Tregimet dhe legjendat iraniane
Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.
Në edicionin e kaluar në kuadër të llojeve të letërsisë popullore, kemi shpjeguar karakteristikat e tregimeve fabula që tregohen nga gjuha e kafshëve. Gjithashtu thamë se këto tregime janë transmetuar nga letërsia gojore dhe popullore tek shkrimtarët dhe poetët të cilët i kanë përdorur ato për paraqitjen e mendimeve të tyre duke i zhvilluar edhe më tepër ato. Në këtë kuadër vërehet se një grup i tregimeve fabula nuk kanë ndonjë qëllim të caktuar moral dhe edukativ, ndërsa në grupin tjetër në fund të tregimit arrihet në një konkludim moral dhe edukativ.
Të rralla janë ato vepra didaktike persiane në të cilat nuk është përdorur alegoria dhe tregimi për të shpjeguar dhe paraqitur parimet morale, parimet e njohjes dhe parimet gnostike. Tradita dhe metoda e këshillimit të funksionarëve të oborreve mbretërore, gjithmonë ka qenë në qendër të vëmendjes së autorëve dhe të transmetuesve të tregimeve. Për këtë arsye në shumicën e rasteve ligjëratat dhe këshillat janë bërë në lidhje me çështjet përkatëse me oborret botërore dhe ato kryesisht u drejtohen funksionarëve të oborrit mbretëror. Studimi i historikut dhe të kaluarës së veprave të dalluara si Kelile va Dimne dhe Marzbanname të cilat janë krijuar duke patur personazhe kryesore kafshët, tregojnë se funksionarët mbretërorë më shumë se çdo kush tjetër kanë kërkuar tregime të tilla. Edhe në tregimet fabula si Kelile va Dimne që kanë burim nga India, vërehet se inkurajues kryesorë për hartimin dhe shkrimin e tregimeve të tilla gjithmonë kanë qenë mbretërit dhe funksionarët e lartë të oborrit mbretëror.
Temë e shumicës së fabulave është stili i jetës mbretërore dhe etika politike. Publiku i një numri të madh të këtyre tregimeve, janë mbretërit dhe sulltanët. Analistët e tregimeve besojnë se përshkrimi i marrëdhënieve të kafshëve të dobëta me kafshët e forta ose e marrëdhënieve të kafshëve të forta me kafshët e forta, ose këshilla për të ndjekur mbështetjen në Zotin, maturinë, largpamësinë, para se gjithash i drejtohet marrëdhënieve mes individëve të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Shkrimtarët shumë mirë e dinin se me këtë lloj të tregimeve shumë lehtë mund t'u drejtohen sunduesve autoritar dhe t'i informojnë ata në lidhje me dobësitë dhe problemet e shoqërisë.
Fabulat kanë një historik rreth 30 shekuj dhe në veprat e ndryshme letrare të Indisë, Greqisë dhe Iranit ekzistojnë shembuj të tregimeve të tilla që i përkasin një kohe para më shumë se 2000 viteve. Këto tregime konsiderohen lloji më i vjetër i letërsisë të cilat janë ritransmetuar edhe në mesin e popullit të thjeshtë por edhe në qarqet e shtresave intelektuale. Ky lloj i tregimeve, konsiderohet lloji më i vjetër i tregimeve dhe letërsisë që kurrë nuk kanë humbur rëndësinë dhe vlerën e tyre. Përgjatë historisë dhe në të gjitha kulturat dhe gjuhët, ky lloj i tregimeve është krijuar nga shkrimtarët me qëllime të ndryshme didaktike dhe kritike, sipas kërkesave dhe nevojave të situatës shoqërore, politike dhe kulturore. Në gjuhën persiane gjithashtu, nëpërmjet përkthimit dhe përshtatjes dhe nga folklori popullor, një sasi e madhe e tregimeve fabula janë futur në prozën dhe poezinë persiane.
Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani po dëgjojmë tregimin e radhës. Tregimin e bukur "Luani dhe Lepuri" të marrë nga vepra Kelile ve Dimne dhe nga Masnevija e Mevlanas.
Është transmetuar se një grup i kafshëve të egra jetonin në një vend të bukur dhe me një luan që jetonte gjithashtu në atë vend, gjithmonë kishin konflikt e luftë, për arsye se luani e konsideronte vetën mbret të bjeshkës, fushës, malit dhe të të gjitha kafshëve dhe në mënyrë të hapur dhe të fshehur rrëmbente kafshët. Shkurtimisht, luani ua kishte bërë jetën të hidhur të gjitha kafshëve. Kafshët vendosen të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. Shkuan pranë luanit dhe së pari e lavdëruan atë dhe i thanë: "Ne tani e tutje, ushqimin tënd do ta zgjedhim nga mesi i të gjitha kafshëve dhe për çdo ditë do ta sjellim ty, prandaj ti pranoje këtë zgjidhje dhe më mos na dil në prit! Në këtë mënyrë edhe sofra e një mbreti si ti, do të zbukurohet me mishin tonë, por edhe kullota dhe jeta jonë nuk do të bëhet e hidhur, e frikshme dhe me plotë vuajtje".
Luani tha: "Unë kam përjetuar shumë hile dhe mashtrime nga persona të ndryshëm. Për këtë arsye unë nuk u besoj fjalëve dhe premtimeve tuaja! Nëse ju e thoni të vërtetën dhe do t'i qëndroni besnikë zotimit tuaj, atëherë unë do ta pranoj kërkesën tuaj!"
