May 18, 2024 20:18 CET

Farabiu kishte lënë pas rreth 70 vepra të shkruara. Sipas mendimit të historianëve, ai i ka shkruar gati të gjitha veprat e tij pas moshës 50 vjeçare dhe gjatë kohës së qëndrimit në Bagdad dhe Alepo. Veprat e Farabiut mund të klasifikohen në dy kategori, në logjikë dhe në shkenca të tjera.

Mësuesi i Dytë (4), një vështrim mbi kohën, jetën dhe trashëgimin e Farabiut në botën Islame

Në këtë program serial do të hedhim një vështrim mbi jetën, veprat dhe ndikimet e njërit prej filozofëve më të mëdhenj islam dhe iranian mbi kulturën dhe filozofinë në botën islame.

Përshëndetje miq të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit serial "Mësuesi i Dytë". Në edicionin e kaluar u njohëm me prejardhjen familjare të Farabiut. Në këtë edicion do të flasim dhe shqyrtojmë veprat e Farabiut, njërit prej filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhenj të Lindjes dhe të botës islame. Na ndiqni në vazhdim!

Abu Nasr Farabi është një prej filozofëve dhe mendimtarëve të zellshëm të civilizimit iranian dhe islam. Përveç një numri të konsiderueshëm të veprave në shkenca të ndryshme që në autentitetin e tyre nuk ka dyshim se i përkasin Farabiut, një numër i madh i veprave dhe shkrimeve të tjera i janë atribuuar Farabiut të cilat mund edhe të mos jenë vepra origjinale të tij. Besueshmëria dhe fama e pashembullt e Farabiut në botën islame është bërë shkak që pas vdekjes së tij, shumë vepra dhe shkrime në filozofi, logjikë ose disa në shkenca të tjera t'i atribuohen atij në të cilat mund të referohemi nëpër katalogët e manuskripteve dhe dorëshkrimeve që ruhen në qendra dhe biblioteka anë e mbanë botës. Në këtë mes, disa vepra të shkruara në disa lëmi shkencore i janë atribuuar Farabiut në kohën kur dihet qartë se ai shumë më pak i ka kushtuar vëmendje atyre shkencave ose nuk i ka kushtuar aspak vëmendje. Gjithashtu, Farabiut i janë atribuuar edhe disa poezi në gjuhën arabe dhe persiane të cilat edhe pse nuk janë të publikuara në dorëshkrim, por i janë atribuuar shijes dhe talentit të Farabiut në këtë fushë dhe si rezultat disa e kanë konsideruar atë madje edhe në mesin e poetëve të njohur.

Sidoqoftë, fama e Farabiut nëpër periudhe të ndryshme kohore është bërë shkak që disa shkrimtarë, dijetarë dhe poetë me qëllim të ruajtjes dhe regjistrimit të veprave, ideve dhe poezive të tyre gjatë historisë, e kanë përdoruar edhe famën e Farabiut. Madje edhe është e mundur që të kenë ekzistuar edhe aso persona të cilët për të njollosur kategorinë e filozofëve, e kanë përdorur armën e lidhjes së ideve në kundërshtim me fenë ose ideve në kundërshtim me normat e pranuara shoqërore me këtë filozof të madh. Megjithëse një numër i veprave të rëndësishme të Farabiut i kanë mbijetuar kohës dhe një numër i veprave autentike të tij janë zhdukur gjatë historisë, ekziston mundësia që përkrah disa ngjarjeve dhe zhvillimeve të dëmshme historike në botën islame të cilat janë bërë me qëllim të eliminimit fizik dhe shkencor të shkencëtarëve dhe dihet se numri i këtyre ngjarjeve nuk ka qenë i vogël, edhe shkrimi i përmbledhjeve të veprave të Farabiut mund të jetë bërë shkak për dallimin dhe shpërndarjen e veprave të tij si dhe bredhjen e atyre nga një dorë në dorën tjetër dhe si rezultat edhe zhdukjen e tyre.

Edhe pse fusha e tematikave në lidhje me të cilat Farabiu ka shkruar vepra ose risale, është shumë e gjerë, mirëpo risalet dhe veprat e tij nuk përmbajnë një sasi të madhe dhe për fat të keq sot shumica i tyre janë zhdukur. Në realitet, deri para shekullit 19, nuk është bërë ndonjë përpjekje për të mbledhur veprat dhe shkrimet e Farabiut dhe shumica e tyre të cilat janë përkthyer në gjuhën latine dhe hebraike, aktualisht ruhet në bibliotekat e dorëshkrimeve dhe manuskripteve të Evropës.

