May 19, 2024 19:37 CET

Në shtator të vitit 2000, negociatat politike midis regjimit izraelit dhe Palestinës vazhduan në një cikël të pafund krize dhe bllokimi. Jeta e vështirë dhe rraskapitëse e palestinezëve po vazhdonte; një jetë që përmblidhej në presione të përditshme të pafundme e të padurueshme, pika kontrolli dhe pamjet e njohura të kolonive izraelite që po ndërtoheshin me shpejtësi dhe që rrethonin qytetet palestineze.

Podkasti " Fëmijëri e grabitur", Episodi 2

Në këtë episod, ne do të flasim për rrethanat e shfaqjes së "Intifadës Al-Aksa" dhe veprimet e regjimit izraelit në kompletimin e sistemit të tij të pushtimit mbi popullin palestinez sa më shumë që të jetë e mundur.

Episodi i dytë i podkastit "Fëmijëri e grabitur" eksploron gjendjen social-politike të krijuar nga izraelitët; gjendje që, më në fund, tejkaloi durimin e palestinezëve dhe krijoi Intifadën. Megjithatë, izraelitët përdorin më shumë shtypje e padrejtësi kundër palestinezëve.

Qëndroni me ne në episodin e dytë të podkastit "Fëmijëri e grabitur".

Në shtator të vitit 2000, negociatat politike midis regjimit izraelit dhe Palestinës vazhduan në një cikël të pafund krize dhe bllokimi. Jeta e vështirë dhe rraskapitëse e palestinezëve po vazhdonte; një jetë që përmblidhej në presione të përditshme të pafundme e të padurueshme, pika kontrolli dhe pamjet e njohura të kolonive izraelite që po ndërtoheshin me shpejtësi dhe që rrethonin qytetet palestineze.

Më në fund, një kryengritje e madhe në territoret e pushtuara tërhoqi vëmendjen e botës. Më 29 shtator 2000, kryengritja që u bë nga populli palestinez u quajt "Intifada e Dytë". Forcat izraelite martirizuan disa demonstrues palestinezë në Xhaminë Al-Aksa në Kuds. Përleshjet vazhduan në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Brenda dy-tre javësh, izraelitët vranë disa qindra palestinezë dhe plagosën disa mijëra të tjerë.

U bënë shumë spekulime për shkakun e kësaj kryengritjeje të palestinezëve, të kësaj intifade, e cila quhet edhe "Intifada e Al-Aksa"-s, si për shembull, vizita polemizuese e kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Xhaminë Al-Aksa.

Pa dyshim, vizita provokuese e Ariel Sharonit në vendin më të shenjtë fetar të myslimanëve, i zemëroi dhe i mërziti palestinezët. Porse kjo çështje, së bashku me shtypjen dhe padrejtësinë e izraelitëve që zgjaste me vite të tëra, ishte si një shkëndijë që i vuri flakën depos së barutit. Sharoni e kishte shtypur kryengritjen e popullit palestinez edhe përpara "Intifadës së Dytë". Gjatë pushtimit të Rripit të Gazës dhe të Bregut Perëndimor nga Izraeli, pati kryengritje që u shtypën nga Izraeli nën udhëheqjen e Sharonit.

Me këto interpretime, përmbledhja e Intifadës me një ngjarje specifike, ose vjen nga një lexim i gabuar i historisë së Palestinës, ose nga mungesa e të kuptuarit. Shkaku i vërtetë i Intifadës së Shtatorit 2000 është më i thellë se vizita e një lideri të urryer izraelit në një vend të shenjtë fetar. Arsyet për të gjitha kryengritjet e popullit palestinez duhet të gjenden në pushtimin dhe uzurpimin e tokave palestineze. Historia e vazhdueshme e grabitjes së tokave është rrënja e të gjitha kryengritjeve të popullit palestinez.

Izraeli përdorte zgjidhjet e dyfishta dhe armiqësore të paqes dhe dhunës. Ai donte t'i tregonte botës se palestinezët e kanë refuzuar ofertën e paqes dhe po ecin në rrugën e dhunës. Ndërkohë, qëllimi kryesor i Izraelit në këtë lojë "paqeje" ishte marrja nën kontroll e tokës, e burimeve natyrore dhe ekonomisë, pa marrë parasysh asnjë përgjegjësi ndaj popullatës palestineze që jeton në rajon.

