May 18, 2024 20:21 CET

Gjatë gjithë historisë njerëzore, janë shfaqur shumë gjeni dhe shkencëtarë, ku secili prej tyre nga ana e tij krijoi një pikë kthese në historinë e mendimit njerëzor dhe ishte në gjendje të krijonte një ndryshim të jashtëzakonshëm në atmosferën intelektuale dhe sociale të shoqërisë së kohës së vet.

Mësuesi i Dytë (5) Një vështrim mbi kohën, jetën dhe trashëgiminë e përhershme të Farabiut në botën islame

Në këtë program, ne synojmë të hedhim një vështrim të shpejtë mbi jetën, veprat dhe ndikimet e njërit prej filozofëve më të mëdhenj islamë dhe iranianë në kulturën dhe filozofinë në botën islame.

Përshëndetje të dashur miq! Jemi me ju me një seri tjetër të programit "Mësuesi i Dytë". Në këtë program dhe në dy programet e ardhshme do të hulumtojmë situatën kulturore dhe shkencore të epokës së Farabiut.

Një nga mënyrat për ta njohur më mirë Farabiun është njohja e situatës kulturore dhe shkencore të epokës së tij. Kuptimi i drejtë i situatës së epokës së Farabiut dhe veçanërisht zgjidhja e disa problemeve dhe paqartësive në lidhje me pavarësinë e mendimeve dhe opinioneve të Farabiut, veçanërisht në lidhje me akuzën për imitimin e filozofëve grekë dhe disa çështje të tjera më të moderuara si ndikimi që Platoni, Aristoteli, apo edhe Plotini patën mbi të, kërkon që ne të përpiqemi të kuptojmë më mirë situatën shkencore dhe kulturore të epokës së Farabiut.

Gjatë gjithë historisë njerëzore, janë shfaqur shumë gjeni dhe shkencëtarë, ku secili prej tyre nga ana e tij krijoi një pikë kthese në historinë e mendimit njerëzor dhe ishte në gjendje të krijonte një ndryshim të jashtëzakonshëm në atmosferën intelektuale dhe sociale të shoqërisë së kohës së vet.

Përveç faktit që këta gjeni kanë punuar ditë e natë në rrugën e shkencës dhe të mendimit dhe kanë shfrytëzuar mjaftueshëm talentin e tyre të dhënë nga Zoti, ata kanë jetuar edhe në një situatë të veçantë historike dhe mund të thuhet se, të jetuarit në këtë moment historik është një çështje e prekshme, që sigurisht ofroi hapësirë ​​për shfaqjen e gjenialitetit të tyre të qenësishëm dhe u bë shkak që roli i tyre të mbetet përjetësisht në historinë e shkencës.

Se si është shkolluar Farabiu në rininë e tij është pothuajse e panjohur për ne dhe historianët nuk kanë regjistruar ndonjë raport të dokumentuar për këtë çështje. Aq sa dimë ne, është se babai dhe gjyshi i tij ishin ushtarakë të rangut të lartë në qeverinë Samanide - një nga dinastitë persishtfolëse në Azinë Perëndimore në shekujt IX dhe X e.r. - kështu që, mund të supozohet se kushtet e arsimimit gjatë rinisë së Farabiut ishin plotësisht të disponueshëm për të.

Disa studiues bashkëkohorë e konsiderojnë fillimin e studimeve të tij shkencore dhe filozofike në qytetin Marv, sepse Marvi ishte qendra e studimeve dhe e diskutimeve fetare dhe filozofike në atë kohë dhe se në atë qytet ishin të pranishëm profesorë të mëdhenj. Por edhe distanca e afërt mes këtij qyteti dhe vendbanimit të Farabiut, pra qytetit ku ai u rrit, është gjithashtu një arsye e mirë për praninë dhe edukimin e tij në këtë qytet plot tradita të vjetra.

Ka dëshmi dhe të dhëna të tjera për këtë pretendim, por ajo që është e disponueshme në dokumentet dhe në raportet historike dhe mbi të cilat mund të mbështetemi definitivisht është arsimimi i Farabiut në Bagdad dhe prania e tij në klasën e Johanna ibn Hajlanit.

Në Bagdad, Farabiu mësoi shkencat e zakonshme të kohës, si shkencat (e gjuhës) arabe, jurisprudencën dhe teologjinë spekulative (Kelam), dhe ndoqi klasën e Johanna-së vetëm për të mësuar thellësisht e në detaje logjikën dhe filozofinë. Pas ca kohësh, Farabiu u bë një nga studentët e veçantë të Johanna ibn Hajlanit dhe studioi plotësisht logjikën dhe filozofinë pranë tij.

