Besnikët e Husejnit (a.s) (1)
(last modified Sun, 07 Jul 2024 19:11:38 GMT )
Korrik 07, 2024 21:11 Europe/Tirane
  • Besnikët e Husejnit (a.s) (1)

Programi serik “Besnikët e Husejnit (a.s)” është përgatitur në formën e një podkasti radiofonik në 12 episode, dhe i kushtohet prezantimit të disa prej shokëve besnikë të Imam Husejnit (a.s).

Me emrin e Zotit!

Biografia e Hurr ibn Jezid Rrijahi

Nuk isha në dijeni...

A nuk mjafton?

O Husejn!  Unë nuk dua të luftoj dhe nuk kam leje të zhvilloj luftë me ty, por...

Jam pesëdhjetë vjeç, por nuk e kujtoj veten, as Zotin...

A nuk mjafton?

A nuk mjafton?

Sa justifikime duhet të të sjell që të më shuhet ky zjarr që më ka pushtuar shpirtin?

A nuk janë bindëse të gjitha këto arsye?

Unë nuk dija gjë Husejn...Rreth letrave dhe atyre që të kanë shkruar... rreth ftesës dhe shkelësve të besës.

(Muzikë e përshtatshme në prapaskenë)

Është sikur ma kanë vendosur të gjithë ferrin mbi supe dhe gurët e shkrirë nga zjarri po më shtrëngojnë në fyt. Si duket ferri ka marrë jetë të re në shpirtin tim dhe po më djeg në këtë mosdije.

A nuk mjaftojnë të gjitha këto?!

Jam i humbur... e i trazuar... i etur! Edhe sa duhet të bredh andej e këndej në këtë shkretëtirë të pafund? Deri kur kështu?

Një zë nga brendësia ime më ka shurdhuar veshët. Mallkuar qofsh o Hurr! Ti ishe ai që e tërhoqe Husejnin dhe e fute në këtë shkretëtirë të etjes dhe shpatave. Mallkuar qofsh! Mallkuar qofsh!

Hurr ibn Jezid Rrijahi  ishte një nga komandantët ushtarakë të Kufes. Kur Ubejdullah bin Zijad mësoi për nisjen e Imam Husejnit(a.s.) drejt Kufes, e emëroi atë në komandën e një ushtrie me rreth një mijë forca dhe e dërgoi për t'u përballur me Imam Husejnin(a.s). Ata u ndeshën me Imam Husejnin në mesditë. Për shkak se ishin të etur, Imam Husejni urdhëroi shokët e tij që t'u jepnin ujë ushtarëve dhe kuajve të ushtrisë së Hurrit.  Imam Husejni u tha:  "Populli i Kufes na ka ftuar neve me anë të një letre".

Hurri:

Unë nuk isha në dijeni për dërgimin e letrave dhe letërshkruesve. Emri i Husejnit (a.s) nuk është i panjohur për mua. Ai është djali i Aliut dhe unë gjithmonë e kam respektuar familjen e Aliut. Apo nuk është ashtu?

Kur Husejni u trazua dhe tha: "A po më frikëson mua me vdekje? Çfarë mund të bësh ti më shumë se sa të vrasësh?"

Unë e shuajta çdo zemërim dhe inat që kisha në vete dhe i thash: "Ti je i biri i Fatimesë (s.a.) dhe unë do të hesht.

A nuk mjafton kjo?

Që të më falësh...

Se mos ndoshta do të qetësohem...

Se mos ndoshta largohet nga unë ky ferr i shkrirë...

Hurri i tha Imam Husejnit: "Unë nuk jam prej atyre që të kanë shkruar letra, por kam një mision t'ju çoj juve në Kufa, pranë Ibn Zijadit.

Imam Husejni (a.s) i tha:  "Nëse populli i Kufës është penduar për kërkesën e vet, unë kthehem në Medine.

Hurri:

Nuk më erdhi ide më e mirë se kjo në mendje dhe i thashë: As në Kufa dhe as në Medine derisa të pyes Ibn Zijadin se çfarë duhet të bëj".

Unë isha i urdhëruar me mision. Nuk kisha gjë në dorë. I thashë: "O Husejn! Lufta nuk është gjë e re për mua, por nuk kam ardhur të luftoj me ju.

A nuk mjafton edhe kjo?"

Në një letër drejtuar Hurrit, Ibn Zijadi ka shkruar: "Tregohu i ashpër me Husejnin dhe ndaloje atë në një tokë pa ujë dhe pa bar. I dërguari im nuk do të ndahet nga ju derisa ta bëni këtë veprim".

Hurri:

Unë e tërhoqa Husejnin drejt Qerbela. Drejt etjes...

