Tetor 19, 2017 08:50 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Miq të nderuar në edicionet e kaluara bëmë një vizitë në provincën Azerbajxhani Lindor në veriperëndim të Iranit dhe u njohëm me vendet e bukura historike dhe natyrore të kësaj province. Në këtë edicion do të vazhdojmë udhëtimin tonë në provincën Azerbajxhani Lindor duke prezantuar artizanalet dhe disa monumente historike të këtij rajoni të bukur dhe me këtë do ta përfundojmë udhëtimin tonë në këtë provincë.

Provinca Azerbajxhani Lindor është një prej qendrave të artizanaleve të Iranit. Artizanalet e dalluara të kësaj province janë tapeti i dorës, qilimi i punuar me dorë, punimet prej druri (si punimi i vulave, llojeve të ndryshme të mozaikut, gdhendja, punimi i shportave dhe punime me thurje), qëndisjet tradicionale (prej pambuku dhe mëndafshi), shtypjet tradicionale, punimet me qelq, punimet me parcelon, punimet e metalta (si gravurë, gdhendje, zbukurimin e librave me miniaturë dhe me ujë floriri). Prezantimi i të gjitha këtyre artizanaleve të kësaj province, gjithashtu nuk mund të përfshihet vetëm në këtë edicion, prandaj ne do të përkushtohemi në prezantimin e artizanaleve më të njohura të kësaj province.

Në fushën e punimit të tapetit me dorë, provinca Azerbajxhani Lindore ka një histori të lashtë dhe një kredibilitet të veçantë. Emri i tapetit iranian është i lidhur ngushtë me emrin Tabriz dhe me të dëgjuar emrin Tabriz, në mendjen e dëgjuesit menjëherë pasqyrohet tapeti i bukur iranian.

Artistët e talentuar dhe të aftë të këtij rajoni të Iranit, gjithmonë duart dhe mendjen e tyre i përdorin për prodhimin e modeleve më të bukura të tapetit dhe rezultat i shijes, novacionit dhe durimit të tyre, janë veprat e pavdekshme të cilat tërheqin vëmendjen e të gjithëve.

Në bazë të burimeve ekzistuese, në shekullin e tretë hixhri kameri, provinca e Azerbajxhanit ka qenë një prej qendrave më të mëdha për prodhimin e tapetit dhe qilimit. Në periudhën e dinastisë Selxhuke dhe Ilkhanije (shek. 11 deri në gjysmën e shek. 14), arti i punimit të tapetit në provincën e Azerbajxhanit ka qenë shumë i zhvilluar. Në bazë të miniaturave që ndodhen në manuskripte si në pesë veprat e Nizamijut, vërehen veprat e Kasem Ali dhe disa vepra të tjera të cilat në të shumtën e rasteve pasqyrojnë planet e tapetit dhe mënyrën e punimit të tyre. Arti i punimit të tapetit ka kaluar rrugën e zhvillimit dhe përkryerjes së vetë gjatë periudhës së dinastisë Tejmuriane dhe më pas në periudhën e dinastisë Safavite. Në këtë periudhë janë paraqitur dhe zhvilluar edhe plane të reja si plani për formën e sexhades, plani me lule kaçube, plani i bergamotave dhe laçak, plani i pikturës me kafshë, si dhe plani me lulen e mbretit Abasi. Në këto plane dallohen karakteristikat si larmia e ngjyrave dhe përdorimi i mëndafshit që ka ngritur jashtëzakonisht nivelin e bukurisë, mjeshtërisë dhe cilësinë e tapetit. Modele të tapeteve të tilla aktualisht gjenden në shumë muze të botës dhe ekspozohen për dashamirësit e këtij artizanali.

Aktualisht, provinca e Azerbajxhanit gjithashtu është një prej qendrave të rëndësishme të prodhimit të llojeve të ndryshme të tapetit në Iran dhe punimi i tapetit është i zhvilluar në shumicën e qyteteve dhe fshatrave të kësaj province.  

Artizanali i punimit të tapetit në qytetet e Azerbajxhanit zhvillohet në formën e punishteve ose fabrikave dhe në fshatra është zhvilluar në formë të një njësie për punimin e tapetit dhe për çdo vit prodhohen një numër i madh i tapetave të ndryshme në plane të llojllojshme dhe eksportohet në tregjet vendore dhe ndërkombëtare.

Qyteti i Tabrizit është një prej qendra kryesore të prodhimit të tapetit të Iranit dhe që nga koha e sunduesit Halakukhan të Mongolëve (gjysma e dytë e shek. 13) dhe më pas, ka qenë qendra e shitblerjes së tapetit. Tapetat e Tabrizit ndjekin planin tradicional dhe që nga rreth 300 vite më parë, nuk është vërejtur ndonjë ndryshim esencial në planin e tapetit të këtij qyteti. Natyrisht se përkrah tapetave tradicionale, artistët e punimit të tapetit duke shfrytëzuar talentin dhe novacionin e tyre, kanë prezantuar modele të reja shumë të bukura të tapetit. Cilësia e lartë dhe arti i punimit të tapetit të Tabrizit përkrah kushteve dhe mundësive të gjera të cilat janë krijuar nga artistët gjatë periudhave të ndryshme, janë bërë shkak që tapeti i këtij rajoni të eksportohet edhe në tregjet ndërkombëtare. Si rezultat i kësaj veprimtarie, në tregjet e Evropës dhe të Amerikës planet e ndryshme të punuara në tapetin e Tabrizit, kanë kërkues më të shumtë.

