Tetor 19, 2017 08:50 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin tjetër të radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Në edicionet e kaluara thamë se në veriperëndim të Iranit ndodhet një rajon i zhvilluar me emrin Azerbajxhan i cili ndahet në tre provinca Azerbajxhani Lindor, Azerbajxhani Perëndimor dhe Ardabil. Në disa edicione të kaluara u njohëm me provincën e bukur Azerbajxhani Lindor. Në këtë edicion do të udhëtojmë në provincën Azerbajxhani Perëndimor për tu njohur me bukuritë e kësaj province.

Në fund të pjesës veriperëndimore të Iranit dhe në kufi me Republikën e Azerbajxhanit, Turqinë dhe Irakun shtrihet provinca e Iranit me emrin Azerbajxhani Perëndimor. Kjo provincë në jug dhe në lindje kufizohet me provincat Kurdistan, Azerbajxhani Lindore dhe Zanxhan të Iranit. Provinca Azerbajxhani Perëndimor duke llogaritur edhe liqenin Orumije, ka një sipërfaqe mbi 43000 km2. Liqeni Orumije i cili është liqeni më i madh i rrafshnaltave të Iranit, ndodhet mes provincave Azerbajxhani Lindor dhe Azerbajxhani Perëndimor, por pjesa më e madhe e sipërfaqes së këtij liqeni shtrihet në provincën Azerbajxhani Perëndimor. Azerbajxhani Perëndimor është një prej rajoneve malore të Iranit dhe mbi 70% të sipërfaqes së kësaj province e përbëjnë malet dhe bjeshkët. Pjesa tjetër e sipërfaqes së kësaj province përbëhet nga ultësirat bregdetare ose fushat mes bjeshkëve të cilat konsiderohen qendrat më të rëndësishme të popullsisë dhe jetës ekonomike të kësaj province.  

Provinca Azerbajxhani Perëndimor kryesisht është nën ndikim të klimës së lagshtë të Oqeanit Atlantik dhe të Detit Mesdhe. Mirëpo në disa muaj të dimrit, rryma të ftohta të ajrit nga pjesa veriore ushtrojnë ndikim mbi klimën mesdhetare të këtij rajoni dhe si rezultat shkaktojnë rënie të mëdha të temperaturës.

Nga aspekti i klimës, Azerbajxhani Perëndimor ashtu si Azerbajxhani Lindor ka një klim të ftohtë dhe të lagshtë. Gjatë stinës së dimrit, në këtë rajon mbizotërojnë dimra të ftohtë dhe me dëborë ndërsa gjatë stinës së verës temperaturat janë mesatare. Nga aspekti i sasisë së reshjeve, Azerbajxhani Perëndimor është një prej rajoneve me reshje më të mëdha në Iran.

Reshjet e shumta të shiut dhe të dëborës së bashku me tokën pjellore, kanë bërë që sipërfaqja e kësaj province gjithnjë të jetë e mbuluar me gjelbërim duke përfshirë malet dhe kullosat dhe shpatet e bjeshkëve kufitare në të cilat ka reshje më të mëdha. Mirëpo mali më i rëndësihsëm i kësaj province ndodhet në rajonin Sardasht. E gjithë sipërfaqja e maleve artificiale në provincën Azerbajxhani Perëndimor arrin në 320 hektarë në pjesë të ndryshme.

Është interesant ta dini se një sipërfaqe e gjerë e provincës Azerbajxhani Perëndimor është e mbuluar me kullosa të shkëlqyera dhe në të cilat zhvillohen bimë të ndryshme si bari dhe lule të ndryshme. Kullosat e pasura janë bërë shkak që Azerbajxhani Perëndimor të shndërrohet në një prej qendrave të rëndësishme për zhvillimin e bagëtisë.

Për shkak të tokave pjellore të Azerbajxhanit Perëndimor, kjo provincë gjithashtu konsiderohet një prej rajoneve të rëndësishme bujqësore të Iranit dhe në këtë rajon kultivohen lloje të ndryshme të produkteve bujqësore. Vreshtaria në këtë provincë ka një famë të veçantë. Në Azerbajxhanin Perëndimor kultivohen mbi 20 lloje të rrushit të njohur ku një pjesë e tij konsumohet brenda Iranit, por pjesa më e madhe e tij eksportohet jashtë Iranit në formë rrushi të terur ose përpunohet në fabrikat vendore për produkte të ndryshme.