Në vijim, ne do të shqyrtojmë fazat e ndryshme të evolucionit të sistemit të kontrollit sionist mbi popullin palestinez nga viti 1967 deri në vitet në vijim. Të evolucionit që ndodhi duke filluar nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e deri në kontrollin "në distancë", pra konform kontekstit të Marrëveshjes së Oslos. Një kontest që thoshte se një qeveri e Autoritetit Palestinez do të merrte mbi supe përgjegjësinë për jetën e përditshme të palestinezëve. Por në realitet, ajo mbetej plotësisht e varur nga qeveria izraelite.

Rexha Shehadeh, një avokat dhe aktivist i njohur palestinez për të drejtat e njeriut, ka ofruar një analizë të detajuar të strategjisë së okupimit të Izraelit. Rexha Shehadeh themeloi një nga organizatat e para palestineze të të drejtave të njeriut të quajtur "Al-Hak". Ai beson se kontrolli i Izraelit mbi territoret e pushtuara ka evoluar në katër faza kryesore që nga viti 1967 e deri më sot.

Faza e parë zgjati nga viti 1967 deri në vitin 1971. Në këtë fazë, Izraeli ishte i përkushtuar për përgatitjen dhe zbatimin ushtarak të urdhrit për të kontrolluar lëvizjet e individëve, shpronësimin e tokës dhe të burimeve natyrore dhe kontrollin e të gjitha organizatave administrative të territoreve të pushtuara që ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me palestinezët. Ky proces u zhvillua nëpërmjet lëshimit të urdhrave ushtarakë nga komanda e ushtrisë izraelite, e vendosur në territoret e pushtuara. Më pas, zbatimi i tij u bë i detyrueshëm për banorët e territoreve palestineze. Ka shumë shembuj që tregojnë natyrën brutale të izraelitëve në këtë veprim të tyre. Një prej tyre është Urdhri Ushtarak 58 i vitit 1967. Në këtë dekret, nëse një person ka munguar fizikisht gjatë kohës së luftës, edhe nëse familjarët e tij ishin të pranishëm, qeveria izraelite lejohej të sekuestronte pasurinë dhe shtëpinë e tij. Në bazë po të këtij dekreti, Izraeli uzurpoi shumë toka në këtë mënyrë. Më vonë, ai ndërtoi vendbanime hebreje, në formë qytezash e kolonish, në të njëjtat toka të uzurpuara. Deri në vitin 1978, dyzet për qind (40%) e tokës izraelite të përdorur për vendbanimet hebreje në Lartësitë e Golanit ishte në të vërtetë pronë e banorëve vendas të dëbuar.

Autoritetet izraelite lëshuan disa urdhra të tjerë ushtarakë në koordinim të plotë me urdhrat e mëparshëm; urdhra në bazë të të cilave autoriteteve ushtarake iu dha kontrolli i plotë mbi burimet ujore të Bregut Perëndimor, si dhe menaxhimi dhe përdorimi i tyre.

Faza e dytë e përmendur nga Rexha Shehadeh ishte nga viti 1971 deri në vitin 1979. Ndërtimet e kolonive hebreje në Bregun Perëndimor filluan pikërisht në këtë fazë. Autoritetet izraelite i inkurajonin hebrenjtë të vendoseshin në tokat e rrëmbyera prej palestinezëve. Ndërtimet e kolonive ishin të rëndësishme nga pikëpamja ushtarake. Sepse ato shkatërronin njëtrajtësinë dhe fqinjësinë e zonave të ndryshme të palestinezëve. Nga ana tjetër, siguronin terrenin që izraelitët të uzurponin dhe të shtrinin duart më shumë në tokat e palestinezëve.

