Korrik 17, 2023 08:59 Europe/Tirane
  • Tunizia dhe Bashkimi Evropian bien dakord për të ndaluar imigracionin e paligjshëm

Tunizia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan një marrëveshje për të ndaluar emigracionin e paligjshëm, njoftuan të dielën burimet e lajmeve.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, presidenti tunizian Kais Said dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, krerët e qeverisë holandeze dhe italiane nënshkruan një marrëveshje mirëkuptimi që ndihmon në luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore. Komisioni i Bashkimit Evropian dëshiron të vërë në dispozicion 100 milionë euro për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe kthimit të emigrantëve. Kjo është trefishi i shumës që Brukseli i ka dhënë mesatarisht çdo vit Afrikës së Veriut. Bashkimi Evropian planifikon të dërgojë pajisje të tilla si varka, radar, kamera dhe automjete në Tunizi për të forcuar kufijtë tokësorë dhe detarë të Tunizisë. Rritja e bashkëpunimit policor për të luftuar rrjetet e trafikimit është një tjetër pjesë e këtij programi. Kjo marrëveshje do të bëhet edhe me qëllim kthimin më të lehtë të shtetasve tunizianë në vendin e tyre. Bashkimi Evropian do të ofrojë ndihmë financiare për emigrantët afrikanë që kthehen "vullnetarisht" në vendet e tyre të origjinës. Tunizia është një vend i rëndësishëm tranzit për emigrantët në rrugën e tyre drejt Evropës. Emigrantët lëvizin nga brigjet e Afrikës së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Vetëm Italia këtë vit ka regjistruar më shumë se 75,000 emigrantë të ardhur me varka në brigjet e saj - nga rreth 32,000 të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Qendra e pritjes në ishullin e vogël Lampedusa në Detin Mesdhe tashmë është e mbipopulluar. Më herët, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se 289 fëmijë vdiqën në gjysmën e parë të vitit 2023 teksa përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe për në Evropë. Vitet e fundit Tunizia dhe Libia po përballen me problemin e emigrimit të paligjshëm të shtetasve të tyre dhe vendeve të tjera afrikane, të cilët përdorin territorin e këtyre dy vendeve për të udhëtuar drejt Evropës. Sipas statistikave të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në vitin 2022, rreth 1500 emigrantë janë mbytur dhe zhdukur në Detin Mesdhe dhe afro 50,000 të tjerë kanë arritur në brigjet e Italisë. Raporti i Ministrisë së Brendshme të Italisë bën me dije se që nga janari 2023 janë larguar më shumë se 36 mijë e 600 persona drejt këtij vendi, ndërkohë që kjo shifër ka qenë vetëm 9 mijë në vitin 2022.

Tags