Shkurt 16, 2016 07:07 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.

Spikeri Presidenti amerikan, Barack Obama, javën e kaluar iu drejtua për herë të fundit Kongresit amerikan me një fjalim ku pasqyrohej gjendja e vendit. Lufta kundër terrorizmit dhe sulmi ndaj linjës së Donald Trump ishte në fokusin e fjalimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë që u ndoq nga 30 milionë amerikanë. Edhe pse nuk përmendi asnjë emër, Obama sulmoi Donald Trump për propozimin e tij për t’ju ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA. Ai ftoi amerikanët që mos pranojnë politikat që targetojnë njerëzit për shkak të racës dhe besimit të tyre. “Kur politikanët fyejnë myslimanët, pavarësisht nëse janë shtetas amerikanë apo jo, kur një xhami bëhet pre e akteve vandale, ose një fëmijë ngacmohet, nuk na bën ne më të sigurtë. Kjo nuk është e drejtë, kjo është një gjë e gabuar”, deklaroi Obama. Presidenti i SHBA, duke folur për luftën ndaj terroristëve të ISIS, tha se së shpejti këta “vrasës dhe fanatikë do të shkatërrohen”. Po ashtu, në Kongresin që kontrollohet nga republikanët, Obama bëri thirrje për më shumë unitet. Ai tha se i mbetet peng fakti që nuk arriti të zhdukë hendeqet mes palëve gjatë shtatë viteve si shef i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se kjo “nuk është një punë që mund ta bëjë i vetëm”. Duke folur për ekonominë, Obama tha se amerikanët gëzojnë një ekonomi të qëndrueshme, me 14 milionë vende të reja pune vetëm në sektorin privat, që është numri më i lartë që nga vitet ’90. Obama deklaroi se është shumë optimist për rrugën që ka marrë vendi, duke thënë se vite të lavdishme e presin edhe pasi ai të largohet nga detyra. Ai tha se askush nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimet. Spikeri Edhe javën e kaluar vazhdoi e ashpër gara elektorale mes kandidatëve republikanë dhe demokratë për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Kandidatët presidencialë të të dy kampeve në Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë tubimet e fundit në shtetin Iowa, ku nisën zgjedhjet paraprake. Kryesimi i Donald Trump sipas sondazheve të fundit vazhdon, edhe pse disi i tkurrur ndaj Ted Cruz. Ndërsa që të dy janë shkëputur shumë nga rivalët e tjerë republikanë. Pak më e ashpër është gara mes demokratëve, ku senatori i Vermontit, Bernie Sanders i është afruar mjaft ish-zonjës së parë Hillary Clinton, ndonëse kjo e fundit vazhdon ta ruajë epërsinë. Kandidatët e mësynë përgjatë fundjaves shtetin jo fort të populluar me shpresën që të joshin ata që në shumë raste vendosin fatin e zgjedhjeve: votuesit e lëkundur. Secili nga pretendentët e dëshiron shumë triumfin në këtë test të parë elektoral, pasi fitorja në Iowa mund t’i japë hovin e duhur fushatës së tij teksa votimi lëviz pas kësaj në shtete të tjera. Në Amerikë, të gjithë sytë janë mbi shtetin Iowa dhe garën e tij të paparashikueshme. Në krahun demokrat, Hillary Clinton përballet me sfidën e egër të 74-vjeçarit Sanders. Senatori i Vermontit, që e përshkruan veten si demokrat socialist dhe kërkon rritjen e taksave, nuk lodhet fare të kundërshtojë ata që e shohin si një acarues, e ndërkohë mitingjet e tij kanë tërhequr me mijëra e mijëra vetë, si dhe miliona dollarë donacione. Popullariteti i këtij njeriu, thonë ekspertët, nuk përligjet dot nga mençuria konvencionale politike. Megjithatë, e gjithë kjo garë nga ana tjetër, ka qenë e çuditshme që në fillim. Në kampin republikan Trump ka një avantazh të rehatshëm, edhe pse jo fare të sigurtë ndaj rivalit të vet të madh, senatorin e Teksasit, Ted Cruz. Një pjesë e politikës së njohur të republikanëve e ka kaq shumë halë në sy Donald Trump, saqë ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe miliarderi Michael Bloomberg ka bërë të ditur se do të hedhë kandidaturën për president nëse Trump nominohet nga republikanët dhe Berni Sanders nga demokratët. Spikeri Javën e kaluar edhe Pentagoni reagoi ndaj deklaratave raciste të Donald Trump për ndalimin e hyrjes së muslimanëve në SHBA. “Retorika anti-myslimane e kandidatit Donald Trump cënon sigurinë e Shteteve të Bashkuara.” Ka qenë kjo deklarata e zëdhënësit të Departamentit të Mbrojtjes amerikane, Peter Cook, i cili tha se deklaratat e miliarderit mund të nxisin një urrejtje edhe më të madhe në radhët e militantëve të grupeve ekstremiste. