May 02, 2024 11:08 Europe/Tirane
  • Britania nisi operacionin e arrestimit dhe dëbimit të emigrantëve të paligjshëm drejt Ruandës

Qeveria britanike bëri të ditur se Departamenti i Emigracionit të këtij vendi ka nisur operacionin e arrestimit dhe deportimit të emigrantëve të paligjshëm që jetojnë në këtë vend drejt Ruandës.

Sipas rrjetit të lajmeve NHK, pasi projektligji “Siguria e Ruandës” u miratua nga ligjvënësit britanikë muajin e kaluar, autoritetet e Departamentit të Emigracionit të këtij vendi që nga dita e djeshme (e mërkurë) kanë filluar arrestimin dhe ndalimin e emigrantëve të paligjshëm që jetojnë në Angli për t'u përgatitur për deportimin e tyre në shtetin afrikan të Ruandës.

Qeveria britanike ka folur vazhdimisht për koston e rëndë të masave për trajtimin e emigrantëve që hyjnë ilegalisht në vend për të kërkuar azil dhe ka deklaruar se kjo kosto është kthyer në një barrë të padurueshme financiare.

Ditën e djeshme, në mediat shtetërore britanike u publikuan pamjet e oficerëve të emigracionit që bastisnin shtëpitë e personave që u vunë në pranga dhe u futën në furgonat e Zyrës së Emigracionit, persona që besohet se do të deportohen në Ruandë.

Sipas rrjetit të lajmeve NHK, grupet mbështetëse të azilkërkuesve e kanë dënuar planin e dëbimit dhe e konsiderojnë atë një shkelje të të drejtave të njeriut.

Duket se parandalimi i hyrjes së emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe është kthyer në një nga politikat kryesore të qeverisë së kryeministrit Rishi Sunak.

Sipas rrjetit të lajmeve NHK, ka mundësi që qeveria britanike të nisë fluturimet e para për të deportuar emigrantët e paligjshëm në Ruandë deri në korrik.

Zyra Britanike e Emigracionit ka njoftuar gjithashtu se planifikon të kryejë më shumë bastisje për të arrestuar dhe ndaluar emigrantët e paligjshëm në javët e ardhshme dhe për t'i dërguar këta emigrantë në Ruandë në 9 deri në 11 javët e ardhshme.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, qeveria Sunak ka njoftuar se sipas ligjit të Ruandës, azilkërkuesit që kanë hyrë ilegalisht në Angli nga një vend i sigurt si Franca që nga 1 janari 2022, mund të transferohen në Ruandë në mënyrë që çështja e tyre të mund të shqyrtohet nga Ministria e Brendshme Britanike.

Sipas këtij ligji, ata që hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe do të dëbohen brenda 28 ditëve.

Ata nuk kanë të drejtë të protestojnë dhe në të ardhmen do t'u ndalohet kthimi në këtë vend. Këta persona do të presin jashtë Britanisë së Madhe që çështja e tyre të procedohet larg presionit të mediave britanike.

Nëse çështja e tyre pranohet, ata do të transferohen në Angli. Në të kundërt, ata mund të aplikojnë për azil për të qëndruar në Ruandë apo në ndonjë vend tjetër përveç Anglisë.

Qeveria britanike beson se ky plan do t'i pengojë azilkërkuesit të hyjnë ilegalisht në vend.

 

Tags