Faza e tretë u zbatua nga viti 1979 deri në vitin 1981 nëpërmjet një dekreti që i vendosi palestinezët nën sundimin e një qeverie të re civile dhe joushtarake izraelite. Ushtria izraelite caktoi organizata dhe drejtori civile dhe mbajti kontroll të plotë mbi to. Kjo ndodhi ndërkohë që kolonët izraelitë në zonat e pushtuara mbroheshin plotësisht nga ligji civil i Izraelit. Në fakt, diskriminimi që ndodhte më parë tanimë ishte bërë i ligjshëm dhe legjitim.

Sipas aktivistit Shehadeh, faza e katërt filloi në vitin 1981. Në këtë fazë, kontrolli i Izraelit mbi pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor u bë i fortë dhe i qëndrueshëm. Në fakt, Izraeli u përqendrua mbi sistemin ekonomik palestinez dhe marrëdhëniet e tij me regjimin izraelit. Izraeli zbatoi një lloj kompleks të sistemit tatimor dhe të mbledhjes së të ardhurave. Në një mënyrë që e bëri të pamundur zhvillimin real ekonomik në Palestinë. Domethënë, ai bëri diçka që ta mbante ekonominë palestineze të varur nga vetja.

Katër etapave të aktivistit Shehadeh mund t'i shtohet edhe një fazë tjetër. Faza që filloi me Marrëveshjen e Oslos në vitin 1993 dhe vazhdoi deri në shpërthimin e Intifadës së Dytë në vitin 2000. Kryengritja ishte një rezultat logjik i shtypjes dhe i dominimit të Izraelit mbi popullin palestinez. Izraeli, në mënyrë hipokrite iu shmang përgjegjësisë për gjendjen e vështirë të palestinezëve që jetonin në tokën e pushtuar. Më keq se kaq, ai ushtroi kontrollin e tij absolut mbi Palestinën me ligje ushtarake, ekonomike dhe politike.

Si rezultat, izraelitët i vunë territoret e pushtuara nën kontrollin e tyre të plotë në kuadër të këtyre katër fazave. Në një formë që i detyruan palestinezët të jetonin në qendra me popullsi të dendur, të ndara nga njëra-tjetra. Qendrat me popullsi të dendur të palestinezëve u ndanë nga njëra-tjetra nëpërmjet kolonive izraelite dhe rrugëve të shkurtra të izraelitëve.

Yigal Allon, gjenerali izraelit dhe zëvendëskryeministri i asaj kohe i këtij regjimi, propozoi "Planin Allon" pas luftës së vitit 1967. Në këtë plan, kërkohej që Izraelit t'i shtohej një e treta e territoreve të Bregut Perëndimor të palestinezëve. Në këtë mënyrë, Izraeli mund të fillonte ndërtimin e kolonive në pjesën lindore të Bregut Perëndimor. Prandaj, mijëra palestinezë që jetonin në lindje të Kudsit ishin të rrethuar dhe nuk mund të zgjeronin lagjet e tyre. Partia e Punës e Izraelit e zbatoi me besnikëri "Planin Allon".

Në vitin 1977 u prezantuan disa programe të reja. Të gjitha planet kishin për qëllim kontrollin e tokës dhe shmangien e përgjegjësisë ndaj banorëve të vërtetë të Palestinës. Në vitet në vijim, plane me të njëjtat objektiva u prezantuan nga kryeministri Ariel Sharon. Planet e Sharonit kërkonin ndërtimin e autostradave të mëdha lindje-perëndim për të lidhur kolonitë e reja me kolonitë në Bregun Përëndimor të Lumit Jordan.

Më pas, Organizata e Sionizmit Ndërkombëtar propozoi një plan gjithëpërfshirës pesë-vjeçar. Në këtë program, organizata bëri thirrje për ndërtimin e më shumë vendbanimeve (kolonive) hebreje përreth dhe midis qendrave palestineze me popullsi të dendur në Bregun Perëndimor. Gjatë dekadave të fundit, ky plan po ndiqet me rigorozitet të plotë. Strategjia e Organizatës së Sionizmit Ndërkombëtar kuptohet më mirë sot; sepse sipas këtij plani, në mes të qyteteve palestineze ndërtoheshin vendbanime hebreje për të ndarë banorët e qyteteve nga njëri-tjetri.