Ashtu siç thamë në fillim të këtij edicioni, artizanalet në provincën Azerbajxhani Lindor kanë një larmi të madhe. Produktet prej qeramike të kësaj province prodhohen në qytetet Zunuz dhe Tabriz. Përveç punishteve të prodhimit të qeramikës në qytetit Zunus, në qytetin Shabstar gjithashtu artizanali i punimeve prej parceloni dhe prej dheu, ka një histori mjaftë të gjatë dhe produktet prej dheu të këtij rajoni eksportohen në të gjitha rajonet e tjera të provincës Azerbajxhan dhe të Iranit.

Qepja me gjilpërë është një prej artizanaleve të tjera shumë të bukura të këtij rajoni i cili është zhvilluar më së shumti në rajonin Mamkan që ndodhet 50 km në perëndim të Tabrizit dhe ka një histori bukur të vjetër. Artistët e artizanaleve të punës me gjilpërë në Mamkan duke përdorur mëndafshin ngjyra-ngjyra, të gjithë sipërfaqen e pëlhurës me talent të veçantë e punojnë me gjilpërë. Në të kaluarën, mëndafshin natyral e përdornin për qëndisje, mirëpo sot ai është zëvendësuar me mëndafshin industrial. Lloji i qëndisjes në Makman dhe planet dhe pikturat e bukura të këtij artizanali që janë produkt i qëndisjes me gjilpërë në rajonin Makman, dallohen nga llojet i produkteve të këtij artizanali që prodhohen në rajone të tjera të Iranit. Puna me gjilpërë e rajonit Makman zakonisht përdoret për zbukurimin e mbulojës së tavolinës, shtratit, tabakëve të gotave etj..

Shtypja ose printimi Batik, gjithashtu, është një tjetër artizanale i zhvilluar në provincën Azerbajxhani Lindor i cili është përhapur më shumë në qytetin Osku. Shtypja Batik është prej llojeve të shtypjes tradicionale dhe Osku është i vetmi qytet iranian në të cilin akoma funksionojnë punishtet e shtypjes Batik.

Shtypja Batik bëhet duke shtypur figura mbi pëlhurën e mëndafshit dhe zakonisht përdoren figurat dhe pikturat tradicionale në këtë artizanal. Metoda e punës e këtij artizanali është në këtë mënyrë që pjesët e caktuara mbulohen me dyllë dhe pastaj pjesët e tjera i ngjyrosin. Produktet e mëndafshta që prodhohen nga artistët e qytetit Osku ofrohen në treg në forma të ndryshme si copa pëlhure dhe lloje të ndryshme të shamisë. Në vitet e fundit këto copa pëlhure përdoreshin për prodhimin e çantave, xhepave për vendosjen e çelësave, syzeve etj..

Miq të nderuar përkrah vizitës dhe blerjes së artizanaleve dhe tapetave të bukura të Tabrizit, shumë turistë të cilët udhëtojnë në këtë rajon të Iranit, blejnë fruta të terura dhe të thata dhe ëmbëlsira të njohura të Azerbajxhanit si dhuratë për të dashurit e tyre. Frutat e thata të Azerbajxhanit, sidomos ato të Tabrizit që nga e kaluara kanë qenë të njohura për nga cilësia dhe konsiderohen produkte më të mira të këtij lloji të prodhuara në Iran. Ky lloji i produkteve ka shumë kërkues në tregjet vendore dhe të huaja. Llojet e ëmbëlsirave, gjithashtu janë dhuratat e tjera të veçanta që mund të blihen nga Azerbajxhani Lindor dhe pëlqehen shumë nga turistët.

Miq të dashur në pjesën e fundit të këtij edicioni po prezantojmë një monument tjetër historik të njohur në provincën Azerbajxhani Lindor që njihet me emrin Kisha e Shën Stephanos. Kjo kishë ndodhet 16 km në perëndim të qytetit Xhulfa dhe 3 km në jug të lumit kufitar Aras në një vend të quajtur Këzëll Vang. Kisha e Shën Stephanos, është kisha e dytë më e rëndësishme e armenëve në Iran e cila nga aspekti i rëndësisë zë vend pas Kishës Korre. Kjo kishë është ndërtuar në shekullin 9, mirëpo për shkak të një tërmeti është dëmtuar në mënyrë serioze, por ajo është meremetuar gjatë periudhës së dinastisë Safavite. Kisha e Shën Stephanos ka një mburojë të lartë me shtatë kulla të rojave, ambiente për ceremonitë e mbrëmjes, manastir, ahur, kullën e kambanës dhe depo të ushqimit të kafshëve. Kjo kishë respektohet nga të gjithë të krishterët dhe gati nga të gjitha fetë. Mirëpo në realitet kjo kishë i përket degës Gregoriane të fesë krishtere, ndjekësit e të cilës ndodhen kryesisht në Armeni. Në një ditë të vitit me mijëra të krishterë armenë mblidhen në këtë kishë që përveç vizitës, kryejnë edhe rituale dhe ceremoni të veçanta fetare. Emri i kishës është marrë nga Shën Stephanos (martiri i parë në rrugën e krishterimit) i cili ishte një prej personaliteteve të njohura në shekullin e parë. Kjo kishë më 5 mars 1963, është regjistruar në listën e trashëgimisë kombëtare të Iranit.

Tags