Qershor 25, 2017 09:23 CET
  • Ramazani, muaji i Zotit

Qetësia është elementi i humbur i njeriut. Në të vërtetë mund të thuhet se motivi kryesor i njeriut në lëvizjet, në përpjekjet dhe në kënaqësitë, është arritja në qetësi. Njeriu mbledh pasuri që të arrijë në qetësi, blen tokë e shtëpi për të arritur në qetësi, ndjek jetën luksoze që të arrijë në qetësi, ndërsa edhe atëherë kur adhuron Zotin, synon të arrijë në qetësi. Mirëpo në të vërtetë cila prej këtyre çështjeve i jep njeriut një qetësi të qëndrueshme?

Miq të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës të programit "Ramazani, muaji i Zotit". Psikologët thonë se ne njerëzit në qenien tonë kemi shumë potenciale për të pranuar dashurinë, prandaj me zbrazjen e secilit prej këtyre potencialeve, njeriu ndjen mungesë dhe brengosje. Potenciali më i rëndësishëm është potenciali që mbushet me dashurinë e Zotit dhe krijon ndjenjën e qetësisë në qenien e njeriut. Qetësia është elementi i humbur i njeriut. Në të vërtetë mund të thuhet se motivi kryesor i njeriut në lëvizjet, në përpjekjet dhe në kënaqësitë, është arritja në qetësi. Njeriu mbledh pasuri që të arrijë në qetësi, blen tokë e shtëpi për të arritur në qetësi, ndjek jetën luksoze që të arrijë në qetësi, ndërsa edhe atëherë kur adhuron Zotin, synon të arrijë në qetësi. Mirëpo në të vërtetë cila prej këtyre çështjeve i jep njeriut një qetësi të qëndrueshme?

Erich Fromm, psikolog gjerman, shkruan: "Ishte menduar se mirëqenia materiale dhe qetësia e gjithanshme, të krijojë lumturinë dhe qetësinë për njeriun. Prodhimi i pakufizueshëm, liria absolute dhe zhvillimet mahnitëse janë bërë me qëllim që parajsën tokësore ta zëvendësojnë me parajsën e premtuar hyjnore, mirëpo... e vërteta është kjo që epoka industriale ka dështuar në realizimin e premtimit të saj të madh dhe njerëzit gjithnjë e më shumë po e kuptojnë se plotësimi sa më i pakufizuar i dëshirave të egos, nuk është rruga e arritjes së qetësisë dhe lumturisë".

Qetësia, një dëshirë e humbur

Albert Schweitze, mjek gjerman, i cili në vitin 1952 fitoi çmimin Nobel për Paqe, në kohën e marrjes së këtij çmimi, duke iu drejtua popujve të botës tha: "Njeriu është bërë supermen, mirëpo ky supermen nuk ka arritur në arsyen dhe mendjen soperiore. Në po atë masë sa zhvillohet forca e njeriut, në po atë masë njeriu shndërrohet në një qenie më të dobët dhe më të dobët dhe kjo çështje duhet të lëkundë ndërgjegjen tonë".

Në këtë mes, nga pikëpamja e atij që e ka krijuar njeriun dhe i di të gjitha dhimbjet, kurimet, preokupimet dhe karakteristikat e njeriut, qetësia arrihet vetëm me një gjë: përmendja e Zotit dhe lidhje me Krijuesin. Ashtu sikur që vetë në Kur'anin e shenjtë thotë: "Dijeni se zemra qetësohet vetëm me përmendjen e Zotit!" (Ra'd: 28).

Mevlana, poeti dhe gnostiku i njohur iranian në lidhje me këtë ka thënë: "Në qenien e njeriut ekziston një dashuri, një dhimbje dhe një kërkesë që edhe nëse njëqind botëra do të bëhen pronë e tij, ai nuk arrin në qetësi! Kjo krijesë e quajtur njeri, në mënyrë të ndarë preokupohet me çdo profesion, zanat dhe funksion dhe studion edhe shkenca të ndryshme si astrologjinë, mjekësinë e të ngjashme, mirëpo kurrë nuk arrin në qetësi! Kjo është për arsye se ai nuk arrin atë që është qëllim, sepse zemra arrin në qetësi nëpërmjet lidhjes me Zotin... Kënaqësi të tilla dhe qëllime të tilla janë si një shkallë dhe këmbët e shkallës nuk janë diçka në të cilat duhet të mbetet njeriu, por janë vetëm për të kaluar. I lumtur është ai i cili zgjohet më shpejtë dhe e kupton, në mënyrë që të shkurtohet rruga e tij e gjatë dhe ai të mos e humbë jetën e tij në këto këmbë të shkallës (kënaqësive dhe qëllimeve të kësaj bote)".