Gjithashtu, Izraeli mori në konsideratë plane të tjera për të arritur më shpejt qëllimet e tij të këqija. Ky regjim paraqiti një plan, në bazë të të cilit Këshilli Ekzekutiv do të zgjidhej nga populli palestinez dhe do të vendosej në Ramallah ose Betlehem. Ky këshill kontrollonte punët e brendshme të këtyre rajoneve. Ndërsa politika e jashtme, kufijtë dhe ekonomia e Palestinës mbeteshin nën kontrollin e regjimit izraelit. Ky plan u plotësua në Marrëveshjen Camp David të vitit 1978, e cila parashikonte themelimin e Autoritetit Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Bisedimet e paqes vazhduan në vitet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Oslos të vitit 1993. Por regjimet e ndryshme izraelite e rritën shpejtësinë e ndërtimit të kolonive të veta. Ndërtimet e kolonive izraelite në Bregun Perëndimor po përparonin edhe për të ndarë qendrat e popullsisë palestineze, edhe për të kontrolluar lëvizjet, por dhe për të parandaluar rritjen natyrore të qyteteve palestineze. Që nga viti 1944 e deri më sot, popullsia e kolonive hebreje është shumëfishuar.

Një pjesë tjetër e Marrëveshjes së Oslos ishte ndërtimi i autostradave të mëdha dhe rrugëve që shkurtonin distancat, të cilat do të luanin rolin e urave lidhëse midis kolonive hebreje dhe qyteteve izraelite. Kalimi dhe qarkullimi në këto autostrada ishte vetëm për izraelitët. Ndryshimi në ngjyrën e targave të palestinezëve në krahasim me ato të hebrenjve e bënte më të lehtë parandalimin e hyrjes së palestinezëve në autostradë. Ndërtimet e palestinezëve në distancën pesëdhjetë metra nga autostrada ishin gjithashtu të ndaluara. Pas Marrëveshjes së Oslos, Izraeli shkatërroi qindra shtëpi palestineze dhe ndërtoi e vuri në shfrytëzim më shumë se qindra kilometra autostrada në tokat e uzurpuara.

Më e hidhur akoma, palestinezët kanë nevojë për leje të lëshuara nga autoritetet ushtarake izraelite për të udhëtuar në qytetin e Kudsit ose në territoret e pushtuara nga Izraeli. Për më shumë se një dekadë, Izraeli ka ndaluar çdo lëvizje midis Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës. Përveç sistemit të bllokadës, edhe pikat e kontrollit patën pasoja çnjerëzore. Pas kësaj, ndalimi i dërgimit të mallrave brenda ose jashtë rajonit palestinez e shkatërroi ekonominë palestineze. Në mënyrë të atillë që mallrat palestineze mund të importohen vetëm nga Izraeli dhe eksporti i tyre nuk ka destinacion tjetër përveç Izraelit. Në fakt, tregtia e vërtetë palestineze me shtetet e tjera është e pamundur. Ky kontroll kryhej nga izraelitët plotësisht në mënyrë të qëllimshme dhe në mënyrë publike.

Gjithashtu, paraja është një tjetër levë presioni në duart e Izraelit për popullin palestinez. Duke përdorur Marrëveshjen e pakuptimtë të Oslos, Izraeli i mblidhte vetë taksat dhe ia jepte Autoritetit Palestinez çdo muaj. Nëse Izraeli do të ndalonte pagesën e këtyre parave për ndonjë arsye, qeveria palestineze do të hynte në një krizë të madhe financiare. Pikërisht që nga fillimi i Intifadës së Dytë, kjo krizë pllakosi pushtetin vetëqeverisës.

Krahas gjithë këtyre, Izraeli mbajti kontrollin mbi shërbimet bazë si uji, energjia elektrike, telefoni, madje edhe shërbimet palestineze të internetit. Me këto kushte, izraelitët e ulën shumë standardin e jetesës së palestinezëve. Më pas, shkalla e papunësisë në Palestinë u rrit shumëfish. Deri në atë masë saqë shumica e palestinezëve ishin nën kufirin e varfërisë.

