Dhjetor 09, 2023 20:07 Europe/Tirane
  • Shtëpia e Bardhë i kërkon Kongresit të miratojë shitjen e predhave për tanket izraelite

Administrata e Presidentit Biden i ka kërkuar Kongresit të miratojë shitjen e 45 mijë predhave për tanket izraelite që po përdoren në ofensivën kundër Gazës, sipas një zyrtari amerikan.

Kërkesa e Uashingtonit ka shtuar shqetësimet në rritje mbi furnizimin me armatime amerikane të luftës që ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve në rajonin e rrethuar palestinez.

Shitja e këtyre predhave kap shifrën e 500 milionë dollarëve, ndërsa procesi po shqyrtohet nga komisionet përkatëse për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Një zyrtar amerikan, i cili nuk pranoi të identifikohej, dhe ish zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Josh Paul, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Departamenti Amerikan i Shtetit po i nxit komisionet e Kongresit që ta miratojnë shitjen, pavarësisht kundërshtimeve nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut mbi përdorimin e armëve amerikane në krimet kundër popullit palestinez.

Sipas zyrtarit amerikan, administrata e Presidentit Biden gjithashtu po shqyrton mundësinë e përdorimit të aktit emergjent për kontrollin e eksportit të armëve për të bërë të mundur që për një pjesë të municioneve, 13 mijë nga 45 mijë predha, të anashkalohen komisionet dhe procesi i rishikimit, edhe pse sipas tij nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.

 

Tags