Prill 29, 2024 11:17 Europe/Tirane
  • Kolonët izraelitë hyjnë në Xhaminë Al-Aksa për të kremtuar festën hebraike

Mijëra kolonë izraelitë kanë sulmuar kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në pjesën e vjetër të qytetit të pushtuar al-Kuds për të kremtuar një festë hebreje, në një tjetër lëvizje provokuese kundër adhuruesve palestinezë.

“Më shumë se 500 kolonë hynë në Al-Aksa nga Porta e Magrebinëve (Bab al-Magharibah) duke realizuar raunde provokuese dhe kryen rituale talmudike në oborret e saj”, tha të dielën në një deklaratë Departamenti Islamik i Vakëfeve në Kuds.

Departamenti shtoi se kolonët hynë në vendin e shenjtë të myslimanëve duke u mbrojtur nga policia e regjimit sionist, e cila forcoi masat ushtarake në portat e Qytetit të Vjetër dhe Xhamisë Al-Aksa gjatë një feste njëjavore hebraike, të njohur si Pashkët Çifute.

Tensionet kanë qenë të larta ditët e fundit në pjesë të ndryshme të Qytetit të Vjetër të pushtuar që nga dita e parë e Pashkës Çifute, e cila filloi të hënën, pasi qindra kolonë të paligjshëm u futën me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa nën masa të rrepta policore.

Të enjten, gati 1700 kolonë të paligjshëm izraelitë hynë në grup në kompleksin e xhamisë për të kremtuar Pashkën Çifute, tha Departamenti Islamik i Vakëfeve në Kuds.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët.

Grupet izraelite të ekstremit të djathtë kanë bërë thirrje më parë për inkursione të gjera në xhami me rastin e Pashkës Çifute.

Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar midis Izraelit dhe qeverisë jordaneze në vazhdën e pushtimit të Kudsit nga regjimi sionist në vitin 1967, adhurimi jomusliman në kompleksin e shenjtë është i ndaluar. Por ndalimi është thjesht një frazë dhe, në praktikë, rrethanat kanë qenë kundër myslimanëve.

Ndërsa ndërhyrjet e kolonëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa ndodhin në Kuds, regjimi sionist e mban aktive makinën e tij të përgjakshme të luftës në Rripin e Gazës.

Të paktën 34,454 palestinezë janë vrarë dhe 77,575 të tjerë janë plagosur në më shumë se gjashtë muaj agresion të imponuar nga regjimi izraelit ndaj popullit të Gazës.

 

Tags