Kafshët thanë: "O mbreti i xhunglës! Ti duhet të mbështetësh tek Zoti dhe të bindesh e të jesh i kënaqur me furnizimin që të ka caktuar Zoti! Furnizuesi kryesor është Zoti dhe nuk duhet të bësh përpjekje për të arritur furnizim më të madh dhe të biesh në kurthin e lakmisë dhe të harrosh Zotin!"
Luani tha: "Zoti, pasi më ka dhënë mua duar, këmbë, kthetra dhe dhëmballa, duhet të bëjë përpjekje në kërkim të furnizimit!"
Shkurtimisht pas një dialogu të gjatë, dhelpra, kaprolli, lepuri dhe çakalli bënë marrëveshje me luanin që t'i qëndrojnë besnikë zotimit të dhënë dhe për çdo ditë t'i dërgojnë luanit ushqimin e tij në mënyrë që të mos ketë nevojë më për luftë, ikje-ndjekje dhe përpjekje. Pas kësaj kafshët u mblodhën në një kuvend dhe në fund arritën në këtë vendim që për çdo ditë të hedhin short dhe kujt t'i bie shorti, ajo kafshë do të bëhet ushqimi i luanit. Të gjitha kafshët e pranuan këtë vendim. Që nga ajo ditë, kafshët për çdo ditë hidhnin short dhe kujt i bije shorti, ajo kafshë e mjerë dërgohej për luanin. Luani, gjithashtu e mbyste gjahun e fituar pa mund dhe e hante derisa një ditë shorti i ra lepurit.
Lepuri i cili ishte i pakënaqur nga kjo çështje, filloi të kërkojë zgjidhje. Lepuri nuk pranoi të shkojë pranë luanit që ai ta hajë atë, mirëpo kafshët e qortuan atë duke i thënë se më një veprim të tillë, ai do ta shkeli marrëveshjen që është vendosur me luanin dhe ai më në fund do të zemërohet. Më mirë është që para se luani të zemërohet, ai të shkojë pranë luanit.
Lepuri tha: "Më jepni pak kohë që të mendohem, ndoshta me një maturi, do të mund të shpëtoj edhe vetën edhe juve nga dhuna e luanit".
Kafshët thanë: "Si është e mundur? Çfarë janë këto fjalë që thua ti duke marrë parasysh trupin dhe mendjen e vogël që ke? Ti kurrë nuk mund ta mundësh luanin!"
Lepuri tha: "Unë me ndihmën e Zotit, e kamë kuptuar se me maturi dhe zgjuarsi, mund të shpëtoj nga dhuna e luanit dhe t'u shpëtoj edhe juve nga barbaria e luanit! Zoti është i madh dhe iu fuqishëm!".
Kafshët thanë: "O lepur me inteligjencë, na trego se çfarë plani ke?"
Lepuri tha: "Çdo sekret nuk mund të zbulohet me fjalë. Më lejoni të shikoj se çfarë do të jetë rezultati".
Kafshët pranuan. Lepuri u nis rrugës dhe pas një shëtitje të gjatë në pyll, shkoi pranë luanit. Lepuri duke vrapuar shkoi pranë luanit. Luani i cili ishte zemëruar nga vonesa e ushqimit, kur e pa lepurin u tërbua fare dhe tha: "Pse erdhe vonë? Ti lepur i vogël dëshiron të mos u nënshtrohesh urdhrave të mi?"
Lepuri tha: "Nëse ke pak durim, do të shpjegoj arsyen e vonesës time. Unë dhe shoku imë i cili ishte shumë më i trashë dhe më i madh se unë, në mëngjes herët u nisëm që të vijmë pranë teje dhe t'i të haje shokun tim. Mirëpo gjatë rrugës, një luan tjetër na sulmoi neve dhe unë i thash atij: ne jemi rob dhe ushqim i mbretit të xhunglës, ti nuk duhet të na sulmosh neve! Ai luan tha: "Cili mbret! Unë do të bëjë copa-copa edhe ty edhe mbretin tënd!!" Unë i thash atij: na lejo që ta informojmë mbretin! Ai luan i tërbuar tha: "Lere shokun tënd peng këtu dhe shko te mbreti yt!"
Luani tha: "Më trego ku është ai luan!"
Lepuri filloi t'i tregojë rrugën luanit dhe e çoi atë drejt një pusi, të cilin e kishte paraparë për zbatimin e planit të tij. Kur arritën pranë pusit, lepuri u ndal!
Luani i tha: "Pse u ndale mbrapa o lepur eja para?"
Lepur u përgjigj: "Ai luani i tërbuar jeton brenda në pus dhe unë kam frikë nga ai!"
Luani tha: "Mos ke frikë! Sepse unë jam më i fuqishëm se ai! Eja të marrë në krah dhe shiko se a është ai luan brenda në pus apo nuk është!"
Lepuri u vendos në krahët e luanit sikur një foshnje dhe luani së bashku me lepurin shikuan brenda në pus. Kur luani dhe lepuri shikuan brenda në pus, luani e pa në ujë fotografinë e vetë së bashku me lepurin që e mbante në krah! Luani mendoi se me të vërtetë brenda në atë pus ndodhet një luan së bashku me një lepur. Ai e lëshoi lepurin në tokë dhe nga zemërimi i madh, u hodh në pus për ta mbytur armikun dhe për ta marrë lepurin e trashë. Në këtë mënyrë, me zgjuarsinë dhe me maturinë e lepurit, luani ra në pus dhe ngordhi, ndërsa kafshët e pyllit shpëtuan nga dhuna e tij.