Kjo që dëgjuat është bota e palestinezëve. Bota e mjerë që izraelitët krijuan për palestinezët në tokën e tyre amtare. Të gjitha këto kushte u përkeqësuan gjithnjë e më shumë pas të ashtuquajturës "Marrëveshje e Paqes" në Oslo. Ndërsa situata e kolonëve hebrenj në Palestinën e pushtuar po përmirësohej nga dita në ditë.

Me fjalë të tjera, Marrëveshja e Oslos, e cila frymonte paqe, vetëm sa ua vështirësoi më shumë jetën palestinezëve. Madje, kjo marrëveshje u dha kohë izraelitëve për të zbatuar planet e tyre të mbrapshta për të pushtuar më shumë Palestinën. Një marrëveshje, e cila vetëm sa e mashtroi botën për të treguar se Izraeli po kërkon paqe. Që nëpërmjet mashtrimit për vendosjen e paqes të çonte përpara projektet dhe planet e tij. Izraeli e dinte që në fillim se çfarë po bënte dhe pasojat e bëmave të tij. Këto politika nuk ishin rezultate anësore dhe të paqëllimshme, por një strategji e vetëdijshme e ndëshkimit kolektiv të palestinezëve nga ana e Izraelit.

Edhe sot, autoritetet izraelite vazhdojnë të deklarojnë publikisht se politikat e tyre janë hartuar për të vënë nën trysni të gjithë palestinezët. Politika e ndëshkimit kolektiv merr shumë forma. Ndërhyrja ushtarake është forma më brutale dhe më e dhunshme e saj. Sulmi i ushtrisë izraelite në zonat e banuara civile dhe vrasja e mijëra grave dhe fëmijëve palestinezë janë disa prej këtyre masave. Kryeministri i Izraelit në atë kohë, Ariel Sharon, deklaroi shumë qartë më 4 mars 2002: "Izraeli duhet t'i godasë fort palestinezët... Të marrë viktima prej tyre, derisa t'i ndjejnë mirë lëndimet."

Izraeli ka pretenduar vazhdimisht se fëmijët u vranë kur forcat e armatosura palestineze i përdorën si mburoja njerëzore gjatë konfliktit të armatosur. Por realiteti tregon diçka tjetër. Për shembull, në vitin 2002, shumica e vrasjeve të fëmijëve kanë ndodhur në situata kur ata nuk kanë qenë të pranishëm në konflikte. Të gjitha provat tregojnë se vrasjet kanë qenë në një situatë ku nuk ka pasur konflikt të armatosur.

Seksioni Palestinez i Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Fëmijëve hetoi disa raste të vrasjeve të fëmijëve në vitin 2002. Ata studiuan përshkrimet e protestave nga tre burime të ndryshme: nga ushtria izraelite, nga gazeta "The Jerusalem Post", një nga gazetat kryesore të Izraelit në gjuhën angleze, dhe nga rrëfimet e dëshmitarëve okularë.

Studimet treguan se të tre burimet, përfshirë raportet zyrtare të ushtrisë izraelite, thonë njëzëri: "Kur këta fëmijë u vranë nga ushtarët izraelitë, definitivisht nuk kishte asnjë konflikt të armatosur." Fëmijët janë vrarë kur forcat izraelite qëllonin vazhdimisht dhe pa kriter zonat e banuara me tanket dhe helikopterët e tyre.

Një masë tjetër është edhe shkatërrimi i banesave nga buldozerët ushtarakë. Gjatë shembjes, fëmijët mbeten të bllokuar nëpër shtëpi dhe vriten nga presioni i madh i tullave dhe hekurit, kur mbi to shemben mbeturinat e ndërtesave.

Lloje të tjera ndëshkimesh zbatohen në formën e qeverisjes ushtarake afatgjatë në Palestinë dhe në pikat e kontrollit. Në mënyrë të atillë që mijëra palestinezë burgoseshin me forcë në shtëpitë e tyre dhe nëse do të shiheshin në rrugë, do të vriteshin.

Këto kushte janë aq shumë të vështira dhe tronditëse, saqë edhe punët më të thjeshta bëhen të pamundura. Fëmijët dhe mësuesit nuk mund të shkojnë në shkollë, pacientët nuk mund të shkojnë në spitale dhe punëtorët humbasin shumë kohë duke anashkaluar pikat e kontrollit për të shkuar në punë.