Farabiu kishte lënë pas rreth 70 vepra të shkruara. Sipas mendimit të historianëve, ai i ka shkruar gati të gjitha veprat e tij pas moshës 50 vjeçare dhe gjatë kohës së qëndrimit në Bagdad dhe Alepo. Veprat e Farabiut mund të klasifikohen në dy kategori, në logjikë dhe në shkenca të tjera. Shumica e veprave të Farabiut janë përqendruar në shpjegimin, komentimin dhe interpretimin e filozofisë së Aristotelit, Platonit dhe Galinusit. Farabiu ka shkruar vepra të çmuara në fushën e shkencës së logjikës, metafizikës, muzikës dhe politikës. Ai gjithashtu ka shkruar edhe vepra të tilla si "Al-Xhem' bejn Ra'jil-Hakimejn Al-Aflatun El-Ilahi dhe Aristotalis", "Tahsil El-Sa'ade", "Ara'e Ehle Medine el-Fadile", "El-Sijasatul-Medine", "El-Musiki El-Kebir", "Ahsa'e el-Ulum" dhe "Ma Jesah-hu va ma la Jesah-hu min ahkamil-nuxhum".

Stili i të shkruarit të Farabiut ishte i tillë që, pavarësisht respektimit të shkurtësisë dhe përmbledhjes së temave, ai transmetonte koncepte më të shumta tek lexuesi. Gjithashtu, me sa duket, ai besonte se urtësia dhe filozofia nuk duhet t'u jepej njerëzve të panjohur ose shtresave të thjeshta të shoqërisë. Në historinë e mendimit islam, Farabiu hodhi hapat e parë drejt klasifikimit të shkencave. Farabiu ishte personi i parë që prezantoi filozofinë në botën islame dhe ishte në gjendje të kombinonte në mënyrë efikase logjikën dhe filozofinë me shkencat islame. Ky filozof pati një ndikim të madh në logjikë dhe filozofi. Ai konsiderohet si një nga filozofët e mençur iranianë.

Veprat e shkruara të Farabiut patën një ndikim të jashtëzakonshëm në ndryshimin e atmosferës fetare dhe shkencore të kohës. Këto vepra dhe ndikimi i tyre te filozofët pas tij, e bënë Farabiun të njihet si “Filozofi i myslimanëve”. Ndikimi i tij ishte deri në atë masë sa që ai u konsiderua si filozofi i parë që solli filozofinë në botën islame dhe e kombinoi atë me shkencat islame. Në atë mënyrë që deri më sot filozofia dhe logjika mësohen si lëndë të shkollave fetare.

Edhe periudha kohore në të cilën jetoi Farabiu nuk mbeti e paprekur nga roli mahnitës që ai luajti në filozofi. Shkencëtarë dhe filozofë të barabartë me Farabiun, madje të një niveli edhe më të lartë se ai, u shfaqën në botën islame me pak intervale kohore; por ata nuk arritën të ushtrojnë ndikim në filozofinë dhe logjikën islame. Biografët janë të mendimit se Farabiu shkroi komente dhe interpretime mbi librat e Aristotelit, duke përfshirë "Organon", "Natyrën, "Fizikën", "Metafizikën" dhe "Etikën" e Aristotelit, disa prej të cilave kanë humbur gjatë periudhave historike. Këto vepra nuk kishin rëndësinë e veprave të tij të mëvonshme dhe u konsideruan si një lloj ushtrime filozofike.

Veprat "Ihsa'e el-Ulum" dhe vepra "El Huruf" janë ndër veprat më të rëndësishme të Farabiut dhe ato mund të konsiderohen shumë të rëndësishme sa i përket ndarjes dhe klasifikimit të shkencave. Sipas studiuesve, Farabiu duke paraqitur një teori të re për shkencën dhe klasifikimin e shkencave, u quajt me epitetin "Mësuesi i Dytë". Aristoteli në veprat e tij, paraqiti materiale në lidhje me ndarjen dhe klasifikimin e shkencave dhe studiuesit pas tij përpiluan teoritë e tij.

Veprat "Ihsa'e el-Ulum" dhe "El Huruf", prej veprave më të rëndësishme të Farabiut

Sipas teorisë së Aristotelit, shkencat ndaheshin në dy pjesë teorike dhe praktike dhe nganjëherë në tri pjesë teorike, praktike dhe poetike, secila prej të cilave përfshinte tre shkenca. Aristoteli i ndau shkencat teorike dhe praktike në gjashtë shkenca: matematika, shkencat natyrore, teologjia, etika, politika civile dhe menaxhimi i familjes. Farabiu nuk e ndryshoi bazën e kësaj ndarjeje; por ai hoqi politikën civile dhe menaxhimin e familjes dhe shtoi shkencat e logjikës, gjuhës, jurisprudencës dhe apologjetikës. Farabiu në veprën "Ihsa'e el-Ulum" ka bërë ndarjen dhe klasifikimin e shkencave të ndryshme. Gjuha, logjika, matematika, shkenca natyrore, shkenca teologjike, shkenca civile, jurisprudenca dhe apologjetika; përbëjnë klasifikimin dhe renditjen që ka prezantuar Farabiu në këtë vepër.