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit John Kerry ju bashkua kritikave të bëra ndaj Trump, duke nënvizuar se fjalët e tij nuk luajnë një rol konstruktiv në shkatërrimin e ISIS. Nga ana tjetër, kandidatja e kampit demokrat, Hillary Clinton nuk ka nguruar që të shfrytëzojë rastin për të bërë një tjetër sulm politik ndaj kryesuesit të sondazheve në radhët e Republikanëve. Clinton tha se Trump është paragjykues dhe paranojak, duke shtuar se propozimi i tij është një ide e turpshme dhe e rrezikshme. Sipas saj, Shtetet e Bashkura duhet të bashkëpunojnë me myslimanët dhe me të gjithë shtetet e tjera pa dallime fetare. Spikeri Megjithatë, analistët mendojnë se çështja e email- eve sekrete të Hillary Clinton në kohën kur ajo ishte sekretare e DASH, ka dobësuar ndjeshëm pozitën e saj në garën elektorale për zgjedhjet presidenciale. Serveri i pasiguruar në shtëpinë e Hillary Clinton përmbante dhjetëra email-e të cilat klasifikohen si “top secret” dhe kjo është hera e parë që deklarohet publikisht se ato ishin të klasifikuara. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, javën e kaluar, në një konferencë shtypi deklaroi se dokumentet nuk ishin të klasifikuara në kohën kur ishin dërguar. Mesazhet më pas janë klasifikuar si “top secret” pasi përmbanin të dhëna që mund të shkaktonin një dëm “jashtëzakonisht të rëndë” në aspektin e sigurisë kombëtare në rast se do të zbuloheshin. Zyrtarët e inteligjencës thanë se serveri përmbante edhe projekte të tilla si “sulme me dronë” apo “përgjimet qeveritare”. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse Clinton ka dërguar apo ka pranuar email-e me përmbajtje “top secret”. Kirby deklaroi se mesazhet e klasifikuara si “top secret” nuk kanë asnjë mundësi që të publikohen, madje as te redaktuara. Përdorimi i një email-i personal nga ana e Hillary Clinton në kohën sa ishte Sekretare e Shtetit është bërë një çështje në SHBA, sidomos në fushatë. Shumë rivalë e kanë akuzuar se e ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare. Spikeri Presidenti amerikan Barack Obama ka vendosur të mos mbështesë asnjë kandidat demokrat përpara se Partia Demokratike të zgjedhë se cili prej tyre do të jetë ai që do të garojë në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë. Denis McDonough, shef i kabinetit të presidentit Obama, tha se Obama ka vendosur të qëndrojë larg, pavarësisht se sondazhet flasin në të mirë të Hillary Clinton, ish-kandidatja e Obamas në zgjedhjet për mandatin e pare dhe më vonë Sekretarja e Shtetit. “Presidenti Obama nuk po bën asgjë se çfarë është bërë më përpara”, ka thënë McDonough. Kandidati që do të garojë për Partinë Demokratike do të zgjidhet më 25 korrik në kongresin e Filadelfias, ndërsa republikanët në Klevelend katër ditë më përpara. Sidoqoftë, debati mes demokratëve ka qenë i ashpër edhe javën e kaluar. Kontrolli i armëve dhe kujdesi shëndetësor ishin pikat e nxehta të atij, që u përshkrua nga mediat ndërkombëtare si debati më i gjallë televiziv i demokratëve deri më tani. Hillary Clinton sulmoi qëndrimin e rivalit Bernie Sanders mbi armët, e tha se plani i tij për shëndetësinë rrezikon të nxjerrë nga shinat legjislacionin e fundit. Sanders, nga ana tjetër, u përgjigj duke e akuzuar kundërshtaren e madhe brenda kampit demokrat se, është “në xhepin” e institucioneve financiare përgjegjëse për krizën e 2008-s. “E kam bërë të qartë, mbështetur në vet të dhënat e senatorit Sanders, se ka votuar disa herë me NRA-në, me lobin e armëve kundër ligjit, që do t’i bënte përgjegjës prodhuesit për dëmet e shkaktuara nga pushkët e pistoletat e tyre”, tha Clinton. “Unë për vete nuk bëj parà nga bankat e mëdha, nuk marr honorare personale për zëdhënie nga Goldman Sachs”, u kundërpërgjigj Bernie Sanders. Në këtë mënyrë, debati i demokratëve, ashtu si dhe e gjithë fushata e tyre, është shndërruar në sfidë mes Hillary Clintonit, përfaqësuesen e asaj klase politike ekzistuese që premton përmirësimin e tij, dhe revolucionarit Sanders, i cili kërkon trazimin e “status quo”-së. Spikeri Qyteti Baltimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, javën e kaluar është përfshirë nga protestat menjeherë pas anulimit të procesit të një prej oficerëve policorë, të përfshirë në vrasjen e Freddie Gray, një person me ngjyrë i vrarë në prill të këtij viti. Në çështjen e afroamerikanit i cili humbi jetën pas arrestit, janë përfshirë gjashtë policë gjithsej, teksa një gjykatës vendosi anulimin e çështjes për Ëilliam Porter. Gjykatësi i Baltimorës Barry Ëilliams tha se gjykata do të planifikojë një gjykim të ri, por kjo nuk ka kënaqur banorët e qytetit, përkundrazi i ka irrituar, duke bërë që qindra njerëz të dalin në rrugë duke kërkuar drejtësi. Të mbledhur në qendër të qytetit protestuesit brohorisnin skemi asgjë për të humbur pëvecse zinxhirëve tanë dhe për këtë fajtor është i gjithë sistemi. Pas konfrontimeve 2 protestues u arrestuan, teksa protestuesit u mblodhën edhe në lagjen e viktimës Gray. Familja Gray dhe zyrtarë, përfshirë kryetaren e Bashkisë se Baltimorës Stephanie Blake, bënë thirrje për qetësi duke u kërkuar banorëve të distancohen nga aktet e dhunës. Trazirat në qytetin me 620 mijë banorë, shumica me ngjyrë, kanë intensifikuar debatin e trajtimit diskriminues dhe racist të popullsisë me ngjyrë nga ana e policisë amerikane.

Tags