Vetëm me përmendjen e Zotit, qetësohen zemrat

Në pjesën e dytë të edicionit po lexojmë ajetin 64 të sures Nisa të Kur'anit të shenjtë:

وَ ما اَرْسَلْنا مِنْ رَسُولٍ اِلّا لِیُطاعَ بِاِذْنِ اللَّهِ وَ لَوْ اَنَّهُمْ اِذ ظَلَمُوا اَنْفُسَهُمْ جاءُوکَ فَاسْتَغْفَرُوا اللَّهَ وَاسْتَغْفَرَ لَهُمُ الرَّسُولُ لَوَجَدُوا اللَّهَ تَوَّاباً رَحیماً.

"Ne nuk kemi dërguar asnjë profet, përveçse me ndihmën e Zotit, t'i nënshtrohen atij. Dhe nëse ata pasi kanë bërë padrejtësi ndaj vetës, vijnë pranë teje dhe kërkojnë falje pranë Zotit dhe Profeti i Zotit kërkon falje për ata, padyshim se Zoti është Ai që pranon shumë pendimin dhe është i mëshirshëm".

Në komentimin e këtij ajeti thuhet:

Zoti i madhëruar nga mesi i robërve të Tij, dërgon disa për profet për ta kumtuar mesazhin hyjnor për njerëzit e tjerë. Ata kanë përgjegjësi udhëzimin e njerëzve drejt përkryerjes së merituar njerëzore. Mirëpo një çështje të cilën e paraqet ky ajet, është kjo që profetët e Zotit çdo gjë që kanë, është nga ana e Zotit dhe nëse nënshtrimi ndaj urdhrave të tyre është obligim sikur nënshtrimi ndaj urdhrave të Zotit, kjo është me urdhrin e Zotit të madhëruar.

Pastaj, ajeti kur'anor ka hapur rrugën e kthimit dhe pendimit për mëkatarët. Mirëpo çështje tjetër interesante dhe me rëndësi që ekziston në këtë ajet është kjo që në vend se të thotë: "nuk kanë zbatuar urdhrat e Zotit", thotë: "atëherë kur kanë bërë padrejtësi ndaj vetes!" Do të thotë se ai i cili nuk ka zbatuar urdhrat e Zotit dhe të dërguarit të Tij, në realitet ka bërë padrejtësi dhe dhunë ndaj vetes. Kjo është për arsye se urdhrat hyjnorë të gjitha janë në kuadër të interesave njerëzore dhe ai i cili nuk zbaton këta urdhra, ka prishur bazën e jetës së tij dhe nuk do të arrijë progres as në aspektin shpirtëror.  

Nga ana tjetër, ky ajet është përgjigje e qartë për ata të cilët kërkimin e ndërmjetësimit nga Profeti s.a.v.s. e konsiderojnë idhujtari. Ky ajet thotë: "Shkuarja pranë Profetit s.a.v.s. dhe kërkesa që Profeti s.a.v.s. të ndërmjetësojë pranë Fronit Hyjnor për të kërkuar falje për robërit mëkatarë, është një veprim me ndikim dhe bëhet shkak të pranohet pendimi i robërve dhe ata të fitojnë mëshirën hyjnore". Tani nëse ndërmjetësimi i Profetit s.a.v.s. dhe kërkimi i faljes së tij për robërit është idhujtari, atëherë si është e mundur që Kur'ani jep një urdhër të tillë për mëkatarët?! Natyrisht se njerëzit mëkatarë së pari vet duhet të pendohen dhe të kthehen nga rruga e gabuar, pastaj për tu pranuar pendimi i tyre le të shfrytëzojnë edhe ndërmjetësimin e Profetit s.a.v.s.. Nuk ka dyshim se vet Profeti s.a.v.s. nuk është falës i mëkateve, por vetëm mund të kërkojë nga Zoti i madhëruar që t'i falë mëkatet e robërve. Është interesantë se Kur'ani i shenjtë nuk thotë: "Ti fali mëkatet e njerëzve", por thotë: "I Dërguari le të kërkojë faljen e mëkatarëve pranë Zotit!" Thuajse kjo shprehje vë në dukje faktin se Profeti s.a.v.s. të shfrytëzojë pozitën e tij që ka pranë Zotit të madhëruar dhe për mëkatarët që janë penduar, le të kërkojë falje pranë Fronit Hyjnor.