Një gazetar izraelit, i cili gjithmonë i kërkonte popullit të Izraelit të kuptonte efektet negative të postblloqeve në jetën e palestinezëve, shkruan në përshkrimin e vëzhgimeve të tij: "Të sëmurët, të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna u nënshtrohen mizorisht dhe brutalisht presionit dhe torturave në baza ditore... Fëmijët që gjuanin me gurë ushtarët, u qëlluan me armë zjarri. Drejtuesit e automjeteve që tentojnë të anashkalojnë pikat e kontrollit, qëllohen me breshëri plumbash. Pacientët që nuk e durojnë dot pritjen e pafundme të medikamenteve dhe mjekut, vdesin pa mjekim.

Salman Natour, një shkrimtar arabo-izraelit, ka përshkruar një skenë të dhimbshme. Ai, i cili ishte në pritje të marrjes së dokumentit të kalimit në një nga postblloqet, vuri re një ambulancë që donte të kalonte me sirenën e ndezur, por leja për të kaluar nuk iu dha derisa e ndali sirenën. Pas marrjes në pyetje, Salman Natour pa se pacienti kishte vdekur brenda në ambulancë."

Politikat armiqësore të Izraelit kanë pasur gjithashtu një efekt shkatërrues në shëndetin e palestinezëve në territoret e pushtuara. Shumica e fëmijëve disamuajsh vuajnë nga kequshqyerja kronike. Hulumtimet tregojnë se rritja e normave të kequshqyerjes është për shkak të kufizimeve të vendosura nga Izraeli për lëvizjet dhe transportin. Fëmijët janë dëmtuar më shumë se të tjerët nga kolapsi i ekonomisë së Palestinës dhe i sistemit të saj mjekësor.

Një rast tjetër i politikës së ndëshkimit masiv të Izraelit, i cili është shumë i rrezikshëm, ishte ndërtimi i murit pengues. Në vitin 2003, Izraeli filloi ndërtimin e një muri prej betoni tetë metra të lartë. Një mur, i cili nga jashtë dukej si mur burgu. Ky mur është ndërtuar në toka të uzurpuara. Ky mur ndan të gjitha zonat e banuara palestineze nga njëra-tjetra. Në mënyra të tjera, ky plan ndërpreu lidhjen e palestinezëve me burimet e tyre kryesore jetike, tokën bujqësore dhe burimet ujore. Edhe për të kaluar murin, ka nevojë për leje.

Këto raste kanë qenë politika të përhershme të Izraelit që nga fillimi i pushtimit në vitin 1967 e deri më tani. Dhe të gjitha janë në përputhje me evolucionin e sistemit të kontrollit të imponuar mbi popullin dhe territoret e pushtuara të Palestinës nga regjimi pushtues.

Faleminderit që dëgjuat episodin e dytë të podkastit "Fëmijëri e grabitur".

Në këtë episod folëm për origjinën e Intifadës Al-Aksa dhe për veprimet e regjimit izraelit në kompletimin sa më shumë të sistemit të tij të kontrollit mbi popullin palestinez dhe thamë se çdo veprim i këtij regjimi është pjesë e politikave të tij për ruajtjen e pushtimit dhe për më shumë kontroll në tokat e pushtuara.

Në episodin e radhës do t'ju zbulojmë pjesë të tjera të kësaj politike të pushtimit dhe kontrollit të regjimit sionist, pasojë e së cilës është ruajtja dhe vazhdimi i shkaktimit të më shumë vuajtjeve dhe dhimbjeve për palestinezët.

Ju mund ta dëgjoni këtë podcast në kanalin tonë të radios ose në profilet tona në rrjetet sociale. Pas disa ditësh, teksti i podkastit do të publikohet në faqen zyrtare të radios www.parstoday.ir/sq

Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkastit, ta ndani atë me miqtë tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.

Faleminderit që na shoqëruat në dëgjimin e podkastit tonë. Deri në episodin tjetër, Zoti ju ruajttë dhe ju ndihmoftë!

Tags