Fushat bujqësore dhe kullosat e shumta dhe bimët me lule si dhe kushtet e tjera natyrore janë bërë shkak që Azerbajxhani Perëndimor të shndërrohet në një prej qendrave më të rëndësishme për kultivimin e bletarisë dhe prodhimin e mjaltit. Në të gjitha qytetet e kësaj province prodhohet mjalti, mirëpo qendra më e rëndësishme për prodhimin e mjaltit është qyteti Nakde dhe rajoni Ashnuje ku bletët kultivohen edhe në formë natyrore dhe nëpër bjeshkë të ndryshme.

Provinca e Azerbajxhanit Perëndimor nga aspekti i popullsisë, është një prej provincave me dendësi të madhe të popullsisë në Iran. Një pjesë e popullsisë së kësaj province përbëhet nga fiset endacake. Duhet ta dini se në të gjithë pjesën perëndimore të Iranit dhe sidomos në vargmalet e Zagrosit që pjesa veriore e këtyre vargmaleve shtrihet në provincën Azerbajxhani Perëndimor, është një prej territoreve më të rëndësishëm për jetën e fiseve endacake në Iran.

Popullata e Azerbajxhanit Perëndimor kryesisht janë besimtarë të fesë Islame. Turqit azeri dhe kurdëd janë grupet më të mëdha etnike që jetojnë në këtë provincë. Kurdët jetojnë në pjesën më të lartë perëndimore dhe jugore të kësaj province ndërsa turqit azeri jetojnë në fushat rreth liqenit Orumije dhe një pjesë e tyre jetojnë në fushat veriore dhe juglindore të kësaj province. Gjithashtu, në këtë provincë jetojnë edhe minoritete të tjera fetare si komuniteti Asirian dhe Armen, sidomos në qytetin Orumije. Qyteti Orumije i cili është edhe qendra e provincës Azerbajxhani Perëndimor dhe qyteti më i madh i kësaj province, që nga kohërat e lashta ka qenë një qytet në të cilin jetonin grupe të ndryshme etnike dhe fetare dhe ky qytet njihet për bashkëjetesë paqësore mes këtyre grupeve etnike dhe fetare. Tani pasi përmendëm qytetin Orumije, më mirë është që vizitën tonë në këtë provincë ta fillojmë nga qyteti Orumije.

Qyteti Orumije është qendra e provincës Azerbajxhani Perëndimor dhe shtrihet në një ultësirë bregdetare me gjatësi 70 dhe gjerësi 30 km, skaj liqenit Orumije. Pozita e këtij qyteti në rrugën që kalon drejt Kaukazit, Armenisë, Azisë së Vogël dhe Mesopotamisë nga njëra anë dhe shtrirja e tij në brigjet e liqenit Orumije nga ana tjetër, i kanë dhënë një pozitë të veçantë këtij qyteti antik.

Orumije është një prej qendrave më të zhvilluara të civilizimit në rrafshnaltat e Iranit. Kodrinat dhe komplekset e shumta antike që ndodhen 6 km në juglindje të Orumijes, dëshmojnë këtë fakt historik. Historiku i lasht i këtij qyteti në bazë të mbishkrimeve mbi pllaka të ndryshme, daton që nga 2000 vite para erës së re. Në disa prej shkrimeve të historianëve islamë thuhet se Orumije ishte edhe vendlindja e Zoroastres (Zarathustra). Ndoshta edhe për këtë arsye qyteti i Orumijes në të kaluarën e lashtë ka qenë një prej qendrave më të mëdha fetare.

Dëshmitë historike tregojnë se perandorët romakë shumë herë kanë sulmuar ushtarakisht këtë qytet për të pushtuar faltoren e Zoroastres.

Pas shpalljes së Islamit, qyteti Orumije, pas qytetit Meraghe, u shndërrua në qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit dhe sipas Ibn Hughal, udhëpërshkruesit të njohur mysliman, Orumije në shekullin e katërt hixhri kameri, ishte një qytet i zhvilluar dhe në përmasa të qytetit Meraghe dhe kishte një tregti të zhvilluar. Jaghut Hamavi, historian dhe gjeograf i shekullit 7 hixhri kameri (13 të erës së re), gjithashtu në librin e tij "Mu'xhemul-Buldan" shkruan: "Unë qytetin Orumije e kam vizituar në vitin 616 h.k (1220 e.r.) dhe ai është një qytet i bukur dhe me shumë begati, me fruta dhe perime të shumta dhe kopshte të bukura dhe klimë të shëndoshë dhe me ujë të shumtë...".

 

Tags