Duke marrë parasysh këtë klasifikim, do të hedhim një vështrim kalimthi mbi veprat më të rëndësishme të Farabiut.

Vepra me titull në arabishte “Ma jenbaghi en teal-leme kabl el-felsefe” (Ajo çfarë duhet të mësojmë para filozofisë”, është një vepër në të cilën Farabiu i konsideron shkenca elementare ose përgatitore gjeometrinë, logjikën, etikën e mirë dhe tërheqjen nga dëshirat e epshit si parakusht për studimin e filozofisë dhe shpjegon secilën prej tyre. Vepra "Al-Sijaseh al-Medenijjeh" ose libri "Politika qytetare", është një libër i shkruar nga Farabiu për ekonominë politike. Vepra "Tahsil al-Sa'adeh" (Arritja e lumturisë), është një libër i shkruar gjithashtu nga Farabiu për etikën dhe filozofinë teorike.

Vepra tjetër e Farabiut është "Al-Xham'e bejne Ra'ji al-Hakimejn", e cila u shkrua për krijimin e harmonisë midis mendimeve të Platonit dhe Aristotelit. Gjithashtu, vepra e shkurt (trajtesa) “Fi el-Akl” është shkruar për natyrën e intelektit ose mendjes, çfarë është dhe llojet e intelekteve. Vepra ose trajtesa me titull "Fi ithbati el-mefarikat" është shkruar në fushën e vërtetimit të ekzistencës së qenieve jomateriale. Ndërsa vepra me titullin "El-Musiki el-Kabir" përcakton dhe shpjegon aspekte të ndryshme të muzikës si elementët përgatitore të saj. Në këtë vepër, Farabiu shpreh parimet filozofike për muzikën, cilësitë e saj kozmike dhe efektet e saj.

Farabiu ka shkruar edhe një vepër me titull "Fusul el-Hikem" në lidhje me urtësinë hyjnore, e cila trajton 74 tema në lidhje me shpirtin dhe brendësinë e njeriut. Vepra ose trajtesa me titull "Fi el-Sjeaseh" e këtij filozofi të madh diskuton rreth politikës dhe çështjeve përkatëse. Veprat "Ara'e ehle el-Medine el-Fadile" dhe "Modatiha" shpjegojnë utopinë e tij apo "Shtetin Ideal" dhe karakteristikat e tij. Dhe vepra "Aghrade Aristu fi ma ba'de el-tabi'a" (Qëllimet e Aristotelit në metafizikë) është një nga veprat e tjera të rëndësishme të Farabiut.

Vepra "Aghrade Aristu fi ma ba'de el-tabi'a" (Qëllimet e Aristotelit në metafizikë), e cila është një nga veprat më të rëndësishëm të Farabiut dhe ka një histori interesante në lidhje me këtë vepër. Ky libër është shkruar në shpjegimin dhe komentimin e veprës "Metafizika" e Aristotelit nga e cila ka përfituar edhe Ibn Sina në studimet e tij. Thuhet se Ibn Sina e ka lexuar këtë libër të Aristotelit rreth dyzet herë, por nuk e ka kuptuar domethënien e tij. Më vonë, në treg, ai takoi një shitës endacak që shiste libra. Ndër librat që kishte ofruar ai për shitje, Ibn Sina pa librin "Komentimi mbi Metafizikën" të Farabit dhe e bleu. Ibn Sina arriti të kuptonte shumë më lehtë të gjithë përmbajtjen e librit të Aristotelit duke studiuar këtë komentim të Farabiut.

Në fund, duhet pasur parasysh këtë çështje se ashtu siç u tha më parë, disa studiues dhe historianë kanë dyshime në lidhje me atribuimin e disa shkrimeve Farabiut. Më e rëndësishmja nga të gjitha veprat e kësaj kategorie është vepra "Fusus al-Hikem", të cilën pothuajse shumica e studiuesve perëndimorë dhe arabë nuk e konsiderojnë të jetë vepër e Farabiut, dhe për shkak të strukturës dhe përmbajtjes së saj të ndryshme, ata e konsiderojnë atë një vepër gnostike, e cila mund të jetë më shumë vepër e Ibn Sina se e Farabiut. Por ndoshta duke pasur parasysh prirjet e mundshme shiite të Farabiut, kjo vepër mund të konsiderohet e tij. Përveç kësaj, shumë dijetarë të mëparshëm, si Ghazani i cili ka shkruar komentimin e parë mbi "Fusus al-Hikem" ose dijetari Mirdamad, e kanë konsideruar këtë vepër si vepër të shkruar nga Farabiu.

Miq të nderuar, faleminderit për vëmendjen! Këtu po mbarojmë edicionin e sotëm dhe temën do ta vazhdojmë në edicionet e ardhshme.

 

Tags