Prill 20, 2018 09:45 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Në fillim ashtu si në edicionet e kaluara, do të flasim rreth transmetimit të tregimit si një tjetër kategori e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të vazhdojmë me tregimin e edicionit të kaluar.

Thamë se tregimet dhe transmetimet gojore të cilat janë transmetuar gojë më gojë nga gjeneratat e kaluara, përbëjnë një pjesë të historisë së popujve. Këto tregime janë transmetuar nga persona të cilët quhen "Naghal" transmetues. Transmetuesit kryesisht kanë qenë nga shtresa e feudalëve. Këta feudalë përbënin klasën borgjeze të pronarëve të tokave të cilët kanë treguar një interesim të madh për të parët e tyre. Gjithashtu thamë se librat si "Hezar Afsan" dhe "Khodajname" të cilët kanë mbetur nga gjuha Pahlavi, tregojnë qartë lashtësinë e traditës së transmetimit në Iran dhe gjithashtu tregojnë se në atë kohë transmetuesit gëzonin një pozitë të merituar në shoqëri dhe ishin ndër njerëzit më të kulturuar dhe më të arsimuar.

Në lidhje me historinë e transmetimit para Islamit ekzistojnë informacione të pakta të cilat janë mbledhur kryesisht nga udhëpërshkrimet, nga burimet historike dhe nga disa libra fetare të çmuara. Disa tregime janë transmetuar gjeneratë pas gjenerate që nga koha e Arianëve.

Ibën Nedim, mendimtar i njohur iranian i shekullit 4 hixhri kameri, në veprën e tij "Al-Fahrest", ka thënë: "Iranianët kanë qenë kompozitorët e parë të legjendave të para dhe i kanë mbledhur ato në formë të librit dhe i ruanin ato në bibliotekat e tyre dhe transmetonin tregime nga gjuha e kafshëve. Më pas mbretërit e dinastisë Parthian i kanë shtuar edhe materiale të tjera atyre dhe arabët i kanë përkthyer ato në gjuhën e tyre".

Sipas studiuesve, duke marrë parasysh dokumentet që kanë arritur t'i mbijetojnë kohës që nga periudhat antike, transmetimi i tregimeve është shoqëruar me muzikë. Në poemën "Vejs va Ramin" e cila daton që nga periudha e Parthianëve, në dy vende është përmendur fjala "Gusan". Fjala "Gusan" është një fjalë e gjuhës Parthian me të cilën emëroheshin muzikantët dhe këngëtarët. Tregimi "Vejs va Ramin" në fillim është transmetuar në mënyrë gojore pikërisht nga këta "gusan" muzikantë" dhe më vonë është shkruar. Shumica e gushanëve qëndronin në pallatet e mbretërve, ndërsa një grup tjetër i tyre shkonin nga një qytet në qytetin tjetër dhe transmetonin tregime për njerëzit. Mary Boyce, profesor i iranologjisë në Universitetin e Londrës, në lidhje me gusan-ët parthian, ka zhvilluar studime të gjera që rezultat i këtyre studimeve është libri me titull "Gusanët parthian dhe tradita e muzikës në Iran". Sipas Mary Boyce, "mbretërit iranianë gjithmonë kishin në dispozicion muzikantë dhe zbavitja e tyre ishte muzika, prandaj muzikantët dhe transmetuesit e tregimeve (rabsodët) ishin të pranishëm në festat e oborreve mbretërore dhe ky grup kryesisht përbëhej nga poetët".

Gusanët në oborrin mbretëror të dinastisë Parthiane dhe Sasane kishin një prani me ndikim dhe realizonin programe zbavitëse për mbretërit dhe për popullin e thjeshtë.  

Miq të nderuar temën e vazhdojmë në edicionin tjetër dhe tani po kalojmë në botën e tregimeve për të vazhduar tregimin e edicionit të kaluar "Xhuzari the thesari" nga vepra "Njëmijë e një net".

Në edicionin e kaluar arritën deri aty kur Xhuzari me unazën magjistare u kthye të cilën ia kishte dhënë Abdulsamedi, u kthye në shtëpinë e vet. Kur Xhuzari e kuptoi ngjarjen se çfarë kishte ndodhur me dy vëllezërit e tij, fërkoi dorën mbi gurin e unazës dhe Ra'd menjëherë u shfaq dhe Xhuzari kërkoi nga ai që menjëherë t'i sjell Selimin dhe Salemin në shtëpi. Përpara syve të mahnitur të nënës së tij, u hap toka dhe Ra'di u fut në të dhe pas një çasti doli nga toka me dy vëllezërit e Xhuzarit mbi supe dhe i dorëzoi ata pranë Xhuzarit. Selimi dhe Salemi kur e panë Xhuzarin, filluan të qajnë dhe i kërkuan atij që t'i falë për gabimin e bërë dhe ai i fali përsëri.

