Shkurt 16, 2016 06:57 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.

Spikeri Në një kohë që shoqëria amerikane po vuan shumë nga incidentet me armë zjarri, javën e kaluar, ligjvënësit në Teksas të Amerikës kanë lejuar mbajtjen e armëve nga civilët, në mënyrë të hapur dhe të dukshme. Ligjvënësit në Teksas, shumica e të cilëve përbëhet nga republikanët, kanë votuar pro ligjit që u lejon banorëve të këtij shteti që të mbartin armë në formë të hapur dhe të dukshme. Prej vitit 1871 e deri më sot kjo është hera e parë që miratohet një ligj i tillë në Teksas të Amerikës. Megjithatë miratimi i këtij ligji është shoqëruar me reagime të ashpra dhe protesta të shumta sidomos nga aleanca për ndërprerjen e dhunës së armatosur. Qeveria amerikane në dy vitet e kaluara ka bërë përpjekje të shumta që të kufizojë ligjin për armëmbajtjen në Amerikë, por influenca e kompanive të mëdha të prodhimit të armëve në Kongresin amerikan nuk e ka lejuar qeverinë amerikane të vendosë kufizime. Vetëm në javën e kaluar, policia e SHBA-së në Teksas raportoi se 9 persona janë vrarë dhe të paktën 100 të tjerë janë arrestuar pas një lufte me armë mes dy bandash rivale motoristësh. Spikeri Javën e kaluar, presidenti amerikan Barak Obama deklaroi se do të ndërmarrë veprime të njëanshme për zgjidhjen e problemit nevralgjik të dhunës së armëve në vend. Në fjalimin e parë të përjavshëm të 2016-s, presidenti amerikan bëri të ditur se do të takohet me kryeprokuroren e SHBA Loretta Lynch, për të diskutuar mbi hapat që do të hedhë në këtë drejtim. Argumenti i shefit të Shtëpisë së Bardhë në mbështetje të vendimit të tij është se, Kongresi dështoi ta zgjidhë vet këtë ngërç të mprehtë social. Ekspertët presin një reagim të ashpër të republikanëve dhe mbështetësve të armëmbajtjes. Por Obama u tha amerikanëve se, ka marrë aq shumë letra nga prindër, mësues e fëmijë, sa e ka të pamundur të qëndrojë duarkryq përpara shqetësimit të tyre. “E dimë fare mirë se nuk ndalojmë dot çdo akt dhune. Por, po sikur të përpiqeshim të ndalonim qoftë edhe një të vetëm? Po sikur Kongresi të bënte diçka, çfarëdo lloj gjëje për të mbrojtur fëmijët tanë nga dhuna e armëve?”, tha Obama. Obama e pranoi se paaftësia për të siguruar mbështetjen e Kongresit, në kalimin e atij që e konsideron “legjislacion i logjikshëm për armët”, është pika më e dobët e Presidencës së tij. Ekspertët thonë se presidenti amerikan mund të përdorë autoritetin e tij ekzekutiv në disa fusha, përfshirë zgjerimin e verifikimeve për ata që kërkojnë të blejnë armë. Kundërshtia, që do të hasë në planin e tij ka për të qenë për çdo rast e madhe. Spikeri Pretendenti kryesor republikan për kandidaturën presidenciale në SHBA, Donald Trump, tha se ka në plan që të shpenzojë 2 milionë dollarë në javë për fushatën e tij publicitare. Javën e kaluar, ai deklaroi se do të reklamojë fuqishëm në Ajoua, Nju Hempshajër dhe Karolinën e Jugut para zgjedhjeve brenda Partisë Republikane në muajin shkurt të vitit 2016. Miliarderi Trump, i cili e ka ndërtuar pasurinë e tij me shitblerje pronash, deklaroi më herët se ai e financon vetë fushatën elektorale dhe nuk do të jetë kurrë në xhepin e lobistëve apo korporatave të fuqishme. Pasuria e Trump llogaritet në 8 miliard $ dhe ai është deklaruar i gatshëm për të shpenzuar nga pasuria e tij me qëllim që të ruajë superioritetin e tij në mesin e 10 kandidatëve të republikanëve për zgjedhjet presidenciale. Ai gjithashtu këmbëngul se deri tani ka shpenzuar shumë pak për fushatën e tij. “Do të shpenzoj 2 milionë dollarë në javë, mbase edhe më shumë. Shtetet ku do të përqendrohem janë Ajova, Nju Hempshajër dhe Karolina e Jugut”, deklaroi Trump për mediat amerikane. Spikeri Javën e kaluar u ndezën debatet mes kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Kandidatët republikanë për garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara kanë diskutuar gjerësisht për ligjin e emigracionit gjatë debatit të radhës së kësaj force politike. Ka qenë përsëri Donald Trump që ka goditur me deklaratat e tij. Miliarderi është shprehur se vendi duhet të dëbojë 11 milionë emigrantë dhe duhet të ngrejë një mur gjigand në kufirin jugor me Meksikën. Ai është kundërshtuar menjëherë nga Jeb Bush dhe John Kasisch. Këta të fundit e cilësuan planin e Trump një çmenduri. Bush tha se dëbimi i refugjatëve të jashtëligjshëm do të ndante shumë familje, ndërkohë që John Kasich dha idenë e pagimit të një takse në këmbim qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër, senatori i Teksasit, Ted Cruz, nënvizoi