze. Rezistenca në Bregun Perëndimor kundër regjimit izraelit është forcuar dhe zgjeruar.

Hazem Kassem, zëdhënësi i Lëvizjes së Rezistencës Islamike të Palestinës (Hamas), në reagim ndaj operacioneve ushtarake të regjimit pushtues sionist në kampin e refugjatëve në Xhenin, deklaroi se rezistenca palestineze në Bregun Perëndimor është bërë më e fortë.

Zëdhënësi i lëvizjes Hamas theksoi se rezistenca në Xhenin është dëshmuar të jetë e pathyeshme dhe rezistenca palestineze në Bregun Perëndimor është vendimtare.

Lëvizja Xhihadi Islamik Palestinez gjithashtu njoftoi në një deklaratë se luftëtarët e rezistencës palestineze me guxim i janë kundërpërgjigjur ushtarëve të armikut sionist dhe penguan sulmin e tyre në kampin Xhenin.

Ushtarët izraelitë sulmuan kampin Xhenin të dielën mbrëma dhe u përleshën me rezistencën palestineze në këtë zonë. Sipas lajmeve të fundit, në sulmin ushtarak izraelit në kampin e Xheninit, janë vrarë tre palestinezë, mes tyre një fëmijë, dhe rreth 30 persona u plagosën.

Tags