Khaxhe Abdullah Ansari, gjithashtu, në komentimin letrar dhe gnostik të tij rreth këtij ajeti thotë: "Ky ajet vë në dukje pozitën e lartë të Hazretit Muhamed s.a.v.s. pranë Zotit të Madhëruar dhe kjo është një pozitë e fisnikërisë dhe nderimit që Zoti i bënë atij sepse ka hequr pengesat dhe urdhrin hyjnor e ka barazuar me urdhrin e Profetit s.a.v.s., në mënyrë që të gjitha krijesat e botës ta kuptojnë se zbatimi i urdhrit të Profetit s.a.v.s. është zbatimi i urdhrit të Zotit dhe veprimi i Profetit s.a.v.s. është shpallje nga Zoti dhe fjala e të Dërguarit s.a.v.s. është rruga e Zotit dhe veprat e të Dërguarit janë argument i të vërtetës dhe ndjekja e të Dërguarit, është dashuri ndaj Zotit".

Në pjesën e fundit të edicionit do të paraqesim disa këshilla mjekësore dhe ushqimore për muajin Ramazan. Ndoshta problemi i znj. Salehi mund të jetë edhe problemi i juaj! Ajo thotë: "Agjërimin e dua shumë. Kënaqësia shpirtërore dhe gjendja shpirtërore e këtij muaji, është shumë e bukur. Mirëpo kur agjëroj, kam  një dobësi të madhe dhe nuk kam vullnet për asgjë. Jam e brengosur se mos ndoshta nuk do ta çojë deri në fund këtë adhurim!"

Znj. Salehi dhe miqve të tjerë të cilët kanë shqetësime të ngjashme i kujtojmë se:

Agjërimi në stinën e verës me temperatura të larta, dallon nga agjërimi në stinët e tjera. Keni etje më shumë dhe nëse jeni të punësuar, gjatë ditës përballeni me humbjen e nivelit të energjisë gjatë ditës, si dhe me reduktimin e aktivitetit fizik. Ekspertët këshillojnë që për reduktimin e presionit të urisë dhe etjes në ditët e muajit të bekuar të Ramazanit derisa është e mundur, mos e hiqni racionin e syfyrit nga ushqimi në muajin e Ramazanit. Mosngrënia e racionit të syfyrit do të thotë se trupi nuk merr karbohidratet e duhura për një kohë të gjatë dhe si rezultat bie presioni i gjakut, humbët vullneti për aktivitet, krijohet dhimbja e kokës, dobësohen nervat etj.. Ngrënia e syfyrit është një sunet islam, sepse bëhet shkak që të lehtësohet vështirësia e agjërimit dhe të shkurtohet koha e urisë dhe etjes. Prandaj, myslimani agjërues, preferohet që të zgjohet për syfyr dhe të hajë pak ushqim, sa do pak që të jetë, ose të paktën të pijë pak ujë. Ngrënia e ushqimeve me proteina në syfyr, redukton dobësimin e shkaktuar nga uria. Ngrënia e ushqimeve gjella me mish, mund të mënjanojë urinë e parakohshme gjatë muajit të Ramazanit. Këto gjella të gatuara, për shkak se tretën më ngadalë, ndihmojnë në këtë çështje. Në syfyr nuk këshillohet konsumimi i ushqimeve që kanë sheqer si llojet e sherbeteve ose reçeleve, sepse këto ushqime shtojnë shumë shpejtë glukozën e gjakut dhe shkaktojnë rrjedhjen e insulinës në trup në mëngjes. Ngrënia e sallatave dhe perimeve, redukton etjen gjatë ditës.

Z. Haxhi Faraxhi, specialist për ushqyerje, në lidhje me këtë thotë: "Racioni i syfyrit është racioni më i rëndësishëm në të cilin agjëruesit me konsumimin e perimeve dhe proteinave në masë të duhur, mund të kontrollojnë marrjen dhe tretjen e lukthit. Kjo është për arsye se ushqime me përmbajtje të tillë ndihmojnë shumë në sigurimin e ujit në trupin e agjëruesit". Ai në vazhdim thotë: "Agjëruesit në programin e tyre ushqimor duhet të vendosin të gjitha proteinat e mishit pa dhjam dhe me pak dhjam, ndërsa tu shmangen ushqimeve me yndyrë sidomos atyre të fërguara gjatë muajit të Ramaaznit. Kjo është për arsye se ushqime të tilla shkaktojnë humbjen e vullnetit të trupit për aktivitet dhe trupi mbetet pa energji, prandaj më mirë është që të konsumohen ushqime të ziera".

Përveç kësaj, koha e syfyrit në të gjitha fetë konsiderohet koha më e mirë për lutje dhe adhurimin e Zotit. I Dërguari s.a.v.s. ka lajmëruar duke thënë: "Engjëjt kërkojnë falje dhe lutën për ata të cilët gjatë kohës së syfyrit kërkojnë falje pranë Fronit Hyjnor dhe ngrënin syfyr".

Tags