Le ta dijë e gjithë bota. Le të më urrejë e gjithë bota, njerëzit e çdo epoke. Dënimi për të gjitha etjet e shkaktuara le të rëndojnë mbi supet e mia. Të rëndojë mbi mua barra e dënimit për çdo plagë dhe dhimbje të shkaktuar.

Dhe unë le të eci në të gjithë tokën pa ujë e bar në ferr, por nuk do të pakësohet aspak urrejtja e njerëzve të kësaj bote ndaj meje. Për arsye se unë isha ai që e tërhoqa Imam Husejnin (a.s.) drejt etjes, një njeri që më kishte shuar etjen mua.  Edhe mua edhe kalit tim. Vura në teh të shpatës një njeri i cili nuk ishte iniciator i luftës. As vetë dhe as babai i tij. O Zot! As qëndrimi im në këtë ferr nuk ka fund dhe as ky ferr në mua nuk do të përfundojë! Përveç me thirrjen e Husejnit! Përveç me thirrjen e Husejnit!

O Hurr! Po të lajmëroj ty se do të jesh në rrugën që në fund të dërgon në parajsë!

Hurri:

Unë jam më i urryeri prej krijesave të Zotit dhe gjithçka që shikoj, është shkretëtirë dhe etje. Vetë e kam përgatitur këtë. Thirrja e Husejnit më ka çmendur. Kjo fushë ka aromë parajse? O Zot! A jam i urryer? Mos më lër në këtë gjendje që jam...

Sot është Ashura.  Muhaxher bin Avs i tha Hurrit: "Betohem në Zot, nuk të kam parë ty kështu në asnjë luftë. Nëse do të më pyesnin se kush është personi më trim në Kufa, do të përmendja emrin tënd. Çfarë është kjo gjendje që po shoh tek ti?"

Hurri u përgjigj: "Po e shoh veten duke u endur mes parajsës dhe ferrit".

Hurri:

Thirrja e Husejnit në ferrin e ndezur të shpirtit tim... "Të përgëzoj o Hurr..." Çfarëdo justifkimi që të sjell, përsëri nuk mjafton.  Çfarëdo justifkimi që të sjellë, përsëri nuk gjej qetësi. Husejn! Unë nuk do të qëndroj në këtë ferr. Kam turp të të shikoj në sy, por ky zjarr që më ka pushtuar shpirtin duhet të ulet pak.

Në mes të fushëbetejës, Hurri e mori vendimin e guximshëm, i hipi kalit dhe u nis drejt kampit të Imam Husejnit (a.s).

Hurri (me zë të lartë):

"Po vij drejt teje o Husejn! Me gjithë forcën time...Nuk do ta kthej më kokën pas që të mos largohem prej rrugës tënde. Do të vij dhe do të të pyes: “Ajo parajsa për të cilën më përgëzove, në cilin vend të këtij ferrit tim të pafundmë ndodhet?”

Hurri arriti tek ushtria e Imam Husejnit (a.s.) dhe ai e priti atë me krahë hapur dhe i tha: “Hurr! Ti je njeri i lirë!"

Hurri i turpëruar përgjigjet: "O Husejn! Betohem te Zoti, se po ta dija që puna do të vinte deri këtu, nuk do ta bëja kurrë diçka të tillë. Më jep leje të luftoj që ndoshta do të qetësohem për një çast!"

Në fushëbetejën e luftës, Hurri u bërtet ushtarëve të armikut: "O popull i Kufas, mallkuar qofshi që e ftuat këtë burrë të vinte tek ju dhe tani jeni rreshtuar që ta vrisni të etur!. Mos ua shuajt Zoti etjen në Ditën e  Gjykimit"!

Umari ibn Sa’adi i mallkuar, dha urdhër ta godisnin Hurrin me shigjeta. Hurri luftoi me të gjithë qenien e vet, hipur mbi kalë dhe pastaj në këmbë me sa fuqi që kishte që ta shuante zjarrin e turpit dhe ndërgjegjes së vet dhe ra dëshmor pas një luftimi madhështor.

Hurri:

Thirrja e Husejnit më çliroi. Le ta dijë e gjithë bota që Husejni më priti krahëhapur! Le ta dijë e gjithë bota që Husejni më quajti njeri të lirë! Le ta dijë e gjithë bota dhe të mos më urrejë sepse tek unë nuk ka më asnjë flakë nga zjarri i ferrit! Them me vete, po atë që thotë Allahu në Kur’anin e shenjtë: “Dhe më bëj mua të kujtohem për mirë nga gjeneratat e ardhshme!”  Më pas çlirimi më mbush shpirtin dhe qetësohem. Po ai çlirim për të cilën Husejni më përgëzoi".

 

Tags