Xhuzari e kuptoi se duqit magjik të tij janë në arkën e thesarit të mbretit. Ai kërkoi nga Ra'di që t'i sjell atij arkën e thesarit të mbretit. Ra'di veproi sipas urdhrit të zotërisë dhe pastaj Xhuzari i kërkoi atij që të përgatisë për atë një pallat të madhërishëm me shumë shërbëtorë dhe funksionarë. Ra'di menjëherë e përgatiti pallatin dhe Xhuzari ia dha atë nënës së vet.

Por dëgjoni ngjarjen nga pallati i mbretit! Përgjegjësi i arkës së thesarit të mbretit kur e pa arkën e zbrazët, filloi të bërtas dhe shkoi menjëherë te mbreti dhe i informoi atë për zbrazjen e arkës së thesarit ndërsa i tha që edhe duqet magjik nuk janë. Mbreti urdhëroi që të përgatitet ushtria dhe i thirri komandantët e vet. Mirëpo askush nuk dinin se çfarë ka ndodhur, përveç atij burri i cili më parë e kishte informuar mbretin për ekzistencën e duqeve magjik. Ai tha: "O mbret, unë dje kaloja pranë një vendi dhe e pash që disa persona po ndërtonin një pallat. Sot e pash që pallati ishte përgatitur. Kam pyetur njerëzit dhe e kuptova se pronari i atij pallati ishte një person me emrin Xhuzar. I cili vetëm sa është kthyer nga udhëtimi dhe ka sjell shumë pasuri me vete dhe ka liruar nga burgu edhe dy vëllezërit e tij".

Mbreti bërtiti: "Armiku im u bë i ditur! Ai i cili ka liruar Selimin dhe Salemin nga burgu, më ka zbrazur edhe thesarin dhe ai nuk është vetëm Xhuzari dhe askush tjetër". Pastaj urdhëroi që ta arrestojnë atë.

Veziri i cili ishte një njeri i ditur dhe i zgjuar, tha: "Ai i cili mund të ndërtojë një pallat brenda një nate, patjetër duhet të ketë fuqi të madhe, prandaj duhet të mendohet plani më mirë. Më mirë është që së pari ta ftojmë atë në pallat që ta kuptojmë se çfarë aftësi ka dhe pastaj në përputhje me ato, të përgatisim një plan".

Veziri veshi një palë rroba të bardha dhe vetëm shkoi në pallatin e Xhuzarit dhe dha përshëndetje. Roja e pallatit ia kthye përshëndetjen dhe tha: "O njeri, kush je tij dhe çfarë kërkon?

Veziri kur dëgjoi se roja e quajti atë njeri, u dridh nga frika. E kuptoi se roja është prej xhinëve dhe nuk është njeri. Me ngadalë tha: "Unë jam veziri i mbretit. Kam ardhur që ta ftojë zotërinë tënd për një gosti në pallatin e mbretit". Roja pasi mori leje nga Xhuzari, e drejtoi vezirin brenda në pallat. Veziri dha përshëndetje dhe bëri përulje sipas zakonit dhe tha: "Mbreti të ka ftuar ty në këtë gosti". Xhuzari tha: "Unë nuk vij në pallatin e mbretit. Mbreti nëse dëshiron që të takohet me mua, le të vijë këtu". Më pas e ftoi Ra'din dhe e urdhëroi atë që të përgatisë rrobat më të bukura për vezirin e mbretit.

Veziri u kthye në pallatin e mbretit. Pastaj i tregoi mbretit rrobat të cilat ishin trupin e tij dhe i tregoi të gjithë atë çfarë kishte parë dhe dëgjuar në pallatin e Xhuzarit. Mbreti vendosi që të shkojë dhe të takohet me Xhuzarin. Ai së bashku me ushtrinë u nis drejt pallatit të Xhuzarit. Xhuzari dëgjoi se mbreti së bashku me ushtrinë po vjen aty, prandaj e urdhëroi Ra'din që të sjellë një numër më të madh të xhinëve në pallat dhe t'i veshë ata me uniformë të ushtrisë dhe t'i pozicionoi në pallat.

Mbreti dhe ushtria e tij arritën te pallati i Xhuzarit. Me të shikuar ushtarët, e kuptoi se forca e Xhuzarit është më e madhe se e tij.