se Amerika duhet t’i përmbahet legjislacionit aktual të emigracionit duke fuqizuar sundimin e ligjit. Më tej, kandidatët diskutuan për politikat ndërkombëtare, por edhe në këtë çështje ndanë qëndrime të ndryshme. Donald Trump tha se ai i mbështet operacionet ushtarake të Rusisë në Siri, teksa e ka vënë në pikëpyetje ndihmën që Amerika u jep rebelëve të armatosur. “Ne nuk mund të bëhemi policët e botës”, u shpreh miliarderi Donald Trump. Përplasja më e madhe në debat ndodhi kur senatori i Kentakit, Rand Paul, sulmoi senatorin e Floridës, Marco Rubio, për buxhetin e mbrojtjes, duke thënë se nuk mund të jesh konservator, ndërkohë që shpenzon si një liberal. Spikeri Javën e kaluar u publikuan lajme që flasin për rritjen e nivelit të varfërisë në SHBA. Sipas vetë radios 'Zëri i Amerikës', më shumë se 48 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara nuk e kanë të sigurt ushqimin në familje dhe këtu përfshihen më shumë se 15 milionë fëmijë. Vetëm në qytetin e New Yorkut, ka 1.5 milion banorë që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Çdo muaj, ata vihen përpara alternativës: do të paguajnë qiranë apo do të blejnë ushqim. Familjet e varfra amerikane ndihmohen me kuponë ushqimesh, në bazë të një programi asistence. Por, me shkurtimet që kërcënojnë buxhetin qeveritar, të varfrit mund të mos e shohin më dietën e shëndetshme. Philomena Acebedo është koordinatore e Koalicionit Kundër Urisë për New Yorkun. “Edhe pse punojnë, ata ende kanë nevojë për kuponë ushqimorë, sepse nuk u mjafton. Me paratë që fitojnë atyre u duhet të paguajnë qiranë dhe nuk u del të ushqehen”. Në Harlemin perëndimor, të varfrit dhe të uriturit formojnë radhë të gjata deri jashtë një kuzhine supe. Margarette Purvis është Presidente e organizatës Food Bank për qytetin e New York. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se, në vitin 2014, mbi dy milionë fëmijë kanë përfituar nga kuponi ushqimor. Spikeri Myslimanët nga mbarë Amerika në konferencën e tyre vjetore në Kaliforni, reaguan ndaj deklaratave islamofobe të Donald Trump. Kjo konferencë u zhvillua në qytetin Chino në rajonin San Bernardino në Kaliforni. Pjesëmarrësit në konferencën vjetore në SHBA dënuan deklaratat e Donald Tramp dhe theksuan se Islami nuk ka asnjë lidhje me ekstremizmit de terrorizmin dhe ideologjitë e grupeve si ISIS nuk janë të pranueshme për myslimanët. Propozimi i Trump për të ndaluar të gjithë myslimanët të shkelin në tokën amerikane shkaktoi shumë polemika dhe kritika të forta ndaj tij, përfshirë kryeministrin britanik David Cameron, i cili e quajti atë “përçarës dhe i padobishëm, kurse sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se dënon “çdo lloj retorike që mbështetet në islamofobi dhe ksenofobi”. Pas këtyre kritikave, Donald Trump i ndryshoi disi fjalët e tij. “Kam marrëdhënie të mira me myslimanët, shqetësimi im janë ekstremistët”. Kështu ka deklaruar kandidati republikan për president Donald Trump gjatë një takimi elektoral në Las Vegas të Nevadas, duke shtuar se ka shumë miq myslimanë dhe se këta të fundit janë shumë të lumtur që ai po trajton këtë temë të ndjeshme. Duke përmendur ngjarjen tragjike të Kalifornisë ku dy pakistanezë të radikalizuar sulmuan një qendër për persona me aftësi të kufizuara, ai kritikoi qëndrimin e presidentit Barak Obama si jo të ashpër ndaj ekstremizmit. Spikeri Javën e kaluar, Ministria e jashtme e Indisë duke protestuar ndaj dëbimit të disa studentëve, turistëve dhe personave që posedonin vizë pune nga Amerika, i kërkoi Uashingtonit të respektojë angazhimet e tij. Kjo ministri deklaroi se qeveria amerikane ka dëbuar shtetasit indianë të cilët kanë pasur viza të rregullta dhe kërkoi nga Uashingtoni të respektojë vizat që janë lëshuar nga ambasadat amerikane. Policia amerikane e emigracionit javën e kaluar anuloi vizat e 16 studentëve indianë dhe nuk lejoi hyrjen e tyre në SHBA. Rreth dy muaj më parë qeveria indiane dhe autorizimin për nënshkrimin e një kontrate prej 2.5 miliardë dollarë për blerjen e 37 helikopterëve ushtarakë nga kompania amerikane Boeing. Që prej vitit 2007 kur India dhe SHBA nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit bërthamor, marrëdhëniet mes dy vendeve janë zgjeruar. Në Janar 2015, gjatë vizitës së presidentin amerikan Barak Obama në Indi u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak mes dy shteteve. Tensioni i ri në marrëdhëniet Uashington- Nju Delhi pas dëbimit të shtetasve indianë nga Amerika mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Tags