Me sa duket, pas përfundimit të studimeve, me sugjerimin e mësuesit të tij, ky filozof i ri bëri një udhëtim në Harran - një qytet antik që ndodhej afër kufijve të sotëm të Sirisë dhe Turqisë, - si dhe në Konstandinopojë (Stambolli i sotëm) dhe qëndroi në to për rreth tetë vjet. Gjatë kësaj kohe, ai mësoi drejtpërdrejt dhe pa ndërmjetës shkencat greke dhe ato antike nga shkolla e Kostandinopojës dhe plotësoi njohuritë e tij në të gjitha degët e shkencës, nga matematika deri te shkencat metafizike.

Pasi udhëtoi për në Bizant, Farabiu i ri u kthye sërish në Bagdad dhe kaloi rreth dy dekada të jetës së tij në kryeqytetin e qeverisjes islamike. Gjatë kësaj periudhe, e cila duhet cilësuar si periudha më e rëndësishme e jetës shkencore të Farabiut, ai shkroi shumicën e veprave të tij. Farabiu, në Bagdad, edhe pse ishte profesor në logjikë dhe filozofi, sipas traditës mësimore të këtij qyteti, ai ndoqi mësimin e profesorit më të madh në Bagdad, Matta bin Yunus. Por nuk kaloi shumë kohë dhe fama e tij u përhap në Bagdad dhe në mbarë botën myslimane dhe ai u bë i njohur si një mjeshtër i padiskutueshëm në të gjitha shkencat.

Pas afro njëzet vitesh mësimdhënieje dhe studimi në Bagdad, shfaqja e dallimeve politike dhe fetare në këtë qytet e çoi Farabiun në përfundimin se ai duhej të largohej nga kryeqyteti për në Damask para fillimit të trazirave politike dhe sociale. Prania e tij në Damask dhe atmosfera e qetë e sundimit të sundimtarëve Ikshiditë nuk zgjati shumë. Nuk kishin kaluar ende dy vjet kur qetësia e Shamit (Levantit) u prish dhe Damasku u bë skenë e konflikteve politike dhe e sulmeve të huaja.

Këtë herë, gjithashtu, para fillimit të konflikteve, Farabiu u largua nga Damasku për në Egjipt dhe qëndroi në Egjipt për gati gjashtë vjet. Nuk ka shumë të dhëna se si ka banuar Farabiu në Egjipt, por është e sigurt se gjatë kësaj periudhe ai ishte i zënë me shkrimin e librave dhe thellimin në çështjet shkencore.

Në vitin 338 Hixhri hënor (rreth 950 e.r.), pasi u ndërrua qeveria në Damask dhe erdhën në pushtet Hamadanidët, Farabiu u kthye sërish në Damask dhe qëndroi aty deri në fund të jetës së tij, rreth një vit më vonë. Gjatë kësaj kohe, ai gëzoi mbështetjen e pakursyer të Saif al-Dawlah, sundimtarit dijedashës të Damaskut, dhe ndoshta ishte shkencëtari më i njohur që ishte i pranishëm në rrethin e shkencëtarëve të oborrit të sundimtarit Saif al-Dawlah. Farabiu ndërroi jetë një vit më vonë, në vitin 339 Hixhri hënor (rreth 951 e.r.) në moshën tetëdhjetë vjeçare dhe Saif al-Dawlah me disa nga oborrtarët e tij u lutën për të.

Librat dhe mendimet e Farabiut patën një ndikim të jashtëzakonshëm në ndryshimin e mjedisit shkencor dhe fetar pas tij. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ai mori titullin "Filozofi i Myslimanëve". Pothuajse ai ishte personi i parë që futi filozofinë në botën islame dhe arriti të ndërthurte logjikën dhe filozofinë me shkencat islame në atë mënyrë që edhe tani filozofia dhe logjika mësohen dhe studiohen si një nga lëndët themelore në fushat fetare.

Ky rol mahnitës dhe i thellë është produkt i faktorëve të ndryshëm, një nga më të rëndësishmit prej të cilëve është epoka në të cilën jetoi Farabiu.

Shkencëtarë dhe filozofë të të njëjtit rang me Farabiun apo edhe më të ditur se ai u shfaqën në botën islame me një interval të shkurtër kohor nga Farabiu, por asnjëri prej tyre nuk mund të linte ndikimin që ai la në filozofinë dhe në logjikën islame.

Për shembull, Abu Yūsuf al-Kindi është një filozof dhe shkencëtar, viti i vdekjes së të cilit është pothuajse i njëjtë me vitin e lindjes së Farabiut, dhe mund të thuhet me siguri se nëse ai nuk ishte më i ditur se Farabiu, ai është të paktën në të njëjtin nivel me të, por al-Kindi nuk mundi të linte pas ndikimin që la Farabiu në atmosferën intelektuale dhe shkencore të botës islame.

Faleminderit që qëndruat me ne. Deri në një program tjetër nga koleksioni i programeve rreth vështrimit mbi kohën, jetën dhe trashëgiminë e përhershme të Farabiut në botën islame, ju lëmë nën përkujdesjen e Zotit.

Tags