Xhuzari ishte ulur në një fron madhështor në një dhomë shumë të bukur. Selim dhe Salemi si dy vezirë, qëndronin në dy anët e tij. Mbreti shkoi para dhe e përshëndeti atë. Xhuzari u ngrit nga vendi dhe ia ktheu përshëndetjen mbretit. Më pas kishin shtruar një sofër mbretërore dhe deri në mesnatë hëngrën e piten dhe biseduan. Kur mbreti deshi të largohet, Xhuzari urdhëroi që t'i japin dhurata të çmuara ushtarëve të mbretit. Pastaj u përshëndet me mbretit dhe i kërkoi atij që përsëri të vijë për vizitë. Mbreti pranoi dhe më pas disa herë shkoi në pallatin e Xhuzarit për vizitë.

Kaloi një kohë dhe mes mbretit dhe Xhuzarit u krijua një marrëdhënie miqësore, mirëpo mbreti në zemrën e tij akoma frikësohej nga forca e Xhuzarit. Një ditë e thirri vezirin e tij dhe i tha: "O vezir unë kam frikë se Xhuzari mund të ketë krijuar armiqësi ndaj meje dhe të vijë një ditë kur ai do të mbysë mua".

Veziri tha: "Tani kur e konsideron atë rival tëndin, më mirë është që vajzën tënde ta martosh me atë. Në këtë mënyrë ai bëhet dhëndëri juaj dhe nëse do të vdesë, pasuria do t'iu takojë juve".

Mbreti pranoi. Me propozim të vezirit, u organizua një gosti e madhe në pallatin e mbretit dhe Xhuzarin e ftuan në këtë gosti. Xhuzari shkoi dhe u ulë pranë mbretit dhe të dy palët filluan të bisedojnë. Pas një kohe, vajza e bukur e mbretit me një pretekst, hyri në dhomë. Xhuzari e pa atë dhe e pëlqeu. Veziri e kuptoi. Shkoi pranë Xhuzarit dhe me ngadalë i tha: "Nëse e ke pëlqyer vajzën e mbretit, mund të bëjë diçka që atë ta martojnë me ty?!"

Xhuzari tha: "Nëse do ta bësh këtë, do të falënderoj".

Veziri shkoi pranë mbretit dhe i tregoi ngjarjen atij dhe e porositi atë që të kërkojë dhurata të çmuara nga Xhuzari. Mbreti i kërkoi duqet magjik si dhuratë për martesën e vajzës dhe Xhuzari pranoi. U organizua një ceremoni madhështore e dasmës dhe vajza e mbretit u martua me Xhuzarin.

Kaloi një kohë dhe mbreti vdiq dhe Xhuzari u ulë në fronin mbretëror. Ai u bë mbret i atij vendi dhe Selimi dhe Salemi u bënë vezirët e tij. Xhuzari ishte mbret i drejt dhe bamirës. Njerëzit ishin të kënaqur me sundimin e tij dhe luteshin për të mirën e tij. Kaloi një vit. Selimi dhe Salemi vendosen që ta vrasin Xhuzarin dhe të bëhen pronar të mbretërisë së tij dhe të unazës magjike. Salemi e ftoi Xhuzarin në shtëpinë e tij dhe i dha atij ushqim të helmuar dhe e mbyti atë dhe u bë pronar i unazës magjike. Salemi e urdhëroi Ra'din që ta vrasë Selimin dhe kufomat e të dyve t'i vendosë përpara komandantëve të ushtrisë. Ra'di veproi sipas urdhrit të zotërisë.

Ushtria u frikësua dhe iu nënshtrua atij dhe Salemi e shpalli veten mbret dhe kërkoi që të martohet me gruan e Xhuzarit. Askush nuk guxonte ta kundërshtojë atë.

Gruaja e Xhuzarit u informua për këtë. Nuk tha asgjë. Kur Salemi shkoi në pallatin e gruas. Gruaja e Xhuzarit i dëshiroi mirëseardhje atij. Pastaj i dha atij një gotë me sherbet në të cilin kishte hedhur helm dhe i tha: "Pije këtë sherbet që të çlodhesh!". Salemi e piu sherbetin menjëherë. Helmi reagoi shumë shpejtë dhe Salemi ra në tokë i pashpirt. Vajza e mbretit i nxori atij unazën vulës nga gishti dhe e theu atë dhe e hodhi në mbeturina. Pastaj edhe duqet magjik i ndau në dy pjesë që ta humbin efektin e tyre magjik. Pastaj i thirri parinë dhe funksionarët e lartë të oborrit mbretëror dhe u tha atyre: "Mbreti i ri vdiq. Shkoni dhe zgjidheni një mbret tjerë!". Më pas veshi rroba të zeza dhe u ulë për të mbajtur zi dhe për të vajtuar për vdekjen e bashkëshortit të saj të dashur.

Tags